Hamdi Nuhiju
Ekzistojnë shumë probleme në rruzullin tokësor të cilat janë të karaktereve dhe natyrave të ndryshme. Disa prej këtyre probleme kanë zgjidhje ndërsa një pjesë e madhe e tyre gjendet nën kthetrat e lëvizjeve të krijimit të problemeve shtesë në shoqëri. Përmasat e këtyre problemeve janë të nivelit global dhe lokal. Por ka disa probleme të cilat edhe pse janë të nivelit lokal shndërrohen shumë shpejt në probleme globale, të cilat kaplojnë të gjitha valët e shoqërisë njerëzore. Shumica e këtyre problemeve, për të mos thënë të gjitha, kanë një bazë të përbashkët e cila quhet ‘familje’. Problemi shkaktohet shumë lehtë në mungesë të dhembshurisë prindërore, të dashurisë së nënës për fëmijët e saj dhe në mungesë të edukatës së familjes. Ose edhe njerëzit të cilët bëhen shumë të dhunshëm në shoqërinë njerëzore janë të prirë ta moderojnë mentalitetin e tyre shtëpiak në rrethana globale. Ata gjithmonë vrapojnë pas qetësisë dhe rehatisë, gjithmonë kërkojnë prehjen, bukurinë, përkëdheljen. E kërkojnë këtë gjë, pasi që të gjithë janë qenie njerëzore dhe Krijuesi i botëve i mundësoi njerëzve që t’i kërkojnë këto mirësi dhe begati. Njeriu nuk guxon që të heshtë karshi këtyre problemeve të cilat kanë kapluar komplet shoqërinë tonë. Duhet që gjithmonë të hulumtohet dhe të kërkohet një zgjidhje për secilin prej këtyre problemeve, me qëllim që shoqëria njerëzore të shohë prosperitet dhe rehati. Ne prosperojmë si shoqëri njerëzore po qe se e realizojmë edukatën dhe mirësjelljen me njerëzit e tjerë, dhe shkaktojmë përçarje dhe neveri tek njerëzit po qe se nuk arrijmë që të bashkëjetojmë me të tjerët në qetësi dhe harmoni të plotë. E nuk mund të jetosh me tjetrin nëse bëhesh shkak i thyerjes së ndjenjave të tij dhe shkaktar i lëndimit të emocioneve të tij. Secili njeri në këtë botë është një qenie që ka nevojë për t’i shprehur ndjenjat dhe emocionet e tij tjetrit ose dikujt të cilin e ka afër. Edhe ti që je bërë shkaktar i problemeve të ndryshme këtë gjë e ke bërë me arsyetimin se ke mungesë dhembshurie dhe dashurie qysh në bazën ose themelin tënd, themel i cili njihet me emrin familje. Si rezultat i moskujdesit tonë për njëri-tjetrin, në shoqërinë tonë është shtuar numri i të rinjve dhe të rejave që konsumojnë alkoolin, drogën dhe mjetet të tjera, të cilat e helmojnë dhe e degjenerojnë shoqërinë tonë. I gjithë ky mllef dhe kjo turbullirë ka lindur dhe ka dalë në skenë si rezultat i moskujdesit në edukimin e brezave të rinj. Shoqëria jonë ka nevojë dhe dëshirë që të jetë një shoqëri e pastër prej këtyre anomalive që kanë kapluar globin në tërësi dhe jo të futet ende më shumë në turbullirat e degjenerimit dhe akseseve frikësuese. Nëse Perëndimi vazhdon me këtë sjellje dhe këtë formë të trajtimit të familjes, që është shtylla e shoqërisë dhe zhvillimit, ai shumë shpejt do ta humbasë ndikimin e tij në rruzullin tokësor, ashtu si e humbën ndikimin e tyre shekuj më parë Fuqitë e Mëdha Botërore, fuqi të cilat e neglizhuan segmentin e familjes në shoqëri. Ata shoqëri të cilat humbën ndikimin e tyre në rruzullin tokësor, ishin shoqëri të cilat e humbën këtë ndikim mu si rezultat i degjenerimit, realizimit të të gjitha dëshirave të epshit pa asnjë kufi, dhe padrejtësisë që nxitnin në familje midis anëtarëve të saj.
E kemi të njohur trajtimin e shumë shoqërive njerëzore ndaj femrës gjatë shekujve të kaluar, por edhe në këtë kohë të modernizmit ku të gjitha vlerat e saj u hodhën në tregun e epsheve dhe dëshirave shtazarake të meshkujve, që si maskë përdorën tregtinë e lirë dhe barazinë midis gjinive që të arrijnë prapë në avazin e tyre të vjetër shekullor. Nëse shoqëria islame do të zgjohej prej gjumit dhe do të merrte përsipër të udhëhiqte rruzullin tokësor, padyshim se këtë gjë do e arrinte përmes bazës, ose thelbit të zhvillimit të saj, që është familja. Pa një familje të shëndoshë nuk mund të pretendojmë për një shoqëri të shëndoshë dhe të moralshme, e një shoqëri jo e shëndoshë dhe me sëmundje të ndryshme, do të ishte shkak i zhdukjes së saj nga faqet e lavdisë dhe civilizimit. Në kohët më të hershme ka pasur shumë shoqëri të cilat njihen sot si shoqëri të degjeneruara dhe si shoqëri të cilat kanë ndihmuar mjaft në përhapjen e prostitucionit, homoseksualizmit dhe dukurive të cilat sot i gjen të përhapura në përmasa të mëdha në Perëndim. Fatkeqësia më e madhe qëndron aty se këto sëmundje dhe anomali kanë filluar që të trokasin edhe në dyert e familjeve dhe shtëpive tona, familje dhe shtëpi të cilat tradicionalisht kanë qenë të moralshme dhe nuk kanë pasur asnjëherë probleme të këtyre sferave. Sot, shumë lehtë mund të dëgjosh përmes mjeteve të informimit, se një baba shqiptar e ka shtyrë vajzën e tij që të merret me prostitucion, sot shumë lehtë dëgjon se një vajzë shqiptare ka bërë vetëvrasje për shkak se familja e saj nuk ishte e kënaqur me përzgjedhjen e të dashurit të saj të jetës. Shoqëria jonë është e mbuluar prej këtyre anomalive dhe rasteve të cilat, disa dekada para sundimit të rrymave ateiste në rrethet tona, ishin tabu dhe nuk ekzistonin. Edhe pse shumë nga paraardhësit tanë ishin të varfër materialisht dhe nuk kishin mjete të sofistikuara tekniko-teknologjike prapëseprapë jetën e kishin të qetë dhe pa probleme. Ishin të kënaqur me atë që ua kishte dhënë Zoti i gjithësisë, kishin nder, namuz dhe të gjitha cilësitë e një shoqërie të ndershme dhe të ngritur. Sot, dëgjon disa publicistë shqiptarë të cilët, në mënyrë të paturpshme, i shajnë dhe i mohojnë paraardhësit tanë, të cilët ishin shkak që ne sot ta duam atdheun edhe Krijuesin.
