Abdyl Frashëri lindi në vitin 1839 në fshatin Frashër të Permetit, në jug të Shqipërisë, ndërsa vdiq më 23 tetor të vitit 1892 në Stamboll. Ishte atdhetar dhe mendimtar i shquar. Pa dyshim se ishte njëri nga ideologët më përparimtar dhe ndër kryesorët e Rilindjes Kombëtare dhe udhëheqësi i parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Abdyl Frashëri është shpallur “Hero i Popullit”.
Lindi në familjen e një spahiu të vogël të fshatit Frashër. Ishte vëllai i madh i Naim Frashërit dhe Sami Frashërit. Rrjedhë nga Dakollarët, nga Dera e madhe Frashëri. Abdyl Frashëri e kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane. Por shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e Perandorisë Ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane dështuan gjithashtu mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të Pavarur në kufijtë e saj etnikë.
Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri (atëherë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman), u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stamboilit). Si kryetar i tij ai dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane dhe sidomos pas nënshkrimit të Traktatif të Shën Stefanit. Sipas tezës së Abdyl Frashëri në kushtet e krijuara nga prirjet ekspansioniste të Rusisë cariste, nga interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur më këmbë Perandorinë Osmane dhe nga synimet e monarkive ballkanike fqinjë për ta copëtuar Shqipërinë, zgjidhja më e përshtatshme (një zgjidhje kjo e përkohshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.
Si një nga autorët kryesorë të platformës politike të Komitetit Qendror të Stambollit, të cilën Abdyl Frashëri e parashtroi publikisht edhe me anën e artikujve që botoi në disa organe të shtypit evropian gjatë pranverës së vitit 1878, ai mori pjesë aktivisht në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas themelimit të Lidhjes, e cila e adoptoi këtë platformë, Abdyl Frashëri. u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Nuk e shkëputi asnjëherë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare ose nga komitetet ndërkrahinore të saj. Kudo udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i koinisionit të punëve të jashtme të saj. Ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës (1 nëntor 1878), ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i vilajetit të bashkuar autonom të Shqipërisë. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Në pranverën e vitit 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. Abdyl Frashëri, ishte promotori i projektit që miratoi Kuvendi i Dytë i Frashërit për të formuar qeverinë e përkohshme. Ai udhëhoqi gjithashtu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës që u shpreh për krijimin e shtetit autonom shqiptar me anën e lëvizjes së armatosur.
Abdyl Frashëri, e mbrojti programin e Gjirokastrës në Kuvendin e Dytë të Dibrës ku udhëhoqi si gjithnjë krahun radikal të lëvizjes. Edhe pse programi i autonomisë nuk u pranua nga përfaqësuesit e rrymës së moderuar, ai kaloi në Kosovë dhe aty së bashku me bashkëluftëtarët e vet kosovarë, vuri në jetë vendimet e Gjirokastrës. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren në fillim të vint 1881 dhe dha një kontribut të rëndësishëm né përgatitjet politike dhe ushtarake që u morën për mbrojtjen e autonomisë kundër ekspeditës ushtarake osmane.
Pas shtypjes së Lidhjes, u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm. Megjithatë, pasi qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj, për arsye shëndetësore u lirua, por me kusht që të, hiqte dorë nga veprimtaria politike patriotike. Edhe pse i sëmurë dhe i izoluar, ai e vazhdoi veprimtarinë patriotike derisa vdiq në Stamboll më 23 tetor. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë më 1978.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.
———————————————————————–
ABDYL FRASHËRI, ARKITEKTI DHE IDEOLOGU I NJË SHQIPËRIE TË PAVARUR DHE TË BASHKUAR
Lidhja Shqiptare të Prizrenit, 1878, akti historik që i çeli rrugën Pavarësisë së Shqipërisë.
Vetëm 4 vjet veproi si protagonist në jetën politike Abdyli, por hyri dhe mbeti në histori si një nga burrat më të mëdhenj të Shqipërisë. Ai u bë dhe është një apostull i shqiptarizmit. 9 gushti i 1839 – ës dhe 23 tetori i 1892-it janë dy ditë që përcaktojnë hapësirën kohore 53 -vjeçare të jetës së Abdyl Frashërit. Ai la shumë pas që të mos harrohet kurrë, aq më tepër në 100-vjetorin e formimit të shtetit shqiptar. Rruga e formimit moral, kulturor dhe politik e Abdylit filloi në Frashër dhe vazhdoi në Janinë si dhe më tej në Stamboll. Në pranverë të vitit 1877, Abdyl Frashëri hyri si protagonist politik në skenën e historisë së Shqipërisë. Në këtë situatë tepër të vështirë, kur luftohej për jetë a vdekje, Abdyli hartoi platformën e re politike dhe ideologjike me synimin mbrojtjen e interesave kombëtare të Shqipërisë, e cila i kundërvihej platformës që përpunuan qarqet sulltaniste të Stambollit, që synonte mbrojtjen e kufijve të Turqisë në Europë. Synimi politik i platformës së Abdyl Frashërit ishte: trojet shqiptare të shpërndara në atë kohë në vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës të bashkoheshin në një vilajet të vetëm me emrin “Vilajeti i Shqipërisë” dhe, me krijimin e kushteve të favorshme për shqiptarët, synimi i mëtejshëm i kësaj platforme do të ishte: krijimi i Shtetit Autonom ose i Shtetit të Pavarur të Shqipërisë. Abdyli, më 1877, zgjidhet edhe deputeti i Vilajetit të Janinës në Parlamentin e Dytë Osman, ku morri pjesë vetëm në 10 seanca, nga 14 deri më 30 janar 1878. Më 18 dhjetor 1877, Abdyli, së bashku me bijtë e mëdhenj të truallit shqiptar, ndër ta me Pashko Vasën, Sami
Frashërin, Ymer Prizrenin e Jani Vreton, formuan Komitetin Kombëtar të Stambollit. Këta personalitete të kulturës, politikës e veprimit atdhetar, pranuan platformën e re politike dhe ideologjike të Abdyl Frashërit dhe e zgjodhën atë kryetar të këtij Komiteti. Copëtimi i trojeve shqiptare më 3 mars 1878 nga Traktati i Shën-Stefanit midis 4 shteteve, Serbisë, Bullgarisë, Malit të Zi e Turqisë, shpërthimi i terrorit të egër nga ushtritë serbo-malazeze në viset shqiptare të Veriut dhe organizimi nga Athina më 22 shkurt 1878 i komplotit në Lëkurës të Sarandës për të aneksuar viset shqiptare të Jugut, e detyruan Komitetin Shqiptar të Stambollit dhe Abdyl Frashërin të heqin përkohësisht dorë nga ideja e kryengritjes çlirimtare anti-osmane dhe të përpunojnë një program të ri politik, që çoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Tri ditë para se të mblidhej Kongresi i Berlinit, për të siguruar lirinë dhe unitetin territorial të atdheut nga atdhetarë të gjithë viseve të vendit, në Prizren, në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, u themelua më 10 qershor 1878 Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me kryetar Iljaz Pashë Dibrën dhe Abdyl Frashërin përgjegjës për punët e jashtme të Lidhjes. “Qëllimi i kuvendit është që t’u presim hovin armiqve të pashpirt duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit”, – tha Abdyli përpara 110 delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Prizrenit. “Ndërgjegjja e popullit shqiptar ngre krye kundër nënshtrimit … Pikërisht tek kjo ndjenjë e ka burimin Lidhja e sotme Shqiptare”, – shkruante Pashko Vasa më 1878. Abdyl Frashëri nuk është vetëm një nga udhëheqësit kryesorë politik e ideologjik, por edhe një organizator e aktivist i shquar, diplomat i talentuar e politikan i madh i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nisur nga detyra që mori në Kuvendin e Prizrenit, Abdyli, në krye të delegacionit shqiptar, u nis menjëherë në Berlin, për t’i parashtruar Kongresit të Fuqive të Mëdha, që u hap më 13 qershor 1878, peticionin me anën e të cilit kërkohej respektimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe, në radhë të parë, paprekshmëria e trojeve të Shqipërisë. Kudo që ishte Lidhja ishte Abdyli dhe kudo që ishte Abdyli ishte Lidhja. Më 1 nëntor 1878 ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës, ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i Vilajetit të Bashkuar Autonom të Shqipërisë. Në janar të 1879-ës ishte organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës, i cili arriti të pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Abdyli së bashku me Mehmet Ali Vrionin, në pranverë të 1879-ës, morën përsipër dhe kryen në emër të Lidhjes së Prizrenit një mision diplomatik me rëndësi në kryeqytetet e Europës, në Romë, Paris, Londër, Berlin dhe Vjenë, ku kundërshtuan vendimet e Kongresit të Berlinit dhe mbrojtën interesat e Shqipërisë. “Evropa na ka njohur si njerëz të luftës, tani ajo do të na njohë edhe si njerëz të punës dhe përparimit”, – u dëgjua zëri i Abdylit edhe njëherë në Europë. Abdyli ishte promotori edhe i dy kuvendeve ndërkrahinore të Frashërit, i pari u mbajt në maj 1878 dhe, i dyti, u zhvillua në qershor 1880. Të dy u zhvilluan në Teqen bektashiane të Frashërit. U drejtuan nga Abdyl Frashëri. Përgatitjet për Kuvendin e Parë të Frashërit u bënë në Janinë. Medi Frashëri, në librin e tij të botuar më 1927 “Liga e Prizrenit dhe efektet diplomatike të saj”, ndër të tjera shkruan: “Qëndra e Jugës me rëndësi ishte ajo e Frashërit edhe faqeza ndodhej nën kryesinë e Alush Babait, por vërtetisht nën kryesinë e Abdyl Beut. Në qendrën e Frashërit mori pjesë Dangëllia, Kolonja, Leskoviku, Përmeti, Skrapari, Dëshnica, Korça dhe gjithë baballarët bektashinj të Toskërisë, kërkesa e bashkimit të katër vilajeteve, pikë së pari, u formulua në Teqe të Frashërit, pastaj u dërgua në gjithë qendrat e Shqipërisë”. Në Kuvendin e Dytë të Frashërit morën pjesë përfaqësues nga krahinat e Përmetit, Skraparit e Leskovikut të Vilajetit të Janinës dhe të Korçës, Kolonjës, Kosturit e Naseliçit të ish- Vilajetit të Manastirit etj. Nga Gjirokastra, pas Kuvendit te 23 korrikut 1880, Abdyli u hodh ne Dibër e shkoi më tej në Kosovë dhe aty, në Prizren, së bashku me rilindësit e mëdhenj të Lidhjes, shpallën formimin e Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, në krye të së cilës u vu luftëtari i shquar Haxhi Ymer Prizreni. Me cilësinë e ministrit të Jashtëm të kësaj Qeverie, në fjalën që mbajti me rastin e krijimit të saj, Abdyli ndër të tjera tha: “Porta e Lartë nuk do të bëjë asgjë për Shqipërinë … Le të mendojmë dhe të punojmë për vete dhe le të mos ketë ndryshim midis toskëve dhe gegëve. Te jemi të gjithë shqiptarë dhe të formojmë një Shqipëri të Bashkuar”. Në prill 1881 Abdyli u arrestua në trevën e Elbasanit. Vitet e rënda në bodrumet e burgut të Prizrenit dhe të internimit në Balikesër e Bandërma si dhe të izolimit në Stamboll ia rënuan shëndetin, por ato nuk e thyen vullnetin, guximin dhe vendosmërinë e Abdylit. Abdyli vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892, 53 vjeç, një vit më i ri se Naimi dhe Samiu, por ngeli një monument i madh i patriotizmit.
________________________________________________________________________
“NGREHU, O ABDYL BEJ, NGA VARRI SE T’U MBARUA QËLLIMI”
Eshtrat e Abdylit u sollën në Shqipëri në mars të vitit 1978. Qëndruan ato tre muaj në vendlindje, në Frashër, në shtëpinë e Tij të ringritur më 1974, pastaj u prehën dhe do të prehen përjetësisht në kryeqytet, në Tiranë. E priti kombi duke e shpallur Hero të Popullit. Dy figura madhore të trevës së Përmetit, të nderuar me titullin “Nderi i Kombit”, skulptori Odise Paskali dhe historiani Kristo Frashëri, i kanë ngritur ndër të tjerë dy monumente madhore apostullit të shqiptarizmit, Abdylit, i pari e ka përjetësuar në bronz figurën e Abdyl Frashërit, i dyti e ka bërë këtë nëpërmjet monografisë që i kushton Abdyl Frashërit. Të tjera monumente madhore kërkon historia dhe kombi për Abdyl Frashërin. “Ngrehu, o Abdyl, nga varri se t’u mbarua qëllimi”, – i këndon populli birit të vet të madh që tha fjalët e fundit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: “Shqipëria do të bëhet!”. Dhe u bë Shqipëria më 28 nëntor 1912. Dhe u bë edhe Kosova më 17 shkurt 2008. Emri dhe vepra e Abdyl Frashërit ka qenë, është dhe do të jetë simbol atdhedashurie, uniteti dhe bashkimi për 15 000 000 shqiptarët që jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Abdyl Frashëri ishte dhe është ku ishte dhe është liria dhe e mira e shqiptarëve dhe Shqipërisë.
________________________________________________________________________
KANË THËNË PËR ABDYL FRASHËRIN
SAMI FRASHËRI: “Edhe vdekjen, sikurse jetën, e pati burrërore. Vdiq duke dhënë këshilla të urta dhe duke thënë fjalë trimash”
DERVISH HIMA, atdhetar: “Shpirti i Abdyl Frashërit vërtitej në qiellin e Shqipërisë për t’u kujtuar shqiptarëve detyrën që kishin ndaj atdheut”.
FAIK KONICA: “Mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjerë i jepnin Abdyl Beut një hije vërtet madhështore …Po sytë? Dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjeve dhe forcën e çelikut dëftenin shumë, gjithë vlagën, gjithë fuqinë e këtij burri. I tillë ishte ky tribun i lirisë së kombit. Abdyl Frashëri ishte trim, e kishte syrin si shigjeta dhe i bënin të gjithë tungjatjeta, ishte i matur dhe nuk ia hidhte dot as mbreti dhe as krajli, ishte i përmendur për penë dhe dije”.
GJERGJ FISHTA në veprën “Lahuta e Malcis”: “Një burrë që i la faqe t’bardh i la Shqipnisë”
REXHEP QOSJA: “Vallë a nuk ka një Abdyl Frashër tjetër Shqipëria”!?…
marr nga:infi.direkt tv
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.
Leave a Reply