Dalja në dritë e të dhënave të një takimi të hershëm, që mund të ketë ndodhur ose jo, mes presidentit Sali Berisha dhe Osama Bin Ladenit, ka shkaktuar dy reagime të menjëhershme të tashmë deputetit të PD-së. Është fjala për vitin 1994, që ndonjë burim si eksperti izraelit Shaul Shay e çon edhe në 1995-n (sipas burimeve të inteligjencës shqiptare, thotë ai në librin e vet “Terrori islamik dhe Ballkani”), ndërsa pohimet pas arrestimit të Klod Kaderit, përfaqësuesi i bankës islamike shqiptare të dikurshme, thonë se Bin Laden paska qenë edhe në vitet 1996 e 1997 në Shqipëri.
Realisht, ashtu siç thotë Izet Haxhia, askush nuk e njihte Osamën ato vite, dhe Berisha mes disa njerëzve me veshje arabe mund të ketë takuar edhe atë. Mund të kenë biseduar shtruar, por dhe të mos jenë takuar fare; ama në këtë pikë, besueshmëria e Sali Berishës kur mohon takime misterioze të përfolura nuk kuotohet edhe aq lart. Si në rastin e Millosheviçit, apo përfoljes së kontaktit Gazidede-Arkan në Shkodër etj.
Dy reagimet e Berishës, një herë duke mohuar e përgënjeshtruar prerë mundësinë e një takimi të tij me Bin Ladenin, dhe herën e dytë duke ua veshur këtë “sajesë” mediave pansllaviste që kurdisen me urdhrin e Edi Ramës (?!), teksa lëvdonte një faqe “objektive e të pavarur” online që e ka ngritur dhe e sponsorizon vetë, dëshmojnë shqetësimin e tij për (ri)hapjen e kësaj teme. Por ndërsa raportimet e agjenturave perëndimore që pas kaq shumë vitesh deklasifikohen dhe shfaqen aty-këtu në media e internet, vërtet mund të mbartin pikëpyetje, Berisha nuk mbyll dot, sado të përpiqet, kapitullin e tij të errët të hapjes së dyerve për elementët radikalë islamikë në këtë vend dhe lejimin e veprimtarisë së tyre. Këtë ai nuk e mbyll dot, për faktin e thjeshtë se dëshmitare është gjithë Shqipëria; kemi qenë këtu, i kemi parë dhe siç ka dalë më pas, është bërë i qartë aktiviteti i tyre.
A e ka bërë këtë kreu i shtetit (dhe i qeverisë në fakt) në pjesën më të madhe të viteve 90-të, nga naiviteti apo dëshira për të pranuar në vendin tonë të varfër, çdo ndihmë të mundshme nga cilido drejtim që mund të vinte? Një moment ai ka dhënë të njëjtin arsyetim për firmat piramidale: Nuk i njihnim, nuk kishim përvojë, nuk kishim bazën ligjore… Apo ka qenë diçka e organizuar dhe me synim perspektiv? Me siguri nuk mund të thuhet asgjë, por një konkluzion logjik mund të nxirret: Nëse naivi Berisha e mori vesh të paktën që në vitin 1995 nga një raport i një ambasadori të tij se me ç’njerëz dhe ç’axhendë kishte të bënte (siç dëshmon numri i djeshëm i DITA-s) dhe nuk bëri asgjë, del se “bamirësit, investitorët, humanistët” e ardhur nga vendet arabe të cilët SHBA e Perëndimi po i listonte një nga një në dosjet e terrorizmit, janë lejuar qëllimisht të rrinë dhe veprojnë në Shqipëri.
Këtë përfundim, pavarësisht se e ka njohur, ka bërë muhabet e ka pirë kafe apo jo me Bin Ladenin, Sali Berisha nuk e përgënjeshtron dot.
Gazeta Dita
Leave a Reply