****
Ekzistojnë faktorë të shumtë të cilët kanë sjellë deri tek lindja e problemeve të ndryshme në shoqërinë njerëzore. Këta faktorë rrjedhin prej bazës së shoqërisë, familjes dhe prej saj e kanë edhe shërimin. Nëse dëshiron që ta shkatërrosh një popull, ose një civilizim, këtë gjë mund ta arrish shumë lehtë. Shkatërroja familjet atij populli ose civilizimi dhe me siguri se edhe ai civilizim ose popull do të fundoset në greminën të cilën ti ia servove. Do të bëheshim monotonë për lexuesin nëse fillojmë që në formë të ligjërimeve të ndryshme t’i numërojmë faktorët të cilët rrjedhin prej familjes dhe të cilët hyjnë në familje, e që janë shkak i degradimit dhe shkatërrimit të një shoqërie të tërë. Në këtë tekst, në formë spontane, do të mundohemi që të përcjellim mesazhin e tij deri tek lexuesit. E kjo nuk do të thotë që ne nuk do të kemi bazë dhe mbështetje askund. Njeriu duhet të kuptojë se është krijesë e Zotit në rruzullin tokësor dhe se nuk është ai vetë Krijues. Nëse e kupton këtë gjë, atëherë shumë lehtë do të kishte mundësi që të merrte përsipër ndryshimet në jetën dhe familjen e tij.
Njeriu duhet që të jetë i kujdesshëm ndaj krijimit të familjes dhe rëndësinë e kësaj gjëje duhet ta ketë primare dhe jo në rend të dytë. Jo çdo femër që e shohim në rrugë e që na josh duhet që të jetë nëna e fëmijëve tanë. Në ato faza të përzgjedhjes së nënës së fëmijëve tanë, ne do të ishim fitimtarë ose edhe humbës përgjithmonë, si familje por edhe si shoqëri në tërësi.
Kutejbe ka thënë: Na ka treguar Abdulhamid b. Sulejmani, ky e ka dëgjuar prej Axhlanit, ky prej Ibni Vethime en Nasrit, ky prej Ebu Hurejres, i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ” Në qoftë se për fejesën e bijës suaj, ju vjen ai, feja dhe morali i të cilit juve ju pëlqen, martojeni. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë në tokë do të bëhet ngatërresë dhe shkatërrim shumë i madh.”( Suneni i Tirmidhiut-4, Shkup, 2008, f. 27-28)
Nëse do ta ndiqnim në praktikë këtë hadith ose thënie të Pejgamberit Muhammed, me siguri se nuk do të lindin probleme dhe anomali të cilat kanë kapluar secilin skaj të shoqërisë sonë. Hadithi, në mënyrë shumë koncize dhe qartas iu drejtohet besimtarëve muslimanë që ta jetësojnë dhe që të kenë kujdes në përzgjedhjen midis dy personave që do të ndërtojnë familjen, e në këtë formë edhe shoqërinë. Shoqëria është ajo e cila duhet të mbrohet prej anomalive të cilat sot janë përhapur me të madhe dhe kjo mbrojtje është si refleks i fillimit të saj, që është lidhja midis dy personave. Qysh në fillim të këtij hadithi, ne mund të hasim në një numër të madh problemesh dhe gjërash të cilat nxisin dhe stimulojnë skepticizmin dhe dyshimin tonë. Sot janë të rralla, ose gati nuk ekzistojnë fare, rastet kur dikush troket në derën tënde dhe kërkon vajzën tënde për djalin e vet. Ky zhvillim i hovshëm i teknologjisë i ka thyer barrierat dhe traditat të cilat nuk guxojnë që të thyhen dhe e ka rritur shumë komunikimin midis meshkujve dhe femrave. E në këtë mënyrë, shumë meshkuj bëjnë zgjedhjen e gabuar dhe shumë femra bëhen pre e kurtheve të meshkujve, të cilët e shohin femrën vetëm si objekt seksi dhe jo si një person me të cilën duhet të ndahet e mira dhe e keqja. Në raste të këtilla, me plot të drejtë, edhe prindërit janë bërë skeptikë se për cilën lidhje do të ishin dakord që të vazhdonte. Sot shumë meshkuj shikojnë vetëm bukurinë e femrave dhe nuk zgjedhin aspak vlerat e saj morale dhe ndershmërinë, e shumë femra të cilat janë rritur në frymën e propagandave të ndryshme materialiste, bëhen pre e dëshirave të luksit e pasurisë. Feja është zhdukur komplet në vokabularin e përzgjedhjes midis mashkullit dhe femrës. Edhe ato femra, të cilat janë të mbuluara dhe thonë se ndjekin urdhrat e Zotit, më lehtë dhe me plot dëshirë do të bëheshin shoqe jete me dikë që ka pasuri me bollëk e që nga feja nuk është edhe aq i kujdesshëm, sesa me ata fetarë, të cilët janë të devotshëm, kanë frikë Zotin, por materialisht janë të varfër. Por, kjo dëshirë dhe ky vullnet nuk është vetëm i vajzave të caktuara, të cilat kanë stereotipe të këtij lloji. Edhe disa prindër të disa vajzave nuk lejojnë që vajzat e tyre të martohen me ata që e kanë frikë Zotin dhe që mundohen t’i ndjekin urdhrat e Tij. Kemi shumë shembuj të këtij lloji në shoqërinë tonë. Kemi raste kur edhe prindi i vajzës është fetar, edhe djali i cili e kërkon atë vajzë është fetar, por prindi nuk lejon që vajza të martohet me këtë djalë, për të vetmen arsye se ky djalë jeton me vëllezërit e tij dhe e detyron djalin që pa lejen e prindit të vajzës, të kurorëzohet me këtë vajzë. Mendoj se populli ynë duhet të ketë kujdes gjatë caktimit të kritereve, por edhe në raport me ata njerëz të cilët e nderojnë familjen tonë përmes kërkimit të fejesës me vajzën tonë. Nëse do të ndiqnim udhëzimet e Pejgamberit Muhammed, me siguri se niveli i problemeve në shoqërinë tonë do të ishte në zbritje dhe jo në rritje, siç është fatkeqësisht.
