Niko Nikolla –
Ashtu si tullë pas tulle ngrihet një ndërtesë nga muratorët, po ashtu gërmë pas gërme, fjalë pas fjale, faqe pas faqe, ndërtohet një
libër nga shkrimtari.
Por ndërsa muratori e sheh ndërtesën, i gëzohet punë së tij, shkrimtari jo, në një rast atë që shkruan natën e prish ditën. Lexon atë që ke shkruar dhe nuk të pëlqejnë, nevrikosesh, i quan budallallëqe. E lë dorëshkrimin dhe e rilixon pas disa ditësh e prapë nuk të pëlqen. Sheh ‘tulla’ të vënë keq, mure të plasaritur dhe të shtrëmbër, atëherë në vend ta shpiesh në shtypshkronjë, e braktis duke e fshehur gjëkund në mos i nevrikosur e bën kontigjent të koshit të plehrave.
Dhe ngushëllohesh me fjalët “që të shkruash duhet të prishësh”. Ose që ti japësh kurajo vetes dhe të mos tërhiqesh, mëndja të kapërcen shekuj pse jo mijëvjecarë dhe kujton latinët me thënien e tyre të mënçur, “arti frytet i ka të ëmbla por rrënjët i ka të hidhura”. Dhe ti fillon nga gërma e parë, por prapë nuk të pëlqen ajo që ke hedhur në letër. E zeza letër, ajo mban çdo gjë mbi të, nuk ankohet, nuk bën grevë urie që në botë dëgjon përditë.
Letra është për shkrimtarin fisnike, të ngushëllon me faktin se shkronjësit e mijëvjeçarëve me sa mundim i kanë fiksuar mendimet e tyre në pergamene prej lëkure.
Ta zemë se e kalove këtë fazë, se e botove jo me pak telashe. Por telashet mund të bëhen më të shumta, letra të duron, por nuk të duron lexuesi. Por prapë ngushëllohesh me fjalët e Litenbergut, “nëse një kokë përplaset mbas një libri dhe dëgjohet një tingull boshllëku përse të jetë faji i librit”. Ky lloj lexuesi mund të ketë kaluar librin faqe pas faqesh pa marrë vesh asgjë, thotë me veten e tij, madje edhe në shoqërinë që ka dhe duke lëshuar një Phhhhhhh të zgjatur “ama na çoroditi ky me këtë libër”.
Ndonjëri dhe mund të thotë…, libra si ky, i bëj brenda një nate. Kështu më thosh vite të shkuara një njeri që erdhi për të punuar si gazetar.
-E mo për Zylon e ke fjalën ti, atë e shkruaj edhe unë kur të dua. “Fjala e lumtur”, thotë Gëte, “kthehet në moçal, nëse ai që e dëgjon e ka veshin të shpuar”.
Edhe këtë fazë mund ta kalosh, se të gjithë njerëzit nuk mund të jenë të mënçur dhe të zgjuar. Kjo botë është e bukur se ka budallenj. Tani libri ndodhet në dorën e kompetentëve. Autori kërkon një fjalë të mënçur nga ta dhe pret një muaj, dy muaj, tre…
Dhe në një ditë thotë fjalën e saj.
Po ashtu si shkrimtari, që të shkruajë duhet të prishë, edhe kritiku, që të shkruajë duhet të dijë të prishë, duhet të dijë të vlerësojë. Ka kritikë që duket se dinë çdo gjë në shkrimin e tyre, por nuk thonë asgjë. Nuk po flasim këtu për cmirëzinjtë, për ambicjet, për fodullëkun e këtyre tipave të cilët të bombardojnë me fjalë të mëdha, se kam lexuar një vepër të filan autori, që mendimet e tij i hedhin poshtë ato që ke thënë ti.
Pra duhet të mësosh nga ai.
Më kujtohet kur para disa vitesh një inxhinjer shumë i zoti ishte munduar të bënte një shpikje në funksionimin e hidrocentraleve.
-Atë se ka bota, do ta bësh ti,- nuk gjykonin se çfarë kishte bërë ai, por atë që nuk kishte bërë bota.
Me mëndjen e tyre dhe tunelet e maleve të Zvicrës, kushedi se kur hapeshin, nëse Karl Gega, do të dëgjonte botën. Dhe në mbledhjen që u bë për këtë inxhinjier, arriti kulmin kur një oponent kompetent përmëndi emrin e një shkencëtari.
Cmirëzinjtë duartrokitën. Autori u ngrit dhe tha: -Ky emër shkencëtari nuk ka ekzistuar kurrë në rruzullin tokësor, por meqë ju e dini kur e ka thënë dhe në ç’vend e ka thënë dhe përse e ka thënë na e thoni edhe ne këtu, ku po më gjykoni si fajtor.
Komedia u kthye në tragjedi. Oponeti kompetent që nuk dinte ç’të thosh, filloi të bërtasë. A nuk ka kritikë të tillë që në shkrimet e tyre vetëm bërtasin. Disa vjet më parë, bashkë me një humorist danez, hymë në një bar të Tiranës. Të gjithë që ndodheshin aty bërtisnin. -Ç’kanë që bërtasin, më pyeti.
-Bëjnë debat, iu përgjigja unë.
-Pse debat bëhet me të bërtitur?
-Epo kështu i bëjnë, -iu përgjigja.
Kot kritikët nuk vijnë të marrin përvojën tonë se si bëhen debatet, ku fiton më shumë ai që bërtet më shumë. Ka një lloj kritikësh të tjerë që në shkrimet e tyre lëshojnë lavdërime të pafund për arritje të papara në poezinë shqipe …Ndoshta këto lloj kritikësh në mënyrë të pandërgjegjshme shprehin një mendim të drejtë, arritjet nominative janë të papara.
Këta kritikë, i bëjnë dëm autorit, se ai mezi ka botuar një vëllim me poezi të stisura e merr yrysh dhe thotë poshtë e përpjetë se do të botojë tre vëllime me poezi, tre romane, ndërsa tregimet krijimet e tij janë të pallogaritshme. Ky poet që pretendon se ka botuar një vëllim modest nuk e di dhe nuk merr mundimin ta dijë se edhe poezia me varg të lirë kalon përmes njohjes së metrikës. Ndonëse mund të ketë një varg të mirë, por qeni thotë populli në mënyrë figurative, sa zuri një lepur nuk u bë zagar.
Një gazetare, para pak muajsh kur më intervistoi, më pyeti, a merresh me politikë?
-Sigurisht që merrem,- i thashë.
Ajo po priste ti thoja se në cilën parti bëja pjesë.
-Ja i sheh të tërë këto libra që ke përpara, janë marrë me politikë. Një libër nuk bëhet kot dhe ai ka politikën e tij.
-Më jep një shëmbull, më tha.
-Ja e sheh këtë librin “Kronikë nga Fronti i Dytë”, edhe ai ka politikën e tij. Pavarësisht se e shkrova për katër vjet dhe kritikët e sorrollatën tetë, cila është politika e tij?
Kaloi më shumë se gjysmë shekulli që fashizmi sulmoi Greqinë. Pikësynimet e tij ishin pushtimi i Ballkanit. Ne u pushtuam të parët. Nga toka jonë u bë sulmi, katër batalionet e ushtrisë së mobilizuar me detyrim jo vetëm që nuk luftuan por e braktisën frontin. Për këtë dezertim edhe ministri i jashtëm i fashizmit, dhëndri i Duçes, në ditarin e tij do të shkruante më 7 nëntor 1940. “Disfata në zonën e Korçës ndodhi për shkak të një batalioni shqiptarësh, i cili për frikë ose për tradhti braktisi frontin. Sanksionet për mospjesmarrjen e rekrutëve në mobilizm ishin tepër të rënda deri në internimin e familjes së ushtarëve të mobilizar me forcë…”
Nga Greqia, ligji për luftën u hoq me Italinë, ndërsa me Shqipërinë vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite?!
Në këtë libër kishte edhe një kapitull nga vepra e Benedetto Croce sikundër edhe pjesë nga librat “Historia e Europës në fund të shekullit të 19-të”, “Liria e kritikës” etj. Libri ishte i recensionuar nga Petro Marko, Fatmir Gjata, Xhelal Gjecovi, Nasi Lera dhe shkoi në duart e një kryecensori, funkionar i lartë në Komitetin Qëndror të Parisë.
Ai më thirri dhe me një ton nervoz më komunikoi:
-More djalë, ç’na ngatërron më the e më thatë, ç’na duhet Benetedua dhe harron gjënë më kryesore, rolin e Partisë?
E pashë me vërejtje kryecensorin që priste të bëja një autokritikë të fortë.
-Po ku ta gjej unë rolin e Partisë. Kur lufta filloi në tetor të vitit 1940, dhe mbaroi në prill të vitit 1941?
Megjithë fjalët që thamë për kritikët nuk duhet të harrojmë shkrimtarët. Po sjell një shëmbull për të mbyllur këta rreshta.
Një ditë Shopenhauri, duke dalë nga shtëpia vuri re se çalonte. Ecte dhe çalonte. Mbrëmë mendoi, nuk çaloja, sot më mëngjes, u bëra çalaman. Diku takoi një mik të tij dhe i tregoi se ç’farë po ngjiste me të. Miku e vështroi, qeshi, dhe iu përgjigj:
-I nderuar po ecni duke vënë një këmbë në trotuar dhe tjetrën në rrugë.
Pak rreshta për shkrimtarin…
Shkrimtari Teodor Keko e quante Niko Nikollën, babain e gazetarisë shqiptare, titull të cilin ai me modestinë e tij nuk e pranoi asnjëherë. “Gazetarët duhet të jenë me zemër të madhe, me mëndje të ftohtë dhe me duar të pastra”, citonte Niko Nikolla, i cili lindi më 20 maj 1931 në qytetin e Pogradecit. Niko Nikolla, botoi libra në fushën e publicistikës, humorit, por edhe të prozës. Përmenden këtu “Shënime të një gazetari”, “Pushtimi i Amerikës”, “Një angleze në rrugën e Dibrës”, “Furtuna e janarit”, “Lamtumirë Vlorë”, “Njeriu pa emër”, “Zhyl Verni në katror”, “Mjaltë dhe Gjak”, “Kronikë nga Fronti i Dytë”, “Vdekja e varrmihësit”, “Një lumë midis dy shenjtorëve”, “Dallëndyshet e dimrit”, “Koloneli me një sy”. Niko Nikolla botoi edhe një kolanë prej shtatë titujsh me temën e Ballkanit, ku përmes humorit sa edhe dramës arriti të shprehë ç’është Ballkani, ç’janë ballkanasit dhe si do të ecë Ballkani. “Ta kthejmë Ballkanin nga një fuçi baruti në një fuçi humori” është një nga shprehjet e shkrimtarit i cili në vitin 1991 botoi me këtë lëmë edhe revistën Ballkan, ku shkruan penat më të njohura të gadishullit tonë. Më 2003 për “kontributin në fushën letraro-artistike, kontributin si gazetar, por edhe si veprimtar për qytetin e tij të lindjes”, Këshilli Bashkiak i Pogradecit i dha Niko Nikollës titullin “Qytetar nderi”. Niko Nikolla thoshte “Gazetaria është një furrë e madhe që djeg, çdo gjë dhe që në fund të mbetet vetëm pasioni…”, dhe ndoshta ky pasion por edhe humori, që ia karakterizoi jetën mishërohet në thënien e tij të kuptimtë, “Mos e merrni jetën si tragjedi, por si komedi”.


Leave a Reply