Ndoqa një nga ato videot e shkurtra që të shfaqen përballë syve edhe kur nuk i kërkon. Të pashë ty, Moza Ahmeti, teksa shprehje opinionin mbi protestën e studentëve.
M’u desh ta dëgjoja dy herë, sepse nuk po u besoja veshëve. Opinioni yt e redukton revoltën e studentëve në një situatë të vetme, ku një vajzë me tuta që kushtonin 200 euro të kërkon ty të bënit një foto bashkë dhe, gjatë bisedës, të rrëfen se babanë e kishte oligark. Ti i përgjigjesh: «Atëherë, ti po proteston kundër babait tënd?!»
Realiteti i të rinjve nuk është realiteti i tutave që kushtojnë 200 euro, Moza Ahmeti, dhe ta vlerësosh të drejtën e protestës duke u nisur nga çmimi i tutave mund të jetë gjithçka, veçse një arsyetim i shëndetshëm nuk është.
Pse e them këtë?
E them sepse nga ky vend nuk kanë emigruar vetëm njerëz që ishin në vështirësi ekonomike. Kanë emigruar edhe njerëz që kishin biznese, për faktin e thjeshtë se refuzonin t’i rrisnin fëmijët në një realitet kaq me vese si realiteti shqiptar. Pra, nuk është aspak anormale që një vajzë me tuta 200 euro të dalë të protestojë, sepse çmimin e shpirtit nuk e përcakton firma e tutave dhe protesta nuk i përket vetëm dikujt që i mungojnë paratë, por edhe dikujt që i mungon dinjiteti i kohës brenda së cilës jeton.
Kësaj kohe, nëse e ke vënë re, Moza Ahmeti, i mungon dinjiteti. Dinjiteti për të thënë fjalën e duhur, dinjiteti për ta parë me sytë e trurit të vërtetën tragjike, ku të rinjtë shqiptarë po zëvendësohen me të rinj indianë. Të vërtetën e dhimbshme, ku prindërit shqiptarë prej vitesh i projektojnë fëmijët si emigrantë të ardhshëm, por kurrsesi si shqiptarë të përhershëm në vendlindje.
Meqenëse ishe shprehur se ishte e paqartë kërkesa e studentëve, po ta kthjelloj unë: studentët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe refuzojnë të dialogojnë me të.
A do t’ia dalin studentët në revoltën e tyre?
Nuk e di, sepse, siç jam shprehur edhe më parë, një shoqëri që nxjerr bijtë dhe bijat e saj për t’u rrahur dhe vetë rri pas perdes për t’i shtrënguar dorën fituesit pas luftës, është një shoqëri që meriton gjithçka, veç lirisë.
Post Scriptum: Do kishe bërë mirë të shkruaje poezinë e heshtjes, Mimoza Ahmeti. Ke vrarë fjalën me qëndrimin tënd.
Elona Caslli
Burimi/Facebook


Leave a Reply