
Një nga themeluesit e Partisë Demokratike, Shenasi Rama, tregon për TemA TV, lëvizjet që ndodhën në dhjetor të vitit 90.
Ai shprehet se Sali Berisha, Sabri Godo e të tjerë, janë caktuar nga Ramiz Alia, për të bërë një kalim të butë nga komunizmi, në demokraci.
Ndërsa drejtuesit e lëvizjes studentore, Azem Hajdari e Arben Imami, ai thotë se janë caktuar nga Sigurimi i Shtetit.
Nga Luljeta Progni, TemA TV
Këtë vit, në dhjetor festohet 25 vjetori i themelimit të Partisë Demokratike. Ju jeni një ndër themeluesit kryesor të kësaj partie dhe pse shumë pak keni qëndruar aty. Unë dua ta nis me një moment shumë të rëndësishëm, moment që nis para dhjetorit të vitit 90, që në vititet 88- 89, në kohën kur në Shqipëri ende ishte sistemi komunist. Kur ka qenë momenti kur ju besuat se në Shqipëri do të rrëzohet sistemi Komunist?
Në atë periudhë ne kemi qenë të rinj por shumë të informuar për shkak se ndiqnim me shumë vëmendje informacionin që vinte nga radiot dhe televizionet e huaja. Disa nga ne për shkak se ishim ofruar të punonim si përkthyes ose të përkthenim literaturë të huaj, kishim mundësi që të gjenim gazetat më të fundit, intervistat më të fundit që vinin në atë kohë (të cilat vinin 2 herë në javë me avion), d.m.th ne kemi qenë mjaft të informuar. Besimi ka qenë që pas periudhës kur Gorbaçovi filloi reformat e Gllasnon dhe Perestrojka, ne filluam të besonim se diçka mund të ndryshonte dhe në Shqipëri. Por, nuk ishte e qartë dhe e garantuar. Falimentimi i sistemit ekonomik, falimentimi i sistemit politik , papunësia në masë, pakënaqësia në masë etj .. ishin të gjitha shenja të qarta se sistemi nuk mund të vazhdonte ashtu siç ishte. Unë vetë në atë periudhë kam ndjekur rrugën e letërsisë, kam dashur që të studioj sa më shumë, të afirmohem si shkrimtar dhe si përkthyes. Kam kërkuar jo të qëndroj larg politikës në atë mënyrë, por kam menduar mos ta përziej aq shumë letërsinë me politikën, pavarësisht se vet letërsia ishte politikë. Mbas vrasjes së Çausheskut dhe për ne u bë mjaft e qartë se dhe dominoja e fundit do të binte. Kjo do të ishte Shqipëria. Problemi ishte se si do të binte kjo domino? Megjithato mënyrat tona, unë edhe tjerët, kushdo që ka qenë në mënyrën e vet i informuar dhe me dëshirë për të qenë pjesë e ndryshimit, ka qenë aktiv.
Si mund të ndahej vetvetja nga sistemi në ato momente?
Vetvetja nga sistemi mund të ndahej duke kërkuar për të gjetur rrugë e zgjidhje të qarta që do të lejonin, jo më shumë për ndryshimin e sistemit, sesa për formimin dhe mbrojtjen e individit nga vetë sistemi. Edhe ne në atë kohë kemi ecur hap pas hapi me ngjarjet e kohës. Ka pas provokime, jo demostrata e heshtur jo demostrata në Shkodër. Unë mund të them që në maj të vitit 1990 në Shkodër në moment që u kalua ligji për organizimin e organizatave të pavarura, unë u ofrova një grupi intelektualësh (ndër to Ridvan Dibra , Stefan Çapaliku) dhe propozova organizimin e një shoqate të pavarur siç ishte shoqata “Gjergj Fishta”. U refuzova nga të gjithë. Më pas, nuk po numëroj aktivitetet e tjera, por po them se në konferencën e talenteve të reja në Korçë, unë kam qenë njeriu i vetëm që është…d.m.th është jo ngritur në mbrojtje të Ismail Kadarese etj.. Por në prani të Foto Çamit e të deleguarve të tjerë të Byrosë Politike unë kam kërkuar që të respektohen liritë njërzore.
Ishte larguar Ismail Kadare?
Po kishte tre-katër ditë që ishte larguar. Por të ngriheshe në atë kohë për të kërkuar liritë njerzore dhe të drejtat e njeriut ishte një akt më shumë se revolucionar. Mendoj unë. Pra duke folë për vete, meqënëse më pyetët për vete, do them se kjo ka qenë vazhdimësia. Do doja dhe të përmendja një anë tjetër. Pas ikjes së Ismail Kadaresë unë kam dhënë një intervistë për “Corriere Della Sera”. Kam pas shumë kontakte me të huajtë edhe në atë kohë.
Ishte e vështirë në atë kohë të lidhje kontakte me gazetarët e huaj. Si ja dolët ju të lidhnit kontakte me ata?
Gjuha e huaj. Dikush tjetër pyeste për rrugë, si mund të shkoj këtu? Mund të ishte një mënyrë për të hapur një bisedë. Por unë kam folur në atë kohë edhe shumë gjuhë të huaja. Por të tregoj dhe anën tjetër…
Po a kishit frikë ju nga Sigurimi i Shtetit për këtë lidhje që po krijonit me turistët e huaj, që në fakt ishin dhe gazetarë?
Po frikë.. ishte.. Ju duhet të kuptoni dhe anën tjetër që me të vërtetë kishte frikë, por nga ana tjetër ishte edhe kurajoja që vinte me dëshirën për të ndryshuar. Kishim dhe etje për informacion, literaturë e cila vetëm prej tyre mund të vinte në vendin tonë. Përshembull unë në atë kohë kam përkthyer, jam përkthyesi i parë i Xhejms Xhoisit në gjuhën shqipe. Po ashtu kam përkthyer edhe atutorë të tjerë. Kështu që këto ishin etja jonë për libra, etja jonë për dije, për informacion, për të marrë vesh se çfarë ndodhte edhe krijimi i mundësive të kontaktëve me të huajt që filluan të vinin më së shumti nga Kosova.
Cili ka qenë efekti i artikullit të zotit Popa dhe Sali Berishës tek ju? Ju erdhi si një qëndrim i mbështetur nga Ramiz Alia apo si e kundërta e kësaj, kurajo e të dyve?
Të gjithë artikujt që u botuan në vitin 1990 nga intelektualët e Tiranës të cilët qëllimisht Ramiz Alia filloi t’i quante intelektualët tanë të shquar, ishte një përpjekje e sistemit për të organizuar dhe promovuar njerëzit të cilët mund të drejtonin ndryshimin në hullitë në të cilat vet sistemi synonte ta drejtonte atë. Të gjithë këto njerëz ishin figura në dukje dytësorë të sistemit, të papërlyera me sistemin. Por në të njëjtën kohë të lidhura pazgjithshmërisht me vetë sistemin në të njëtjtën kohë. Ishte jo një mendim ndryshe, por ishte një përpjekje e sistemit për të gjetur njerëzit e duhur. Të gjithë ne i kemi parë në çdo botim që është bërë. Të gjithë ne që e kemi ndjekur shtypin, për të gjitha botimet që janë bërë në vitin 1990 për çdo javë, do të gjenim një shkrim apo një figurë që pas tranzicionit është kthyer në një figurë kyçe. Qoftë ky Sabri Godo, Rexhep Mejdani, Skënder Gjinushi e me radhë. Pra, problem ishte ky: Të gjithë këto figura shiheshin thjesht si reformatorë brenda sistemit, e jo si njerëz të cilët kishin besueshmërinë për të udhëhequr popullin në rrugën e duhur dhe për t’ju ofruar zgjidhjen e duhur. Ato flisnin aq sa ju lejohej të flisnin dhe aq sa i shërbente sistemit në atë pikë.
Pra ju po thoni se Ramiz Alia ishte duke përgatitur elitën politike e cila do të ishte në krye të sistemit të ri politik, që do të thotë se Ramiz Alia ishte gati të linte pushtetin?
Nuk ishte puna të linte pushtetin, por të përgatiste rënien. Problem ishte që në një sistem, në të cilin kishte një kontroll aq të fuqishëm shtetëror, politik, ushtarak, policor, edhe niveli ideologjik i të menduarit të vet popullit, ishte e domosdoshme që të ndodhte një ndërrim figurash. Por, interesat e grupit, interesat e shtresës dhe strukturës që vet Ramiz Alia përfaqësonte do të mbroheshin nga këta individë të tjerë. Pra, ata do të ishin thjesht marioneta. Por, ishte që Ramiz Alia të linte pushtetin. Do të ishte një ndryshim i njerëzve që do të shërbenin si maska e ruajtjes së kontrollit të këtij grupimi të caktuar përmbi shoqërinë, pushtetin shqiptar dhe interesat e tjera.
Po thoni që Ramiz Alia po përgatiste këtë grup jo për ta mbajtur sistemin siç ishte, por për ta reformuar atë?
Po për ta reformuar sistemin. Për të ruajtuar të pandryshuar monopolin e grupimeve të caktuara dhe të lënëve të caktuar mbi sistemin e ri në mendësinë e vet Ramiz Alisë dhe në mendësinë e të tjerëve. Do të ishte një sistem kapitalist. Pra, qëllimi i gjithë këtyre grupimeve ishte që do të bëheshin borgjezia e re, dhe për të bërë edhe vetë demokracinë. Të gjithë këto grupime e shikonin thjesht si një maskë fallco të superstrukturës së interesave, të superstrukturës së shoqërisë borgjeze. Dhe të mbështetur në idetë dhe vlerat që i shërbejnë vet borgjezisë. Pra, synimi i tyre ishte ky: komunizmi vdiq, ne do të jemi kapitalistët e sistemit të ri.
Me kaq më duket si pa shumë kuptim të flasim për disa momente që dua t’i diskutojmë. Është ngjarja e ambasadave për të cilën është folur shumë gjatë . Por kemi thënë që Ramiz Alia ishte gati për të pranuar sistemin e ri kapitalist, që do të thotë se në nëntor të vitit 90, Ramiz Alia nuk u surprizua fare nga protesta e studentëve…
Jo. Kjo që thoni ju është ana tjetër e gabuar, sepse duke ndërruar njerëzit në krye të sistemit dhe duke kërkuar për të krijuar një sistem fiktiv demokratik, Ramiz Alisë i interesonte të krijonte dukjen e pruralizmit, por dukja e pluralizmit nuk ishte pruralizmi i vërtetë. Ajo që atij i interesonte për të marrë, ishte ndërtimi i një sistemi i cili të mbante të pandryshuar monopolin politik në strukturat ekzistuese, duke kërkuar një reformim ekonomik ashtu siç pritej nga jashtë. Pluralizmi që kërkonte Ramiz Alia ishte thjesht fiktiv, pluralizmi real, pluralizmi politik ishte diçka që as Ramiz Alia as të tjerë nuk e prisnin, nuk e donin dhe e kanë refuzuar deri në minutën e fundit.
Protagonistë të dhjetorit 90, kanë pranuar se asnjë prej tyre, duke përfshirë Sali Berishën, Neritan Cekën etj..të cilët themeluan Partinë Demokratike nuk ishin aq të qartë për ndryshimin e sistemit, ata ishin më shumë për ta reformuar sistemin nga brenda , për të përfituar disa liri më shumë. Si ndodhi që ky grupim u gjend në ato ditë dhjetori, në ato zhvillime të vrullshme që sollën rrëzimin e sistemit komunist? Sepse jemi në një pikë ku sistemi po mbahej në kontroll, i doli jashtë kontrollit Ramizit kjo situatë??