****
Paralajmërimi i Pejgamberit Muhammed rreth asaj se, nëse besimtarët nuk ia japin vajzat e tyre besimtarëve, ose nëse nuk shikohet ana fetare ose morale e personit që kërkon vajzën tonë, do të bëhen shkatërrime të mëdha dhe ngatërresa, është veçse evident në shoqërinë tonë. Ne jetojmë në një shoqëri të degraduar skajshmërisht, shoqëri e cila ka harruar të gjitha vlerat e saj të mirëfillta. Sot përmes mjeteve të informimit dhe përmes një garniture të tërë njerëzish, mediumesh, intelektualësh, sulmohen vlerat të cilat nxisin njeriun që të zgjedh për veten dhe familjen e tij atë që është më realja dhe më e mira. E gjithë kjo bëhet në atë formë të riciklimit të mendjes dhe ideve të fiksuara të disa njerëzve se po iu kthyem moralit, ne do të bëhemi të padëshirueshëm për botën bashkëkohore, do të ishim shoqëri e prapambetur dhe mjaft meskine. Themeli i zhdukjes së moralit në familjet tona është ai paralajmërim i frikshëm i Pejgamberit Muhammed i cili i drejtohet secilit njeri në rruzullin tokësor, e veçanërisht muslimanëve. Mendoj se duhet që të filtrohen këto gjenerata, të cilat janë edukuar në frymën komuniste dhe të rikthehet ai prestigji i familjes sonë prestigj të cilin e kemi bartur me shekuj. Ne nuk guxojmë në asnjë moment që ta harrojmë të kaluarën tonë të lavdishme, e cila na mëson se si ta jetojmë të tashmen dhe me çfarë vizionesh ta presim të ardhmen. Nëse dikur përdorej plumbi ose pushka për mbrojtjen e nderit të familjes, sot shohim shumë prindër të cilët jo që nuk e mbrojnë nderin e familjes së tyre, por e ekspozojnë karshi garniturave të ndryshme, të cilat janë të ndërtuara për prishjen e këtij nderi përmes sloganeve të modernizmit e evropianizimit të shoqërisë sonë. Nga ky konstatim nuk dua të dal konservator dhe nuk dua që lexuesi i këtij teksti të më keqkuptojë duke thënë se jam për rikthimin e shoqërisë sonë në një pamje rurale ose skllavopronare. Mendoj se ne nuk duhet që ta asimilojmë shoqërinë tonë përmes sloganeve dhe pamfleteve të ndryshme, të cilat thërrasin për zhdukjen e moralit, nxjerrjen dhe ekspozimin e vajzave tona karshi rreziqeve të epshit dhe, njëkohësisht, edhe zbutjen ose trajnimin e familjeve tona me termat e lirisë dhe demokracisë, përmes servimit të këtyre termave për çdo ditë në mediume.
Pre e kurtheve të ndryshme në shoqërinë tonë nuk janë vetëm femrat, por janë edhe meshkujt, baballarët, nënat dhe vet shoqëria në tërësi. Në secilën pjesë të vendit tonë gjen mashtrues të ndryshëm të cilët manipulojnë me pasurinë, ndjenjat, emocionet dhe nderin e gjithsecilit. Bollëku material nuk është esenca e ekzistencës tonë në këtë botë, e as që është urtësi e të jetuarit me të tjerët në qetësi dhe harmoni. Bollëku material vlen që njerëzit ta shfrytëzojnë atë me qëllim që të mos i ekspozohen skamjes dhe në këtë mënyrë ta harrojnë Krijuesin e tyre, i cili është Furnizues i botëve. Si mund ta paramendojmë rruzullin tokësor me të gjitha krijesat në të, pa Furnizuesin, i cili i furnizon të gjithë në forma dhe mënyra të ndryshme? Prandaj edhe shoqëria jonë preokupim kryesor nuk duhet ta ketë bollëkun material, me qëllim që kjo gjë të bëhet shtysë e tij për një jetë të përjetshme në këtë botë. Si rezultat i këtij mentaliteti shumë baballarë dhe nëna kanë harruar që në shtëpitë e tyre kanë disa njerëz të cilët e kanë emrin fëmijë dhe se kanë nevojë për përkujdesjen e tyre. Arsyetimi i tyre kryesor do të ishte: po ne e kemi parasysh këtë gjë, se kemi dikë nën përkujdesje, prandaj vrapojmë pas bollëkut material. Por, nëse është e drejtë dhe e vërtetë ajo që këta njerëz deklarojnë, atëherë bollëku material nuk duhet të jetë preokupimi primar i tyre dhe të zërë vendin e edukimit të atyre fëmijëve. Sepse nëse trupi kërkon ushqim për ta vazhduar ekzistencën e tij në këtë botë, edhe mendja dhe shpirti i njeriut ka nevojë për ushqim dhe përkujdesje për ta vazhduar ekzistencën e tyre normale në këtë botë. Disa prej prindërve kanë preokupim vetëm ushqimin e trupit të fëmijëve dhe normal se nuk kanë kohë që të përkujdesen edhe për pjesën tjetër të këtyre fëmijëve dhe këta fëmijë i mbushin ato zbrazëtira duke konsumuar gjithçka që shohin dhe që e rrethojnë, duke mos bërë dallim midis ushqimit të shëndoshë prej atij helmues. Ky është një problem evident gati në secilën familje. Do të ishin me fat ata fëmijë nëse do të takoheshin me njerëz të cilët e njohin Zotin dhe që janë të ndërgjegjshëm e që nuk merren me degradimin dhe degjenerimin e të rinjve dhe të rejave të ndryshme. Edhe nëse ekzistojnë njerëz të këtillë në shoqërinë tonë, prapë është një problem i madh pasi që fëmija si fëmijë ka nevojë për dashurinë dhe përkëdheljen prindërore. Ne dimë shumë raste në shoqërinë tonë ku shumë vajza dhe djem kanë marrë rrugë të gabuara në jetë, për shkak se prindërit e tyre ua kanë plotësuar të gjitha nevojat e trupit, ndërsa nuk kanë pasur kohë për asnjë moment që të ndalen me këta fëmijë dhe t’iu thonë madje njëherë se i duan dhe t’i ledhatojnë e t’i qortojnë. Ekzistenca e njeriut në këtë botë, edhe pse përballet me shumë sprova dhe sfida të ndryshme prapë se prapë ka nevojë për një ripërtëritje dhe një dashuri e përqafim. Vetë Pejgamberi Muhammed, Relevatën Hyjnore e pranoi përmes përqafimit dhe shtrëngimit të Engjëllit Xhibril. Do të ishte e zakonshme kjo gjë, pasi që Engjëlli Xhibril herën e fundit e kishte vizituar rruzullin tokësor në kohën e Pejgamberit Isa, ndërsa pas një periudhe të gjatë kthehet prapë në tokë, me një mision përfundimtar për të gjitha botët dhe kohët. Përderisa vetë ekzistenca e Islamit, fillesat e saj i kishte në saje të përqafimit të Engjëllit Xhibril me Pejgamberin Muhammed, atëherë edhe ekzistenca e familjes sonë, dhe në këtë mënyrë e tërë shoqërisë, do të duhej t’i kishte fillesat e saj në suazat e dashurisë, përkëdheljes dhe përqafimit në familje.
