Një gazetar thotë se arrestimi i tij është një përpjekje për të fshehur të vërtetën nga shtetasit grekë.
Nga Andi Dabilis për Southeast European Times në Athinë
Botuesi grek Kostas Vaksevanis (në mes) arrin në një gjykatë në Athinë të dielën (29 tetor). [Reuters]
Një gazetar gjurmues grek që nxori një listë me 2,059 njerëz me 1.5 miliardë euro në depozita në një bankë të Zvicrës që ka qenë mbajtur e fshehtë nga qeveria, tha se arrestimi i tij për shkelje të ligjit të konfidencialitetit të vendit ishte një përpjekje politike për të fshehur të vërtetën nga grekët që po pësojnë valë të masave shtrënguese.
“Në vend të arrestimit të shmangësve nga taksat dhe ministrave që patën listat në duart e tyre, ata po përpiqen të arrestojnë të vërtetën dhe të mbysin lirinë e shtypit,” tha Kostas Vaksevanis që botoi listën në faqen e tij në internet Hot Doc pasi u paraqit në gjykatë të dielën (29 tetor) dhe u lirua.
Gjyqi i tij është caktuar për të enjten, një veprim i shpejtë i pashembullt nga një qeveri që ka lënë gjyqet e shmangësve të taksave të zvarriten me një dekadë apo më shumë në disa raste.
Vaksevanis tha se lista e tij ishte e njëjta me atë me 1,991 emra që iu dha së pari nga Ministrja franceze e Financave e asaj kohe Kristinë Lagard, tani kreu i FMN-së, Ministrit grek të Financave të asaj kohe Jorge Papakonstantinu, që kohët e fundit tha se kishte humbur.
Kjo shkaktoi një përpjekje të ndërkryer nga nga Ministri i tanishëm i Financave Janis Sturnaras, i cili është në bisedime intensive me Trojkën BE-FMN-ECB mbi një paketë prej 13.5 miliardë euro në shkurtime shpenzimesh e rritje taksash, për t’a gjetur atë. Pasardhësi i Papakonstantinut, Evangelos Venizelos, tani kreu i socialistëve të PASOK, një nga partnerët e koalicionit të kryeministrit Antonis Samaras, dha një version në një USB.
Por trajtimi i pakujdesshëm bëri që Gjykata e Lartë e Greqisë të caktojë një prokuror për të zbuluar se pse as Papakonstantinu, as Venizelos (dhe dy shefa të mëparshëm të krimit financiar) nuk kontrolluan për mashtruesit e mundshëm të taksave që i kushtojnë vendit 50 miliardë euro në të ardhura të humbura.
Masat e reja shtrënguese janë synuar përsëri kryesisht tek punonjësit, pensionistët e të varfrit dhe grekët janë të tërbuar se shmangësit e taksave po i shpëtojnë sakrificës ndërsa shumë besojnë se qeveria dhe ekzekutivët e biznesit janë në marrëveshje të fshehtë për të mbrojtur njëri-tjetrin.
Emrat në listë përfshijnë vëllanë e Kryeministrit Jorgo Papandreu, politikanë, një këshilltar për Kryeministrin e tanishëm Antonis Samaras, tregtarë të njohur, gazetarë, mjekë, juristë e inxhinierë, aktorë e nëpunës civilë — disa nga të cilët punojnë në Ministrinë e Financave. Por emrat përfshijnë gjithashtu studentë, pensionistë e gra shtëpiake.
Qeveria nuk ka konfirmuar që emrat janë të njëjtët me ato në listën e Lagard dhe Vaksevanis tha se ata me depozita në degën e Gjenevës të HSBC nuk duhen konsideruar shmangës nga taksat. Por ai tha se qeveria duhet të ketë hetuar për të gjetur në se ndonjë nuk kishte deklaruar llogaritë e veta dhe të paguante taksat për to.
Venizelos, një jurist kushtetues tha se nga që informacioni së pari erdhi nga një CD e vjedhur nga një punonjës banke, ai nuk mund ta përdorte atë, por Lagard tha se vendet e tjera e kishin bërë këtë.
“Ajo që Vaksevanis bëri është krejt hileqare sepse ai nuk ka të drejtë të botojë këto lloj të dhënash personale,” i tha SETimesJorge Tzogopulos, një studiues në Fondacionin Helenik për Politikën e Jashtme dhe Evropiane. Vaksevanis tha se nga që nuk kishte përfshirë sasitë e depozitave, ai nuk kishte shkelur ligjin.
“Ministrat e mëparshëm të financave nuk u përqendruan në hetimin se deri në çfarë shkalle njerëzit mund të ishin përfshirë në shmangjen e taksave dhe tani mund të jetë tepër vonë,” tha Tzogopulos. “Ata donin ta linin listën në sirtar dhe të mos bënin asgjë për këtë sepse kjo ishte një bela për ta.”
Dega greke e Gazetarëve pa Kufij lëshoi një deklaratë që Vaksevanis po ndiqej penalisht pa të drejtë. “Presioni i krijuar nga arrestimi i një gazetari është dukshëm jo-përpjestimor. Kjo procedurë thjesht inkurajon një mbulim të tepruar,” tha ajo.
Haralambos Tsardanidis, që drejton Institutin me qendër në Athinë për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Ekonomike, tha se grekët që fshehin para në llogari jashtë dhe banka të huaja pa i taksuar ato po dëmtojnë përpjekjet e vendit për të ndrequr veten.
Por ndërsa ai fajësoi qeverinë për mos verifikimin e listës, tha se Vaksevanis nuk duhej t’a kishte nxjerrë atë. “Njerëzit që duket se po e bëjnë, sipas përcaktimit, nuk janë duke bërë shmangien nga taksat apo pastrimin e parave të pista,” i tha ai SETimes. “Por varet nga punonjësit e taksave të ri-kontrollojnë deklaratat e të shohin në se njerëzit mund të justifikojnë të ardhurat e tyre.”
Qeveria e kreut të partisë konservatore Demokracia e Re, Samaras duhet të arrijë një marrëveshje me Trojkën — që e ka shtyrë të shkojë pas mashtrimeve të taksave — në planin e buxhetit 2013-2014 në mënyrë që një këst huaje i pezulluar prej 31.1 miliardë euro të lirohet. Samaras tha se qeveria përndryshe do të jetë pa para deri më 16 nëntor.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply