Ish-këshilltari i CDU-së dhe ish-këshilltar i kancelares gjermane Angela Merkel, Martin Henze, ka përcjellë një mesazh të fortë politik për zhvillimet në Shqipëri, duke kërkuar më shumë përgjegjshmëri nga qeveria, institucione të pavarura dhe garanci për zgjedhje të lira e të ndershme në vitin 2027.
Përmes një reagimi të drejtuar qytetarëve shqiptarë, Henze thekson se problemet e Shqipërisë nuk janë vetëm çështje e brendshme, por prekin edhe përgjegjësinë e përbashkët europiane. Ai shprehet se zëri i qytetarëve shqiptarë duhet të dëgjohet në Shqipëri, Gjermani dhe në të gjithë Europën.
Në mesazhin e tij, Henze ndalet te pavarësia e institucioneve, liria e medias, drejtësia dhe besimi i qytetarëve te shteti, duke nënvizuar se Shqipëria ka nevojë për gjykata të pavarura, mundësi të barabarta ekonomike dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.
Por pjesa më e fortë e reagimit lidhet me përgjegjësinë politike të drejtuesve të vendit. Henze përmend drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, duke theksuar se ata që ushtrojnë pushtetin duhet të japin llogari për mënyrën se si e përdorin atë.
“Asnjë mandat politik nuk e vendos askënd mbi ligjin. Asnjë shumicë nuk e përligj cenimin e lirive themelore”, shkruan Henze.
Një tjetër pikë e rëndësishme e mesazhit të tij janë zgjedhjet vendore të vitit 2027. Ish-këshilltari gjerman kërkon garanci të besueshme që qytetarët të votojnë të lirë dhe çdo votë të numërohet me ndershmëri.
Ai përmend gjithashtu zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, si dhe krijimin e një kuadri zgjedhor që gëzon besimin e publikut.
Në përfundim, Henze u shpreh solidar me qytetarët shqiptarë, duke theksuar se ata kanë miq në Europë dhe se mbështetja për lirinë, demokracinë dhe dinjitetin e tyre duhet të shndërrohet në veprime konkrete.
Lexo të plotë: https://infopressalb.com/…/shqiperia-nuk-eshte-vetem..
Burimi/Facebook/Infopress Al


Leave a Reply