“ Vetëm pse e nxorrën nga shtëpia që kishte jetuar 70 vjet, kryeministri i Spanjës jep dorëheqjen…
Kjo është Maricarmen Abascal, 87 vjeç. Gruaja që në Spanjë u kthye në simbol të një revolte që nisi nga një apartament i thjeshtë në Madrid.
Maricarmen jetoi për më shumë se 70 vjet në të njëjtën shtëpi në lagjen Retiro të Madridit. Më 23 shtator, pas disa përpjekjesh për ta nxjerrë nga banesa, ajo u dëbua. Pamjet e saj duke dalë nga shtëpia mbi barelë tronditën Spanjën.
Në Shqipëri, pensioni është 140 mijë lek të vjetra zakonisht. Në qoftë se një pensionist në Spanjë e përballon disi qeranë e shtëpisë, pensionisti shqiptar as bukë, ujë e drita nuk paguan dot.
Gjithsesi, Maricarmen përfundoi në spital.
Nga shtrati i spitalit, ajo iu drejtua protestuesve dhe u kërkoi të vazhdonin luftën për të drejtën e tyre për të pasur një shtëpi. Protestat u përhapën në dhjetëra qytete. Në Madrid u ngrit një kamp proteste në Puerta del Sol dhe mijëra njerëz dolën në rrugë.
Një paralelizëm të vogël. Mendoni ju se të rinjtë shqiptarë janë më mirë se ata spanjollë? Mendoni se të rinjtë shqiptarë fitojnë me tepër se ata spanjollë? Mendoni se një i ri nga Korça mund të përballojë jetesën me 400-600 mijë lek rrogë?
Dje, Maricarmen vdiq në moshën 87-vjeçare.
Ajo nuk vdiq thjesht si një grua që humbi shtëpinë. Vdiq si një simbol.
Sepse historia e saj preku atë pikë ku politika nuk është më debat televiziv, por është jeta e një njeriu të zakonshëm, shtëpia, qiraja, pensioni, dinjiteti, frika se ku do të flesh nesër.
Shikoni Shqipërinë. Shikoni mediat tradicionale, TV. Trajtojnë çdo gjë përveçse a e përballon dot gjyshi juaj jetesën në Shqipëri. Ama kur e rrit qeveria 0.5% pensionin, bëhet lajm “ndërkombëtar”.
Dhe këtu lind pyetja për ne.
Çfarë duhet të ndodhë që një shoqëri të revoltohet?
Sa duhet të vuajë një pensionist shqiptar që historia e tij të bëhet më e rëndësishme se një debat televiziv për një personazh showbiz-i?
Sa duhet të presë një familje nga Vlocishti për një shërbim shëndetësor?
Sa duhet të luftojë një fermer nga Vashtemia për të shitur prodhimin?
Sa duhet të presë një i ri nga Maliqi për një punë?
Sa njerëz nga Devolli duhet të largohen nga vendi?
Sa shtëpi duhet të mbeten bosh në fshatrat e Mokrës?
Ndoshta problemi nuk është vetëm politika.
Ndoshta problemi është edhe çfarë zgjedhim të na dhembë si shoqëri.
Kur një shoqëri bëhet jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj halleve të personazheve të ekranit, por indiferente ndaj halleve të pensionistit, fermerit, mjekut, mësuesit apo familjes që nuk përballon dot jetesën, atëherë pushteti e kupton se presioni mbi të është i vogël.
Sepse qeveritë nuk ndryshojnë vetëm nga zgjedhjet.
Ato detyrohen të reflektojnë edhe kur shoqëria nuk pranon më të heshtë.
Në Spanjë, rasti Maricarmen u kthye në një pikë grumbullimi të zemërimit për krizën e strehimit. Pas protestave, qeveria miratoi masa për mbrojtjen e disa qiramarrësve vulnerabël, ndërsa kriza politike u thellua. Më 5 tetor, Pedro Sánchez shpalli zgjedhje të parakohshme për 29 nëntor, në një klimë të fortë presioni politik.
Nuk ishte një grua 87-vjeçare që rrëzoi një qeveri.
Ishte një shoqëri që e pa historinë e saj si historinë e vet.
Ky është ndryshimi.
Kur lotët e njeriut të thjeshtë bëhen lotët e një populli, politika nuk mund t’i injorojë më.
Dhe ndoshta ky është mësimi më i madh i Maricarmen për çdo shoqëri:
Mos prit që problemi të të prekë ty për të bërtitur. Bërtit për naftën e shtrenjtë, bërtit për rrugët e pashtruara, bërtit për vjedhjet, bërtit për gjithçka, ama, bërtit…
/Xhensil Shkëmbi/
Burimi/Facebook/Sprint.al


Leave a Reply