2 SHKURT 1990 – KUFIRI I GRAMOZIT, KOLONJË.
Ilirjan Zari ishte vetëm 29 vjeç kur jeta e tij u ndërpre tragjikisht në kufirin shqiptar, në përpjekje për t’u larguar nga Shqipëria komuniste.
Ishte viti 1990. Diktatura po jetonte muajt e fundit të pushtetit të saj, por kufijtë e Shqipërisë vazhdonin të merrnin jetë njerëzish.
Sot, 36 vjet më vonë, familja Zari vazhdon të kërkojë përgjigje.
Kush e vrau Ilirjan Zarin? Kush dha urdhrin? Kush ishte i pranishëm atë ditë? Kush e fshehu të vërtetën? Dhe përse, pas 36 vjetësh, familja ende nuk ka marrë drejtësi?
Babai i Ilirjanit ndërroi jetë në vitin 2005, pa e parë drejtësinë për djalin e tij.
Vetëm pak ditë më parë u nda nga jeta edhe nëna e Ilirjanit. Për 36 vjet ajo jetoi me dhimbjen e birit të vrarë, duke kërkuar të vërtetën dhe të drejtat që i takonin.
Një nënë që priti drejtësinë deri në frymën e fundit!
Sot, motra e Ilirjanit, Jeni Zari, kërkon dëshmitarë, dokumente dhe të vërtetën për vrasjen e vëllait të saj.
Më poshtë po publikoj të plotë, pa ndryshuar asnjë fjalë, letrën e motrës së Ilirjan Zarit.
⸻
LETRA E JENI ZARIT – MOTRËS SË ILIRJAN ZARIT
Ju falënderoj për informacionin që keni dhënë rreth ngjarjes tragjike të 2 shkurtit 1990, në kufirin e Gramozit, në Kolonjë.
Ilirjan Zari, që ju përmendni, ishte/eshte vëllai im.
Do të dëshiroja shumë të mësonim më tepër nga ju për atë ngjarje, veçanërisht për personat që ishin të pranishëm, ata që mbijetuan dhe gjithçka që mund të dëshmohet për rrethanat e vrasjes së vëllait tim.
Kanë kaluar 36 vjet dhe familja jonë ende nuk ka marrë përgjigje se kush e vrau Ilirjanin, kush dha urdhrin dhe përse askush nuk u përball me drejtësinë.
Prindërit tanë e mbajtën këtë dhimbje gjithë jetën e une bashke me ta. Babai ndërroi jetë në vitin 2005, ndërsa mamaja jonë, u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë, pa e parë drejtësinë për djalin e saj.
Por historia e saj nuk përfundon këtu. Për 36 vjet ajo përjetoi padrejtësi të tjera, duke luftuar deri në ditët e fundit edhe për të drejtat më elementare që i takonin.
Ju lutem, nëse keni njohuri, dokumente apo kontakte me persona që kanë qenë dëshmitarë të asaj ngjarjeje, do t’ju isha mirënjohëse të na ndihmonit. Përmendët edhe persona që mund të dinë më shumë. A do të ishte e mundur të na lidhnit me ta? Edhe ne jemi të gatshëm të ndajmë me ju historinë dhe dokumentet tona.
Mamaja iku nga kjo jetë pa marrë përgjigjet që kërkoi për 36 vjet. Të paktën ne, fëmijët e saj, kemi detyrimin moral të mos e lëmë të vërtetën të humbasë bashkë me të.
Me respekt,
Jeni Zari, Motra e Ilirjanit
⸻
36 VJET HESHTJE! 36 VJET PA DREJTËSI!
Kjo nuk është vetëm historia e një djali 29-vjeçar të vrarë në kufi. Është historia e një familjeje që diktatura komuniste e goditi në zemër dhe që, edhe pas rrëzimit të saj, vazhdoi të jetonte me plagën e hapur të padrejtësisë.
Nëna e Ilirjanit iku nga kjo botë pa mësuar kush ia vrau djalin.
Drejtësia e vonuar për 36 vjet është një plagë që rëndon mbi ndërgjegjen e shtetit shqiptar!
U bëj thirrje publike të gjithë ish-ushtarakëve, ish-oficerëve të kufirit, dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen e 2 shkurtit 1990 në Gramoz të Kolonjës:
FLISNI! DËSHMONI! MOS E MERRNI TË VËRTETËN ME VETE NË VARR!
Familja Zari ka të drejtë të dijë kush e vrau Ilirjanin dhe kush mban përgjegjësi për atë krim.
ILIRJAN ZARI NUK DUHET TË HARROHET!
DREJTËSI PËR ILIRJAN ZARIN!
K. Cekani
Burimi/Facebook


Leave a Reply