
Vetëvrasjet paraqesin një fenomen relativisht të ri në shoqërinë tonë, por që me kalimin e kohës, po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese.
Arben Boshnjaku
Shoqëria duket e papërvojë të merret me këto situata, përderisa e tërë barra e fajit, turpit dhe menaxhimit të situatës i bie familjes. Shumica e njerëzve të paktën një herë gjatë jetës përballen me mendime apo ndjenja vetëvrasëse, por përkundër kësaj, vdekjet e vetëshkaktuara përbëjnë më pak se 2% të totalit të vdekjeve të njerëzve. Është fakt, që secili prej nesh i ka momentet e mira dhe ato kur nuk njihemi të trishtuar, megjithatë kjo është ajo që na bënë të dallojmë nga qeniet e tjera. Në popull ekziston ideja, që njerëzit që flasin për vetëvrasje nuk do ta bëjnë një gjë të tillë. Studimet në këtë fushë kanë treguar që kjo nuk qëndron pasi që në 75% të vetëvrasjeve ata njerëz kanë treguar shenja ose veprime shqetësuese të gjendjes së tyre. Prandaj, çdo shenjë apo indikacion për vetëvrasje, qoftë edhe thjeshtë shprehja e mendimeve vetvrarëse, kërkon përkushtim dhe vëmendje të menjëhershme. Pra, në njëfarë forme, këta njerëz indirekt kërkojnë ndihmën tonë. Në përgjithësi ekziston ideja, që një person, i cili ka vendosur të ndërmarrë një akt të tillë kundër vetvetes, nuk ka kthim prapa. As kjo nuk vlen pasi që të gjithë e dimë që një ditë mund të jemi njerëzit më të dëshpëruar në botë, ndërsa ditën tjetër gjithçka mund të mbulohet nga ndonjë eufori apo gëzim i madh. Po ashtu, një njeri që jep shenja suicidi, vetë fakti që ende se ka bërë një gjë të tillë tregon që ai ende e do jetën. Mos të harrojmë se hulumtimet kanë vërtetuar që vetëm 10% e njerëzve, që bëjnë vetëvrasje vuajnë prej ndonjë çrregullimi psiqik ose një pjesë tjetër mund ta bëjnë një gjë të tillë në afekt, përderisa pjesa më e madhe janë plotësisht të vetëdijshëm për veprimet e veta. Nëse dyshoni që një i afërm i juaji ka mendime suicide, mos hezitoni por pyeteni. Mos u frikësoni se mos jeni ju me pyetjen tuaj që e nxisni të mendojë për gjëra të tilla sepse temat e tilla janë të pranishme kudo nëpër televizionet, radiot dhe mediat tjera. Prandaj ne ju këshillojmë që nëse keni sadopak dyshime, më mirë pyesni se sa të bëni sikurse s’vëreni asgjë. Në momentin kur dyshoni në rrezikshmërinë potenciale, menjëherë lajmëroni ndonjë profesionist të kësaj lëmie. Në qoftë se personi paraqet rrezikshmëri të lartë për t’i bërë dëm vetes (suicid akut) qëndrojini afër, shprehni dashuri dhe respekt për të, bëjeni të ndihet i/e dashur nga tjerët, i/e respektuar, por asnjëherë mos harroni që ju nuk jeni profesionisti në këtë rast (dhe mos provoni të zgjidhni problemet që nuk janë në kompetencat tuaja).
Revista Flatra


Leave a Reply