Gjuhën tonë po e vërshojnë barbarizmat Gjuhën tonë, gjuhën e bukur të Naimit, të Samiut, të Konicës, të Vaso Pashës, të Faik Konicës, të Gjergj Fishtës, të Lasgushit po e vërshojnë fjalët e huaja.
Nuk quhen kot barbarizma. Nuk janë këto fjalë të huaja, barbarizma, që përdoren për të shënuar ide, gjësende, dukuri, e veprime, për të cilat ende nuk kemi fjalë shqipe: jo; këto janë fjalë të huaja që përdoren në vend të fjalëve shqipe, fjalë të huaja që përdoren duke përjashtuar fjalën shqipe prej gjuhës shqipe, duke nënçmuar fjalën shqipe në gjuhën shqipe! Këto fjalë të huaja të panevojshme, këto barbarizma, me të cilat shëmtohet, përçudnohet, fyhet gjuha shqipe më së shpeshti dhe më së shumti po përdoren në shkrimet kritike, eseistike, historiko-letrare, sociologjike, pseudofilozofike, në publicistikë dhe në gazetari. Më së shumti këso fjalësh po përdoren në kritikën letrare. Nuk u jam shpëtuar as unë, por kurrë, askush, asnjë studiues i ardhshëm i letërsisë shqipe dhe i kritikës së saj të sotme nuk do të gjejë arsye të më fusë në radhën e atyre që me fjalë të huaja po e shëmtojnë gjuhën shqipe.
Pse përdoren kështu fjalët e huaja, barbarizmat edhe kur për idetë, gjërat, veprimet, dukuritë, që shënohen me to, kemi fjalët shqipe? Janë disa arsye: e para, sepse përdoruesit e tyre me to, me fjalët e huaja, me barbarizmat, duan të tregohen më intelektualë, më të dijshëm se ç’janë në të vërtetë; e dyta, sepse me to dëshirojnë ta intelektualizojnë mendimin, cektësia e të cilit mund të mbulohet pak a shumë vetëm me fjalë të tilla; e treta, sepse me to arrijnë të çmohen më shumë prej atyre prej të cilëve dëshirojnë të çmohen: prej zyrtarëve politikë dhe administrativë; e pesta, sepse ashtu më lehtë e më shpejt krijojnë karriera.
Ja një numër i këtyre fjalëve të huaja që po e vërshojnë, po e shënojnë, po e shëmtojnë dhe po e fyejnë sot gjuhën shqipe, duke i përjashtuar fjalët e saj, që mund të përdoren në vend të tyre.
dekonstruktim
kodim
problematizim
sciencititet
komunikativitet
inteligjibilitet
stratifikim
destruktim
kombinatorik
parcialitet
purifikim
intelektiv
heterogjen
heterogjenitet
kontemplues
dimensionalitet
polidimensionalitet
aproksimativ
aproksimativitet
tematizim
valorizim
objektivim
modal
transfero
validitet
imanent
eksponent
variabilitet
figurabilitet
detektim
modulacion
relevant
relevant
imazhizëm
variabël
narrativitet
apsolvim
atribucionalitet
kreativitet
Mbasi i shënova disa prej këtyre barbarizmave hajde t’i shënoj edhe dy fjali që autorët e tyre i ndërtojnë me to:
1. Problematizimi imanent i validitetit të imazhizmit kontemplues të kësaj poezi konfirmon polidimensonalitetin multiplikues të saj, do të thoshte Rolan Barti!
2. Në heterogjenitetin e narrativitetit të romanit është koduar, respektivisht detektuar struktura relevante, si do të thishte Lakani, e inteligibilitetit dhe heterogjenitetit të universit poetiko-letrare kontemporan!
E kështu me radhë! E kështu me radhë e pa radhë!
E mjera shqipe!
Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike (1975-1978), Ditar II, Botimet “Toena”, 2014, f. 359-361, datë 26.6.19
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply