
Ishte hera e parë që vizitohesha tek neurologu. Madje edhe kësaj radhe nuk do të kisha shkuar sikur të mos ishte këmbëngulja e Maries, gruas sime. Sa herë që ankohesha se nuk fle mirë natën apo për dhimbje koke, ajo niste qortimet:
– Epo, vizitoju njëherë de, vizitoju. Të gjithë e gjejnë kohën për t’u kujdesur për vete, vetëm ti je i mbytur në punë, sikur gjithë shtetin e mban në kurriz. Bjeri prapa vetes, se po vdiqe, o i zi, askujt s’i bie në mend për ty.
Meqë këto këshilla të Maries po merrnin formën e urdhrave, vendosa të nënshtrohem.
Neurologu, një burrë shtatshkurtër e me gjyslykë dyfishe, fytyrë imët e kaçurrel, më pyeti nëse isha vizituar edhe herë të tjera për nervat, sa herë rrotullohesha gjatë natës në shtrat, a shihja ëndrra dhe a më bënin sytë xixa kur ulesha e çohesha për të lidhur këpucët. Ai më urdhëroi të rrija në pozicion gatitu, të mbyllja sytë dhe të shtrija duart përpara. Pastaj më uli në karrige e më ra me çekiç në të dy gjunjët. Mjeku u mendua për disa çaste pastaj shkoi e u ul në tavolinën e tij dhe filloi dialogu me pyetje-përgjigje:
– Ke marrë ilaçe për gjumë?
– Kam marrë, por përsëri gjumi më zë me vështirësi.
– Provoni të numëroni kur të bini për të fjetur.
– Edhe atë e kam provuar. Një natë numërova deri në nëntëmijë e treqind e pesë.
– Dhe ju zuri gjumi menjëherë?
– Nuk arrita të flija. Ndërsa vazhdova të numëroja erdhi ora të çohem e të shkoj në punë.
– Pooo… E pini duhanin?
– E pi.
– Duhanin ta ndërprisni menjëherë. Po verën, rakinë?
– Jo çdo ditë, po me raste, si Viti i Ri, festat, ndonjëherë me shokët…
– Në asnjë mënyrë. Vera dhe rakia janë armiku numër një.
– I kujt?- e pyeta unë.
– I shëndetit tuaj, sigurisht. Ato ta shkurtojnë jetën.
– Unë edhe kam pirë, po ja që po shkoj tek të gjashtëdhjetat dhe…
– Po të mos kishit pirë verë dhe raki, ja tani do të ishit tek të tetëdhjetat… Po patatet e skuqura, i hani?
– Shumë.
– Mos hani më.
– Edhe patatet e skuqura?
– Asgjë të skuqur! Gjithashtu kujdes me yndyrnat. Janë tepër të dëmshme për moshën tuaj. Armiku numër një.
– Edhe gjellën pa yndyrë?
– S’ke ç’i bën. Kur të bën dëm… Kafenë e pini?
– Jo shumë. Tre deri katër filxhanë në ditë.
– Dhe pastaj vini te mjeku e ankoheni për gjumë?
– Nuk e lë dot. Sidomos kur shkruaj e ndjej të domosdoshme.
– Edhe shkruani? Çfarë shkruani?
– Satirë. Tregime satirike.
– Domethënë kritikoni?
– Qëllon që edhe kritikoj. Satira, humori, i ka këto.
– Satira është veçanërisht ngacmuese për nervat. Bile shumë e dëmshme. Do të detyroheni ta braktisni, për hir të shëndetit.
– Po gazetat mund t’i lexoj?
– Për këtë do të konsultoheni me kardiologun.
Aty për aty rashë dakord me të gjitha ndalesat dhe u ktheva në shtëpi i rraskapitur si një tifoz të cilit i është mundur skuadra e zemrës. Maria nuk ishte kthyer ende nga puna. Shtëpia më dukej si e huaj dhe po ndjeja se në kuzhinën time rrethohesha nga një mjedis armiqësor. Tashmë për mua kuzhina ishte një tokë e minuar dhe në çdo qoshe të saj fshihej një armik. Nuk guxoja të hap raftin se do më dilnin përpara kundërshtarët e mi më të rrezikshëm – kafja, rakia, vaji, gjalpi, cigaret. Të gjitha këto, vetëm disa orë më parë, kishin qenë miqtë dhe bashkudhëtarët e mi të përditshëm, ndërsa tani… Tani unë isha i detyruar të rri pranë tyre vetëm për hir të një bashkekzistence të imponuar. Frigoriferi s’ishte gjë tjetër veçse një bunker ku është fshehur një kompani që pret sa të hapet dera e të më sulmojë frontalisht. Më hahej për qamet ndonjë gjë e ëmbël sa nuk po mundja ta përmbaja veten, për një çast sa s’e mora një lugë sheqer e ta fusja në gojë, po m’u kujtua mjeku që më kish thënë: “Sheqeri është helmi i bardhë” dhe se për moshën time ai është armiku më i rrezikshëm. Rakinë që e pija vetëm me raste dhe që për ditë të tëra as që më shkonte mendja për të, tani dëshiroja ta kthej me shishe. S’do mend, gjë e ndaluar! Dy bishta cigareje që kishin ngelur na tavllën e duhanit që dje, i shihja me aq zili sa më bëhej t’i marr e t’i përtyp si çamçakëz.
Kalova në dhomën e gjumit dhe u shtriva, por era e duhanit më ngacmonte hundën. Nga erdhi ajo deri këtu? Unë asnjëherë nuk pija duhan në dhomën e fjetjes, ndërsa tani tymi qëndronte në ajër si mjegulla në luginë. Sa mirë e ndjeja veten një ditë më parë! Mirëpo ja, brenda disa orëve njeriu sëmuret dhe të gjitha i bëjnë dëm, bile edhe gjalpi. Po gjalpi pse? Gjalpi del nga qumështi që rrit fëmijët. Megjithatë mua edhe qumështi më bën dëm. Hajde Maksut, hajde! Kush e di sa e ke dëmtuar veten me këto grykësitë e tua të papërmbajtura. Qumështin e ke pirë pa karar, patate të skuqura ke ngrënë, kafen tri herë në ditë, gazetat i kam lexuar pa u konsultuar me kardiologun. Gjene mirë që akoma jam gjallë!
Maria erdhi vonë nga puna dhe menjëherë u interesua nëse kisha vënë gjellën në zjarr për ta ngrohur. Ajo kishte harruar fare se unë sot do të shkoja tek doktori, prandaj as që më pyeti se si dola e çfarë më tha.
– Edhe një herë që paske ardhur para meje, nuk të paska rënë në mend ta vije atë të shkretë tenxhere në furnelë,- tha ajo me një ton që shprehte protestë e pakënaqësi të hapur.
– Unë nuk ha më gjellë,- i thashë.
– Ke ngrënë jashtë? Sigurisht, po të hash në restorant as që të shkon ndërmend se në shtëpi ka edhe të tjerë. Ashtu e keni ju burrat…
– Jo, nuk kam ngrënë asgjëkundi, i thashë, dhe as do të ha më. Gjellët kanë yndyrna dhe kripë.
– Si, na dashke gjellë pa kripë?
– Ti nuk më pyet njëherë si dola tek mjeku, po nis e më përmend gjellët që kanë helmin brenda.
– A, po, po! Çfarë të tha mjeku?
– Më mirë më pyet se çfarë nuk më tha. I sëmurë, më tha, ngado që të më prekësh. I fortë paskam qenë. Helmin me grusht e paskam ngrënë deri më sot dhe unë përsëri rri e bisedoj këtu me ty. Këto janë çudirat e natyrës.
– Po thuaj njëherë si është puna? E ndeze furnelën?
– Ç’furnelë moj, ajo sa s’më ka marrë jetën.
– Pse, mori flakë? S’je mësuar me punë more burrë, s’ke faj ti.
– Ku ta gjesh të kishte marrë flakë, se flaka shuhet, po a e di ti se në atë furnelë të shkretë kushedi sa gjellëra janë skuqur, sidomos patate, e sa yndyrë është shkrirë në të!
– Furnela prandaj është, ndryshe do ta kishim hedhur në plehra.
– Ke të drejtë ti,- i thash Maries,- derisa nuk më pyete për së mbari qëkur erdha, kështu do të vazhdojë ky muhabet, unë thumbit, ti patkoit.
– E po thuaje të shkretën, çfarë ka ndodhur? Ti je bërë në fytyrë si meit, pikë gjaku s’të ka mbetur.

– Doktori Marie, doktori. Unë kam shpëtuar për një fije, më kupton? Bile nuk dihet nëse kam shpëtuar apo jo. Me siguri do t’i dali tymi më vonë kësaj pune, ndofta edhe nesër, apo pas dy ditësh, nuk i dihet.
– Të dha ndonjë ilaç që të bëri reaksion? Ilaçet që bëjnë reaksion e kanë tak-fak. Tani kanë kaluar gjithë ato orë. Po nuk vdiqe në çast, e ke hedhur lumin.
– Sikur të ishte ilaç, i bëhej dermani, po si t’ua bëj të tjerave, gjalpit, vajit, kafes, rakisë, cigareve, satirës, gazetave…
– T’i ka ndaluar të gjitha? Mirë ka bërë veç dëm të bëjnë. Asnjë të mirë s’ke prej tyre.
– Edhe ti Marie? Mirë, atëherë, pse i ke hedhur kripë gjellës?
– E ku hahet gjella pa kripë?
– Ja pra, doktori. Hajde tani e nxirri kripën gjellës po të duash që unë të ha drekë. Nxirru edhe të skuqurën atyre patllixhanëve të tua dhe më jep të ha. Që sot e tutje jam njeri me dietë.
Maria heshti dhe s’diti ç’të thoshte.
– Më fërgo ndonjë vezë,- i thashë,- se më griu stomaku.
– Vezë?!- u hodh Maria, sikur të kisha thënë më piq një krokodil.
– E pra, vezë. Gjellën e ke me kripë.
– Nuk të tha mjeku se të sëmurit me sklerozë vezët i ndalohen rreptësisht?
– Nuk më tha gjë. Ndofta ka harruar.
– Edhe ata s’dinë se ç’bëjnë. Veza është armiku numër një. Kështu e tha edhe ai i këshillave mjekësore në televizor. Ti ishe në mbledhje e nuk e dëgjove.
– More po ç’janë gjithë këta armiq numër një, xhanëm, a nuk paska ndonjë armik numër dy apo numër tre, po të gjithë qenkan numër një?
– U pa puna,- tha Maria,- nesër do hamë gjellë pa kripë, do vuajmë edhe ne të tjerët. Jeta duhet ruajtur.
Mor çfarë të ha sot, deri nesër kushedi a jemi gjallë.
– Sot lyej nja dy thela me marmalatë, sa të kalojë dreka.
– Po sheqeri? Unë harrova të them se mjeku më ka ndaluar edhe sheqerin. Sheqeri është helm i bardhë,- më tha mjeku.
– Qyqja! Po fëmijët, mor i zi, ata e hanë sheqerin me lugë, pse s’thua ti se ne i paskemi helmuar fëmijët me dorën tonë?
– Mjeku e tha për mua, për moshën time, jo për fëmijët,- u mundova ta qetësoj,- fëmijët kanë nevojë të rriten, nuk janë si puna jonë që e kemi ngrënë çairen.
– Të rinj, të rinj, po helmi ashtu grumbullohet, pak e nga pak, një ditë bëhet e keqja. Edhe ti ishe mirë dje, po sot ama…
Maria vazhdonte të fliste rreth helmit, ndërsa unë kalova në dhomën e gjumit e u shtriva në shtrat. E përqendrova vështrimin në një pikë të tavanit. Vetmia i jep krahë fantazisë. Si nëpër mjegull m’u kujtua Petroja, një moshatari im, shok fëmijërie, dy vjet të shkuara, ndërsa po rrinim në një kafene të qytetit tonë të lindjes, ku unë kisha shkuar me shërbim, Petroja më pat treguar për vëmendjen që ju kushtonte këshillave mjekësore. Ai qe bërë kockë e lëkurë dhe për një çast pamja e tij më bëri të përfytyroj të ardhmen time. Ai më tregoi se si ai kishte mbushur një raft të tërë me copa gazetash e revistash që flisnin për dietat e mëlçisë, stomakut, veshkave dhe enëve të gjakut. Sipas atyre artikujve ai e kishte ndarë trupin e tij në pjesë të veçanta dhe secila prej tyre bënte jetë më vete. Dikush pranonte zarzavatet gjysmë të ziera, ndërsa pjesa tjetër e trupit nuk i duronte fare ato. Ato ç’ka i bënin mirë stomakut, nuk i pranonte mëlçia. Petroja më tregonte se i koleksiononte të gjitha ato që lexonte në gazeta e revista dhe mundohej t’i vinte në harmoni njëra me tjetrën.
– Shkojmë në restorant e marrim një peshk,- i propozova Petros. Këtu gatuajnë mirë, e njoh kuzhinierin.
– Ai u drodh i tëri sikur ta kish ngacmuar grethi.
– Në restorant unë s’hyj kurrë!- më tha. S’duhet besuar në asgjë. Disa ditë më parë kam lexuar në një revistë se peshku ka vajra, bile edhe vaj makinash, pleh kimik, lëndë plastike, gomë… Çfarë nuk ka deti!
– Ujë!- i thirra unë për të vazhduar listën e lëndëve që përmban peshku.
– Edhe ujë ka, posi,- tha Petroja,- po di ti se uji ka klor, ka ndryshk, bojë, benzinë që derdhet në det nga vaporet, vajguri, acide…
– Atëherë, çfarë të hamë? Sipas teje, s’na mbetet gjë tjetër veçse të dalim në ballkon e të thithim ajër të pastër.
– Ah sikur të kishim ajër të pastër!- ofshau Petroja. Ajri që thithim ne është armiku numër një për mushkëritë. Ai është i ngopur me tym, pluhur, neutrone. Edhe çarçafët e hotelit përmbajnë miliona mikrobe që vijnë nga ajri e uji, në to gjen detergjente të pashkrira, kaolinë, naftalinë, ndryshk nga kazanët ku janë larë.
I shkreti Petro! Në çast më doli përpara shpallja me kornizë të zezë e varur në shtyllën e telefonit afër stacionit të autobusit dhe më shkuan mornica në trup. Iku i shkreti nga kjo botë, i djegur e i përvëluar, pa u ngopur një herë as me rrush, as me patate të skuqura. Tamam atëherë kur dieta po jepte rezultatet e saj, ai iku e i la të gjitha.
Gazeta Dita


Leave a Reply