Nga Gjergj Meta
Po qarkullon në media ideja dhe frika se krishtërimi në Europë rrezikohet nga emigrantët që vijnë nga vendet e lindjes me origjinë myslimane. Ndërmjet tyre thuhet se ka luftëtarë dhe ekstremistë të ISIS-it të kamufluar. Kjo mund të jetë e vërtetë, pasi në një rrëmujë e pështjellim të tillë, gjithçka mundë të ndodhë e gjithkush mund të hyje.
Por krishtërimi nuk rrezikohet prej tyre, madje as prej vetë ISIS-it. Prej tyre rrezikohet demokracia, rrezikohen ndoshta standardet e një jete të sigurtë, por jo krishtërimi, pasi ky i fundit nuk identifikohet as me demokracinë e as me standardet e sigurta, e as me Europën, por vetëm me Krishtin. Ky i fundit nuk ka ardhur të ndërtojë një rend politik apo ekonomik, pavarësisht se edhe vetë dishepujt e tij këtë mendonin (Lk 24,21).
Krishti nuk është një nocion, as një nocion, as një filozofi, ai është një person. Krishtërimi rrezikohet vetëm atëherë kur shpirti i botës, që do të thotë vetëmjaftueshmëria, përjashtimi, ksenofobia, urrejtja, ligësia, përbuzja e nevojtarit, hyjnë e bëhen pjesë e jetë së të krishterit. Vetëm kur lëmë Krishtin jashtë krishtërimit atëherë ai është në rrezik të vërtetë.
Kur të harrojmë se krishtërimi nuk është një sistem vlerash, madje nuk është as një Libër, por një rrugëtim, një udhë pas Mësuesit dhe në gjurmët e tij (Mk 8,34) atëherë ai rrezikohet shumë. Kur ne të krishterët të harrojmë rrugën e dashurisë (1 Gjn 4,8) atëherë i kemi hapur varrin krishtërimit.


Leave a Reply