Me nismën e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke filloi mësimi i gjuhës dhe kulturës amtare për fëmijët shqiptarë në Pragë.
Në ceremoninë e zhvilluar të shtunën morën pjesë nxënës të moshave 7-14 vjeç, thuajse të gjithë të lindur në Republikën Çeke, sipas një komunikimi për media nga ambasada shqiptare në Çeki. Nxënësit dhe prindërit e tyre i përshëndeti ambasadori i Shqipërisë në Pragë, Riza Poda.
Një pjesë e nxënësve që ndoqën orën e parë të mësimit janë me një prind shqiptar, tjetri çek ose i një kombësie tjetër dhe flasin shqip, ndërsa pjesa tjetër flet me vështirësi.
Mësimi zhvillohet nga mësuesja e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Drita Çota, me një përvojë 33-vjeçare në fushën e mësimdhënies. Fëmijët mësojnë mbi bazën e teksteve me titull “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare” të dërguara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Pragë fton të gjithë të interesuarit të dërgojnë fëmijët e tyre për të mësuar gjuhën shqipe, gjuhën e prindërve të tyre.
Mësimi do të zhvillohet çdo të shtunë nga ora 11:00 deri në 12:35, ndarë në dy grupe, në varësi të moshës dhe njohjes së gjuhës shqipe nga nxënësit.
© 2016, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply