Ministria e Kulturës nuk dëshiron të komentojë gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet muze i Alfabetit shqip në Manastir. Edhe pse ky muze është në kompetencë të saj, sekretari shtetëror në këtë dikaster Behixhudin Shehapi nuk gjeti kohë për të dhënë përgjigje, duke u arsyetuar se ishte shumë i zënë me organizimin e aktiviteteve për shënimin e 107 vjetorit Kongresit të Manastirit, godina e së cilës dita ditës po shkatërrohet gjithnjë e më shumë. Shehapi pranon se për muzeun duhet të kujdeset Ministria e tij, por topin për lënien në harresë të këtij institucioni e hedhë tek Qeveria.
Nga ana tjetër vizitorët e intervistuar nga ALSAT-M kërkuan nga pushtetarët shqiptarë, që vizitat në Muzeun e Alfabetit të mos i bëjnë vetëm njëherë në vit, por të kujdesen më shumë për institucionet e rëndësishme shqiptare.
“Sa i takon shkëlqimit origjinal të kësaj shtëpie që ka pasur aso kohe, vërtet duhet të punohet në këtë drejtim. Absolutisht se duhet të punohet që të ngjallet atmosfera në Manastir, thjesht për shkak të çështjes kulturore që e kemi këtu dhe unë vërtet ndihem edhe keq që vetëm një herë në vit kemi festë këtu në Manastir,” u shpreh Sibella Alimovska, kryetare e Shoqatës së Femrës ’22 Nëntori’ Manastir.
“Patjetër që duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi pasi ruajtja e kulturës sonë do të thotë shumë për popullin shqiptarë. Në qoftë se i kushtohet më shumë vëmendje këtij muzeu, normal që është më mirë,” deklaroi Syarta Ameti, vizitore nga Ohri.
Drejtori i Muzeut të Alfabetit Shqip në Manastir, Nuer Arsllani ndërkohë thotë se vazhdimisht është përpjekur për mirëmbajtjen e godinës, megjithatë sipas tij janë të domosdoshme fonde shtesë dhe punësime të reja.
“Nevojë ka si çdo herë, por duke pasur parasysh se për 1 vit nuk mund të bëjmë ne gjithçka, ne kemi shkuar me hapa të sigurta, kemi rregulluar depon e muzeut që një muze nuk mund të funksionojë pa depo. Për vitin 2016 e kemi me vendim të Qeverisë edhe vendosjen e 11 personaliteteve nga dylli,” u shpreh Nuer Arsllani, drejtor i Muzeut të Alfabetit, Manastir.
Oborri prej 700 metrave katror që gjendet prapa Godinës së Kongresit të Manastirit është storje në vete. Edhe pse më herët ka qenë pronë e Muzeut të Alfabetit, tani është në duart e katër pronarëve privat. Në këtë oborr vizitorët nga dritaret e muzeut mund të shohin goma të vjetra të makinave, një kamion të prishur e deri tek mbeturinat e grumbulluara prej vitesh.
http://ina-online.net


Leave a Reply