
FAZLI GREIÇEVCI, USHTARI I PARË I ADEM DEMAÇIT I VRARË MIZORISHT NGA UDB-ja JUGOSLLAVE
SHKRUAN: Prof.Dr. Hakif Bajrami
HEROI QË QËNDRESËN E SHNDËRROI NË BESË SHPIRTËRORE DHE SHKOLLË PËR BASHKIM KOMBËTAR (1)
Vdekja në burg është ndërgjegje e vrarë
Kudo nëpër Kosovë ishte grumbulluar urrejtja deri në kupë, sepse vrasjet e tilla ishin bërë dukuri. Prandaj, pushteti urrehej në mënyra të ndryshme
Kisha mësuar kur isha nxënës i gjimnazit nga Ramadan Braishori, që ishte infermier në spitalin e Prishtinës, se “një djalë të ri që quhej FAZLI GREIÇEVCI e kishin mbytur udbashët në burg. Madje, Ramadan Braishori më tregoi hapur se Dr. Ali SOKOLI nuk e kishte nënshkruar se Fazli Greiçevci ka vdekur nga TBC-ja. Ky tregim ishte sa trishtues, aq edhe i dhimbshëm, ndiesor dhe nxiste emocione të natyrës morale. Shkurt, të vinte një ndjenjë ta vuash mënyrën e mbytjes si të ishte ajo pjesë e trupit tënd. Po, në odën tonë, flitej hapur se vdekja në burg është ndërgjegje e vrarë. Ishte ai koncept, sepse pesë kushërinjtë e Ramë Vllasës (kushëri-HB) pushteti i kishte mbytur në burgun e Mariborit, pesë ditë para se ta mbarojnë dënimin, më 1938. Kjo bisedë bëhej edhe më e nxehtë kur në Kumanovë u mbyt më 1963 një ushtar nga Bellepoja e Llapit dhe arkivolin e tij nuk e lejuan ta hapin oficerët kriminelë. Kudo nëpër Kosovë ishte grumbulluar urrejtja deri në kupë, sepse vrasjet e tilla ishin bërë dukuri. Prandaj, pushteti urrehej në mënyra të ndryshme. Pse po e them këtë? Sepse, në shkurt-mars 1921 Bozhidar Paunoviqi me bandat e tij, i ndihmuar nga ushtria dhe xhandarmëria, do t` i bëjnë shkrumb e hi 14 fshatra shqiptare. Ky kriminel vetëm në Sharban do t’i hedhë në zjarr dhe therë me thika pushke 51 anëtarë të familjes Braishori, të gjithë civilë: fëmijë, gra, pleq dhe plaka.
Pushteti i Kralit dhe i Titos nuk kishte fare dallime
Ky kriminel më 1938 do t`ia grabitë atin Bajram Ajvazit (humanist dhe donator për arsimim të shqiptarëve). Me atë at do të përpiqet më 6 maj 1941 ta kalojë kufirin në lokalitetin Shamalluk. Aty krimineli Bozhidar do të bjerë në pritë të çetës së Mehmet Xhakës, të cilën e përbënin: Ukë Toverlani, Rizah Kaçanolli, Ferat Nishefci, Iliaz Bajrami-Xhakja, Jonuz Shamalluku, Ajet Mirofci. I themi këto fakte sepse nipi i Bozhidarit, i quajtur Udbashi Naranxhiq, do t’i torturojë deri në vdekje Fazli Greiçevcin dhe Shaban Shalën më 1964. (Këtë fakt na e kanë rrëfyer më 1967: Shahin Braishori, Qerim Braishori, Ramadan Braishori, Naman Xhakja, Iliaz Xhakja, Jonuz Shamalluku; A. J. Fondi i “Millan Nediqit 1941-1944-Albanci Lapskog sreza 1941-1944). I thashë këto fakte, sepse pushteti i Kralit dhe i Titos nuk kishte fare dallime për kah trajtimi dhe qëndrimi ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Ato të drejta