Por shpirti s’ don t’ ligshtohet
Shpreson kjo zemër ngrata
Se Shkodra prap do t’ zgjohet
Me kangë, me serenata…
Simon Pepa
Dy ishin qytetet kryesore ndoshta edhe të vetmet në Shqipëri ku linden dhe u zhvilluan serenatat:Korça edhe Shkodra- dy qytetet më të qytetëruara të vendit ku lirizmi i jetës dhe kultura lulëzonte më shumë se kudo tjetër.
Ne brezi i jonë, si studentë, i kemi kënduar këngët e bukura të serenatave korçare, si “Syçkat si ato të tuat”, “Të rashë pas, të rashë pas”, “Jorgjica ,Jorgjica”, etj por as korçarët nuk kanë ngurruar të këndojnë serenatat shkodrane ku akoma sot nga këngëtarë korçarë këndohet kënga “Lulet e majit”, “Kur gjethet bijnë në vjeshtë”, etj
Nuk kishin si të mungonte ky zhanër i muzikës së lehtë në ambientin shkodran, sepse shkodrani e ka në gen, e ka në shpirt, e ka në çdo cikel të jetës dashurinë për vajzën apo djalin ku i ka kushtuar me dhjetra vargje, me qindra këngë që nuk i ndahen kurrë jetës së tij të gëzuar, me humor dhe me një ngazëllim të jashtëzakonshëm për jeten.
Serenatat shkodrane janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe muzikës qytetare të Shkodrës, të cilat shprehin ndjenja të thella dashurie, nostalgji dhe shpirtin romantik të qytetit. Zakonisht këndohen natën, nepër rrugica, kryesisht në stinën e pranverës, nën dritaret e vajzave të bukura, etj. Këngët e serenatave janë shoqëruar me instrumente kordofonikë origjinalë të prodhuar nga vendasit. Në Shkodër ky instrument quhej “tamer” ose “udi” dhe u përdor deri në mesin e shek. XIX. Mbas kësaj periudhë serenatat shkodrane shoqëroheshin nga kitara akustike me gjashtë tela që disa intelektualë shkodranë që studionin jashtë i kishin prurë nga vendet evropiane. Nga disa hulumtime.(Xhemal Uruçi “Serenata Shkodrane”, (2010)), kitarën për herë të parë në Shkodër e ka sjellë nga Venediku një pjestar i familjes Bianku. Serenata në Shkodër ka filluar shumë herët por ajo u ringjall në fundin e shek.XIX, si rezultat i lëvizjeve për pavarësi dhe orientimit pro perëndimor të artistëve shkodranë. Zakonisht preferoheshin këngë që në vitet 20-30 të shek. XIX ishin bërë të njohura nga gramafoni ose radiot. Shkodranët që studionin jashtë apo artistët e rinj u bënë përhapës të kësaj kënge, por edhe breza të tërë nxënësish të gjimnazeve, ku mësohej kitara mandolina dhe violina. Në disa nga këto gjimnaze ishin krijuar banda muzikore, ku dolën breza të talentuar muzikantësh dhe instrumentistësh. Në vitet 1920-1930, në Shkodër njihen talente të mrekullueshëm që krijuan shqip serenata dhe i luajtën ato në mjediset e kulturuara shoqërore dhe në ambiente qytetare. Serenatat janë kënduar edhe rrugëve të qytetit, poshtë dritareve dhe dyerëve të vajzave ku të rinjtë në pamundësi për të shprehur direkt dashuritë e tyre, shfrytëzonin muzikën për t’i kënduar vajzave që dashuronin. Ringjallja e plotë e serenatës ndodhi në vitet 1940-1960 ku me dhjetra muzikantë, poetë, të rinj dhe të reja që ishin të interesuar për një jetë moderne, për nxjerrjen e femrës nga zakonet konservatore, krijuan serenaten moderne që nga “Luleborë” me autor Simon Gjonin, “Lulet e majit”, me autor Pjerin Ashikun, “Kaçurrelat e tu” me autor Gac Çunin, “Mbeta gjithë diten hijeve” të Leonard Dedës, “Kur gjethet bien në vjeshtë”, të Leonard Dedës, etj., me idenë e civilizimit të dashurisë reale. Serenata në Shkodër është kënduar deri në vitet 1960 rregullisht dhe më pas është hequr nga Sektori i Edukimit në Komitetin e Partisë, duke gjetur si shkak mungesen e teksteve edukative.
Në Shkodër në vitin 2000 është krijuar shoqata Shqiptare e Serenatave “Lulet e Majit” e cila kishte si mision të saj vazhdimin e traditave të kësaj gjinie të këngës dhe pasurimin me elemente modern të kohës. Xhemal Uruçi ka shkruar librin “Serenata Shkodrane”, (2010).
Kur flitet për serenaten shkodrane nuk mund të mos përmendet Pjerin Ashiku (1926-1995)ai që kompozoi këngët më të bukura të serenatës shkodrane. Përveç një krijimtarie të mirëfilltë muzikore që përfshinë 140 këngë, e shumë parodi e intermexo muzikore, ai do të kulmonte me kompozimin e një prej këngëve më të bukura të serenatës shkodrane “Lulet e Majit”, një tango monumentale që mbetet e paharruar në fondin e muzikës së lehtë shkodrane. Por në krijimtarinë e tij ai ka kompozuar edhe këngët e njohura : “Trotuari i qytetit tim”, “Çilma shtegun”, “Det e dashuri”, “Ermira”, “Miri i vogël”, “Kukulla”, “Valbona”, “Një zog i vogel”, etj.
Por jehonë dhe përhapje në ato vite por që këndohej me andje bile deri në ditët e sotme ka patur edhe kënga “Kur gjethet bijnë në vjeshtë” me tekst të Odhise Grillos ku shkelqen në interpretinm Rudolf Stambolla
Bibliografia : Xhemal Uruçi“Serenata Shkodrane”, (2010), Kabil Bushati: Pjerin Ashiku, kompozitori dhe autori i ‘Lules së Majit’, Shkodra daily.com
FOTO 1 Pjerin Ashiku
FOTO 2 Teksti origjinal i kangës “Lulja e dit’s Majit”, shkruar nga dora e kompozitorit Pjerin Ashikut
FOTO 3 Partitura e këngës “Flokët e tua kaçurrela” të kompozitorit Gac Çuni;
FOTO 4 Partitura e këngës “Lule borë”, e shkruar më 1946, teksti Zef Pali, kompozitor Simon Gjoni



Burimi/Facebook/Revista Fjala


Leave a Reply