Një Galeri Arti duhet të dëshmojë kulturën, artin, bashkëjetesën dhe respektin për kujtesën historike dhe jo të kthehet në një hapsirë ku nxitet urrejtja, përplasja, ekstremizmi dhe mbi të gjitha antishqiptarizmi.
Në Galerinë e Artit në Dervician, Dropull, është ekspozuar një punim që paraqet Napoleon Zervën, figurë famkeqe e lidhur me operacionet dhe dhunën ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Mos u habisni aspak, sepse kjo është e dhëna e publikuar nga shumë burime. Eshtë një fakt tronditës dhe i papranueshëm.
Për shqiptarët e Çamërisë dhe jo vetëm, kjo periudhë dëshmon një plagë të hapur, një kujtesë të dhimbshme të vrasjeve, dëbimeve dhe vuajtjeve të jashtëzakonshme. Ajo periudhë është zemra e shpirti, kujtimi e thërritja për çdo shqiptar të asaj krahine shqiptare.
Vendosja e portretit të Zervës në një galeri arti, është një fyerje për mijëra shqiptarë që u vranë apo vdiqën nga uria në ato masakra që edhe sot mohohen nga shteti grek.
Si është marrë vendimi për vendosjen e kësaj vepre? Kush e ka miratuar ekspozimin? Çfarë konteksti historik i është dhënë publikut dhe vizitorëve? U është thënë vizitorëve se ky personazh është përgjegjës për krime të përbindshme? Si mund të veprohet dhe shkelet kështu kujtesa dhe e vërteta historike…
Këto nuk janë pyetje që duhet të mbeten pa përgjigje. Një galeri arti, duhet të jetë hapësirë dialogu, kulture dhe mirëkuptimi dhe jo urrejtje. Autoritetet përgjegjëse dhe institucionet e kulturës duhet të japin një sqarim zyrtar.
Sot është vendosur portreti i një figure të lidhur me një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së shqiptarëve të Çamërisë. Çfarë do të ekspozohet nesër? Kujtesa historike kërkon përgjegjësi, transparencë dhe respekt për viktimat. Për këtë çështje, heshtja institucionale nuk është përgjigje.
Burimi/Facebook


Leave a Reply