që i fituan shqiptarët në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore ishin të kohës dhe të pashmangshme, sepse kishim ndryshuar NE. Kështu, fjala vdekje në burg më nxiste në çdo hap pastaj në mendime që një ditë për atë vdekje të hakmerrem!. Po si të hakmerrem si fëmijë, madje i varfër, madje i ndrydhur në çdo hap, sepse në shkollë 80% të lëndëve mësimore i dëgjoja në serbishte. Lidhur me këtë kisha ngulitur mendjen që të hakmerresha ndaj njëfarë udbashi që quhej Novak Qejoviq, (kolonist në fshatin tim (- HB), i cili na maltretonte familjarisht për çdo 3-4 muaj se: “Kemi armë, se nuk e kemi larë tatimin, se kemi lidhje me Mehmet Xhaken në Shqipëri, se është ankuar Radisavi kolonist që shfrytëzonte pronën tonë, se kemi prerë dru në mal të shtetit, se nuk i kemi paguar kullosat e njëqind të zeza tjera”. Dhe, një ditë vendosa që ta shkruaj një vjershë “hakmarrëse” kundër atyre kriminelëve që dhunojnë popullin në burgje dhe jashtë tyre, sepse e tërë hapësira jetësore shqiptare ishte shndërruar në burg. Aq kisha mundësi të hakmerrem, për aq isha naiv se do të bëja diçka në ato rrethana të robërisë së thellë kombëtare. Dhe, Fazli Greiçevcin nuk e largoja nga mendja, nga ndërgjegjja. Më ishte bërë diagnozë e vuajtjes shpirtërore. Nuk e dija kah është, por e paramendoja si shqiptar i madh i shkollës së Adem Demaçit, si ushtari i parë i tij, i vrarë mizorisht.
Motivet që më drejtuan ta hulumtoj vrasjen mizore të Fazli Greiçevcit
Po, kisha menduar që kundër Novak Qejoviqit të përdor edhe armën në stilin e Avni Rrustemit, për t’ia marrë hakun vëllait Fazli. Fazli Greiçevcin nuk e njihja fare, as që e dija se kah është. Kështu mendoja, si fëmijë. Duke lexuar literaturë për atentatet, e kuptova se udbash të tillë ka plotë, ama hakmarrjen e ruaja për primat të mendimit sepse Novaku filloi një ditë ta maltretojë edhe gjyshen (ditën e shtunë), kur prindërit dhe mixhallarët nuk ishin në shtëpi, me këto fjalë: “Do t’i vras djemtë, po nuk e dorëzuat pushkën taliankë. Do t`i fus në burg të tre djemtë po nuk erdhi nesër hagari për të punuar në shtruarjen e rrugës në gurë për nevoja të kolonistëve”. E dija se kemi pushkë “taliane”, po nuk e dija kush është hafije. Dhe prapë mendoja se hafijet e kanë dekonspiruar Fazli Greiçevcin, hafijet e kanë mbytur në burg pas shumë mundimeve, sepse nuk i ka treguar shokët, nuk i ka zbuluar me çmimin e jetës. Këtu e fantazoja heroizmin, këtu e kuptoja se heroizmi do sakrifica dhe nuk duhet të dorëzohemi para shumë “novakëve” sllavë dhe shqipfolës. Nuk e dija se Fazli Greiçevci ishte vetëdorëzuar pa e zbuluar askush, me të vetmin argument se askush mos të mendojë se ai i ka zbuluar shokët. Këtë burrëri sot e çmoj si një shkollë, që arrijnë ta bëjnë doktrinë vetëm heronjtë e vërtetë.
Lufta kur je i sinqertë bëhet edhe me ëndrra poetike
Shkrimet letrare në histori shumë herë kanë prodhuar ngjarje madhështore. Këtu po e bëjë një krahasim. Avni Rrustemi bëri atentat mbi tradhtarin vetëm pse ashtu ia thoshte shpirti, ia thoshte robëria dhe copëtimi i tokave shqiptare. Dhe, në gjykatore të Parisit, AVNIU u lirua vetëm pse e bëri atentatin mbi vrasësin e popullit me motive se ishte nxitur nga populli. Përndryshe, AVNIU, si njohës i ligjeve franceze të kohës, do të dënohej me vdekje. Këtë konstatim e thonë të gjithë historianët seriozë, që janë njëherësh në “funksion” të prokurorit, avokatit dhe gjykatësit. Historiani pa këto tri aftësi nuk ka pse t’i hyjë asnjë shkrimi. Po e vërteta duhet të hulumtohet gjithmonë, duke sjellë prova të reja. Shkenca është shkencë, por kërkon risi, njomësi argumentesh të pakontestuara. Për këtë ideal, Fazli Greiçevci mbetet i vendosur dhe dorëzohet në pushtetin xhakatar, edhe pse e dinte se çka e pret. Prapë po kthehem te “mënyra” e hakmarrjes kundër xhelatëve që e kishin ndarë nga jeta edhe mësuesin patriot Shaban Shalën. E kishim menduar me disa nxënës që mbi varrin e heroit një ditë ta vejmë Flamurin kombëtar. Duke medituar, më erdhi ideja që ta shkruaj një vjershë që e trajton vdekjen mizore në burg. Sa naiv më dukej pas disa ditësh ai mendim “hakmarrës”. Po çka mund të bëja me një vjershë, madje kur nuk isha kurrfarë poeti. Po, isha nxënës i nderuar në gjimnaz. Atë e dija. Pasi që kisha menduar nja tre muaj, vendosa të shkruaj “poezi”. Unë poet, mendoja me vete, sepse nuk dija se si shkruhet poezia. Dhe ashtu me vështirësi doli kjo strofë që e kam ruajtur për kujtim nga viti 1964:
Ushtari i parë i lirisë Një dritë fiket e njëqind ndizen, Terri nuk sundon gjithmonë kur drita eklipsohet, Liria nuk vonohet kur dielli duket, Liria asht e ambël dhe mbetet gjithnjë e njomë, Se Fazli Greiçevci nuk harrohet kurrë, Vetëm Avni Rrustemët nxjerrin për Fazliun hak, Sikur edhe njëqind xhelatë t’i vras, asht pak!
U ndala dhe dy muaj nuk shkrova strofën tjetër, sepse kisha bindjen se nuk po bëjë asgjë. Ama mllefin e shpërtheva dhe frymoja më lehtë. Kur e fillova për ta shkruar strofën e dytë, befas më erdhi mendimi, çfarë naiviteti po tregoj. Po çfarë hakmarrje është vjersha, madje një vargnim që nuk do të botohet e dëgjohet, sepse nuk i besoja as hijes sime. Shoqëria (1963-4) ishte mbushur me hafije. Kush të kupton, mendova një ditë. Por hakmarrja në mendjen time nuk përjashtohej. Ajo ishte më e madhe se bjeshka. Pse? Më 1962 së bashku me dy shokë të klasës kishim qenë dëshmitar kundër një profesori që quhej Petroviq Strahinja. E mbante lëndën e gjeografisë, pasi që prof. Zeqir Bajrami nuk mund të vinte. Ky Strahinja nga Paraqini një ditë na ofendoi aq rëndë sa që nuk kishim rrugë tjetër vetëm ta largojmë fizikisht nga ora e mësimit. Po, ai na kishte thënë tesktualisht: “Ju duhet të mësoni në gjuhën serbishte, se kjo është gjuhë shtetërore. Nëse dëshironi shqip, shkoni në Shqipëri”. Dhe kundër tij kemi dëshmuar në Gjyqin e formuar enkas për këtë çështje. Dhe, ne si rast unikat në Kosovë atëbotë, në saje të përkrahjes së prof. Shefki Sejdiut dhe Ramush Ramës, fituam. Profesori shovinist u përjashtua nga puna arsimore për një vit, por më nuk erdhi të punojë në gjimnaz kurrë. Kujdestar klase atëbotë e kishim prof. Shefki Sejdiun, i vetmi profesor nga Llapi. Po, krenoheshim me te të gjithë nxënësit e gjeneratës së parë të gjimnazit të Besianës. E thashë këtë detaj, sepse neve na u rrit mendja se nuk duhet ta durojmë kurrë askënd, pa marrë para sysh çmimin. Robëria zë shtat dhe rëndon si plumbi, por liria nuk dhurohet, ajo fitohet vetëm me luftë, madje e ëmbël është kur fitohet me gjak heronjsh. E Fazli Greiçevci dhe Shaban Shala, për të cilët ëndërronim, filluan të na bëhen program si duhet të jetohet dhe si të arrihet deri te liria. Qebesa edhe arsimtarët nuk i kishim hiç më larg se ëndrrat tona rinore-demaçiane. Po si të merret haku për krimin monstruoz që kishin bërë udbashët mbi të burgosurin. Prapë, fillova ta shtroj pyetjen sa Esat Pasha i ka Kosova? Ka shumë, e mendoja pa pasur argumente dhe nuk besoja. Po, mendoja, duhen pak plumba, shumë plumba, sepse shumë gjak gjakësori duhet derdhur e të merret haku. I rënduar në këto mendime, pasi që u bëra student, Ramadan Braishori (daja i babës) te i cili banoja i tregova për çështjen e vjershës “hakmarrëse”. Filloi të qeshë me shpirt. Vërtet e ke menduar mirë hakmarrjen, më tha si në tallje. Ashtu mu duk, por Jo. Me libra merret hakmarrja. Jo, dajo, hakmarrja ndaj tradhtarëve dhe xhelatëve merret vetëm me plumba në lule të ballit. Ma citoi një varg që e kisha dëgjuar nga prof. Shefqet Kelmendi në tetëvjeçare. “Amanet e kemi prej të parit, brez pas brezi e djalë pas djali, në lule të ballit me i ra tradhtarit”. Më bindi Ramadan Braishori. Po e them këtë sepse nga familja ime Bozhidar Paunoviqi- Merdari në shkurt 1921, ashtu si vrasësit e Fazli Greiçevcit, i ka djegur në zjarr 51 anëtarë të familjes, prej tyre 6 fëmijë nën dy vjeç, në djepa. Çka i thonë kësaj? Ka edhe më keq, ma preu Ramadan Braishori nga Sharbani. Po për këtë që të mundon ty do t’i tregoj Dr. Ali SOKOLIT që nesër”, përfundoi daja talljen e tij.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.
FAZLI GREIÇEVCI: NUK DUA T’I LË NJOLLË AS VETES AS SHOKËVE AS KOMBIT
SHKRUAN: Prof.Dr. Hakif Bajrami
HEROI QË QËNDRESËN E SHNDËRROI NË BESË SHPIRTËRORE DHE SHKOLLË PËR BASHKIM KOMBËTAR (4)
Grupin e zbuloi Jusuf Nazari (Hoxha), që ishte edhe anëtar i organizatës në Pejë
E vërteta, shumë anëtarë të LRBSH-së, atë verë të vitit 1964 kishin mbetur të pazbuluar. Njëri ndër ta ishte edhe Fazli Greiçevci. Ky patriot ishte edhe drejtues i LRBSH-së në Drenicë. Dhe për mos me u përfol se po mbetej i dyshimtë, më 17 gusht 1964 do të vetëdorëzohet në burgun e Prishtinës. Këtij korifeu kombëtar shumë miq dhe anëtarë të LRBSH-së do t’i thonë: “Mos u dorëzo”, por nuk i dëgjon
“Shkrimi për Fazli Greiçevcin u dedikohet që ta lexojnë vetëm atyre meshkujve dhe femrave të cilët zemrën e kanë të denjë dhe të fortë me ndjenja patriotike, u dedikohet për t’u lexuar vetëm atyre që lindin, rriten dhe vdesin me fjalën Shqipëri në gojë, u dedikohet vetëm atyre që janë përherë të gatshëm me u bë fli për Shqipëri dhe kombin shqiptar, për shqiptarizëm, u dedikohet vetëm atyre që fjalët patriotizëm dhe Shqipëri u vlojnë në zemër, e jo nëpër buzë.E tillë duhet të jetë rinia shqiptare” (marrë nga “DOSJA” 1957, përshkrim i shkruar me dorë nga avokati ynë e njohur dhe i paharruar Bajram Kelmendi, gjithashtu viktimë e krimeve monstruoze serbe)
Kështu gjaku i Fazli Greiçevcit dhe fjalët enciklopedike të Adem Demaçit do të shndërrohen në shkatërrues sistematik të një shteti gjakatar dhe njëherit do të avancohen në ndërtues edhe më të mëdhenj, në ndërgjegjen e një populli për t` u sakrifikuar për liri. Dhe si të arrihet objektivi i plotë i ndërgjegjes kombëtare për liri, është dhe mbetet vetëm një përgjigje. Energjia e kombit të rreshtohet drejtë dhe me kohë e kompetencë për liri dhe progres të civilizimit, duke u rreshtuar kah popujt që kultivojnë demokracinë pa dilema
Më 8 qershor 1964 burgoset Adem Demaçi dhe shumë të tjerë. Në këtë përfundim shtrohet pyetja kush i zbuloi. Shkrimet e deritashme dëshmojnë se së pakut ishin nja gjashtë hafije. Për njërin dihet. Ishte Jusuf Nazari (Hoxha), që ishte edhe anëtar i organizatës në Pejë. Ai me direktivë të UDB-ës ishte infiltruar brenda LRBSH-së. Për të tjerët, do të shkruhet dhe flitet kur të publikohen dosjet e UDB-së famëkeqe. E vërteta shumë anëtarë të LRBSH-së, atë verë të vitit 1964 kishin mbetur të pazbuluar. Njëri ndër ta ishte edhe Fazli Greiçevci. Ky patriot ishte edhe drejtues i LRBSHsë në Drenicë. Dhe për mos me u përfol se po mbetej i dyshimtë, më 17 gusht 1964 do të vetëdorëzohet në burgun e Prishtinës. Këtij korifeu kombëtar shumë miq dhe anëtarë të LRBSH-ës do të i thonë: “Mos u dorëzo”. Ndër ta ishte patrioti Ramadan Dallduri, i cili i fundit e porosit me bindje, duke e përbe në FLAMUR dhe BESË shqiptare se në saje të miqve do ta shpëtoj, prandaj, mos të dorëzohet. E këshillon që të fshihet dhe do t`ia dali sepse kishte shumë miq, po edhe mundësi që mos të dorë- zohet. FAZLIU do t`i përgjigjet BACIT DAN, (Ramadan Dalldurit, i cili njihej për veprime patriotike në të gjitha etapat kah kemi kaluar-HB) shkurt: “Unë nuk i pranoj kufijtë aktual shqiptaro-shqiptar. Unë jam nxënës i Adem Demaçit. Nuk mund të jetojë ndryshe vetëm se me të vërtetën. (1964). Hasan Prishtina, Isa Boletini, Azem Galica, Shaban Polluzha po të donin nishana, ato do t`ua shtrembëronin krahët, por u rreshtuan në rrugën e drejtësisë dhe të Kombit. Nuk dua që të i lë njolla as veti, as shokëve e as Kombit”.
Fazliu ndau fatin me shokët
E bëri atë që ia thoshte ndërgjegjja kombëtare. Nuk donte të mbetej jashtë radhëve të shokëve të idealit. Nuk dëshironte të flitej se: “Ja ky shpëtoi, ja ky ka diçka….”. Kështu do të më rrëfej Ramadan Dallduri, të cilin e njihja nga viti 1970. Populli jonë kështu flet edhe sot e kësaj dite, duke vënë në dyshim shumë çka, për shumë kënd, pa pasur asnjë informacion. Kjo filozofi mazohiste dhe idiotike është prezente te popuj që kanë jetuar gjatë në robëri. Si duket është pasojë e popujve të pa shtet, është plangton i robërisë shumëvjeçare. Po vrasja e Fazli Greiçevcit do të mbetet çështje “enigmatike”, por ngacmuese për çdo zemër atdhetare, do të mbetet admirim për çdo patriot. E vërteta, vrasja mizore e Fazli Greiçevcit në burg ia hapi inteligjencës shqiptare dy porta: ta urrejë okupatorin edhe më tepër; ta admiroj dhe dëshiroj me çdo çmim kombin e bashkuar. Shembulli i Fazli Greiçefcit ishte shkollë edhe në Luftën e fundit çlirimtare. Vrasja mizore e Fazli Greiçevcit nuk ishte vetëm ngjyra e vulës së nënshkruar në Programin e LRBSH-së, por ishte edhe kauzë shpirtërore për çdo shqiptar patriot, për ta kuptuar se ku jeton, për çka jetohet dhe për çka duhet të punoj, në mënyrë që krimet e tilla monstruoze mos të përsëriten në asnjë sistem shoqëror dhe politik. Fati i Fazli Greiçevcit nuk është fundi i tragjedisë nën robëri, por është fillim i luftës për t`u çliruar nga tragjedia. Dhe për çudi, nuk ka liri pa flijime dhe pa heroizëm të shkollës stoike dhe karakterit arbëror të shembullit të Fazli Greiçevcit, që mos t’i zbuloj shokët dhe shoqet e idealit -të organizatës.
Çka tregon dosja e Greiçevcit?
Prandaj, nëse lexohet me kujdes DOSJA e hetimeve dhe gjykatës për Fazli Greiçevcin, hulumtuesi e kupton se në dorë të kujt ishim. Dhe, kur të renditen të gjithë ata udbash kriminelë, të gjithë dalin serbë dhe malazezë. Prej 23 sa figurojnë nëpër dosje, vetëm dy janë shqipfolës. Edhe ata për çdo ditë duhet të tregohen se janë më udbash se udbashët, të vrasin dhe dhunojnë shumëfishë më tepër se ata 21 të tjerët që vranë e kthjellin shoqërinë e pambrojtur, ku hafijet dhe vrasësit janë kudo dhe “të padukshëm”. Ata si zagarë që ishin duhej të nuhatnin në çdo skutë, në çdo odë, kuvend, dasmë, dekë, xhami, kishë, punëtori, tren, kudo ishte hija e tyre. Po dielli, do thoshte poeti lind edhe në Perëndim, kur populli dëshiron. E pyetën Adem Demaçin, shefin e Fazli Greiçefcit dhe të gjithë shqiptarëve liridashës, ndër të tjera, udbashët Sveta Bogdanoviq dhe Milisav Llukiq: “Kur pate guxim të flasësh kundër Jugosllavisë, atëherë guximin ta shprehish edhe para nesh”? Demaçi iu përgjigjet gjakftohtë dhe me guxim: “Kur njeriu është jashtë mureve të burgut, kërkoni prej tij të heshtë, kur e futni brenda, i kërkoni të flasë”.
Fjalët e Adem Demaçit që drodhën “perandorinë” jugosllave Udbashët do t`i kërcënohen se kemi mjaft fakte për ty, por a mendoni fare për veten dhe për familjen”? Dhe Adem Demaçi, me një mendim që duhet të mbetet në çdo enciklopedi iu përgjigjet shkurt: “Unë mendoj vetëm për shkatërrimin tuaj” (Ego cogito semper, voter catastrofarum”.) Natyrisht se Adem Demaçin e ballafaqojnë me gjashtë anëtarë të organizatës LRBSH që kishin pranuar çdo gjë që dinin. Prapë Adem Demaçi do të përgjigjet: “A po e shihni … Populli jashtë nuk ka ide …se çfarë janë. A jeni të vetëdijshëm se ju ata i keni shndërruar në heronj”. (shiko: Shkëlzen Gashi, Adem Demaçi, Prishtinë, 2010, f. 50). Po Fazli Greiçevci, që nuk zbuloi njeri pse e torturuan deri në vdekje. E vërteta, udbashët e dinin finalen e jetës së Fazliut, por kërkonin të mbizotëroj te të gjithë shqiptarët fati i tillë. Dhe kur të lidhet ky moment me fjalinë e Demaçit “Unë mendoj vetëm, për shkatërrimin tuej”,atëherë kuptohet esenca e luftës pamëshirshme për liri. E pra e tillë është historia, edhe i shtypuri edhe shtypësi mendojnë vetëm në shkatërrimin e njëri-tjetrit. Të shtypurit mendojnë me të drejtë dhe gjithmonë ia arrijnë, pa e llogaritë kohën. Kështu ka dëshmuar historia. Shtypësit për të qëndruar në fronin e mizorive, kurrë nuk mendojnë për kohën, që një ditë historia do t` i vë në plehun e kohës së turpshme.
