Nga Revista Class
Këngëtarët, ndonjëherë, dëgjohen me sy hapur.Një nga këngëtarët shqiptarë më të suksesshëm në botë që nuk ia kemi dëgjuar zërin vetëm për famën, por edhe nga afër, në interpretimet e tij në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Për të përmendur më të fundit: dhjetorin e kaluar, në një koncert bamirësie me Ermonela Jahon dhe në shkurt me operën “Gianni Schicchi”, ku baritoni ishte edhe regjisor. Megjithatë pjesa më e madhe e karrierës* së djalit nga Durrësi zhvillohet përtej detit, përtej detrave, edhe pse ai, shpirtërisht, është shumë pranë Shqipërisë. Aq sa të bën të mendosh, bashkë me shumë shembuj të tjerë, që sa kohë të ketë njerëz të kultivuar që jetojnë larg Shqipërisë, nuk do humbasë kurrë ajo dashuria e sigurt për këtë vend, e bazuar dhe e ushqyer në njohje të thellë të historisë dhe figurave të tij dhe jo në pasione që ulen e ngrihen shpejt si qepallat për të mos iu besuar më syve për atë që pe dje dhe atë që sheh sot. Por lunatik është dhe ai! Në të përditshmen, për të cilën ky pyetësor nuk pyet, por i merr ca hije përgjigjesh. Ashtu siç na zbulon defektet, cilësitë dhe pasionet e artistit. Ku të kënduarit, sigurisht, është kryesori. Aq të pamundur e ka ta mendojë veten pa, sa nëse një ditë do shndërrohej në send, do ishte instrumenti që më shumë i ngjan zërit të njeriut.
Cila është pika më e thellë e mjerimit për ty?
Injoranca, është mbase arma më e rrezikshme e shkatërrimit në masë ….
Nëse do mund të zgjidhje, ku do të të pëlqente të jetoje?
Nuk ka rëndësi se ku, por se si, me kë dhe me ç’mision.
Çfarë është lumturia për ty?
Ekziston një koncept mbase i gabuar tek njerëzit. Shpeshherë ata pretendojnë se kanë lindur për të qenë të lumtur. Nuk dua të rezultoj pesimist i trishtë në këtë që po pohoj, por mendoj se jeta është një rrugëtim në të cilin ekzistojnë vetëm çaste, momente lumturie. Konfuci thotë “jeta i përngjan një ure, përshkoje, por mos mendo të ndërtosh një shtëpi mbi të”.
Për cilat gabime ndihesh më shumë fajtor?
Për ato që s’i kam kryer ende.
Cilët janë heronjtë dhe heroinat e tua në letërsi?
Dorian Gray & Ema Bovari. Një çift fantastik aventurierësh, shkojnë pakthyeshmërisht e të vendosur drejt autoshkatërrimit total.
Personazhet konformistë e moralistë nuk ma kanë stimuluar askurrë imagjinatën e aq më pak dhembshurinë prej lexuesi.
Cilat personazhe të historisë vlerëson më shumë?
Pa rivalë Gjergj Kastriot Skëndërbeun, jetën dhe veprën e të cilit e kam studiuar me vëmendje mbase maniakale duke shfletuar përveç Barletit e Engjëllit edhe autorë më pak të njohur si Zoncada e Hodgkinson.
Po heronjtë e jetës reale?
Të gjithë ata shqiptarë që arrijnë të mbijetojnë ndershmërisht, tim at në krye.
Piktori i preferuar?
Leonardo da Vinci.
Muzikanti i preferuar?
Wolfgang Amadeus Mozart.
Cilësia që admiron më shumë te një burrë?
Fjala e mbajtur.
Po te një grua?
Superioritetin e saj të padiskutueshëm që i rrjedh nga të qenit pikërisht grua, ndaj “seksit të fortë”.
Virtyti i preferuar?
Të gjithë virtytet nëse janë të vërtetë, në mos do të ishin më të këqij se vet veset.
Aktiviteti i preferuar?
“Palestra në tavolinën e ngrënies” dhe këndimi.
Nëse do të ishe një person tjetër, kush do të ishe?
I njëjti.
Tipari yt më i spikatur?
Altruizmi.
Po tipari që vlerëson më shumë te miqtë?
Toleranca ndaj meje.
Cili është defekti yt më i madh?
Hatërmbetja dhe rrëmbimi.
Nëse do të ishe një objekt, ose një kafshë, çfarë do të ishe?
Violonçel.
Ngjyra e preferuar?
Blu, ngjyra që ka dominuar jetën time që në vogëli, deti dhe qielli.
Lulja e preferuar?
Nuk më çmendin lulet.
Shpendi që të pëlqen?
Shqiponja nuk ka dyshim, jo dhe aq miqësore, por krenare, e fuqishme dhe e lirë.
Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?
Shakespeare dhe Metastasio, të dy janë mbase ushqyesit më të mëdhenj me material letrar për pasionin tim më të madh, melodramën.
Po poetët?
Jacques Prévert, Pier Paolo Pasolini, Gabriele d’Annunzio dhe Lasgush Poradeci.
Cila është gjëja që nuk e pëlqen fare?
Bezdia dhe monotonia.
Çfarë dhuntie do doje të kishe?
Padukshmëria, shpesh do të doja të isha ashtu sikur heroi i librit të Wells.
Si do doje të vdisje?
Flasim herë tjetër…
Në ç’gjendje mendore je aktualisht?
Ekzaltim dhe energji galopante e ndërthurur me çaste të menjëhershme trishtimi si rezultat edhe i lunaticitetit tim të theksuar.
Cila është motoja jote në jetë?
Jeto dhe lejo të jetojnë.
*Gëzim Myshketa konsiderohet nga kritika e specializuar si një nga talenet më interesantë të brezit të ri. Protagonist i suksesshëm në Romë, Berlin, Salzburg, Kioto, Zyrih, Seul, Athinë, Hamburg etj.. Në stinën lirike që vijon aktualisht, ka debutuar me sukses në operat: “Karmen” / Deutsche Oper Berlin, “Traviata”/ Staatsoper Hamburg , “Turandot” / Théatrè du Capitole Toulouse.
Muajt në vijim do ta gjejnë në rolet e Eskamiljo / “Karmen” në St Gallen Zvicër, Melitone / “La Forca del Destino” në Verona, Escamiljo / “Karmen” në National Greek Opera Athinë, Zhermont / “Traviata” në Laipcig , Paolo Albiani / “Simon Bokanegra” në Anversë të Belgjikës etj.
Gëzim Myshketa është nominuar për dy stinët lirike në vijim “Hauptsolobariton” solist i parë i ftuar i Operës prestigjioze të Shtetit Baden Würtenberg – Shtuttgart Gjermani ku do të interpretojë rolet kryesore në operat “Falstaf” , “Bohemë”, “Karmen”, “Puritani”, “Faust”, “Dasma e Figaros”.
Foto: Martin Sigmund, Myshketa përballë Staatstheater Stuttgart


Leave a Reply