Perëndimi izolon si kurrë ndonjëherë më parë qeverinë Berisha. 19 kryetarë shtetesh dhe 47 ministra të jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, kanë bojkotuar konferencën e dyshes Berisha-Panariti në Tiranë me rastin e dorëzimit të presidencës së KiE nga qeveria shqiptare. Në përmbyllje të kryesisë shqiptare të radhës e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës, u zhvillua dje në Tiranë, konferenca “Diversity in Europe; a Strength for the Future”. Por konferencën e kanë bojkotuar pothuajse të gjithë personalitetet e rëndësishëm të botës, ndërsa kanë marrë pjesë disa zyrtarë të dorës së fundit. 19 kryetarë shtetesh dhe 47 ministra të jashtëm nuk i janë përgjigjur ftesës së qeverisë shqiptare për të marrë pjesë në konferencë. Bojkotimi në bllok i Perëndimit ndaj ceremonisë së qeverisë Berisha, dëshmon izolimin e thellë të pushtetit si dhe ndarjen me botën perëndimore. Bojkoti u pa qartë jo vetëm nga kryetarët e shteteve apo ministrat e jashtëm, por dhe nuk erdhën as drejtuesit e lartë të KiE, të cilët Berisha nuk harroi t’i përshëndesë, edhe pse i ndërprenë fjalën kur po mbante fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme. Berisha, Panariti dhe Nishani bënë demagogji bajate në një sallë bosh, duke radhitur sukseset e pushtetit. Në të vërtetë suksesi i vetëm i presidencës shqiptare, është skandali i turpshëm, ky delegacion shqiptar u rreshtua në krah të Azerbajxhanit dhe Rusisë, duke votuar kundër rezolutës së Perëndimit për ish të përndjekurit. Gjithsesi bojkoti në bllok i konferencën është një sinjal i fortë që bota perëndimore i jep qeverisjes së degraduar shqiptare. Përveç kryediplomatit të Andorrës, e cila merr presidencën e radhës, asnjë personalitet tjetër i ftuar nga Panariti nuk ka marrë pjesë në konferencë.Ftesa e Panaritit
Më 8 gusht të këtij viti, ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, deklaroi se më 8 nëntor do të vinin në Tiranë 18 presidentë dhe 47 ministra të Jashtëm. Ai tha se ata janë zyrtarë të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Ceremonia në fakt do bëhej për dorëzimin e presidencës nga Shqipëria. “Motoja jonë e drejtimit të Këshillit të Evropës është,“Të bashkuar në diversitet”. Sipas kësaj motoje, multikulturalizmi dhe toleranca do të ndërtojnë urat e komunikimit midis kombeve dhe vendeve, duke zbutur dhe kapërcyer pasojat e dëmshme të krizave ekonomike në këto raporte. Gjatë presidencës sonë të këtij këshilli, Kosova do të jetë në qendër të vëmendjes. Ne do te nxitim pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha nismat rajonale të lançuara nga Këshilli i Evropës. Në datat 8 dhe 9 nëntor në Tiranë ,do të mbahet një samtit me pjesëmarrjen e 18 presidentëve dhe të 47 ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës”, ka deklaruar Panariti.
Berisha lidh konferencën me 100-vjetorin
Edhe konferencën e djeshme të KiE, Berisha e ka lidhur me 100-vjetorin e Pavarësisë. Edhe pse presidenca e Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me 100-vjetorin, Berisha e sheh gjithçka me syzet e “Ky eveniment zhvillohet në një vit të veçantë, në të cilin Shqiptarët dhe Shqipëria festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. Historia e kombit shqiptar, këto 100 vite, është ndër më të dhimbshmet, por dua t’ju garantoj se është një histori suksesi, pavarësisht nga kaluari, nëpër të cilin kombi ynë kaloi”, tha Berisha.
Berisha takon ministrin e Andorrës
Kryeministri Berisha priti dje në një takim Ministrin e jashtëm të Andorrës, z. Gilbert Saboya Sunye. Ministri i jashtëm Sunye e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe shprehu vlerësimet më të larta të vendit të tij, Andorrës, për kryesimin në mënyrë të shkëlqyeshme e të suksesshme nga ana e Shqipërisë, të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, gjatë 6 muajve të fundit, duke e siguruar që edhe kryesia e Andorrës do të vazhdojë më tej punën për promovimin e mëtejshëm të axhendës së KE. Gjithashtu Sunye vlerësoi transformimet e jashtëzakonshme që janë shënuar në Shqipëri gjatë viteve të fundit, në të gjitha fushat, duke i uruar kryeministrit Berisha suksese të mëtejshme në përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të Shqipërisë, në veçanti për integrimin evropian. Berisha e falënderoi ministrin e Jashtëm Sunye për fjalët e ngrohta dhe vlerësimet e shprehura dhe e siguroi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Presidencën e Andorrës në të mirë të objektivave të përbashkëta.
Nishani: Shqipëria ka institucioneve të pavarura
Presidenti Bujar Nishani, pjesëmarrës në konferencën e mbajtur dje në Tiranë, nga KiE, me rastin e dorëzimit të presidencës nga ana e Shqipërisë, ka mbutuar një fjalim. Nishani ka theksuar se në Shqipëri janë konsoliduar institucionet, ndërsa s’shtoi se Shqipëri e përmbushi me sukses mandatin e saj. “Ne e morëm Presidencën nga demokracia më e vjetër evropiane, Britania e Madhe. Kjo, natyrisht, e shtonte edhe më shumë përgjegjësinë tonë. Por, besoj se kemi ofruar një kontribut të vyer në veprimtarinë e organizatës për realizimin e objektivave e prioriteteve themelore dhe garantimin e reformave të saj, nëpërmjet një agjende të ngjeshur dhe të pasur në tematikë. Shqipëria pati mundësi të tregojë në praktikë se institucionet e saj janë të konsoliduar sa duhet dhe zotërojnë kapacitetet e nevojshme për të përmbushur me sukses një mandat drejtues të një organizate shumëpalëshe, siç është Presidenca e Këshillit të Evropës”, tha Nishani.
Panariti, raport për arritjet e Shqipërisë
Ministri Panariti, në cilësinë e Presidentit të Komitetit të Ministrave të KiE-së mbajti një raport mbi arritjet kryesore të Presidencës shqiptare, ndërsa Ministri i Jashtëm i Andorës, Gilbert Saboya Sunyé, prezantoi prioritetet e Presidencës andorene. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të KiE-së, të 47 vendeve anëtare të KiE-së, vendeve vëzhguese, vendeve fqinje të Mesdheut, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe autoritete të tjera te larta. Gjithashtu, në Konferencë mori pjesë si i ftuar special Jorge Sampaio, Përfaqësues i lartë i OKB për Aleancën e Qytetërimeve dhe ish-President i Portugalisë, Emma Bonino, Zv/Presidente e Senatit Italian, Sonja Licht, anëtare e Grupit të Personave të Shquar, hartues të raportit “Të jetojmë së bashku”, etj. Në përfundim të Konferencës, u zhvillua edhe ceremonia e transferimit të Kryesive të KiE-së, nga Shqipëria tek Andora.
Ministria e Jashtme: Mbyllëm me sukses presidencën
Gjatë konferencës së KiE, ministri Panariti, në cilësinë e Presidentit të Komitetit të Ministrave të KiE-së mbajti një raport mbi arritjet kryesore të Presidencës shqiptare. “Shqipëria e drejtoi Presidencën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës me krenari dhe me një ndjenjë të fortë angazhimi ndaj kësaj organizate, qëllimeve gjithëpërfshirëse dhe së ardhmes së saj”, tha ai. Sipas Panaritit, të gjitha prioritetet shqiptare u udhëhoqën nga motoja “Të bashkuar në diversitet”, bazuar në dy linja. Së pari angazhimi i plotë në vijimësinë e prioriteteve të ndërmarra në kuadër të Trojkës (Ukrainë – Britani e Madhe – Shqipëri), për sa i përket: vazhdimit të reformës për të ardhmen e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, reformës për forcimin e demokracisë në nivel lokal e rajonal; procesit reformues institucional të Këshillit të Evropës, me synim shndërrimin e kësaj organizate në një aktor të fuqishëm politik dhe rritjen e fizibilitetit të saj përtej kufijve të hapësirës evropiane. Adriatik Doçi
Gazeta SOT
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply