Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka miratuar ndryshimin e një lejeje ndërtimi për vila luksoze në Himarë, ku mes zhvilluesve figuron kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi. Në këtë investim në bregdet, politika, zyrtarët e lartë dhe biznesi i ndërtimit shfaqen krah për krah me interesa të përbashkëta financiare.
Sipas vendimit të KKT-së (pika 55), projekti parashikon ndryshime në strukturat e banimit individual deri në dy kate mbi tokë, me një kat nëntokë dhe mur rrethues. Mes emrave të zhvilluesve figurojnë Ilirjan Celibashi, bashkëshortja e tij Ardiana Mediu, kompania “Beauty International”, si dhe biznesmenët e ndërtimit Astrit Kamberi, Dritan Shehu, Artan Nito, Lindita Nito, Arlind Nito, Kledion Nito dhe Sonila Xukthi, raportojnë mediat.
Në këtë projekt shfaqet drejtpërdrejt familja e kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Bashkëshortja e Celibashit, Ardiana Mediu, është motra e tij, ndërsa kompania “Beauty International” kontrollohet me nga 50% të aksioneve nga dy fëmijët e Mediut, Semela dhe Even Mediu. Kompania e themeluar në vitin 2011 për konsulencë e tregti, e cila deklaronte në vitin 2020 rreth 105 milionë lekë xhiro, sot shfaqet si zhvilluese e vilave në Himarë.
Partner kryesor në këtë investim është kompania “ALB-EDIL”, në pronësi të Astrit Kamberit dhe Dritan Shehut, e cila për vitin 2024 deklaroi 617 milionë lekë xhiro dhe 95.6 milionë lekë fitim. Kamberi e Shehu kanë gjithashtu investime në energji përmes një lejeje për park fotovoltaik 40.56 MW në Fier.
Lidhja mes kreut të KQZ-së dhe kompanisë “ALB-EDIL” është e përsëritur. Më 31 maj 2024, dokumentet e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore zbuluan një projekt për banesa në Farkë të Vogël në Tiranë, ku si pronarë e zhvillues figuronin sërish Celibashi, bashkëshortja e tij dhe Dritan Shehu i “ALB-EDIL”. Brenda dy viteve, kreu i KQZ-së shfaqet në dy projekte të mëdha ndërtimi me të njëjtin ndërtues.
LAJMI I PLOTË GJENDET NË WEB:
https://joq-albania.com/artikull/1396474.html
Burimi/Facebook/JOQ Albania


Leave a Reply