Çdo nuse ka vizion unik për martesën e saj. Për çdo vajzë të famshme, apo të rëndomtë, dita e dasmës konsiderohet si dita më e rëndësishme e jetës së saj. Në vazhdim jua paraqesim dasmat e disa personaliteteve, të cilat në mënyrë të sinqertë evokojnë çaste nga dita e tyre e veçantë. Nga këpucët deri tek sallonet e rezervuara, ëmbëlsirat e shtruara dhe ëndrrat për një dasmë madhështore, flet profesoresha Justina Shiroka – Pula…
Shkruan Antigona Uka
Ndonëse kanë kaluar 40 vjet që nga dita e dasmës së saj, kujtimet nuk janë zbehur, por, përkundrazi, ato rikujtohen çdo përvjetor. Znj.Justina Shiroka Pula flet me emocion dhe entuziazëm për një ndër ditët më të bukura të jetës së saj, duke përshkruar detaje interesante të asaj kohe.
“Aktualisht janë duke u organizuar shumë dasma të bukura dhe madhështore, mirëpo në kohën kur unë jam martuar, dasma jonë ishte më e veçantë se dasmat e tjera, pasi para 40 vjetësh, dy familjet, Shiroka–Pula, kemi organizuar dasmë të përbashkët, për ç’gjë u jemi mirënjohës familjeve tona”, shprehet deputetja. Pas gati pesë vjetësh në lidhje dashurie, 7 maji i vitit 1977 ishte caktuar si datë për ta kurorëzuar këtë dashuri me martesë. Dasma ishte organizuar në një nga restorantet e pakta në kryeqytet, ndërsa të ftuar kishin qenë rreth 200 veta. Sot, kur evokon kujtimet e asaj dite, znj. Shiroka – Pula e pranon se edhe ajo, si pothuajse çdo vajzë tjetër, ka ëndërruar për një “dasmë të bukur me shumë lule dhe të veçantë”.
E pyetur nëse atëbotë kishte dashur që për dasmën e saj të mos kursehej asgjë, ajo përgjigjet: “kam pasur dëshirë që dasma të jetë e bukur dhe gracioze, ndërsa për buxhetin janë kujdesur familjarët e çiftit. Në fakt, ne jemi tri motra, ndërsa unë isha vajza e parë dhe prindërit e mi kishin dëshirë që dasma ime të ishte e madhe dhe e bukur si dhe të mos kishte asnjë ndryshim nga dasmat që organizohen për djemtë”.
Meqë çifti kishin vendosur ta bënin dasmën të përbashkët, edhe për organizimin e saj ishin kujdesur dy familjet, ndërsa atëbotë nusja e ardhshme ishte kujdesur për disa detaje të ditës së saj.
Për humorin e të ftuarve, atëherë nuse e sot gjyshe, znj. Shiroka – Pula kujton se ishte kujdesur “orkestra e Gjakovës me këngëtarët Esat Bicurri, Zekiria Çarkaxhiu dhe disa familjarë që në atë kohë kanë qenë anëtarë të disa orkestrave muzikore”. Se a e mban mend, a ishte e dekoruar me lule salla ku ishte mbajtur dasma, zonja elegante tregon, “salla ishte pak e dekoruar me lule, mirëpo unë kisha një shportë dekorative me lule dhe bonbone, të cilën ma kishte sjellë axha nga Italia. Me bonbone të dekoruara me emrat e çiftit dhe datën e martesës u shërbyen të gjithë mysafirët e dasmës. Tani ky simbol nuk është interesant, por për atë kohë ishte një e papritur e këndshme”.
E kur bëhet fjalë për fustanin e nusërisë, deputetja të kujton damat që në jetë udhëhiqen nga parimi i thjeshtësisë. “Ishte fustan i bukur e i thjeshtë, pa rruaza dhe xixa. Në kokë kisha një kapele të madhe të lëshuar. Gjithashtu, të vetmen stoli e kisha një unazë të arit të bardhë me brilant, që ma dhuroi bashkëshorti. Kuptohet, këpucët ishin të bardha me taka të larta”. Nusja Justinë në ditën e saj mbante edhe lule në dorë. “Ishin karafila të bardhë. Është një moment i veçantë në ceremoni të dasmës, ku lulet hidhen për t’i pritur beqarët, që shpreh dëshirën e nuses për vajzat dhe shoqet, të cilat presin datën dhe fatin e tyre për martesë”, pohon ajo. “Isha një nuse moderne dhe modeste”, kjo për faktin se “stili i flokëve, i fytyrës dhe i thonjve ka qenë i natyrshëm, nuk ka pasur dallim nga përditshmëria. Vetë jam kujdesur për dukjen time. Mirëpo, në atë kohë, jo vetëm që nuk ka pasur, por nuk kanë qenë as atraktive këto mundësi të rregullimit, siç janë sot”. Një tjetër detaj interesant për atëherë dhe tani ka qenë torta e dasmës. “Torta ka qenë e bardhë, në tri nivele, dhe me rastin e shërbimit të saj, në sallë janë fikur dritat dhe torta e cila ka qenë e rrethuar me gëzhoja të vezëve, të mbushura me alkool, janë ndezur dhe kanë dhënë flakë ndriçuese, gjë që ishte një rast i rrallë dhe i veçantë për atë kohë”, tregon znj. Shiroka – Pula, pa harruar të shtojë se këtë tortë e kishte përgatitur nëna e saj me vajzën e tezes. Dasma e deputetes ishte tradicionale dhe moderne. Siç e do zakoni, farefisi i bashkëshortit kishin shkuar me vetura për ta marrë nusen. “Të gjithë mysafirët, dhëndri, prindërit e tij, së bashku me burra dhe gra të tjera, pa i ndarë në ambiente të ndryshme, erdhën në shtëpi, i pritëm sipas traditës sonë, duke i shërbyer me ushqim dhe pije, por nuk munguan as muzika dhe vallëzimi”, rikujton kushedi për të satën herë atë ditë deputetja. Se si e kujton momentin e largimit nga shtëpia dhe kush ishte mërzitur më shumë, ajo pohon, “dasma dhe largimi nga shtëpia është një moment emocionues. Ndoshta çdo gjë ka kaluar me stres për të gjithë, por babai ishte më i pikëlluari”.
E pyetur nëse ditën e dasmës e cilëson si ditën e saj më të mrekullueshme në jetë, znj. Shiroka – Pula shprehet, “kur je i ri, është dita më e bukur. Pas një kohe ditën më të bukur ta bëjnë fëmijët dhe suksesi i tyre, e pas një kohe ditën më të mrekullueshme ta bëjnë mbesat dhe nipat. Pra, dita e dasmës është një nga ditët më të bukura”.
Sot, pas 40 vjetësh martesë, kur ka fituar edhe epitetin e gjyshes, zonja Justinë nuk preferon të tregojë moshën e saj duke thënë se me rëndësi për të është që e ndien veten relativisht shumë të re, “kam vullnet dhe punoj shumë, jam gjyshe e mirë. E kreva fakultetin, u punësova dhe pastaj, në moshën 23 vjeçe, u martova”.
Deputetja Justina Shiroka – Pula është e martuar me Blerim (Ymer) Pulën, me profesion inxhinier i diplomuar i energjetikës.
(Huazuar nga revista Teuta)
Burimi/Facebook/XLPRESS.tv


Leave a Reply