Silva Ismaili ndan me ne përvojën e saj në arredimin e apartamentit të pandarë nga natyraKy apartament ka një stil, të cilin nuk e keni hasur më parë. Ai është ideuar nga e zonja e shtëpisë, Silva. Silva e ka një përgjigje për projektin e saj ambicioz. Kur e pyesim sesi ka mundur të ketë një sy kaq të hollë estetik, ajo përgjigjet: “Shijen për të bukurën e kemi trashëguar që në fillesa, jemi femra dhe natyra ka punuar për këtë”. Zonja e shtëpisë tregon se gjithçka i ka ardhur natyrshëm, por sigurisht që e ka ndihmuar edhe përvoja shumëvjeçare. “Nuk e dija që i kisha këto aftësi, por biznesi më çoi në ambientet e arkitekturës. Kam bashkëpunuar me një studio italiane, e cila ka realizuar disa punime në Shqipëri dhe i kam ndenjur pas çdo arredimi dhe projekti, hap pas hapi. Atje emocionohesha pa fund”.

Arkitektët italianë vazhdimisht i thoshin se kishte një mënyrë të shprehuri dhe të transmetuari te klientët, duke e zbukuruar edhe punën e tyre”. E sigurisht që këtë aftësi Silva nuk mund ta çonte dëm. “Biznesi i mëtejshëm më dha mundësinë ta kultivoja më tepër shijen për dizajnin. Me katër fëmijë, shpejt u gjenda përballë faktit se më duhej një shtëpi me e madhe. Djali im i madh është student në Itali, 23 vjeç, do të kthehet së shpejti e më duhej hapësirë edhe për të”, thotë Silva duke hyrë kështu në rrëfimin e saj mbi apartamentin. Është guxim të ideosh vetë apartamentin. Arkitektët shpesh e shohin me dyshim këtë. PorSilva e ka bërë dhe kujton momentin e parë sesi vendosi t’i hynte kësaj pune: “Mbase gjithë atë që kisha grumbulluar nga aftësia që pata me këtë grup në shumë arredime të tjera në Shqipëri, bëri që disi në mënyrë të fshehtë, të provoja edhe për veten time. Im shoq ka studio arkitekture në Itali dhe në momentin që më tha: “A t’ia japim një studioje shtëpinë?”, i thashë se do ta bëja vetë.

Salloni Parimi i sallonit është të ketë bibliotekë. Kjo, pasi qoftë dhe në 10 minuta pushim, ke afër një libër për të lexuar diçka. Mobilja është në ngjyrën e murit dhe vetëm pjesa sipër është në ngjyrë shege, për një thyerje elegante. Kontrasti është lart dhe jo në tokë si jemi mësuar zakonisht. Muri është vendosur për ngrohtësi, pasi bardhësia mund edhe të lodhë. Në apartament është devijuar gjithçka. Gjithë hapësirat kanë pamje panoramike. Shtëpia e gjitha shikon Liqenin e Thatë dhe Dajtin. Servisi i tualetit, është devijuar gjithashtu. “Më pëlqen që ndërkohë që laj dhëmbët apo bëj dush, të mos më mungojë panorama”, thotë Silva. Në këtë apartament i është dhënë një hapësirë e vogël korridorit, por kjo për arkitektët konsiderohet një zgjidhje e zgjuar. Apartamenti është 100 metra katrorë dhe asnjë metër hapësirë nuk ka shkuar kot. Sigurisht që në ndarjen e hapësirave Silva ka pasur vështirësitë e veta. “Dhoma ndihmëse, aq e nevojshme në shtëpi, ka qenë sfidë për mua. Dhoma ku duhen aksesorët ndihmës duhej realizuar patjetër”. Ajo e ka nxjerrë këtë hapësirë midis kuzhinës dhe dhomës së gjumit, duke e bërë të shfrytëzueshme nga të gjitha krahët.

Vetrata e madhe e hapjes së xhamit është një realizim i familjes dhe kryesisht i bashkëshortit të Silvanës. Vetrata e dhomës së gjumit është 3 metra e gjysmë dhe një vetratë e parealizueshme rëndom në Shqipëri. Ajo duket sikur është vlera kryesore e shtëpisë, pasi sjell gjithë natyrën brenda.Tavolina Ajo është transparente, duke vazhduar lidhjen me natyrën. Karriget gjithashtu janë transparente. Synimi është vazhdimi i tejdukshmërisë në masë të madhe edhe brenda. Kuzhina Vendosja e ishullit në mes të hapësirave krijon më shumë ambient gatimi. Perimetri i sipërfaqes së punës është i gjatë. Silva ka dashur që gjithçka ta ketë afër. Në të njëjtin banak ku ajo gatuan, ha dhe mëngjesin. Syprina e kuzhinës është kuarc dhe natën ndriçon. Edhe aspiratori është i kthyer në bizhu. Furra dhe frigoriferi janë në një faqe të murit dhe janë gati të padukshme. Vendosja e një kuzhine pranë ambientit të ngrënies ka rreziqet e veta por Silva këtë e ka adaptuar shumë mirë. Nëse do të veçonim një moment të dashur të apartamentit për Silvën, ato janë pikturat. “Pikturat i kam blerë kohë më parë dhe prisja momentin ku t’i vendosja, pasi janë shumë moderne. Në momentin që fillova të realizoja shtëpinë, vendosa që këto piktura impresioniste moderne do t’i vija në sallon”, më shpjegon Silva. Pikturat janë kryesisht gra në fantazinë e piktores firmën e të cilës mban kjo shtëpi. Letra e murit “Këtu ndihesh pak vetëm – natyra dhe ti. Ndaj këto gradaçelat, grumbulli i njerëzve në print, të japin idenë që je mes njerëzish dhe për t’i thënë vetes se jeta e përditshme është pikërisht kjo”. Më mirë se vetë Silva, askush nuk do ta përkufizonte këtë veçanti tjetër të apartamentit. Dyert Me parketin janë lidhur edhe dyert, realizimi i të cilave është bërë në Shqipëri. Fashaturat janë elegante dhe ngjyra është ajo e parketit. Këto dyer i kujtojnë Silvës shtëpinë e gjyshes. Ajo është treguar e hapur në zgjedhjen e materialit dhe në pamje të pare duket e kursyer. Dorezat e derës vijnë nga Italia dhe duken si bizhuteri. Ngjyrat derë-dorezë, janë ton mbi ton.
Dhoma martesore

Edhe këtu e njëjta filozofi. Muret e bardha, parketi dhe një pamje e liqenit të thatë përtej. Minindarja është bërë për dy minizona. E gjitha kjo është realizuar për vendosjen e krevatit. Siç e shikoni në fotografi, krevati martesor qëndron përballë natyrës. Krevati nuk është në mur, pikërisht për të fituar pamjen. Pas kokës së krevatit ndodhet një bibliotekë, e cila ka dhe ndriçim. Muri ka linjën e parketit. Parketi Meqenëse ky është apartament modern, Silva kërkoi të zgjidhte diçka antike. Parketi është në ngjyrën e tij natyrale dhe çdo ristel i parketit është me ngjyra të ndryshme, damarë të ndryshëm. Të kujton mungesën e bollëkut, por është bukur ta interpretosh qëllimisht dhe të bën të ndihesh si në një shtëpi të jetuar. “Ngjyrën blu në banjë e kam zgjedhur pasi është ngjyra e kthjelltësisë dhe pastërtisë”, shprehet Silva e cila për çdo gjë nuk ka asnjë dilemë. Pllakat janë zëvendësuar me mozaik. Pllakat krijonin kufij dhe Silva nuk e ka dashur një gjë të tillë. Ajo ka dashur që mozaiku nga të gjitha anët të japë vazhdimësi dhe e ka arritur këtë. Banja është e madhe dhe hapësirat imediate rrinë shumë mirë në të. Pamja nuk e braktis në asnjë cep këtë apartament. Në ambientin e natës, kemi të sistemuar edhe gardërobën.

Këtu, Silva ka përdorur si material entievin. Ballkoni Pareti ndarës apo parapeti i ballkonit këtu është xham. Nëpër vila e ndeshim, por në një apartament në një kat të lartë, nuk është i zakonshëm. Kjo është një tjetër zgjedhje e zgjuar e Silvës. Ajo shpjegon se ky paret xhami që zëvendëson murin e ballkonit, është i njëjtë me sistemet e gradaçelave, të cilat janë të sigurta. Nga ana e dizajnit, veçantia e tij është që të mos vërë kufij. Ky apartament i ka marrë Silvës 7 muaj kohë që nga momenti i punimeve dhe arredimi.

Një kohë rekord kjo përarkitektët. Por Silva i ka pasur idetë e qarta dhe mungesa e dilemave e ka bërë që të mos humbasë kohë. Artikulli është shkëputur nga revista Living Dimër 2015 redaktuar nga Matilda Tërpollari dhe fotografitë nga Armand Habazaj
living.al


Leave a Reply