Top sekret: Dëshmi për keqpërdorimet dhe deformimet e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror në Kosovë (1945-1966) (18)Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Ljutica: Këtu në Prishtinë ka qenë më së shumti i aplikuar shërbimi i përgjimit. Nga viti 1964 fillon gjerësisht të aplikohet.
Gërkoviqi: Sa është e gjerë. Ajo është relative. Megjithatë, asnjë telefon nuk ka mundur të përgjohet, se paraprakisht është dashur të shënohet. Kjo nuk ka shkuar aq shumë në gjerësi. Unë edhe pse nuk e di çdo rast veç e veç, nuk besoj se ka pasur më shumë se 30 telefona. Prej tyre më duket se janë vetëm dy-tri raste që janë përgjuar kuadrot. Derisa isha në komunë këto raste ia kisha dhënë Sveta Bogdanoviqit. Kur kalova në krahinë kjo shkonte nëpër mes të Rajko Vidaqiqit.
Ljutica: Ju jeni përzier në rastin e Mark Krasniqit?
Gërkoviqi: Shërbimi i ka marrë disa hapa, por unë personalisht kam besuar se kjo nuk është punë e jona. Kam menduar se këtë punë duhet ta zgjidhin në baza shkencore e ideore. Unë kam biseduar për këtë edhe me Miqën.
Ilija Vakiqi: Aksioni i armëve a ka pasur vetëm këtë qëllim, apo edhe ndonjë tjetër, pasi se kryesisht ka qenë i orientuar te banoret shqiptarë. E dyta, nga biseda kemi kuptuar se në mesin e nëpunësve shërbimi i sigurimit ka shprehur mosbesim për reformën, vetëqeverisjen dhe politikës kadrovike.
Gërkoviqi: Unë këtë aksion e kam pranuar ashtu edhe siç është thënë me të vetmin qëllim. Unë nuk di se ka pasur qëllim tjetër. Dhe në praktikë ka qenë kryesisht i drejtuar kundër shqiptarëve. Rreth çështjes tjetër, unë kam thënë se nuk kam qenë në kontakte të ngushta me të tjerët, andaj edhe nuk kam mundur t’i dëgjoj komentet e ndryshme. Sigurisht se është folur edhe për dukuri të tjera negative që janë lajmëruar në vetëqeverisje, për dukuri të tjera për jetën shoqërore. Unë personalisht jam angazhuar që në resorin tonë të aplikohet vetëqeverisja dhe të vihet në baza të sigurta.
Për dosjet nuk po më kujtohet se kam par ndonjë dosje për kuadro udhëheqës. Mund të ekzistoj mundësia që më herët është shënuar për dikë ndonjë gjë dhe ajo ka ngelur. Askush atë nuk ka mundur ta asgjësonte. Po qe se diku ka diçka për dikë ajo ka ngelur nga koha e IB-së.
Ilija Vakiqi: Megjithatë ekziston një numër i madh i dosjeve nga viti 1960 e këndej.
Gërkoviqi: Nuk besoj se kjo është e vërtetë. Mund të ndodhë ndonjë njeri, i cili ka qenë nën hetime ka folur diçka për dike. Ajo regjistrohet, por ajo nuk ngrit asnjë dyshim tek pala tjetër.
Nga lindi mosbesimi për shqiptarët, nga individët apo qëndrimet vinin nga lart
Sinan Hasani: Assesi nuk po mund t’ia shpjegoj vetes se nga doli i gjithë ai mosbesim ndaj nacionalitetit tjetër te kuadri i UDB-së, kur janë në pyetje komunistët, pjesëmarrësit e luftës.
Gërkoviqi: Po qe se dikush ka qenë i detyruar në këtë drejtim atëherë ne kemi qenë më të afërmit. Ne kemi qenë më pranë armikut, e kemi përcjell aktivitetin e tyre, disa dukuri, dhe kjo ka ndikuar në disa mendime tona. Unë personalisht shpesh kam menduar dhe kam tentuar që të mbrohem nga ato mendime. Kam tentuar që çdo gjë ta marrë me rezerve çdo gjë që flitej për kuadrin nga radhët e shqiptarëve.
Sinan Hasani: Athua se ai dyshim dhe ai mosbesim për të cilat po flet a kanë mbizotëruar ndaj këtij kuadri, ka qenë rezultat i perceptimit individual apo i ndikuar nga të tjerët?
Gërkoviqi: Ka pasur edhe kuadro, të cilët kanë qenë të ngarkuar me nacionalizëm dhe shovinizëm. Por, gjithashtu mendoj se edhe shërbimi me sistemin e vet të punës ka lejuar që të paraqiten aso paragjykime.
Shërbimi i Sigurimit të Shtetit ishte kundër shqiptarëve
Ljutica: Nga e gjitha që është vërtetuar deri më sot vijmë deri te përfundimet se shërbimi ka qenë kundër shqiptarëve.
Gërkoviqi: Unë mendoj se aksioni për mbledhjen e armëve, më së miri e tregon këtë. Veç kësaj unë mendoj se sistemi i punës ka mundësuar se nganjëherë që edhe mendimet nacionaliste të disave të futen në sistem. Por, jo të gjithë njerëzit e këtij shërbimi duhet t’i vëmë në një thes. Unë personalisht gjithmonë kam luftuar kundër këtyre botëkuptimeve dhe jam munduar që t’iu ikim pasojave.
Ljutica: Megjithatë ti nuk ke qenë jashtë krahinës. Këto deformime kanë ndodhur këtu.
Gërkoviqi: Mund të thuhej se nganjëherë njeriu nuk mund të gjendet. Unë thjesht në prag të këtyre bisedimeve kam menduar se çfarë krejt nuk kam thënë, se çfarë kam për të thënë ndonjë gjë konkrete. Për shembull, unë kam dëgjuar për keqpërdorime material në Prizren, Pejë. Por unë zyrtarisht nuk kam qenë i lidhur me ta. Kështu që unë më për së afërmi nuk di asgjë çfarë të them.
Deklarata me shkrim e Shaban Kajtazit
Me kërkesën e Komisionit të Komitetit Krahinor të LKK jap këtë deklaratë lidhur me deformimet dhe devijimet në shërbimin e sigurimit shtetëror, të cilat patën ndikim në situatën shoqërore në terrenin ton.
DEKLARATË
Si e para pikë, unë kërkoj falje nga komisioni që nuk jam në gjendje të japi një pamje të përgjithshme për deformimet që kanë ekzistuar dhe që janë shkaktuar nga shërbimi i sigurimit shtetëror krahinor me anë të shkrimit, por mendoj se ndoshta më mirë do të ishte të bisedojmë lirshëm dhe biseda të zhvillohet me nën pyetje se për çfarë komisioni është i interesuar, e kjo do të ishte për arsye se shumë çfarë po harrohet dhe e dyta se nga viti 1960 nuk ndodhem në shërbimin e sigurimit shtetëror.
Vendimet e Plenumit edhe janë e vetmja zgjidhje e drejtë në këtë fazë të tanishme të zhvillimit shoqëror. Duhet larguar metodat staliniste dhe burokratike për të ardhur në shprehje klasa punëtore e cila ka bartur, por edhe sot bart barrën kryesore të ndryshimeve në vend në kuptimin socialist. Vetëqeverisjen e përgjithshme shoqërore, mekanizmin demokratik. Aplikimi i këtyre vendimeve është edhe pengesa kryesore për shërbimin e sigurimit shtetëror, e cila personifikohet me Aleksandër Rankoviqin dhe grupin e tij, i cili nuk ka mundur, por edhe nuk ka dashur t’i largonte. Pastaj lehtë e ka pasur që t’i qëroj hesapet me shërbimin. Unë qëndroj në të se ai nuk ka dashur të shoh, gjithsesi, nga aspiratat e tija të ndyta, duke keqpërdorur besimin të cilën ia kishte dhënë KQ i LKJ dhe shoku Tito.
Ky grup i njerëzve kishte ngritur një sistem të shërbimit të sigurimit shtetëror e cila ishte pengesë në zhvillimin e socializmit dhe i ka shërbyer atij si monopol për punë të ndyra e egoiste dhe duke pasur parasysh se ky shërbim ka qenë centralist nga aty edhe ka filluar devijimi dhe nga aty ka pasur ndikim edhe në shërbimin në krahinën tonë.
Sa i përket deformimeve të shërbimit në krahine, unë nuk mundem të ofroj aq sa shokët që kanë punuar në mënyrë të drejtpërdrejt, sikurse që e kam cekur edhe më herët, unë më nuk jam në atë vend, a më herët nuk kam qenë ndonjë udhëheqës në këtë shërbim përveç vitit 1955 në Mitrovicën e Kosovës dhe më 1959 në Prizren. Për 22 vjet të shërbimit në resorin e punëve të brendshme, e në përgjithësi për atë çfarë i intereson komisionit, nga ajo që del nga vendimet e Plenumit të IV të KQ të LKJ-së.
Prej deformimeve të përgjithshme, e cila nuk ishte në një hap me mekanizmin demokratik që banë vulën që nga çlirimi e deri më sot është udhëheqja e centralizuar nga ana e sekretarit federativ si gjë e ditur ndërsa te shërbimi i policisë ishte centraliste nga niveli republikan. Kjo e dhënë ka ndikuar që shërbimi nuk ka guxuar që të nënshtrohet kontrollit të dikujt andaj kuadrot në të u çmenden, u vu mbi faktorin politik e shoqëror, duke thënë se: kush mundet me na bë gjë, ndërsa në anën tjetër ishte armë qorre në duart e sekretariatit federativ.
Politika kadrovike nuk ka qenë e përshtatshme me politikën e partisë sonë. Kuadrot shqiptare shumë pak kanë ardhur në shprehje. Sot në tërë krahinën nuk ka një udhëheqës në shërbimin e sigurimit shtetëror që është shqiptar, ndërsa dy janë naqallnikë të shërbimit nga radhët e shqiptarëve. Kuadri i nacionalitetit shqiptar i tanishëm në një masë të madhe është keqpërdorur dhe është shfrytëzuar. Vetë nëpunësit shqiptar kanë qenë të kompleksuar. Ndërsa sa i përket shërbimit të policisë, unë në mbledhjen e përvjetorit me komandantët e policisë më 1962 e kam hapur këtë çështje, por nuk kam hasur në përkrahje, i pranishëm atëherë ka qenë naqallniku i drejtorisë së shërbimit të policisë shoku Shijan. Sa i përket shërbimit të sigurimit unë kam pasur rastin të bisedoj me shokun Rajko Vidaqiçin pse nuk pranohen në numër më të madh shqiptarët. Më është thënë se qëndrimi është nga lartë, se shërbimi i sigurimit shtetëror është një shërbim i përgjithshëm jugosllav dhe se nuk është i rëndësishëm përbërja nacionale, por pjekuria e tyre politike.
Në hetuesi të cilën e ka udhëhequr shërbimi i sigurimit nuk është bërë mjaft në thellimin e situatës konkrete. Ajo kryesisht është mbështetur në të dhëna të paverifikuara mirë dhe në njerëz ku operativistët kanë dashur gjithsesi të paraqesin suksese, e në disa raste të cilët nuk kanë pasur karakter serioz ata nuk janë angazhuar edhe aq sa duhet. Dua të theksoj se sa i përket hetuesisë, vërtetësisë, këto deformime datojnë më shumë nga e kaluara e më pak në këto kohët e fundit. Një arsye është se kanë qenë kohë të trazuara, edhe më tepër se kontrolli nuk ka qenë i duhur mbi shërbimin.
Kjo hetuesi ka qenë për personat që më vonë edhe janë dënuar, e shumë prej tyre kanë humbur dhe janë dënuar në pamundësi që të verifikojnë pafajësinë para gjyqit. Këso dhe dukuri të tjera nuk jam në gjendje që të gjitha t’i numëroj se veç kam thënë se i takojnë të kaluarës përveç të disa rasteve karakteristike në të cilat unë kam marrë pjesë si rasti i dënimit të Ibrahim Tërrnavcit me 15 vjet burgim, pastaj procesi i Njazi Malokut në të cilën unë nuk kam marr pjesë. (VIJON)
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply