
Shkodra ishte destinacioni i radhës i vizitës së ambasadorit amerikan, Donald Lu, jashtë Tirane. Takimi i parë në qytetin verior ishte planifikuar, ai me kreun e Bashkisë, Lorenc Luka, të zhvilluar në zyrën e tij.
Më pas, ambasadori Lu u takua me përfaqësues të projektit të Regjistrimeve Audio Digjitale, për të mësuar më shumë mbi punën e tyre në Shkodër. Ky projekt, i financuar nga USAID/Albania, po prezanton mënyra për të rritur efikasitetin dhe transparencën në sallat e gjyqeve nëpërmjet futjes së kapaciteteve për incizime audio digjitale për gjykatat shqiptare.
Gjithashtu SHBA ka dhënë një ndihmesë të madhe në informatizimin e drejtorisë së të ardhurave dhe zyrës “ONE Stop Shop” në Bashkinë Shkodër, duke e përshtatur me parametrat më të fundit të praktikës europiane.
Gjithashtu këtë vit në kuadër të funksionimit të ri që do të ketë pushteti vendor, kjo ambasadë do të ndihmojë Bashkinë e Shkodrës në përmbylljen me sukses të procesit të decentralizimit të pushtetit vendor në disa drejtime kryesore.
Ambasadori Donald Lu vizitoi pedonalen shkodrane së bashku me përfaqësues të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Ndërsa më pas zhvilloi një takim me me përfaqësues të shoqërisë civile shkodrane në qendrën e re rinore Arka.
Ambasadori diskutoi mbi punën që po bëhet në shumë fusha të përgjegjësisë civile, përfshirë çështje si trafikimi i qenieve njerëzore, dhuna në familje, gjakmarrja, punësimi i grave, komunitetet Rome, familjet me vështirësi social-ekonomike, fëmijët me aftësi të kufizuara fizike dhe të moshuarit.

/Shekulli Online


Leave a Reply