Të them sinqerisht, nganjëherë më kap një shqetësim i madh për të ardhmen e Kosovës. Sikur të mos kisha besimin se Amerika na ndihmoi ta fitojmë lirinë dhe se do të vazhdojë të jetë mbështetëse e sigurisë sonë, do të kisha frikë se ne vetë, me papërgjegjësinë tonë po e shkatërrojmë shtetin që e fituam me aq shumë sakrifica.
Është e dhimbshme të shohësh se si, me ndërrimin e pushteteve, ndërrojnë emrat, por jo edhe mentaliteti qeverisës. Secili që vjen në pushtet duket sikur e sheh shtetin si mundësi për të përfituar, për të rehatuar njerëzit e vet dhe për të forcuar interesat partiake, familjare e klanore.
Korrupsioni, nepotizmi, keqpërdorimi i pozitave publike dhe kapja e institucioneve janë bërë plagë që po depërtojnë në pothuajse çdo segment të jetës sonë shoqërore.
Ajo që shqetëson edhe më shumë është mungesa e përgjegjësisë morale dhe politike. Askush nuk mban përgjegjësi, askush nuk jep llogari, ndërsa qytetari vazhdon të përballet me padrejtësi, pasiguri dhe mungesë perspektive.
Nuk po shohim një garë se kush do të ndërtojë arsim më të mirë, shëndetësi më funksionale, ekonomi më të zhvilluar, drejtësi më të pavarur dhe institucione më të besueshme. Përkundrazi, shumëkush duket më i preokupuar se si të ruajë pushtetin dhe interesat e rrethit të vet.
Një shembull domethënës i kësaj mendësie është edhe ajo që pamë sot në Presidencë. Deklarata e Pavarësisë, një nga aktet më të rëndësishme të historisë sonë shtetformuese zhvendoset nga vendi i saj i nderit, ndërsa aty vendoset një punim filigrani që lidhet me trashëgiminë familjare të Presidentes.
Nuk kontestohet aspak vlera artistike e filigranit dhe as respekti për mjeshtrin Simon Shiroka. Por Presidenca nuk është pronë private e Presidentes dhe simbolet shtetërore nuk janë dekorime që ndërrohen sipas shijes së atij që vjen në pushtet. Trashëgimia familjare meriton respekt, por historia dhe simbolet e shtetit meritojnë përparësi institucionale.
Ne nuk e kemi pasur luksin të sakrifikojmë aq shumë për liri, vetëm që sot ta trajtojmë shtetin si pronë private të pushtetarëve.
Amerika na ndihmoi në çlirimin e Kosovës dhe mbetet aleati ynë strategjik, por askush nuk mund të na ndërtojë shtetin në vendin tonë. Këtë përgjegjësi e kemi ne, qytetarët dhe sidomos ata që marrin besimin për të qeverisur.
Kosova nuk ka nevojë vetëm për njerëz që dinë t’i fitojnë zgjedhjet por ka nevojë për njerëz që dinë të ndërtojnë shtet, që kanë karakter, integritet, vizion dhe përgjegjësi.
Në fund, pyetja që duhet t’ia shtrojmë vetes është: A po e ndërtojmë një shtet për gjeneratat që vijnë, apo po e shfrytëzojmë atë për interesat e gjeneratës që sot është në pushtet?
Presidentët vijnë e shkojnë, por shteti dhe simbolet e tij duhet të mbeten mbi secilin prej tyre sepse liria është fituar me gjak dhe shteti mbahet në këmbë me drejtësi, ndershmëri dhe përgjegjësi.
Foto 1. Deklarata e Pavarësisë
Foto 2. Rrota e babës.
P.S. Profesoreshë e dashur kush dreqin po ju këshillon kaq keq.

Burimi/Facebook


Leave a Reply