“Parjashtimi i Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës është një çështje e brendshme e Partisë Socialiste”- kjo është përgjigja që ka zgjedhur PS për pyetjen se përse u përjashtuan Spiropali dhe Ndreca?
Në fakt këto punë, mund të jenë vërtet çështje krejtësisht “private” të një partie, sikur partia të mos ishte në pushtet apo të mos aspirojë të marrë pushtetin.
Edhe demokracia e brendshme mund të konsiderohet “një cështje e brendshme”, për një parti. Por derisa një parti qeveris vendin siç qeveris veten, atëherë çështja bëhet e jona pastaj, bëhet e publikut.
Mungesa e demokracisë në drejtimin e partisë mbledh pushtetin në një dorë. Zhduken strukturat, zhduken hapësirat ku dikush të kërkojë llogari, të hedhë një ide ndryshe nga kryetari apo të përfaqësojë një rrymë a një fraksion. Rritet kulti i individit. Rritet arroganca. Shtohet numri i atyre që heshtin e nënshtrohen. Shtohet numri i atyre që shikojnë terezinë e tyre duke bërë ndonjë “çikë plaçkë”. Pastaj gradualisht Asamblea, Kryesia, Grupi Parlamentar, Komiteti Drejtues, Kongresi apo Konventa, shndërrohen thjeshtë në turma duartrokitësish…
Dhe, kur pushtetin politik e ka një njeri i vetëm, ai vendos:
-Kush do të jetë ministër. Kur i emëron e kur i shkarkon, nuk pyet asnjë strukturë të partisë e nuk konsultohet me askënd.
-Kush do të jenë në strukturat e partisë, kush do të jenë drejtuesit politikë lokalë. Ata nuk zgjidhen, ose edhe kur zgjidhen kjo është formale. Ai i emëron, ai i shton apo pakëson në numër, i shkarkon apo i trasnferon.
-Kush do të jenë kandidatët për kryetar bashkie.
-Kush do të jenë kandidatët për deputetë.
Pasojat?
Ne sot kemi një parlament, por jo një institucion ligjvënës.
Parlamenti i shumicës voton vetëm pro. Debati për ligjet është garë kush të sulmojë më shumë opozitën pse është kundër. Qeveria nuk ftohet të japë llogari për mënyrën e zbatimit të ligjeve dhe efektin e tyre. Opozita nuk konsiderohet fare si kontribues në ligjvënie. Pushteti i parë në piramidën shtetërore është vetëm një mekanizëm në shërbim të pushtetit të individit që kontrollon të gjitha pushtetet politike.
Mungesa e kontrollit parlamentar mbi qeverinë, mungesa e kontrollit partiak mbi vendimet politike që ndikojnë pushtetet e tjera, janë gjeneruese të korrupsionit.
Ata që kanë fonde në dorë kanë frikë vetëm kryeministrin dhe SPAK-un.
Sot kemi arritur në pikën kur kemi një kryeministër që thotë: “Vetëm unë e çoj Shqipërinë në BE, askush tjetër dhe unë nuk iki pa e bërë këtë”.
Dhe një kandidat për kryeministër që thotë: “Vetëm unë e çoj PD-në në pushtet, askush tjetër dhe unë nuk iki pa e bërë këtë”.
Kush guxon të mendojë tu zërë vendin këtyre, përjashtohet ose vetëpërjashtohet(Elisa paraqiti një platformë, e cila mund të hidhej në votim, të rrëzohej dhe të vazhdonte mbledhja).
Ja pse demokracia e brendshme në parti është kaq shumë e rëndësishme.
Ja pse Asamblea e Gjirit të Lalzit nuk është një çështje e brendshme dhe as thjeshtë një çështje “Elisa” , e cila korri atë që ka mbjellë e ka ujitur vetë, por është një çështje shumë e rëndësishme parimore, në raport me demokracinë dhe qeverisjen e sukseshme.
Burimi/Facebook


Leave a Reply