
Do të rikthehet në treg “Charlie Hebdo”, e përjavshmja satirike franceze, e cila më 7 janar u trondit nga një atentat dramatik që përgjysmoi redaksinë dhe që me një sforcim të paprecedent, kishte publikuar një numër të jashtëzakonshëm më 21 janar (numër që shiti 7 milionë kopje në të gjithë botën), për të ndërprerë pastaj publikimin për rreth një muaj.
Kopertina është zbuluar nga “Libération”, gazeta franceze, e cila më shumë nga të gjithë ka mbështetur redaksinë dhe karikaturistët, si pas atentatit të këtij viti, ashtu edhe pas zjarrvënies së selisë në nëntor 2011, pas publikimit të karikaturave të para për Profetin Muhamed, të cilësuara blasfemi ndaj myslimanëve dhe para së gjithash nga terroristët islamikë.
Kopertina e re do të jetë e kuqe, me karikaturat e Marine Le Pen, Nikolas Sarkozisë, Papa Bergolios dhe një terroristi me ngjyrë të vizatuar si një qen ose si një ujk, me mbishkrimin në arabisht dhe një kallashnikov në gojë, të lëshuar për të ndjekur një qen që mban në gojë një kopje të “Charlie Hebdo”.
Slogani është: “C’est réparti!”, (Rifillojmë). Numri 1.179 i “Charlie Hebdo”, do të dalë në treg në 25 shkurt (këtë të mërkurë) në 2.5 milionë kopje. Para atentatit, revista franceze kishte 50 mijë kopje.
Në stafin e ri të së përjavshmes, do të debutojë edhe një karikaturist i ri, algjeriani Dilem, i cili në epokën e karikaturave të Muhamedit të publikuara nga revista daneze “Jyllands-Posten”, kishte dalë kundër terroristëve islamikë.
(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply