Me hidhërim të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Ramazan Bogdanit, “Mjeshtër i Madh”, një prej personaliteteve të shquara të artit koreografik shqiptar, valltar, koreograf, pedagog dhe studiues i palodhur i trashëgimisë sonë folklorike.Ramazan Bogdani i përkiste brezit të artistëve që hodhën themelet e zhvillimit të artit koreografik profesionist në Shqipëri. Rrugëtimin e tij artistik e nisi si valltar dhe më pas si solist e koreograf në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, Filarmoninë Shqiptare, dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Gjatë karrierës së tij skenike spikati për talentin interpretues dhe aftësinë për të mishëruar karaktere të ndryshme artistike. Ndër rolet e tij të rëndësishme kujtojmë interpretimin e Miguelit në baletin “Lola” (1958), pjesëmarrjen në baletin “Zhurale” (1959), si dhe interpretimin në baletin “Sheherazade” (1963). Ai dha gjithashtu një kontribut të vyer në krijimtarinë koreografike shqiptare, veçanërisht në tablotë me karakter historik e patriotik, si “Besa-besë” dhe “Legjenda e trimave”.
Përtej skenës, Prof. Dr. Bogdani ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme shkencore, duke ia kushtuar jetën studimit, dokumentimit dhe ruajtjes së folklorit koreografik shqiptar. Si studiues pranë Institutit të Folklorit dhe më pas Institutit të Kulturës Popullore, ndërmori ekspedita të shumta kërkimore në trevat shqiptare, duke mbledhur dhe dokumentuar vallet, traditat dhe karakteristikat e tyre të veçanta.
Autor i një numri të madh studimesh, artikujsh dhe botimesh shkencore, ndër të cilat “Folklori koreografik i Hasit”, “Vallet e Lunxhërisë”, “Gjurmime koreografike”, “Shpirti i popullit në valle” dhe “Etnokoreografi”, ai la pas një pasuri të çmuar dokumentare e shkencore për brezat e ardhshëm.
Kontributi i tij u shtri edhe në fushën e pedagogjisë, ku përmes mësimdhënies dhe përvojës shumëvjeçare ndihmoi në formimin e brezave të rinj të valltarëve, koreografëve dhe studiuesve të artit shqiptar.
Sot, me ndarjen e tij nga jeta, skena shqiptare humbet një artist të brezit themelues, ndërsa kultura kombëtare një prej studiuesve të saj më të përkushtuar.
Ramazan Bogdani i kushtoi jetën valles shqiptare, jo vetëm duke e interpretuar dhe krijuar në skenë, por edhe duke e studiuar, dokumentuar dhe ruajtur si pjesë të pazëvendësueshme të identitetit tonë kombëtar.
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë komunitetit artistik.
Vepra e tij do të mbetet përherë pjesë e çmuar e historisë së artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.




Burimi/Facebook/Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor


Leave a Reply