
Baki Ymeri (Bukuresht)
Po qe se sipas analistit bukureshtar Dan Pavel Fati i botës varet nga Kosova, pse mos të themi edhe ne se fati ynë varet nga Shipkovica. Fshati është ai që të ngre në qiell, po qe se vepron për mbarëvajtjen e tij, dhe të rropat nën dhe, po qe se vepron kundër interesave të tij. Shipkovica nuk është ndonjë qendër e fuqishme e cila mund ta prëcaktojë fatin e Shqipërisë në totalitetin e Saj etnik/gjeografik/territorial. Megjithatë, ajo është një simbol që fsheh në gjirin e saj gjithfarë enigmash kombëtare e ndërkombëtare. Fletorja e parë dedikuar këtij katundi del në Bukureshtin e rilindasve tanë. Pse? Ngase jo vetëm atje, por edhe këtu fshihen gjithfarë enigmash të lidhjeve farefisnore, rumuno-shqiptare, që ta përkujtojnë hershmërinë trako-ilire të do emrave me një substrat të përbashkët (karakteristikë për gjuhën rumune dhe të folmen e Shipkovicës): Dika, Daka, Lika, Luka, Leka, Dini, Dani, Cufa, Cani, Rushani, bukuria (bucurie), shkoalla (
şcoală), groapa, grebuli (grebla), cfurku (furca), tufa, turma, kësula (căciula, shq. këçula), çafa (ceafa), gusha, buza.
Jo për buzë që e kallin zjarrin nën lëkurë e kemi fjalën, por për lan Luzë. Dikush mund të krijojë përshtypjen se bëjmë shaka, ndërsa ne themi se po qe se shkrimtari e braktis humorin, duhet ta braktisë edhe penën. Jo për shaka e kemi fjalën por për deshifrimin e enigmave të historisë: fshat (sat), katund (këtun), vatra (vatër), Luza, Dina, Dana, dhe emra tjerë të panumërt, dëshmojnë se në këto troje, krahas shqiptarëve, jetonin dikurë edhe vllehët. Pse? Ngase Shipkovica para bullgarizimit të emrit të saj në Mesjetë, quhej jo Shipkovicë por Mure (rumanisht: manaferra). Shqiptarët e Shipkovicës manaferrave u thonë kaça, ndërsa bullgarët u thonë shipka, nga buron edhge emri i tanishëm i këtij katundi historik. Edhe sot e kësaj dite figuron mikrotoponimi Mure, aty ku gravitojnë arat e Hebib Uzahirit që e mbante mend Rexhep Vokën dhe Ismajl Qemalin. Një dëshmi tjetër e lidhjeve farefisnore, ka të bëjë me faktin se mbiemri i Dervish Carës, shpjegohet përmes rumanishtes: Cara (Ţara), don të thotë Atdheu. Dervish Cara i betejave shqiptare për pavarësi, po qe se insistojmë t’ia rektifikojmë mbiemrin sipas logjikës ballkanike të xhelozisë, do të mbante një mbiemër të ri: Dervish Atdheu.
Emri i Gradishit (në trojet e Shipkovicës), nuk vjen nga bullgarishtja, por nga trakishtja dhe latinishtja si mëmë e rumanishtes që ka depërtuar edhe te rumunët, edhe te shqiptarët, edhe te sllavët, edhe te gjermanët (gard/gardh/grad/garten). Draga Voda, poashtu vjen nga rumanishtja (Dragë Vodë: Vojvoda i Dashur). Popa Shapka nuk ishte bullgar por vllah, luftëtar i betejave rumune (të sh. XIX-të) për pavarësi (Popa
Şapca). Thonë se pas luftës, u nis për në Çamëri dhe vdiq në bjeshkët shqiptare të Sharrit (dikurë Popova Shapka ndërsa sot: Kodra e Diellit). Poashtu, emri i Vicës nuk vjen nga sllavishtja Vejce por nga rumanishtja Vica që don të thotë Hardhi rrushi (Vica de vie), dëshmi se atje krahas shqiptarëve kanë jetuar edhe vllehët. Mbaresa ush (Alush, Mitrush, Brënkush (Brâncuş), është poashtu e përbashkët, për të dy gjuhët dhe për të dy popujt. E ngjashme, madje edhe e përbashkët, është edhe fizionomia e tyre. Jo më kot, Nikolla Jorga ka thënë se shqiptarët janë kushërinjtë tanë të gjakut. Dhe së fundi, mos të harrojmë faktin se fjalët më të vjetra dhe më të bukura të shqipes dhe të rumanishtes (të periudhës parasllave dhe paralatine) kanë një substrat të përbashkët, janë identike. Mbiemri Rushani në Vicë dhe Shipkovicë, poashtu ndërlidhet me rumanishten Rushani (Dan Radu Rushanu, ishministër i kabinetit Nëstase), etj. Siç shihet pra, fiset trako-ilire, para dhe pas dyndjeve barbare (turko-sllave) në Ballkan, ishin një mozaik i hershmërisë dhe harmonisë sonë multietnike.


Leave a Reply