Akademia e Shkencave kujtoi sot, Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, e cila shënohet çdo vit më 17 nëntor si një ditë kushtuar rinisë universitare, rolit të saj në shoqëri dhe rëndësisë së arsimit në përparimin e njerëzimit.
Dita Ndërkombëtare e Studentëve u shpall në vitin 1941 nga organizatat ndërkombëtare studentore në Londër, në kujtim të ngjarjeve të 17 nëntorit 1939 në Pragë, ku studentët çekë u përballën me represionin nazist.
Nazistët mbyllën universitetet çeke, ekzekutuan nëntë liderë studentorë si dhe internuan mbi 1.200 studentë në kampin e përqendrimit Sachsenhausen. Këto ngjarje u pasuan nga protesta kundër pushtimit gjerman.
Në këtë ditë vlerësohet rëndësia e arsimit cilësor, e mundësive të barabarta për studim dhe e angazhimit të të rinjve në jetën akademike, kulturore e publike. Ajo shërben gjithashtu si një ftesë për të mbështetur potencialin krijues dhe intelektual të studentëve, të cilët përbëjnë një nga forcat më të rëndësishme për të ardhmen e çdo vendi.
17 nëntori përkujton njëherazi aspiratat e studentëve për liri akademike, pjesëmarrje qytetare dhe mbrojtje të të drejtave themelore, vlera që mbeten thelbësore për zhvillimin e shoqërive demokratike.
Burimi/Facebook/TV1 Channel – Shkodër


Leave a Reply