Ajo që ndodhi ishte kjo: dhjetori i vitit 1990.. kjo që thoni ju lidhet pikërisht me kontributin e lëvizjes studentore. Të gjithë këto njerëz ishin të piketuar që të bëheshin marioneta të një sistemi, në dukje pluralist demokratik, të shoqatave të organizatave etj. Edhe përpjekja e vet Ramiz Alisë dhe të gjithë strukturave të shtetit në atë pikë ishte që të krijohej një mundësi nëpërmjet përdorimit të studentëve dhe intelektualëve për të sjellë këtë lloj pluralizmi. Ajo që ndodhi megjithatë ishte kjo: që ne, unë, dhe të tjerët që ishim pjesë e kësaj, e kemi pas qartësinë e duhur. E kemi ditur çfarë duhej dhe e kemi shtyrë procesin në atë rrugë të cilën, e para ata nuk dëshironin që të shkonte …që do të ishte pruralizmi i vërtetë politik. Një rrugë të pakthyeshme dhe një rrugë e cila ju tregoj si të huajve ashtu edhe drejtuesve të shtetit shqiptarë, që nuk kishin zgjidhje tjera. Pra njerëzit që ju përmendët kanë qenë të gjithë njerëzit që në rastin më të mirë kanë qenë të pavendosur dhe të paqartë. Ramiz Alia të gjithë intelektualëve, i shtyrë nga kërkesa e perëndimit, ju dha mundësinë që të dilnin e të tregonin çfarë karakteri kishin me intelektualët, të gjithë që kanë qenë në takim u treguan pa shtyllë kurrizore. Të gjithë ishin njerëz, në fjalë popullore, njerëz pelte. Realiteti ishte që edhe pse njerëzit që u përzgjodhën në përfaqësinë studentore ishin të piketuar në masë të madhe. Por, mes tyre ishin dhe 5 të tjerë të cilët nuk ishin të piketuar.
Cilët janë ata?
Ndër ata 4-5 vetë, d.m.th jamë unë, eshtë Fred Gemi, janë edhe nja dy shokë të tjerë tanët.
Cilët janë ata?
Nuk kam ndërmend ti përmend tani.
Cilët janë ata që u piketuan, sipas jush, se kanë kaluar 25 vjet dhe besoj se është momenti për të folur për emra për ngjarje konkretisht?
Ka pasur një grup njerëzish të cilët janë të piketuar, të caktuar, d.m.th të cilët në takim edhe vet kanë treguar se kujt i përkasin. Ben Imami, Azem Hajdari etj.
Blendi Gonxhe në cilin pozicion ishte?
Blendi Gonxhe ka qenë djali i ri 19 vjeçar. Dhe një 19 vjeçar e ka shumë të vështirë të përcaktojë bindjet e veta politike. Ajo për të cilën ne flasim këtu është për njerëzit që kanë qenë ose që pretendojnë se kanë qenë në krye të lëvizjes studentore. D.m.th do të flasësh për njerëz të cilët gjatë këtyre 25 vitetve të cilët pretendojnë se i kanë dhënë frymën asaj lëvizjeje, d.m.th do të flasësh për Azemin do të flasësh për Ben Liken etj.
Nga kush ishin piketuar nga Sigurimi i Shtetit apo Ramiz Alia?
Nga Sigurimi i Shtetit pa diskutim,të gjithë kanë qenë njerëz me pseudonime..
Ju keni prova për këtë?
Kam Prova..
Cili është argument juaj?
Argumenti im është ky që prej periudhës janar-mars 1991, unë krijova një strukturë me shokët e mi ish-oficer, ish-kuadro me të cilën kërkova të rikonstruktoj se çfarë kishte ndodhur në nëntor të ‘90. Kush kishte sjellë kë? Si ishin përcaktuar njerëzit, dhe me aq sa dija unë me dijet e mia modeste ne ndërtuam strukturën e plotë. Kush ishte sjellë? Si ishte sjellë, ku ishte marrë, etj?
Me çfarë grupimi me ish-oficer, që kishin eksperiencen e tyre në Sigurimin e shtetit? Cilët ishin ata?
Ishin miqtë e mi, njerëzit që u ofruan vetë. Kishte njerëz që ofroi vetë Sali Berisha ose tjerë. Sepse në kryesi të PD-së filluan të vinin shumë oficerë ose kuadro të cilët kërkonin që të investonin në këtë ndryshim dhe dikush duhej të merrej me ta. Kështu që në atë kryesinë e PD-së që u bë, dikush kërkoi të mbante fjalime, programe në ekonomi. Unë ju thashë që do të merrem me organizimin e një zyre kuadri në të cilën gjithsecili nga ne do te ketë dosjen e vet dhe do të marrim vesh se kush solli kë. Edhe kshu që dolën më tepër plehra sesa mund ta imagjinoni ju.
Dhe ky është moment kur ju filluat të mos ishit në të njëjtën linjë me zotin Sali Berisha dhe Azem Hajdari?
Unë skam qenë asnjëherë në linjë me zotin Sali Berisha dhe zotin Azem Hajdari .
Ishit themelues të një partie bashkë?
Kemi qenë themelues por ne s’kemi qenë të martuar. Kemi qenë bashkë, kemi marrë pjesë në një proces por ne kemi qenë të gjithë individë me karaktere të ndryshme, me përgatitje të ndryshme dhe me vlera të ndryshme. Zoti Hajdari ka bërë lëkura, zoti Berisha ka qenë kardiolog, un kam studiuar gjëra tjera. Në atë kohë studioja gjuhë e letërsinë angleze.
Ky organizim që ju morët përsipër të bënit në Partinë e re Demokratike, pra ishte një grup njerëzish që ju i organizuat për të kuptuar se si ndodhej nëntori 90, por që kishte dhe një mision tjetër besoj?
Po normale…Ishte përgatitja e një platforme për analizën e gjëndjes shoqërisë, platformë jo elektorale por një studim në ato kushte në ato momente i gjendjes morale shpirtërore, prioriteteve e mendësisë së popullit.
Pra ju morët informacion për rrugën që kishte ndjekur Sali Berisha dhe Azem Hajdari për të mbërritur në qytetin Studenti në nëntor. Ka qenë secili aty dhe jo vetëm për Hajdarin, por edhe për Pashkon, Imamin etj. Ju morët vesh detajet per rrugën e secilit, kjo ishte arsyeja që ju u konfliktuat me Berishën?
Jo nuk është ajo arsyeja pse unë jam konfliktuar me Sali Berishën. Shiko, Sali Berisha në atë periudhë ka qenë figurë kyçe. Ishte një ndër intelektualët me shumë respekt në kryeqytet, ishte një njeri që u konsideronte si një shpresë e madhe së bashku me të tjerët. Arsyeja pse unë jam konfliktuar me Berishën në fillim dhe konflikti i parë zyrtarë ka ndodhur më 10 dhjetor në të cilin besoj.. nuk dëshiroj të flas shumë për atë kohë, por do të them vetëm këtë që Sali Berisha erdhi me urdhër të Ramiz Alisë. Direkt me autoritet të plotë për të folë me studentët. Aty ai bëri marrëveshjen me Azemin dhe kërkuan që të gjithë lëvizjen studentore ta drejtonin në rrugën ku donte Ramiz Alia dhe përfaqësuesit e tij që ishin aty në atë sallë. Në atë takim ishte një dhomë e vogël, d.m.th aty ndodhi konflikti kyç.

Në pjesën e dytë të intervistës së dhënë për TemA TV, Shenasi Rama rrëfen rolin e Ramiz Alisë në lëvizjen studentore.
Ai tregon edhe përplasjet me Berishën, por mbi të gjitha marrëdhëniet me Azem Hajdarin.
Rama thotë se me këtë të fundit ka pasur sherre të egra, madje janë kërcënuar edhe me jetë.
Nga Luljeta Progni, TemA TV

Takimi ku ju debatuat me Berishën ishte në një nga godinat e qytetit Studenti?
Ka qenë të zyrat e drejtorit të qytetit studentit Xhevdet Patos . Aty Sali Berishës i është thënë haptas kush është, si është, për çfarë punon.. Unë ja kam thënë ato..
Çfarë i keni thënë?
Që ti je vegël, je instrument .. Duhet ta kuptoni që në atë kohë ishim të lodhur, pa gjumë. Kemi qenë edhe pak natyra të vrazhda dhe kemi përdorur një gjuhë jo shumë të këndëshme. Por, thelbi i gjithë lojës ishte ky: që Sali Berisha dhe të gjithë të tjerët që vinin duhet ta kuptonin që do t’i bashkangjiteshin lëvizjes studentore. Jo të vinin aty siç donte Sigurimi i Shtetit dhe udhëheqja e Partisë së Punës në atë kohë. Sepse them që unë edhe tjerët, kemi kërkuar dhe synuar që ta ruajmë atë lëvizje studentore të panjollosur . Sepse ishte fillimi i një ndryshimi për një të ardhme ndryshe edhe nuk mund të lejohej që në atë të ardhme ndryshe, të kishte njolla pa filluar pastërtia. Prandaj në atë moment u kërkua nga ana ime e të tjerëve që të distancoheshim nga të gjithë këto njerëz që sistemi kërkonte ti promovonte. Ky ka qenë konflikti me Sali Berishën. Sali Berisha duhej ta kuptonte që Qyteti Studenti në sytë e mi dhe të tjerëve duhej të shndërrohej në një garnizon nacionalist. Të bëhej shpresa e të ardhmes për ndryshimin e vërtetë që i duhej Shqipërisë në atë kohë.
Bashkë me Berishën edhe Gramoz Pashko kishte peshë specifike në zhvillimet e dhjetorit ‘90 ?
Si Sali Berisha, si Gramoz Pashko, kanë qenë të dy figura të promovuara. Ishte për çdo njeri që jetonte në Tiranë, që ky ishte një teatër. Por ishte një teatër që nuk luhej për unazën, nuk luhej për bllokun, luhej per pjesën tjetër të Shqipërisë dhe për të huajt.
D.m.th e kanë kompromentuar dhe sa e kanë kompromentuar, janë dy pyetje të ndryshme.
Ndalojmë tek kjo, lëvizjen studentore ata nuk e kanë kompromentuar.Të jemi të qartë. Prova që ato nuk e kanë kompromentuar lëvizjen studentore është në organizimin e grevës së urisë. Në shkurt të ’91, ajo është organizimi i vërtetë i bërë nga studentët, i drejtuar nga studentët edhe që i bëri një shërbimim të jashtëzakonshëm kombit edhe shtetit . I shkëputën komplet nga interesat e këtyre që ju flisni.
Arsyeja që këto u bënë faktorë shumë i rëndësishmë ishte fakti që sistemi kërkonte praninë e tyre me çdo kusht. Që njerëz të cilët u promovuan brenda lëvizjes studentore , njerëz që kishin refuzuar të vinin aty, si Ben Imami apo tjetri, Azem Hajdari. Ben Imami dhe tjerët u bënë ura për afrimin e të ashtuquajturve intelektualë. Në lidhje me Saliun e Gramoz Pashkon, ne i kemi mbajt larg deri në momentin që u vendos ose u bë e qartë që do të kishte një përleshje. Një përplasje të qartë me Ramiz Alinë për llojin e pluralizmit që do të vendosej. Aty ne duke i parë që intelektualët ose të ashuquajturët intelektualë , se një mjek nuk e di se i thonë intelektualë, u turrën nëpër fakultetet dhe përdorën studentët e tyre si mburojë me autoritetin e profesorit. Ne i kemi bërë bashkë këto individë dhe jo vetëm këto që po përmendim, Saliun e Gramozin etj, edhe ju kërkuam që të shkojnë e të organizojnë të ashtuqujturën parti opozitare. Synimi ka qenë që lëvizja studentore duhej të ruhej me çdo kusht e pastër prej tyre. Sa kanë kompromentuar ? Aq sa kan pasur influencë përmbi individë të veçantë. Përmbi Azem Hajdarin , përmbi veglat e tjera që janë përdorur pa mëshirë. Për të gjithë palët edhe prej vetë atyre dhe prej të tjerëve. Ky është niveli që kanë patur.
Për ti bërë një kronologji sa më të saktë të lëvizjes studentore dua të ndalem në një moment shumë të rëndësishëm për mendimin tim, që është diku nga fund i nëntorit të vitit 1990. Është aktivizimi i Pandeli Majkos, i cili ishte drejtues në strukturat e rinisë socialiste të kohës në një nga universitetet. Bashkë me studentë të tjerë të cilët gjithashtu u bënë pjesë e lëvizjes studentore, publikuan një fletërrufe në disa fakultete dhe në hyrje të Qytetit Studenti. Atje kishte disa pika që kalonin përtej kërkesave ekonomike. Cila është lidhja e asaj ngjarje me 8-dhjetorin dhe cili është roli i Ramiz Alisë?
Shiko, pa dyshim që kanë lidhje njëra me tjetrën me 8 dhjetorin. Ka qenë një … duhët ta kuptosh një gjë… Që në atë kohë Tirana ishte një hap, një qendër në të cilin kalonin informacione dhe të pabesueshme nga të gjitha llojet. Por ama dihej që më ikjen e studentëve në shtëpi ishte shpresa e fundit e sistemit për të realizuar premtimet që kishte dhënë Ramiz Alia. Dhe të gjitha gjërat që ndodhën në nëntor. Me liritë fetare, me lejimin e organizimit në Shkodër etj etj . Ka qenë një përpjekje e sistemit për të ndryshuar sepse sistemi e kishte fuqinë që pa thënë anjë gjysmë fjale ta hiqte atë fletërrufe dhe ti shkulte veshin gjithkujt. Po ashtu duhet të përmend anën tjetër që ju nuk e thoni. Që ka pas lëvizje me 5 me 6 dhe me 7 dhjetor jemi ngrit ne, ka pas thirrje për çdo natë. Jemi ngrit për të hedh studentat, jemi ul poshtë tek shatërrvani për të ngritur studentat, por nuk u ngrit njeri, kjo është një anë tjetër .
Si dilnit? Çfarë kërkonit dhe si ju bënit thirrje?
Ajo që ne kërkonim ishtë të dilnim në rrugë të bënim demostrata. “Dilni mo.. poshtë sistemi… poshtë Nexhmia”.
A ishte aty dikush nga sistemi që t’ju tërhiqte vëmendjen?
Më 8 në mëngjes erdhën. Shkuam në fakultet, sepse ardhja e Adil Çarçanit ka qenë një ardhje e komanduar nga Ramiz Alia. Ramiz Alia i ka thënë shko se diçka po ndodh. Ai s’ka dashur të vinte se e dinte që do të bëhej kokë turku ta themi në ato fjalë, por erdhi se bëri detyrën. Por, dalja e studentëve të inxhinierisë ka qenë tepër e inkurajuar, si edhe mosreagimi i sistemit.
D.m.th ka qenë mosreagimi i sitemit që ka shtuar kurajon tuaj?
Absolutisht. Unë s’kam qenë më 8 dhjetor në darkë. Ne kërkuam më 7 të ngriheshim. Kam takuar pedagogen time në atë kohë, Sofika Kabon, dhe i thashë më duhet të largohem në Shkodër, se e dija që, e para do të bënte ajo lojë që do të bëhej, dhe dy, që ma thanë cope, që po të zumë…..
Ku e morët vesh ju që do të ndodhte 8 dhjetori?
Tashi kjo ishte fjalë që qarkullonte nëpër Tiranë. Kishim shokë, pinim kafe diskutonim.
Dhe ikët nga frika se mos ju kapnin ngaqë kishit reaguar më parë?
Jo unë por kemi ik të gjithë shkodranët. Kemi qenë të gjithë të gjuhëve të huaja, që e dinim që po na zunë, e hëngrëm. Kjo ishte arsyeja. Të gjithë njerëzit që kanë dale, i gjithë ky grup, kemi dalë më 9 dhjetor në sheshin “Skenderbej” .
Sepse ishit në Shkodër?
Ishim në Shkodër të gjithë dhe u kthyem në mëngjes. Na morën në telefon shokët tanë e na thanë hajdeni se filloi kjo punë, edhe ne u kthyem si u kthyem. Atëherë u krijuan dy rryma në Qytetin Studenti. Njëra rrymë ishin Azem Hajdari dhe ato që e përkrahën dhe krahu tjetër isha unë me shoket e mi të tjerë. U bë një polarizim i tillë që e nxori lojën jashtë skemës. Se unë dhe shokët e mi s’kemi qenë në skemë. Hyrja jonë në lojë e ndryshoi sistemin e punës.
Se ju ishit një rrymë tjetër, pra nuk ishit në këtë anë që ishtë Azem Hajdari dhe Ben Imami?
Të gjithë këto njerëz që erdhën, erdhën pak a shumë të shtyrë. Të gjithë, Sala(Sali Berisha), Ben Imami, erdhën të inkurajuar nga strukturat. Ben Demeti ka qenë pedagog dhe ka pas respekt të madh ndër studentat të inxhinierisë mekanike ku ai ka qenë pedagog . Por të gjithë këtë emra që jan përmendur kanë qenë anëtarë të Partisë së Punës dhe të gjithë kanë vepruar po me urdhër të Partisë së Punës.
Nuk kishit një zgjidhje tjetër, ndoshta ishit disi të detyruar të pranonit këtë kategori intelektualësh të cilët erdhën dhe e morën Partinë Demokratike?
Nuk e kanë marrë Partinë Demokratike ashtu siç mendoni ju. Marrja e PD-së ka qenë një process i ngadalshëm. Nuk ka qenë një proces që ndodhi menjëherë. Ne kemi pas përplasjet tona me to dhe përkrahësit kanë qenë të qarta. Në fillim përpjekjet që u bënë ishin që ata të organizonin partinë e tyre dhe ne të ruanim lëvizjen studentore. Kur doli që Azemi dhe ca të tjerë ishin totalisht legena dhe në shërbim të interesave të tjera, atëherë lufta jonë u bë që ne të mos humbnim kontrollin përmbi PD-në. Aty u bë lufta me Saliun, me Arben Imamin që më erdhi në dhomë, me Ed Selamin të dërguar nga Sali Berisha.
Çfarë të thanë?
Që mos e prish këtë punë, e tjerë e tjerë. Por ne kishim kushtet tona, dhe kush e pyeste Ben Imamin? Ai ishte një cop aktor operetash, e ke parasysh. Ajo që ndodhi ishte që këto njerëz erdhën me këtë kërkesë . Kërkesa jonë ishte që ne pasi pregatitëm një trakt që do t’ia shpërndanim të gjithë studentëve duke ju treguar fytyrën e tyrë të vërtëtë, që fatmirësish ekziston në dosje të caktuara them unë. Atëherë ne bëmë një marrëveshje në të cilën do të kishte 4 pedagogë, 6 studentë dhe 4 përfaqësues nga klasa punëtore e kryeqytetit. Kjo do të ishte balanca e kryesisë së re. Marrja e kontrollit të tyre përmbi PD-në nuk ka ardh sepse ne nuk e kemi kuptuar këtë punë. Erdhi nga promovimi i paskrupullt i Azemit , nga strukturat e sistemit qe e kuptuan që kishte dalë loja jashtë duarsh. Erdhi nga promovimi i intelektualëve dhe nga mënjanimi i studentëve të tjerë. Ne të gjithë dalëngadalë me ose pa vullnetin tone, u detyruam të mënjanoheshim nga çfarëdo roli që kishim. Ishtë kjo lukunia e të ashtuquajturve intelektualë që vinin nga rrethet, dolën nga vrimat nga nuk e priste njeri, por që kishin tituj, botime, ishin profesorë, ishin doktorë, inxhinierë ose ky i ashtuquajturi intelektualë arkeolog Neritan Ceka, e tjetri e tjetri. Ai është arkeolog, por nuk është se ka pasë ndonjë shërbim public, atë e ka marrë shoku i vet e ka sjellë aty. Po fol me Lukën, fol me të tjerët dhe të tregojnë se si ka ardh Neriatan Ceka. S’ka qenë kurkund. E dërgoi me vetaprovim Ramiz Alia. Janë hesape që nuk dua t’i hyj më thellë.
Ju deshët të themelonit partinë tuaj të studentëve?
Shiko, sistemi kërkonte që ne të bënim një shoqatë të studentëve dhe intelektualëve të rinj . Ne e përdorëm këtë deri në momentin që shkuam në takim me Ramiz Alinë . Kur shkuam në takim me Ramiz Alinë, kjo shoqata e intelektualëve u bë krejtësish e tejkaluar. Aty u kërkua pruralizmi i vërtetë politik që e bënëte këtë shoqatë të dukej qesharake. Krijimi i kësaj mundësie në takimin me Ramiz Alinë për një parti të re, krijoi mundësinë që intelektualët nga një anë dhe studentët nga ana tjetër dhe gjithë kush tjetër që e shikoi që u bë deti kos, që u lejua pluralizmi. Tha Ramiz Alia mendo ndryshe, të gjithë u turrën të bëheshin fytyra politike. Aty në atë moment çfarë shansi kisha unë ose tjetri, para dikujt që ishte doktor, profesor i njoftur, i botuar, me lidhje, ti qëndroja përpara. Kur të gjithë njerëzit në Tiranë kishin dëgjuar Zërin e Amerikës ose kishin dëgjuar dikë tjetër dhe këtë zotni intelektualin duke fol. Por intelektuali që s’kishte pas asnjë farë shtylle kurrizore për të patur kurajon publike të dilte të bënte ato që kam bërë unë me shokë t e mi. Për të kërkuar dhe mbrojtur interesin kombëtarë dhe për të kërkuar demokracinë e vërtetë. Për të mbrojtur popullin edhe shtetin, tashti ku është problemi me këta. Këto dolën në atë moment kur u bë deti kos. Morën lugën në brez dhe ec.
A ka një fjalim në një nga mitingjet e ditëve të para të protestës, para se të shpallej pluralizmi?
Ju jeni duke ngatërruar grevën e urisë me… Ta tregoj një minutë. Hamit Beqa ka qenë vetëm në grevën e urisë në shkurt, jo më 8 dhjetor. Dëshmitë e njerëzve janë të ndryshme. Sali Berisha ka ardhur dhe ka kërkuar kthimin në shkolla më 10 dhjetor, ka kërkuar dhe kthimin më 11. Por nuk ka mbajtur fjalim në publik se nuk e ka lënë askush të mbante fjalim në publik aty . I vetmi njeri ndër intelektualët që ka mbajt vërtet fjalim publik, ka qenë Ben Imami te menza nr.3. Kur mu më ishte ngjirë zëri në atë kohë, Azem Hajdari i dha mikrofonin edhe foli. Se ramë dakort çfarë do të thoshte. Sali Berisha ka fol vetëm më 13 dhjetor dhe ka thënë që falenderoj… ka kërku që studentat të ktheheshin .
Është e incizuar një pjesë z.Rama?
Po është e inçizuar më datën 13 dhjetor
Dhe?
Dhe falenderoi shokun Ramiz Alia. Më datën 9, Sali Berisha në menza, Azemi kanë kërkuar që studentat të ktheheshin në auditorin në shkollë për të mbështet Ramiz Alinë, por nuk ka qenë Hamid Beqja, apo njeri tjetër.
Cilët idhin pedagogët që ju mbështetën?
Në fillim s’ka pas pedagog mbrapa. Godina 18 ka hy në lojë më datë 10. Ato gjatë datës 9.
E kam fjalën për ditën që po përgatitëj përfaqësia për të shkuar të takonte Ramiz Alinë?
Pluralizmin e vërtetë politik, s’ka qenë asnjëri i vendosur për ta kërkuar. Të gjithë ata që kanë thënë se e kanë kërkuar pluralizmin gënjejnë. Ato që kanë kërkuar në takim me Ramiz Alinë, ka qenë a do të na lejojë partia për të krijuar një parti tjetër? Ose çfarë e pengon partinë që të lejojë krimin e një partie tjetër, ose janë njerëz që e kanë filluar bisedën duke i thënë:
– Unë jamë komunist, ose përralla të tilla. Ka një dallim mes meje dhe shokëve të mi që kemi dalë, Kemi dalë kemi bë demostratën e parë. Pluralizmin e vërtetë siç e kemi kërku unë dhe shokët e mi ka qenë një qartësi e vërtetë që njerëzit nuk e kan pas atëherë dhe nuk e kanë fituar gjatë ktyre 25 vjetëve dhe e tregojnë me nivelin e tyre miserabël e criminal, se çfarë kuptojnë. Këto që kanë qenë llum kan përfunduar llum. Nuk mundet llumi të kërkoj pluralizëm. E kërkojnë ata që kanë dashuri të vërtetë për popullin dhe për kombin.Ne kemi qenë ata që e kemi bërë . Nuk janë këta, dhe të gjithë këta kanë gënjyer me paturpësinë më të madhe gjatë këtyre 25 viteve. Të dalin të ballafaqohen me mua. Po jua tregoj unë kush janë të gjithë ata.
Cili është roli i Ramiz Alisë në lëvizjen studentore, jo në PD? Sa e ka suportuar ai këtë akt?
Ramiz Alia nuk e ka drejtuar lëvizjen studentore ashtu siç e mendojnë njerëzit, si marionetë. Por Ramiz Alia ka qenë një njeri shumë i mençur, një njeri i cili e kuptoi nevojën e ndryshimit, por që kërkonte të ruante vetveten dhe nuk kërkonte kthimin e nacionalizmit. Të ballistëve agallarëve, edhe një njeri i cili qe në gjendje duke përdorur autoritetin e vet që e kishte të madh, se e kishte lë në Enver Hoxha të drejtonte proceset në rrugën e duhur. Mjaftonte një fjalë nga Ramiz Alia që sigurimi i shtetit të na zhdukte të gjithëve sa ishim. Domethënë të mos kemi asnjë iluzion. Po të mos ishte frenimi, të mos ishte mbrojtja nga jashtë, të mos ishte dhe vetë përqëndrimi i Ramiz Alisë, ne nuk do ishim në gjendje të bënim atë që ndodhi. Por ajo që ndodhi ishte që lëvizja studentore ja hoqi kontrollin e procesit nga duart Ramiz Alisë. Dhe duke e hequr kontrrollin e drejtoj në atë hulli, të cilën Ramiz Alia u detyrua të ndiqte rrjedhën e ngjarjeve dhe jo të kontrollonin rrjedhjen e ngjarjeve. Ky eshtë dallimi, edhe zotësia e tij si politikan. Edhe në momentet e tjera kur ai mori goditje që e transformuan procesin e historisë së Shqipërisë. Shqipëria hyri në një rrugë krejtësisht të re. Hyri nga një akt madhor i studentëve që e ndryshoi jo vetëm sistemin politik, por edhe të gjitha sistemet që ishin të varuara nga ai. D.m.th sistemi ekonomik, marrëdhënie në kulturë etj. Roli i Ramiz Alisë ka qenë kyç, ka vazhduar të jetë një rol kyç, ka qenë një rol i kurorëzuar nga dobësitë e tij, por ndonjëherë dobësitë janë force, sepse provojnë fleksibilitet, elasticitet edhe dije që nuk i kishin politikanët e tjerë.
Ju po flisni më me dashamirësi për Ramiz Alinë se sa për Berishën , Hajdarin, Imamin….?
Unë nuk jam ktu për të dhënë dekorata, as për të dhënë superlativa. Shqipëria ka pas momente më të rëndësishme se të dhjetorit ’90. Në 25 vitet e fundit, momenti më i rëndësishëm mbetet tragjedia e vitit 1997 dhe nuk është dhjetori. Shqipëria ka kaluar aq tragjedi gjatë këtyre 25 vjetëve, saqë dhjetori duket si një pikë e humbur. Por si pikë e fillimit duhet thënë kjo, që të gjithë njerzit që ju përmendët, ishin veglat e veglës së Ramizë Alisë. Me qenë vegla e veglës nuk të jep asnjë gram dinjitet. Ajo që i jep Ramiz Alisë vend të veçantë është se ai kishte gurin edhe arrën në dorë dhe zgjodhi mos të na shtypte dhe eleminuar. Ramizit i doli loja prej duarsh dhe kjo është një temë tjetër. Në qoftë se doni të flisni për kontributin e lëvizjes studentore është tjetër. Por këto njerëz kanë qenë veglat e veglave .
Po ata vazhduan , domethënë e morën Partinë Demokratike, por ju u larguat. Në mënyrë specifike, do të doja të na i shpjegonit arsyet dhe rrethanat që ju vendosët që të largoheshit nga Patia Demokratike pak javë pas themelimit të saj?
Ok, arsyeja specifike është e lidhur me nevojën time dhe me dëshirën time për të ruajtur lëvizjen studentore. Për të mos e njollosur me sjelljet jo të këndëshme të drejtorëve të njollosur të asaj periudhe. Kemi pasur shumë debate me drejtuesit e asaj kohe të Partisë Demokratike, me Gramoz Pashkon , me Sali Berishën etj. Edhe një ndër pikat kyçe u bë një intervistë që Berisha i dha mediave maqedonase, ku tha se nuk do të zgjidhte problemin shqiptar, që ishte praktikisht një mohim i zgjidhjes së çështjes kombëtare. Ai ka qenë një moment të cilin unë e kam konfrontuar. Madje kemi debatuar ashpër edhe në shtëpinë e tij, edhe vendosëm së bashku me disa shokë, që janë Ben Sula, Ben Lika, Mond Bushati, Edvin Shvartsi, Alban Pici, por edhe një grup tjetër shokësh, dhe vendosëm që rruga duhej ndërruar. Mos harrojmë që lëvizja studentore ka ndërtuar demostratat e veta, pa u varur nga PD-ja. D.m.th më 20 dhjetor njerëzit nuk e përmendin më dhjetorin,, por në Qytetin Studenti kanë dalë mijëra studentë të organizuar prej nesh të shkëputur nga PD-ja. Për herë të parë janë kërkuar ndryshe nga çka kërkuar PD-ja. Është kërkuar lirimi i të burgosurve politik, është kërkuar heqja e bustit të Enver Hoxhës, depolitizimi i universitetit.
Ne kemi qenë të përkohshëm në Partinë Demokratike. Kemi bërë një aleancë të momentit me njeërëzit që do të dilnin në krye të asaj partie. Se neve na duhej të ndryshonim sistemin. Sistemin nuk e ndryshonin studentët. Çfarë elite, ata ishin çorbë e prishur. Këto ishin thjesht instrumenta për të drejtuar procesin në një anë të caktuar. Njerëzit që janë vërtetë elita, ato i shrëbejnë një ideologjie të caktuar dhe i shërbejnë me një bindje konseguente dhe nuk janë aty ata, as për të marrë karrigen as për të marrë postin, as për të thënë diçka që e thonë sot e ta mohojnë të nesërmen. Këto nuk ishin elita.Lëvizja studentore ja mbërriti të vazhdonte vazhdimësinë e vet të shkëputur nga këto të themi intelektualë. Të fuste hullitë e proceseve në rrugë të ndryshme.
Ndërkohë PD po organizohej dhe Berisha shumë shpejt u zgjodh kryetar?
Ajo që ndodhi ishte mbledhja e kryesisë edhe unë e sulmova haptaz, i thashë ti ke shit lëvizjen studentore, ti i ke thënë Ramiz Alisë. Edhe je një njeri i cili ke një karakter që do ta çosh vendin në luftën civile dhe në gjakderdhje. Kjo është një nga 4 pikat e dorëheqjes time. Aty çdo njeri që ishte tek komisioni cohej për të kundërshtuar e i thosha këtë, këtë. Duke e ditur se çfar plerash ishin, me përjashtim të një njeriu që thoshte rri urtë mos u nxehh etj.. Kush ishte ? Nuk do ta them kush ishte. Konfrontimin e kam pas me Azemin , ai ka qenë një vegël që është konsideruar trim, po në atë periudhë mendoj se më ka pas frikë më shumë nga sa e kam pas frikë edhe kam ik nga PD.
Pra ju kishit frik nga njëri- tjetri me sa kuptoj?
Si Azemi si unë kemi qenë njerëz të rrugës dhe forcën fizike dhe dhunën e kemi njohur mirë të dy. Unë e kam njohur si njeri të stërvitur me rrugë të tjera . Kjo ka qenë. Ka pas arsye që të më kishte frikë ai mua.
Pse duhet të kishit frikë ju?
Sepse unë kisha frikë nga ai se ishte i pabesë, ai kishte frikë nga unë se do t’ja nxirja pabesitë që kishte bërë. Ajo që kam mësuar unë për këto, ajo i ngjante hapjes së kapakut. Ishte puna të mbyllej kapaku dhe ecej para, kurse Azemit ja kam mësuar shumë gjëra nga njerëz që e kishin kontrolluar, që kishin punuar me të .
Jemi duke folur për një personalitet që njihet si lideri historik i lëvizjes së dhjetorit, i gjithëpranuar. Ju po tentoni të rrëzoni çdo meritë të tijën, madje keni thënë një version krejt të kundërt nga ajo që ne dinim deri më tani?
Shiko, ju është hera e parë që po më pyesni. Të më kishit pyetur 25 vite më parë do ju kisha thënë të njëjtën gjë. Njerëz që kanë qenë në kryesinë e PD-së kanë qenë dëshmitarë të marrëdhënies time me zotin Hajdari, e kanë ditur opinionin që unë kam pasur për të dhe ai për mua. Ne e kemi kërcënuar njëri-tjetrin me jetë në atë kohë. Dhe përplasja jonë ka qenë e dhunshme. Historia do të përcaktojë kush ishte e çfarë bëri por në lidhje me mua ai do të jetë gjithmonë vegla e strukturës.
(VIJON NESER)
Gazeta DITA


Leave a Reply