SHËNIM: Kur lë pas atë pallat, të kap një trishtim
Nga Entela Resuli
Në shtëpinë e Profesor Kristo Frashërit sot dera ishte e mbyllur.
Me përjashtim të gruas që i kishte shërbyer, askush nuk ishte aty.
Njeriu i cili jetoi 96 vjet e kishin çuar në morg. Do të qëndronte aty deri ditën kur do të kryet ceremonia zyrtare, të mërkurën, pranë Akademisë së Shkencave.
Në një moment kur dyert duhet të ishin të hapur, miqtë dhe të afërmit do të duhet të qendronin pranë tij për t’i dhënë lamtumirën e fundit, indiferenca dhe ftohtësia kishte pushtuar atë shtëpi, të rrethuar nga dhjetëra pallate, ku drita e diellit nuk hynte për qamet.
Historian, profesor, akademik.
Një jetë të tërë mes librave, me dhjetëra vepra të lana pas. Mund të konsiderohet pa frikë, si një arkiv e historisë së Shqipërisë, sot është i vetëm, në një dhomë të ftohtë morgu.
Jo vetëm për atë, dhe jo vetëm nga niveli intelektual, por për këdo, do të duhej t’i bëhej respekti i fundit, në orën e fundit mbi tokë.
Njerëzit që ka njohur gjatë gjithë këtyre viteve do të duhet të ishin me të! Dera duhet të ishte e hapur…
Kur lë pas atë pallat me tulla të bardha silikate, pranë lagjes “Ali Demi” të kap një tis trishtimi. A ia vlen e gjitha?!
———————————-
Ndahet nga jeta Kristo Frashëri
Akademia e Shkencave njofton se është ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare akademiku Kristo Frashëri.
Akademia bën të ditur se Frashëri ndërroi jetë mbrëmjen e 31 janarit, nga një vdekje natyrale. Homazhet për akademikun do të mbahen më 3 shkurt në Akademinë e Shkencave.
Akademia e Shkencave shpreh ngushëllimet e saj për familjen Frashëri.
“Akademia e Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella fëmijëve, familjarëve e të afërmve për humbjen e këtij personaliteti të shquar të historisë e të mbarë kulturës shqiptare”, thuhet në njoftimin e ASH.
Ai është djali i parë i patriotit dhe rilindasit Anastas Frashëri. Prof. Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare.
Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën, ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë.
Dita. al


Leave a Reply