Letër famullisë së shën Luçisë në Durrës
Të dashur miq të famullisë së shën Luçisë,
Qoftë Lëvdu Krishti!
Në fillim të këtij viti të ri baritor (2015-2016) që nis me shtatorin e mbyllet me qershorin e vitit të ardhshëm, dëshiroj si famullitari juaj, bashkë me Atë Giovanni Salustri-n i Kongregatës së Etërve Jozefinë të Murialdos, një bashkëpunëtor i vyeshëm në punën baritore, t’ju drejtojmë disa fjalë.
Gëzimi i Ungjillit, që të krishterët kanë pranuar qysh me pagëzimin e tyre në fjalët e meshtarit që thotë: “… në emër të bashkësisë së krishterë unë po të pranoj me gëzim të madh…”, ende sot shtyn secilin prej nesh që t’i përkasë Krishtit në Kishën Katolike. Ky gëzim jetohet në jetën e përditshme, në mbledhjen e bashkësisë në meshën e shenjtë e po ashtu në shumë momente të tjera të jetës tonë. Një i krishterë nuk mund të mos jetë i gëzuar në jetën e tij, sepse dhurata që ka marrë, jeta e re në Krishtin është një burim gëzimi dhe hareje. Krishti ka ardhur që ne ta kemi gëzimin në plotëninë e tij (Gjn 15,11).
Këtë gëzim ne e gjejmë më së pari në gji të bashkësisë në të cilën jemi pranuar e jemi mirëpritur qysh ditën e lindjes e kjo është familja jonë. Prandaj ky gëzim më së pari nis aty në familje për t’u rritur e zgjeruar më pas në familjen e madhe të njerëzve e në familjen e Kishës e cila është nëna, nusja e padangë dhe e parrudhë e Krishtit (Ef 5,27).
Nuk mund ta mbajmë vetëm për veten tonë këtë gëzim, por duhet ta ndajmë me të gjithë njerëzit, duke nisur nga ata që kemi më pranë, pra nga familja jonë. Është pikërisht familja kryefjala e këtij viti baritor që po nisim. Në familje dhe së bashku me familjen kemi ndërmend të ecim në këtë vit, duke u lutur në familje dhe për familjen.
Por ne nuk mund të harrojmë se vërtet në pagëzim kemi marrë gëzimin e jetës dhe të besimit e megjithatë po në pagëzim jemi shenjuar me shenjën e kryqit: “ … e në emër të saj (bashkësisë) unë po të shenjoj me shenjën e kryqit” – thotë ministri i pagëzimit kur nis ritualin. Gëzimi dhe kryqi në jetën e të krishterit janë bashkë e po ashtu në jetën e familjes. Sa shumë kryqe e vështirësi sot kalojnë familjet tona? Sa shumë problem të varfërisë, papunësisë, dhunës? Sa familje sot janë në zgrip të ndarjes e sidomos çifte të reja? Sa problem sot ka edukimi i fëmijëve dhe marrëdhënia prindër-fëmijë sidomos në moshën adoleshenciale? Janë të gjitha probleme me të cilat përballemi çdo ditë edhe ne si bashkësi e krishterë.
Pazgjidhshmëria e martesës, shenjtëria e saj janë një perlë e çmuar që duhet ruajtur me kujdes, për të cilën ia vlen të sakrifikosh gjithçka (Mt 13,45-46). Pikërisht në një familje të bashkuar, në të cilën anëtarët duhen dhe respktohen me njëri-tjetrin lind dhe edukohet jeta e njeriu merr elementët e nevojshëm për të qenë një qytetar dhe një njeri i mirë. Po aty besimi merret dhe edukohet e kështu u përcillet brezave.
E nga ana tjetër ndodh shpesh që kjo shenjtëri të njolloset nga mëkati, apo nga situata shpesh të papëlqyeshme, apo nga plaga e divorcit dhe e ndarjes. Jo pak raste kemi kur një martesë ka dështuar e ka nisur një e dytë, e po ashtu ku kanë pasur vdekjen e njërit prej prindërve apo braktisjen e ai që është gjallë apo i vetëm ka vështirësi për të rritur dhe edukuar fëmijët. Sa raste ka kur fëmijët janë viktima të ndarjes së prindërve dhe bëhen shpesh objekt i hakmarrjeve për egoizmat reciprokë? Kisha ka për detyrë të jetë pranë me dashurinë dhe mëshirën e saj
Vitin e kaluar në Tetor, në një Mbledhje të Jashtëzakonshme, Papa së bashku me ipeshkëvinjtë kanë reflektuar rreth familjes e frytet e para kanë qenë ata të një thjeshtimi të procedurave për të parë pavlefshmërinë e një martese nëse ajo ekziston dhe sidomos thirrja ndaj barinjëve të shpirtrave që të kudjesen për familjet me probleme. Në muajin tetor të këtij viti Papa Françesku së bashku me Ipeshkvinjtë dhe të tjerë persona ekspertë, meshtarë e laikë, nga e gjithë bota, do të reflektojnë përsëri rreth familjes në Sinodin e Zakonshëm që do të mbahet nga data 4-25 tetor. Rezultate të tjera priten nga ky Sinod sidomos sa i përket një pune baritore me familjen dhe me përgatitjen për një jetë familjare e po ashtu situatat e atyre burrave dhe grave që tashmë jetojnë një martesë të dytë në të cilën ia kanë dalë më mirë se sa me të parën.
Famullia jonë e shën Luçisë jeton bashkë me të gjithë Kishën në të gjithë botën. Edhe ajo ndan gëzimet, hidhërimet, pritshmëritë dhe ankthet që kalon çdo njeri. Përjetojmë edhe ne ato probleme dhe çështje të familjes dhe në mënyrën tonë e me mundësitë tona duam t’u përgjigjemi këtyre çështjeve. Prandaj këtë vit baritor disa nisma shumë të thjeshta synojnë të jenë një pikënisje për një përkujdesje baritore ndaj familjes.
Së pari do të shoqërojmë me lutje Sinodin e Ipeshkëvinjëve duke u lutur çdo herë që kemi meshë në të gjitha filialet e famullisë, në mbarim të meshes, me Lutjen për Familjen të bërë nga Ati i Shenjtë Papa Françesku që e gjeni në fund të kësaj letre. Kjo mund të lutet edhe personalisht në shtëpi apo në familje.
Së dyti në katër të hëna të muajit të Tetorit do të kemi rruzaren për familjen në orën 16.00 në kishat e famullisë sipas këtij kalendari:
E hënë 5 tetor në Kishën e Shën Luçisë; E hënë 12 tetor në Spitallë; E hënë 19 tetor në Shën Vlash; E hënë 26 tetor në Fllakë (vëllazërimi). Pas rruzares do të jetë edhe mesha e shenjtë të gjithë së bashku.
Së treti, duke filluar nga data 1 tetor, unë do të jem personalisht ,së bashku me motrat, në dispozicion për vizita dhe bekim nëpër familje, i cili do të jetë çdo të mërkurë dhe të enjte në orët e pasdites kur familja është e mbledhur dhe e gjitha në shtëpi. Këtë vizitë kam ndërmend ta bëjmë gjatë gjithë vitit. Prandaj formularin që do t’ju dorëzohet bashkëngjitur ju kërkoj që ta plotësoni e ta dorëzoni të djelën e ardhshme ose në një ditë tjetër në famulli e po ashtu të merrni së paku nga pesë kopje të formularit për familje të tjera katolike që ju njihni në zonën ku banoni.
Së katërti për të rinjtë mbi moshën 18 vjeç ose edhe më të rinj që janë fejuar tashmë, do të bëhen disa takime me një mesatare një herë në muaj në bashkëpunim me motrat kanosiane në shën Vlash rreth sakramentit të martesës. Këto do të jenë rreth 10 takime deri në muajin korrik. Kjo mund t’ju vlejë edhe si përgatitje për martesë në rastet kur do t’ju kërkohet.
Një prioritet tjetër i këtij viti do të jetë formimi i katekistëve. Katekistët janë burra dhe gra që me dëshirën e tyre dhe me mandatin që marrin nga famullitari kanë për detyrë të jenë dëshmitarë për të tjerët nëpërmjet jetës së tyre, përvojës dhe mësimit të besimit. Është një ëndërr të formojmë e të kemi katekistë të aftë që të shpallin ungjillin e të mësojnë të tjerët me jetën e Ungjillit. Formimin e Katekistëve do ta bëjmë në famulli duke provuar kështu një përvojë të re në krahasim me modelet e mëparshme. Është tashmë një grup i vogël, por këtij grupi shpresoj t’i bashkëngjiten edhe të tjerë. Do të rinisim këtë përvojë me datë 25 shtator 2015 në orën 18.00 me meshën e shenjtë. Ftoj edhe të gjithë ata që lexojnë gjatë meshës së shenjtë në këtë takim të përjavshëm me Fjalën e Zotit.
Ky vit përkon edhe me 25 vjetorin e meshës së parë me 4 nëntor 1990, ndërsa ishte ende në këmbë regjimi komunist, nga ana e Dom Simon Jubanit në Varrezat e Rrmajit në Shkodër. Do të kemi kremtime edhe për këtë vit jubilar në përkujtim të martirëve tanë.
Një ngjarje tjetër e rëndësishme që na pret është edhe Hapja e vitit të Mëshirës i shpallur nga Papa Françesku i cili do të nisë me datë 8 dhjetor 2015 me hapjen e Derës së shenjtë në Vatikan e më pas me të tjerat nëpër të gjithë botën. Një nga dyert jubilare do të jetë edhe Konkatedralja e shën Luçisë. Për këtë do të kemi rast të flasim më shumë në muajt në vijim.
Mëshira, dashuria e Zotit mësohet më së pari në familje. Ndërmjet familjes dhe mëshirës ka një lidhje të pandashme. Falja merret dhe jepet më së pari në familje. Prandaj edhe ne do të nisim gjithçka nga familja.
Ju uroj të gjithëve një fillim të mbarë të vitit baritor, sidomos atyre që janë ulur në bankat e shkollave dhe që të shtunën e fundit të shtatorit me datë 26 shtator do të fillojnë edhe katekizmin.
Zoti ju bekoftë të gjithëve
Dom Gjergji
Durrës, 19 shtator 2015


Leave a Reply