****
Ideja është e qartë dhe e njohur nga të gjithë. Përmes shkatërrimit të familjes sonë, të tjerët synojnë që ta shkatërrojnë shoqërinë tonë dhe, në këtë mënyrë, të sundojnë mbi ne. Rrugët drejt realizimit të kësaj ideje ose këtij projekti, për të cilin është investuar dhe punuar ndoshta me vite, janë të shumta. Por, kryesoret janë ato të mjeteve fuzive, të cilat shfrytëzohen me të madhe në këtë drejtim. E ke vështirë sot t’i zhdukësh disa stereotipe të cilat janë krijuar në mendjen e njerëzve të caktuar rreth disa dukurive në shoqëri e që janë të lidhura direkt me familjen. Në mesin e këtyre stereotipeve do të gjesh njerëz të atillë të cilët veprojnë në suazat e thirrjes së njerëzimit prej një kahe të drejtë në atë të zhdrejtë dhe, në këtë formë, drejt eliminimit të komplekseve dhe formave të ruajtjes së nderit të familjes. Hapësira e dhënë për realizmin e këtij degradimi është një hapësirë e cila reflekton negativisht në gjeneratat e popullit tonë. Sot përmes këtij zhvillimi tekniko-teknologjik është bërë me të vërtetë e vështirë që të dallohet e mira prej të keqes. Edhe në mesin e teologëve të ndryshëm gjen të atillë që nuk e kanë dert pse gratë e tyre nuk janë të mbuluara sipas konditave që kërkon feja islame, dhe bile para mediave mburren për një gjë të këtillë. Gjen të tillë të cilët për të ruajtur kolltukët e tyre dalin jashtë bontoneve të sjelljes muslimane dhe tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë. Të gjitha këto gjëra, që po na rrethojnë dhe që po na ndodhin në këtë shekull dhe në këto kohë, nuk janë rastësi. Por janë pjesë e realitetit i cili është gatuar shekuj më parë nga struktura të errëta që kanë synim zhdukjen e këtij ummeti prej faqes së dheut. Nëse shkëpusim një pjesë të historisë sonë të lavdishme, do të ktheheshim pak shekuj më parë në qendrën e dijeve, në Andaluzi. Kur misionarët e huaj përgatiteshin për t’i pushtuar këto vende, ata bënin plane dhe strategji se si ta arrinin këtë gjë në mënyrën më të efektshme dhe më të mirë. Njëherë prej herëve të shumta që misionarët e huaj vizitonin oborrin tonë, njëri prej tyre shkon për një vizitë dashakeqe në njërin prej universiteteve tona në Andaluzi. Dhe hapi i parë i misioneve të këtilla ishte vëzhgimi dhe marrja e informatave të duhura, se si duhet të vepronin për të pushtuar, ose edhe për të përdorur intrigat e ndryshme për t’ia arritur qëllimit. Në momentet e vëzhgimit të atyre studentëve muslimanë, ai i dëgjon ata duke biseduar. Biseda e tyre sillej rreth shkencës, artit, kulturës. Njëri krenohej se sa hadithe dinte përmendsh, tjetri tregonte se sa pjesë të Kur’anit i kishte mësuar përmendsh ato ditë, e kështu me radhë. Ky misionar, i cili e sheh epërsinë e popullit tonë, kthehet në vendin e tij dhe jep konkluzionet e tij se tash nuk është momenti i volitshëm për të pushtuar këtë vend. Pas një kohe, i njëjti misionar kthehet në njërin prej universiteteve tona në Andaluzi, kur sheh një të ri duke qarë para dyerve të Universitetit. Ky, i habitur, e pyet pse qan? E përgjigja e këtij studenti ishte fatale, shkatërruese, degjeneruese, pikë e dobët e secilit njeri. Ai i tha: më ka lënë e dashura, prandaj qaj… Misionari i gëzuar kthehet në vendin e tij dhe çon këtë sihariq të madh se: tash është koha ta pushtojmë këtë vend, vend të cilin shumë shekuj këta njerëz e kanë mbajtur me drejtësi, punë e shkencë, ndërsa me siguri se do ta humbin (sikurse edhe e humbën) përmes realizimit të të gjitha dëshirave të epshit të tyre dhe harrimit të punës e shkencës.
Dyert e degjenerimit trokasin në forma të ndryshme mes nesh. Të huajt panë përparësinë në pushtimin tonë përmes shkatërrimit të krenarisë dhe nderit të familjes. Pasi që studentët në vend që të mendonin rreth dijes dhe shkencës, ata kishin dert për të dashurat e tyre. Një gjendje e këtillë dekadence dhe degjenerimi ekziston prej atëherë edhe në ditët tona dhe shpresojmë se një gjë e tillë do të ndryshojë shumë shpejt për të mirën tonë. Ne e humbëm lavdinë tonë në rruzullin tokësor kur s’u treguam burra, ndërsa tash po e qajmë si gra. Është i vërtetë konstatimi i një teologu, i cili e sqaroi me shumë pak fjalë gjendjen tonë. Ai tha: “Në odat tona, para disa viteve, familjet tona krenoheshin me numrin e madh të meshkujve. Aq shumë krenoheshin saqë Zoti i madh e dëgjoi dëshirën e tyre dhe shqiptarët nuk kishin femra të tyre për t’u martuar, por detyroheshin të merrnin edhe boshnjake. Sot, nëpër odat tona, dëgjohen biseda rreth gruas, femrës, femrave. Aq shumë krenohen njerëzit me femrat, saqë Zoti e dëgjoi kërkesën e tyre dhe u shtua dukshëm numri i femrave në shoqërinë tonë.” Nga ky konstatim ne nuk kemi qëllim diskriminimin e femrës dhe fjalën e keqe për të. Por, është më se e vërtetë se aty ku shtohet numri i femrave duhet të ekzistojë një dozë e kujdesit më të madh dhe e moralit më të thellë. Në këto kohë që jetojmë, ju lutem, a ekzistojnë këto parametra në shoqërinë tonë? Pse atëherë është i përhapur kaq shumë prostitucioni në mesin tonë? Përgjigjen, me siguri, se do e gjeni vetë.
****
Nëse pyetemi se pse ndodhi i gjithë ky ndryshim në mesin tonë, që shoqëria u shndërrua prej një shoqëri e cila kishte në suazat e veta moralin dhe format e ndryshme te nderit në një shoqëri ku prishet nderi i secilit për secilën ditë, përgjigjen do e gjejmë shumë lehtë. Vendi ynë, për një periudhë të gjatë, u sundua prej sistemit i cili nuk dëshironte, madje, të dëgjonte për fetë. Ai sistem ishte i lidhur ngushtë me të gjitha lozhat masone të cilat ekzistojnë në rruzullin tokësor. Rreth kësaj lidhjeje dhe ngjashmërive të kësaj lidhjeje në veprim, dijetari musliman Fet’hi Jeken, në librin e tij “Si të thërrasim në Islam” thekson:” Për t’ia arritur qëllimit komunizmi e ndien të nevojshme veprimin me dredhi, tradhti, mashtrim dhe me mënyra të tjera të shëmtuara. Lenini thotë: “Të gjithë ata që janë të lidhur me komunizmin duhet t’i dinë të gjitha dredhitë dhe mashtrimet. Realizimi i komunizmit e bën të domosdoshëm përdorimin e çdo mjeti. Duhet të dihet se komunizmi ka shumë ideale të pastra për arritjen e të cilave duhen përdorur dredhi të shëmtuara. Për këtë arsye, komunizmi do t’i përdorë të gjitha rrugët e pamoralshme për t’ia arritur qëllimit.” Derisa jemi këtu, të cekim se edhe në protokollin e parë të sionistëve thuhen të njëjtat gjëra: “Ata që janë të lidhur me ne, duhet të jenë të zgjuar pranë qeverive dinake dhe inteligjente. Për arritjen e qëllimit të mirë, këto të këqija mund të bëhen caku numër një. Pra, njerëzit nuk duhet të qëndrojnë larg ryshfetit, tradhtisë dhe dredhisë.”( Shkup, 2000, f. 52)
Vizioni komunist, që sundoi disa dekada në vendin tonë, u mundua që të na çrrënjosë prej zemrës dhe faqes së dheut të gjitha vlerat që janë të lidhura me fenë, moralin dhe familjen. Komunistët kishin një shpjegim të ngjashëm si për moralin, fenë, ashtu edhe për familjen. Vizioni i tyre për familjen ishte shumë i ngurtë dhe mjaft përbuzës. I ngjashëm me vizionin sionist për shkatërrimin e shoqërisë përmes familjes.
Zhan Frifil në librin e tij “ Gruaja dhe socializmi” thotë: “Familja nuk përbën një formë shoqërore të përjetshme. Asaj i kanë ndodhur shumë ndryshime gjatë shekujve. Ky zhvillim përcaktohet në analizën e fundit në faktorin ekonomik. Pastaj vizatojnë një vijë zhvillimi të familjes që, në etapat e para, bazohet në atë që është zbuluar nga gjendjet e fiseve të fundit, në kontinente të ndryshme të tokës, apo ato që imagjinojnë prej gjendjes së tyre në disa raste.”
(Bota në fokusin islam, Muhamed Kutub, Tiranë, 2007, f. 214)
Pra, kemi një lidhje direkte midis komunizmit dhe sionizmit botëror, të cilët kanë një synim të vetëm: shkatërrimin e popujve të ndryshëm në rruzullin tokësor, përmes shkatërrimit të familjes. Komunistët familjen e shohin në aspektin ekonomik dhe social. Po ashtu në ditët tona edhe vetë konceptet dhe idetë e sionistëve, familjen praktikisht, e shohin si pjesë të propagandave ekonomike. E në këtë mënyrë, këto ideologji tentojnë që të nxjerrin në botën e tradhtisë dhe dredhisë, femrën, gruan, djalin, vajzën dhe kështu ta shkatërrojnë shoqërinë. Ata i kanë të lejuara të gjitha mjetet e mundshme për të arritur deri tek caku i tyre final. Madje e përdorin edhe dredhinë, tradhtinë, dinakërinë, vetëm e vetëm që të arrijnë deri tek nënshtrimi i popujve të tjerë dhe arritja e udhëheqësisë së botës përmes tyre. Nuk duhet harruar se shoqërinë tonë shqiptare, një periudhë të gjatë, e sunduan njerëz me ide të këtilla, me platforma për zhdukjen e çdo gjëje që ka vlerë morale dhe, në këtë mënyrë, me ideologjizimin e skajshëm të jetës së shqiptarit të thjeshtë. Ne si popull ishim në një terr të madh për një periudhë të gjatë dhe pasojat e këtij terri, po i vuajmë në ditët e sotshme. Pasojat janë katastrofale në krahasim me mundin e tyre të dhënë për zhdukjen e vlerave morale në mesin tonë. Ata përdornin edhe dhunën kundër fesë, ndërsa parimet islame dëshmojnë se në fe nuk ka dhunë. Ata përdornin incestin për të arritur deri tek bindshmëriandaj Partisë, ndërsa në fe incesti është gjë e shëmtuar dhe e dëmshme. Ata e detyronin femrën që të bënte punë të njëjta me mashkullin, bile shumë herë edhe më të rëndat, ndërsa në fenë islame, femra trajtohet si mbretëreshë. Shërbëtorë të saj janë burri, djali, nipi dhe ajo nuk është shërbëtore e tyre, pasi që vetë natyra e saj është e tillë që të mos e rëndojë veten me punë që nuk ka fuqi t’i realizojë. Ajka e këtij populli u strehua nën greminat e frikshme të devijimeve të njëpasnjëshme, devijime të cilat ishin si rezultat i sistemit të kohës.Prej njerëzve u largua me dhunë dashuria, dhembshuria dhe të gjitha cilësitë e mira që kanë lidhje me fenë. Edhe pse sistemi u largua, pasojat e tij gjenden sot e kësaj dite. Shumë familje janë gjymtuar prej një mentaliteti të atillë, që errësoi jetën e shqiptarit të thjeshtë.