Triumfi i liridashësve
Në bazë të dokumenteve vërehet se LRBSH-ja llogariste në luftë të gjatë dhe të pamëshirshme. LRBSH-ja e Fazli Greiçevcit do të fillojë të zgjerohet prej poshtë-lartë. Dhe Lufta çlirimtare me mjete jopaqësore që filloi më 23 mars 1989, do të metastazoj duke e përfshirë tërë Kosovën, Luginën e Preshevës dhe Iliridën, të gjitha viset e robëruara shqiptare, për ta krijuar shansin që të përhapet edhe në Çamëri, në viset shqiptare në Mal të Zi, në tërë Shqipërinë Bregdetare. Por ashtu si e ndanë nga jeta shumë të ri Fazli Greiçevcin, ashtu këtë metastazim të Luftës së Drejtë në fund të shekullit do ta pengojnë fuqitë koloniale dhe do të na plasojnë diku në gjysmë të rrugës e diku do ta pengojnë dhe nuk do të filloj historia të lëvizë fare. Liria lëvizë, do të thoshte Fazli Greçevci. Nëse lëviz, bëhet faktor universal i admirimit dhe faktorizimit të ndërgjegjes së zgjuar kombëtare. Pas vdekjes mizore të Fazli Greçevcit më 1964, pikërisht një vit më vonë jashtë mureve të burgut do të krijohet një atmosferë tjetër. Populli i robëruar i Adem Demaçit dhe Fazli Greçevcit do të mendojnë se më në fund i kanë thyer disa pranga të robërisë. Po ishte ajo një fatamorganë historike, sa për të nxituar, për të ndryshuar kursin e luftës në “kërkesë të ujit” (lirisë). Dhe më 1967/68 në Prishtinë, do të mbahet procesi gjyqë- sor kundër atyre që e privuan Fazli Greçevcin nga jeta. Fazli Greiçevci ishte viktima e parë e LRBSH-së. E vërteta ishte ajo gjykatë vetëm një paradë politike e klanit “triumafalist” shqiptar, asgjë më tepër. Dhe, kur parada politike mbeti vetëm si dekor, filloi Etapa e demonstratave, filloi të dëshmohet se gjaku i Fazli Greiçevcit dhe fjalët e Adem Demaçit ishin profetike, nuk ishin shkri kot. Lufta për faktorizimin e atij gjaku, e atyre fjalëve do të shndërrohet në aksiomë kombëtare, që ngadalë, por sigurt do t’i përfshijë të gjitha poret e jetës shqiptare nën robërinë jugosllave. Ora e historisë për këtë popull kishte rrahë më ngadalë se kudo në Evropë, por minutat e saj ishin stalagmite, dëshmi se nuk ka kthim prapa. Kështu gjaku i Fazli Greiçevcit dhe fjalët enciklopedike të Adem Demaçit do të shndërrohen në shkatërrues sistematik të një shteti gjakatar dhe njëherit do të avancohen në ndërtues edhe më të mëdhenj, në ndërgjegjen e një populli për t’u sakrifikuar për liri. Dhe si të arrihet objektivi i plotë i ndërgjegjes kombëtare për liri, është dhe mbetet vetëm një përgjigje. Energjia e kombit të rreshtohet drejt dhe me kohë e kompetencë për liri dhe progres të civilizimit, duke u rreshtuar kah popujt që kultivojnë demokracinë pa dilema.
Betimi për gjakun e heroit Fazli Greiçefci
Në fund , porositë e Fazli Greiçevcit i gjejmë në këtë vulë historike: Për të mos u gabuar…”Shkrimi për Fazli Greiçevcin u dedikohet që ta lexojnë vetëm atyre meshkujve dhe femrave të cilët zemrën e kanë të denjë dhe të fortë me ndjenja patriotike; u dedikohet për t`u lexuar vetëm atyre që lindin, rriten dhe vdesin me fjalën Shqipëri në gojë; u dedikohet vetëm atyre që janë përherë të gatshëm me u bë fli për Shqipëri dhe kombin shqiptar, për shqiptarizëm, u dedikohet vetëm atyre që fjalët patriotizëm dhe Shqipëri u vlojnë në zemër, e jo nëpër buzë. E tillë duhet të jetë rinia shqiptare” (marrë nga “DOSJA” 1957, përshkrim i shkruar me dorë nga avokati ynë e njohur dhe i paharruar Bajram Kelmendi, gjithashtu viktimë e krimeve monstruoze serbe). I tillë ishte Fazli Greiçevci, shok lufte, ushtari më besnik, i heroit kombë- tar Adem Demaçit.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply