Është e pashpjegueshme që një qytet me traditë të shkëlqyer politike, të katandiset në një gjendje të mjerueshme të përfaqësimit të saj, në një gjendje të vajtueshme të artikulimit të mendimit dhe protagonizmit politik në vend…
Një qytet, deputetët e të cilit, 100 vjet më parë, i dëgjonin me kërshëri në të gjitha Konferencat e Europës, sot nuk i dëgjon njeri as deri në Lezhë…
Në trupën e deputetëve të Shkodrës, majtas e djathtas, pa përjashtim, vegjetojnë një tufë mediokrish, më të mirët e të cilëve janë të tillë, vetëm se nuk i ka dëgjuar njëri të flasë, për të mos folur pastaj për ato me të kaluar kriminale, që kanë vrarë, kanë shantazhuar, kanë përvetsuar pasuri publike.
Në trupën e deputetëve të Shkodrës ka deputetë që kanë detyruar me forcën e armëve qytetarë, që të shesin pronën, për tu hapur rrugë hoteleve të tyre, ka deputetë që kanë grabitur prona publike por edhe private duke nxjerrë në mes të katër rrugëve qytetarë të ndershëm…
Në trupën e deputetëve të Shkodrës, gjysma janë analfabetë funksionalë që kanë marrë diploma pa patur deftesa të shkollës së mesme… po po gjysma … mos u çudisni fare! Ka deputetë që jo vetën nuk e flasin dhe e shkruajnë por edhe nuk e lexojnë dot gjuhën shqipe…
Në trupën e deputetëve të Shkodrës ka eksponentë “të djathtë” që shajnë komunizmin gjithë ditën e nga ana tjetër bëjnë thirrje për revolucion dhe përmbysje me dhunë të pushtetit duke mos harruar për asnjë moment të shtojnë togfjalëshin idiot “revolucion me metoda demokratike”…
Në trupën e deputetëve të Shkodrës ka eksponentë “të majtë” që kanë qënë të “djathtë” dhe që në vitet ’90 nuk e linin PS-në të hynte në Shkodër dhe prishnin metingjet e saj, që janë bërë milionerë me pushtetin abuzues të Saliut dhe sot flasin për “ndihmë ndaj të varfërve”.
Në trupën e deputetëve të Shkodrës ka edhe 2 ose 3 të ashtuquajtur intelektualë eunukë, servilë të kryetarëve, mikroborgjezë të vegjel, që fshihen pas gishtit, që ecin “si Ali Xhixha n’tel”, për të ruajtur rehatinë e tyre, të familjarëve të tyre, për të ruajtur hegjemoninë mbi tenderat apo edhe thjesht për një rrogë deputeti apo ca djeta më shumë.
Kjo është panorama politike e Shkodrës sot, e dhimshme, e trishtueshme, e vajtueshme…
Kaq për sot, në vijim do ti marr emër për emër këto horra dhe eunukë, me të vetmin qëllim që të çlirojmë Shkodrën nga turpi i vemieve të saj; me qëllimin që të detyrojmë kryetarët e partive politike që të nominojnë vlera në krye të listave dhe jo “numërorë topi” për interesat e tyre politike. Shkodra meriton më shumë. Ajo është gëzimi dhe vuajtja jonë…


Leave a Reply