****
Në vitet e nëntëdhjeta, sistemi komunist ra prej sundimit dhe vendet e Gadishullit Ballkanik dhe e një pjese të madhe të Evropës Lindore u liruan prej kthetrave të këtij sistemi. Pas rënies së sistemit ateist-komunist, dukej sikur po lindte një frymë e re në Evropë, me pikëpamje të reja demokratike, të cilat do t’i dërgonin vendet tona drejt zhvillimit dhe mirëkuptimit. Këtij gëzimi për rënien e sistemit komunist iu qasën të gjithë njerëzit dhe instancat politike në këtë pjesë të rruzullit tokësor. Njerëzit filluan që të ecin dhe të flasin lirshëm. Disa të hutuar dhe të mbyllur një periudhë të gjatë nën ideologjinë titiste, e kishin shumë të vështirë të përshtaten me frymën e re. Nga injoranca ose pavetëdija e këtyre njerëzve, që dekada me radhë ishin të shkëputur prej botës, manipulues të ndryshëm filluan të luajnë me ndjenjat, dijet dhe jetët e tyre në forma të ndryshme. Pluralizmi fetar pa dritën e vet më në fund, pas një errësire të madhe që iu servua prej ish sistemit. Njerëzit filluan të besonin Zotin lirshëm dhe t’i realizonin të gjitha ritet fetare, ashtu si i kërkonte feja. Por, ishte dhe, ende sot e kësaj dite, është i vështirë ambientimi i njerëzve me mendimin ndryshe. Njerëzit, të cilët e perceptojnë jetën ndryshe prej atyre që jetuan në sistemin komunist, e kanë shumë të vështirë që të gjejnë përkrahje institucionale. Në mungesë të kësaj përkrahjeje, këta njerëz janë të destinuar që të kalojnë në rrugë dhe peripeci të cilat as djalli i mallkuar nuk i kalon sepse frikësohet. Shumëçka erdhi prej Perëndimit. Gjërat tona na u bënë të huaja dhe të huajat u bënë të dashura për ne. Kështu ndodhi me njerëzit të cilët, një kohë të gjatë, ishin në burgun e ideologjisë majtiste. Populli ynë, duke mos bërë zgjedhjen e asaj që vinte prej Perëndimit, pranoi pa hezitim edhe vlerat edhe antivlerat . Pranoi edhe metodologjinë e studimit të shkencave të ndryshme, por edhe homoseksualizmin, lezbizmin, incestet dhe veprimet tjera çnjerëzore të cilat janë shumë të përhapura në Perëndim. Në kohën e komunizmit u hodh fara e shenjtërive të ndryshme të huaja për popullin tonë. Ndërsa frytet e asaj fare të helmuar ne po i shijojmë përmes propagandave të ndryshme nëpër media dhe institucionalisht prej personaliteteve tona, që i kanë shndërruar në idhuj të paprekshëm. Familja ka marrë përmasa shumë të rrezikshme në këto ujëra, të cilat nuk po janë aspak të sigurta. Të gjitha dukuritë negative që u shfaqen tek familjet tona, gjetën prehjen dhe rrugën në momentet e lirisë dhe maksimës asimiluese të perëndimit: barazia gjinore. Kjo maksimë false dhe mjaft e rrezikshme për vetë gruan, gjeti prehje në vokabularin e elitës politike dhe intelektuale tek populli ynë. Ndërsa pjesët e mbetura jashtë vendin amë, u ushqyen për vite të tëra me nacionalizmin dhe enverizmin e skajshëm i cili dukshëm ndikoi edhe në edukimin e brezave të rinj nga familjet tona. Sot gjen shumë sheshe, rrugë, e institucione me emra sllavësh, ose ateistësh, të cilët ndikuan në prishjen e vlerave morale të popullit tonë. Nëse bëjmë hapa drejt sulmimit të këtyre antivlerave në popullin tonë, menjëherë gjejmë një armatë të tërë mbrojtësish të këtyre antivlerave, që kanë për qëllim ta mbajnë ende më tej të varur shoqërinë tonë në idetë e zvetënuara komuniste. Sot përmes politikave të ndryshme gjen edhe ringjalljen e rinisë si pjesë të komunizmit e socializmit. Si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri e Maqedoni, rinia e cila kërkon ndryshime politike, po paraqitet haptazi me ide dhe projekte marksiste, në këto kohë kur vetë bartësit e këtyre ideve në Evropën Lindore u larguan ose u distancuan prej tyre. Gjen njerëz të cilët thërrasin haptazi për logjikën marksiste të familjes dhe politikës, e të gjithë këto gjejnë përkrahje mediatike dhe institucionale, ndërsa ata që thërrasin për kthimin e popullit tonë dhe të familjes nga vlerat morale, të nderit dhe respektit të ndërsjellë, përbuzen, sulmohen e injorohen totalisht prej të gjitha instancave politike dhe mediatike në vendet tona. Raste të këtilla kemi shumë dhe deri tek to kemi ardhur si rezultat i pasojave të sundimit ateist në rrethet tona. Ndër rastet e fundit të këtij niveli ose lloji mund të përmendim sulmet e vazhdueshme të gazetës Ekspres në Kosovë kundër vlerave morale që urdhëron feja islame për t’i realizuar në familje e, në këtë mënyrë, edhe në komplet shoqërinë tonë shqiptare.
****
Periudha pas viteve të nëntëdhjeta ishte periudha më e habitshme për popullin tonë. Ndodhën shumë ngjarje dhe trazira të cilat burimin e tyre e kishin në ish-sistemin, i cili sundoi dekada me radhë. Privatizimi në njërën anë bëri realizimin e një koncepti tjetër prej atij që ishte në kohë, por në anën tjetër shkaktoi një papunësi dhe varfëri të madhe në mesin e popullit tonë. Çmimet filluan që të lëvizin, ndërsa shumë firma shtetërore falimentonin e kështu shumë njerëz mbeten pa punë. Familjet të cilat dikur mbaheshin financiarisht, tash brenda një periudhe të shkurtër u bënë shumë të varfra.Krahas krizave të njëpasnjëshme që po kaplonin popullin tonë, ne shihnim edhe degradimin e moralit, jo vetëm në familje, por kudo. Në momentet e varfërisë, një popullsi e këtillë ka nevojë që të harrojë brengat dhe hallet e tyre, e mashtruesit panë shanset e tyre për të vepruar në vendin tonë. Servuan gjithçka në tregun e vlerave të shqiptarit të thjeshtë. Kjo periudhë, e cila njihet si periudhë tranzicioni për vendin tonë, zgjati shumë, derisa arriti që të përulë dhe përdhosë të gjitha vlerat morale të këtij populli. Në momentin final të saj, të huajt si dhuratë për shitjen e moralit tonë tregut të tyre, na dhanë futjen në Nato. Askush nuk mund t’i harrojë skemat piramidale, të cilat nxitën një krizë të thellë institucionale dhe një rrezik të madh të ekzistencës së vendit tonë. Si rezultat i këtyre skemave, një numër i madh shqiptarësh u detyruan që të lënë vendin e tyre dhe të kapin rrugët e mërgimit, bile disa këto rrugë i morën përmes zanatit më të vjetër në rruzullin tokësor-prostitucionit. Vala e mërgimtarëve shqiptarë në Itali ishte e madhe dhe në tregun e prostitutave, shqiptaret, të cilat dikur njiheshin si të moralshme, të ndershme dhe besnike, tash kanë dalë që të shisnin trupin e tyre në formën më mizore. Por, këto veprime të popullit tonë nuk ishin me dëshirën e tyre. Thjesht ishin pasojë e planifikimeve të Fuqive të Mëdha drejt shkatërrimit të këtij populli, fillimisht përmes sistemit ateist, e më pas përmes shtrëngimeve të tjera politike dhe ekonomike që e detyruan këtë popull t’i nënshtrohej varfërisë dhe të gjitha rrugëve çnjerëzore. Nuk ishte vetëm rruga ekonomike dhe politike ajo që i shtyu të huajt që të sundonin mbi ne. Por, të huajt edhe përmes kulturës, religjionit, artit, arsimit, arritën që të bëjnë shpëlarjen e trurit tonë dhe, në këtë mënyrë, të na shndërrojnë në administratorë të ideve të tyre në vendin tonë. Disa mund të thonë se jam i çmendur kur them se jemi të sunduar ende sot e kësaj dite prej të huajve në vet vendin tonë. Sundim nuk d.m.th. vetëm prezencë e të huajve në vendin tonë dhe në këtë mënyrë pushtim i këtij vendi në formën primare e të dukshme. Sundim janë edhe politikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore ndaj vendit tonë, sundim janë edhe idetë janullatiste në të gjithë pjesët e vendit tonë, sundim janë edhe sharja e sulmimi i gjithë historisë së lavdishme të popullit tonë, në suaza të popujve të perandorisë së besimit, ose edhe shtrembërimi i fakteve historike për gjithë atë periudhë të lavdishme të popullit tonë. Për realizimin e këtyre ideve, të huajt nuk kanë nevojë që të jenë prezent me ushtri e me njerëz të tyre në vendin tonë. Ata përmes politikës së investimeve të huaja direkte dhe indirekte, përmes investimeve të tyre në shkollimin e kuadrove tanë, përmes investimit të tyre në projekte të kulturës, artit, letërsisë e arsimit, arrijnë që të krijojnë marioneta nga vetë populli ynë që bartin me mjaft kujdes idenë e tyre. E sot nuk është habi që krerët e shtetit tonë tremben para ambasadorëve të huaj dhe, në këtë mënyrë, tek opinioni publik krijohet imazhi se vendet tona i udhëheqin ambasadorët e shteteve të mëdha dhe jo krerët tanë. Sot për veprimtaritë tona, në vendin tonë, na japin raporte zyrat amerikane e angleze, ndërsa ne nuk guxojmë të përgatisim raporte për punën dhe vendin tonë ashtu si duam ne, pasi që ende nuk jemi të kualifikuar sipas ideve dhe standardeve të tyre. I gjithë ky lëmsh që ekziston sot në rruzullin tokësor është si rezultat i krijimit të autoritetit të shteteve të ndryshme në shtetet e tjera. Sot shumë lehtë mund ta dëgjosh ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë se si flet për një vend të huaj, siç është Kosova për të. Ai Kosovën e trajton sikur të ishte Serbia dhe jo Kosova, kjo pjesë e ndarë padrejtësisht prej Shqipërisë shekuj më parë. Kur njerëz me mentalitete të këtilla, na udhëheqin ne, të cilët kanë përkrahje të fuqishme të jashtme dhe të brendshme politike e mediatike, atëherë si mund ta shohim perspektivën e familjes sonë të moralshme? Kur përmes emisioneve të ndryshme fëmijët, qysh në klasën e parë e të dytë, mësohen se si të puthen, atëherë për çfarë vlera morale na mëson ky modernizim? Kur fëmijët nëpër strehimore që kanë fatin të jenë pa prindër, pagëzohen me emra të krishterë në këtë vend musliman, atëherë çfarë vlera na servon ky modernizim?
Perëndimi e ndau popullin tonë në dy krahë, që janë shumë të fuqishëm dhe të vlefshëm për ardhmërinë e këtij populli. Krahu i parë është krahu fetar dhe krahu i fundit, ose ai i dytë, është krahu kombëtar. Krahun fetar e sulmoi dhe vazhdimisht e sulmon në forma të ndryshme, por me kryesorja prej të gjitha atyre formave është sulmimi i Perandorisë Osmane, kinse kjo Perandori na paska bërë muslimanë me dhunë dhe krijimi i logjikës tek populli ynë se duhet që t’i kthehemi fesë së të parëve tanë. Edhe në krahun kombëtar luajtën një rol të rëndësishëm në përçarjen tonë. Krijuan një identitet të ri kosovar përmes një skeme, himni e flamuri me asnjë shenjë të përbashkët të popullit tonë dhe, në anën tjetër, krijuan një elitë politike në Shqipëri që Kosovën ta trajtonte njëlloj me Serbinë, ndërsa për shqiptarët e Maqedonisë të shprehen se ato janë maqedonas. Logjikisht mund të pyesim se në një pozitë të këtillë të përçarjes përmes fesë dhe kombit, ku gjendet familja shqiptare?
****
Sulmet ndaj familjes sonë ishin përmes metodave dhe mënyrave të ndryshme. Por metoda më e përhapur drejt sulmimit të vlerave morale të familjes sonë, ishte slogani: ‘barazia gjinore’. Mbi bazë të këtij parimi dhe slogani, bota perëndimore arriti që të sundonte në rruzullin tokësor dhe që të shkatërronte dhe të zhdukte ndikimin e botës orientale. Por, ky slogan është shumë i rrezikshëm edhe për vetë shoqëritë perëndimore. Nëse futemi thellë dhe nuhasim në brendinë e këtij slogani do të gjejmë shumë mashtrime dhe manipulime të botës perëndimore ndaj femrës. Barazia gjinore nuk është kërkesë legjitime e femrës, por është maskim i meshkujve perëndimorë i përbuzjes së vlerave të femrës, nënës, gruas, motrës, mbesës etj. Një slogan i këtillë e nxori femrën jashtë dyerve të sigurta të shtëpisë e në tregun e mashtrimeve të mashkullit. Në emër të këtij slogani, sot shumë femra shqiptare nuk e dëgjojnë fjalën e prindërve të tyre. Në emër të këtij slogani, sot shumë femra që ishin studente, ose shkollare të mesme, u bënë prostituta dhe zhdukën jetën e tyre. Prindërit u flasin fëmijëve të tyre për të mirën dhe të keqen dhe i qortojnë shpesh ata. Por qortimi i tyre nuk është shprehje e skepticizmit dhe e mosbesimit. Ndërsa ndikimi i sloganeve të këtilla e ka sjellë femrën në atë pozitë që qortimin e prindërve të vet ta marrë me dyshime dhe t’i thotë se: unë dyshoj tek ti se ti nuk ma do të mirën. Shiko vajzat e tjera shkojnë në ekskursione të ndryshme; ato a nuk kanë prindër? E ti më ndalon mua, pa të drejtë, më përbuz, je fanatik! Pse ma bën këtë gjë?
Femra e gjorë nuk e kupton rrezikun që e sheh vetë prindi i saj, se nëse ajo mësohet me ekskursione të këtilla, me siguri se do të ketë kontakte me meshkuj të cilët nuk dinë t’u thonë ‘JO’ dëshirave të epshit. Edhe pse prindi është kundër që vajza e tij të jetë pjesë e këtyre vendeve, femra, prapë përmes mësimit të këtyre sloganeve përmendsh, gjen pikën e dobët të familjes dhe merr leje prej nënës, edhe pse për kësi gjëra nuk merret leje prej nënës, e arsyetohet para babait se nuk ka dalë prej shtëpisë pa leje. Në këtë formë shkatërrohet familja, në këtë formë shkatërrohet komplet populli ynë. Bile disa femra të tjera pëlqejnë të gjitha llojet e kozmetikës, edhe pse janë të mbuluara dhe e dinë se është e ndaluar për to që t’i përdorin kaq haptazi, por megjithatë ato gjejnë përkrahje prej nënave të tyre dhe në këtë mënyrë thyejnë urdhrat e Zotit të Plotfuqishëm. E kur të martohen, nuk i dëgjojnë kërkesat e burrit për t’i larguar këto mjete kozmetike, duke u arsyetuar se nënat e tyre i kanë lejuar për një gjë të këtillë, e se ai nuk mundet t’ia ndalojë. Si rezultat i këtij slogani: ‘barazi gjinore’, shumë femra dyshojnë në burrat e tyre dhe si kusht për martesë vendosin lejimin e vizitave të shoqeve, e nëse burri reziston vetëm pak në këtë element, ato femra janë në gjendje ta rrezikojnë ardhmërinë e martesës së tyre për këtë të drejtë, që mund ta realizonin edhe në suaza të lejueshme të sheriatit dhe jo në këtë formë. Femra dhe mashkulli nuk mund të jenë të barabartë pasi që nuk janë të njëjtë. Por, ka disa femra të atilla që, edhe pse janë besimtare, janë rritur me slogane të këtilla, e që burrave të tyre u thonë se unë nuk martohem me ty që të rri në shtëpi. Burrat askund nuk e përmendin se femrat martohen vetëm për të qëndruar në shtëpi. Në këtë pozitë femrat nxisin dyshime dhe krijojnë lëndime të ndjenjave të burrave të tyre. Djalli i mallkuar e gjuan edhe anën tjetër të medaljes. Mund t’i gjejë justifikime mashkullit, pasi që kjo femër nuk martohet për të qëndruar në shtëpi, d.m.th. qenka një rrugaçe! Dhe këtu lind sindromi i përçarjes, i sulmeve, i tradhtisë dhe i veseve të cilat janë të dëmshme për një lidhje, por edhe për komplet shoqërinë njerëzore. Në emër të barazisë gjinore, sot shumë femra ia kthejnë padrejtësisht fjalën burrave të tyre dhe e bëjnë familjen të vuajë për shumë vite, e në këtë mënyrë edhe të shkatërrohet. Si mundet që kjo familje të edukojë fëmijë të shëndoshë moralisht, kur brenda familjes gruaja ia kthen fjalën burrit para fëmijëve, me të vetmin arsyetim se burri nuk e paska lejuar këtë grua të takohet me një shoqe? Absurditete të këtij lloji kemi plot në mesin tonë. Nëse do të mundoheshim t’i numëronim të gjitha, do të dilte një tekst shumë i gjatë vetëm me absurditete të tilla. Le të shpresojmë se, në të ardhmen, pozita jonë do të ndryshojë në të mirën tonë.
Redaktore gjuhësore: Mimoza SINANI


Leave a Reply