Një jetë me zemër kuqeblu
Ka tifozë që e duan skuadrën nga shkallët e stadiumit, ka të tjerë që e ndjekin nga ekrani, por ka edhe nga ata që e kanë kthyer dashurinë për fanellën në një mënyrë jetese. Gëzim Çoçja është një prej tyre. Sot, ai feston ditëlindjen e 69, por edhe një histori të jashtëzakonshme besnikërie ndaj Vllaznisë, që ka nisur më shumë se gjysmë shekulli më parë.
Për mbi 50 vite, ai ka qenë aty, në ditë të mira e të vështira, në fitore që kanë ndezur Shkodrën dhe në humbje që kanë lënë pas zhgënjim. Por asnjë rezultat nuk e ka larguar nga skuadra e zemrës. Gëzim Çoçja e ka ndjekur Vllazninë në çdo stadium të Shqipërisë, por edhe përtej kufijve, në Mal të Zi, Bosnje e deri në Rumani.
Kilometrat, lodhja dhe udhëtimet e gjata nuk kanë qenë kurrë pengesë. Për të, Vllaznia nuk është vetem një ekip futbolli, por një dashuri që nuk njeh distancë dhe as kushte.
Por Gëzim Çoçja nuk është i veçantë vetëm për pasionin dhe përkushtimin ndaj kuqebluve. Ai është edhe një qytetar model i Shkodres, njeri i respektuar dhe i kulturuar, që gëzon vlerësimin e njerëzve që e njohin. Një profil që dëshmon se pasioni i madh për sportin mund të shoqërohet edhe me qytetari, edukatë dhe respekt për të tjerët.
Ndër vite, ai është kthyer në një nga figurat më karakteristike të tifozërisë shkodrane. Një dëshmi se dashuria për ngjyrat kuqeblu nuk matet me trofe, por me vite përkushtimi.
Dhe në këtë ditë të veçantë, Çoçja ka dy fjalë për tifozët shkodranë. Një mesazh që vjen nga dikush që e ka mbështetur Vllazninë për më shumë se gjysmë shekulli dhe që e di mirë se sa shumë peshon zëri i tifozëve në shkallët e stadiumit: Vllaznine, mos e harroni !
Gëzuar 69-vjetorin, Gëzim Çoçja!
Për sa kohë Vllaznia do të ketë tifozë si ti, tribunat do të kenë gjithmonë zemër!
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply