
Nëse mendojmë se Serbia është vendi i vetëm që luan edhe me Brukselin edhe me Rusinë, e kemi gabim. Vitet e fundit vihet re një rritje e numrit të shteteve që kanë hedhur sytë nga Moska për një sërë arsyesh, qoftë politike apo edhe ekonomike. Situata në Ukrainë i ka nxjerrë të zbuluara vendet europiane në raportet që ato kanë apo duan të krijojnë me Rusinë. Serbia ndjek prej vitesh një politikë me dy kahe, ku përpiqet të mbajë marrëdhënie të nivelit të lartë si me BE-në ashtu edhe me Rusinë dhe deri tani ka mundur që të mos i përplasë këto lidhje me njëra- tjetrën. Vendi pas Serbisë që konsiderohet më afër me Rusinë është brenda vetë Bashkimit Europian.
Hungaria e Viktor Orban është duke u përballur me një presion gjithnjë edhe më të madh nga Brukseli për politikat e tij të brendshme dhe ato të jashtme. E varur nga gazi rus, Hungaria shihet si vendi më pranë Rusisë brenda Bashkimit Europian. Ndonëse Brukseli dhe kancelarja Angela Merkel i kanë “tërhequr disa herë veshin” kryeministrit Orban, ky i fundit duket se nuk do të lëvizë nga qëndrimet e tij pro-ruse. Për shumë analistë ky pozicionim i Hungarisë dëmton rëndë BE, qoftë për kohezionin e saj në politikën e jashtme por edhe për vetë pozicionin gjeografik që ka shteti hungarez. Çdo projekt i Kremlinit për të transportuar gazin e tij nga Deti i Zi drejt Europës, ka si bazë kryesore të shpërndarjes në Europë, Hungarinë. Në Budapest kjo mund të shihet si një kartë e rëndësishme në duart e tyre për të vijuar me politikën e butë dhe bashkëpunuese me Moskën.
Rusia po rikthehet fuqishëm në Ballkan
Pak vite më parë Serbia shihej si bastioni i fundit i Rusisë në Ballkan, por gjendja e rënduar ekonomike ka ndryshuar situatën në rajon.
Qeveria e Aleksis Tsipras është klasifikuar si miqësore ndaj Rusisë së Vladimir Putin. Vetë kryemnistri grek ka kërkuar një politikë të re të Brukselit ndaj Moskës, pasi sipas atij sanksionet ekonomike nuk kanë efektin e dëshiruar dhe prej tyre humbasin qytetarët rusë dhe ata europianë. “Tensionet e vazhdueshme, të shndërruara në një luftë për ekonominë, nuk do të kenë rezultate pozitive për popujt e Evropës. Në këtë kuptim, Greqia dhe Qipro mund të jenë një urë bashkëpunimi dhe paqeje mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë”, do të shprehej Tsipras pas marrjes së pushtetit. Ai madje kërcënoi se do të kërkonte ndihmë financiare nga Rusia nëse dështonin negociatat për të zbutur kushtet e paketës së shpëtimit me Bashkimin Europian, deklaratë që shkaktoi zemërim të madh në Bruksel. Ky pozicionim i të majtëve në Athinë ka gjetur mbështetjen e menjëhershme në Moskë. Zyrtarë të lartë të Rusisë u shprehën se ishin të gatshëm të ndihmonin Greqinë financiarisht edhe pse sanksionet nga Perëndimi kanë dëmtuar fort ekonominë vendase. Loja e Aleksis Tsipras është e qartë. Ai është vetëdijshëm se Rusia është në kërkim të partnerëve politikë në Europë, ndërsa qeveria e tij kërkon partner ekonomik, pse jo edhe për të bërë presion ndaj qëndrimit gjerman për borxhin grek.
Me peshë më të vogël në Europë se Hungaria dhe Greqia, Maqedonia është shteti tjetër që prej kohësh po flirton me Moskën. Bllokimi që Greqia po i bën Maqedonisë në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe BE, pritet mirë në Rusi, pasi një ndër qëllimet kryesore të Putinit është pengimi i zgjerimit të aleancës ushtarake. Paaftësia e BE-së për të gjetur një zgjidhje për ngërçin greko-maqedonas ka rritur zhgënjimin brenda Maqedonisë ndaj unionit. Gjithashtu, izoilimi diplomatik që po kalon qeveria e Gruevskit e ka shtyrë këtë të fundit të hedh sytë nga Moska. Por, Rusia mund të luajë edhe një rol të rëndësishëm në zbutjen e tensioneve midis Maqedonisë dhe Greqisë, duke rritur në këtë mënyrë pikët dhe rolin e saj politik në rajon. Maqedonia është planifikuar edhe në projektin e gazsjellësit “Rrjedha turke”, e cila do të transportojë nëpërmjet Turqisë dhe Ballkanit gazin rus në Europë, pas dështimit të gazsjellësit “Rrjedha e Jugut”.
Në fakt ky gazsjellës i rëndësishëm për Rusinë, tregon edhe llogjikën e veprimit të Kremlinit në raport me vendet ku kalon “Rrjedha turke”. Gazsjellsi pas Turqisë do të kalojë në Greqi, Maqedoni, Serbi dhe në fund në Hungari, vend nga i cili gazi rus do të transportohet në të gjithë Europën. Rusia nuk dëshiron të dështojë edhe me këtë projekt si në rastin e “Rrjedhës së Jugut”, ku presioni i Brukselit bëri që Bullgaria të hiqte dorë nga projekti duke e anuluar atë. Shtetet ku kalon “Rrjedha Turke”, 3 prej tyre nuk janë anëtare të Bashkimit Europian, ndërsa Greqia dhe Hungaria po tregojnë se nuk lëkunden lehtë nga kërcënimet që vijnë nga Brukseli dhe kancelaritë europiane. Ndërtimi i këtij gazsjellësi do të shkaktonte padyshim zëmërim në Sofje, e cila do ta ndjejë veten të tradhëtuar nga Bashkimi Europian, pas presioneve që i bënë asaj për të hequr dorë nga ndërtimi i gazsjellësit.
Ndjenjat pro-ruse nuk mungojnë në këtë vend, ashtu si edhe në Bosnje-Hercegovinë, Moldavi apo vendeve të tjera të lindjes, duke i kthyer këto shtete potencialisht të mundshme për t’u përfshirë në ndikimin e Moskës.
INA


Leave a Reply