
Luela Myftari
Ai është miku dhe bashkëpunëtori më i mirë i Gent Demaliaj. Valentin Markvukaj, edhe pse larg, në Australi mbeti bashkëpunëtori i tij deri në fund. Në asnjë skenë nuk do të preferonte të ngjitej pa të dhe asnjë set fotografik për albumin e ardhshëm nuk do ta bënte pa të Genti. “Djemtë e Detit” nuk do të kishte kuptim për Gentin pa Valin, siç e thërriste Demaliaj. Sot, Vali vjen në një rrëfim për gjithë ato vite që jetuan e krijuan bashkë, atë muzikë që do të jetojë për shumë gjatë ende tek publiku. Për “Shekullin” Vali rrëfen momentet e njohjes me të, këngët në studio, largësinë që i ndau dhe pengun e “Djemve të Detit”
Ju njiheshit me Gentin prej shumë kohësh… Ishit miku i tij më i mirë edhe për së largu…
Gentin e njoh që kur isha 8-vjeç. Atë kohë unë këndoja në shtëpinë e pionierit Lezhë, por edhe ai ishte pjesë e atyre aktiviteteve. E megjithatë, miqësia jonë e vërtetë ka nisur pak më vonë. Kemi krijuar një raport miqësor që askush dhe asgjë nuk ka mundur ta prishë. Ishte viti 1993, atëherë kur unë përgatitesha tek Pallati i Kulturës në qytetin tonë, në Lezhë, për të konkurruar për Dirigjim. Genti kishte shumë pak që ishte kthyer nga Italia. Më kujtohet si tani, kur u takuam sërish pas disa vitesh mungesë dhe takimesh me Gentin. Ai ishte rritur, kishte ardhur me flokë të gjata, xhinse të cilat ishin shumë interesante dhe shumë moderne për atë kohë. Atë ditë kishte veshur një palë këpucë si tip kaubojsi, një model që ai do ta mbante edhe më vonë. Nuk i mungonin aksesorët dhe ishte pak të thoshe atëherë që ky është një djalë modern. Ai ngjante si një yll rroku. Po, po ai, ishte një yll rroku dhe me plot kuptimin e fjalës “Rock Star look” sidomos për kohën, kur shumica e njerëzve visheshin me rroba ndihmash.
Kur u bëtë “Djemtë e Detit”? Kur e nisët rrugëtimin artistik bashkë?
Ishte pikërisht ky takim ai që më shtyu ta vlerësoja shumë atë që ishte brenda këtij djali. Po atë vit, unë fillova aktivitetin me “Djemtë e Detit”. Ne njiheshim, por pas atij çasti u lidhëm edhe më shumë. Muzika dhe dëshira për liri na lidhi edhe më shumë që nga ajo ditë. Brenda vitit ne ishim kthyer në “Djemtë e Detit”.
Çfarë fshihej pas asaj pamjeje të egër prej rrokeri shqiptare dhe shumë moderne njëkohësisht?
Megjithëse në aparencë, në pamjen e jashtme Genti (edhe unë më vonë) mund të krijonte përshtypjen se ai ishte një person prepotent, në fakt për ata që e njohin është e kundërta. Genti ishte mjaft i thjeshtë, nuk i kishte shumë qejf reklamat, nuk krekosej edhe pse e dinte që muzika që përcillte ishte shumë e mirë. Pas asaj pamjeje rrokeri, pas veshjes së zezë prej lëkure fshihej një djalë që i fliste të gjithë atyre që e përshëndesnin. Genti ishte i afrueshëm dhe sigurisht ka një sens humori të jashtëzakonshëm që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij. Genti ishte modest dhe aspak materialist. Nëse ne do të kishim nevojë për diçka ai do t’i zgjaste ato 5 lekë që mund t’i ndodheshin në xhep pa menduar dy herë.
Genti ka pasur shumë vlera, por një ndër më të rëndësishmet ishte të qenit vetvetja. Sa e vështirë ishte atë kohë të qenit një djalë ndryshe. Si i përjetonte Genti shikimet?
Ai nuk e vriste trurin se çfarë thoshin njerëzit… ai dot ë lëndohej edhe më shumë nëse dot ë humbiste identitetin. Ai ishte ai dhe nuk kishte frikë nga vetja dhe nga paragjykimet e të tjerëve kur ishte vetvetja. Paragjykimet apo shikimet atë kohë ishin shumë më të ashpra se sot. Ki parasysh që jetonim në një qytet provincial, ku nuk mungonin fjalët asnjë ditë, asnjë shëtitje dhe asnjë veshje e pakomentuar. Por Genti kurrë nuk u ndikua nga kjo gjendje që krijohej thuajse çdo ditë në Lezhë. E megjithatë, familja ia kishte dhënë atë mbështetje dhe kaq atij i mjaftonte. Bujaria dhe mikpritja kanë qenë gjithashtu virtyte të tij, të trashëguar edhe nga prindërit.
Cila ka qenë kënga e preferuar e Gentit?
Kënga e preferuar e Gentit ka qenë “Kohë pa ty” e albumit “Izolimi Vdes”. Dhe është e shpjegueshme sepse Big Rock Ballade ka qenë stili i tij i preferuar.
Ju keni qenë larg gjeografikisht për shumë vite, por vazhdonit ende të krijonit. Si mundeshit?
Mua në fakt më pëlqen ta kem tekstin para se të krijoj muzikën, por në shumicën e këngëve tona kam krijuar muzikën para, për vetë faktin e largësisë. E megjithatë, asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë konflikt tematik. Genti gjithmonë ka ndier atë çfarë unë kam ndier. E dinim se çfarë muzike donim të krijonin bashkë dhe tekstet e tij, pasi i dërgoja muzikën i përshtateshin plotësisht muzikës nga ana lirike!
Cili është pengu i “Djemve të Detit”?
Genti e donte shumë edhe një turne nëpër të gjithë Shqipërinë. Më vjen keq që nuk kam ardhur më shpesh në Shqipëri. Ai nuk donte të ngjitej në skenë pa mua. Sa herë flisja dëgjoja të më thoshte: Kur të vish ti…
Po publikut çfarë nuk mundën t’i japin “Djemtë e Detit”?
Ne kemi pasur fatin të performojmë live pothuajse në të gjithë vendin dhe megjithëse gjërat tani kanë ndryshuar, ndoshta për mirë, do të donim që këngët t’i kishim në një kualitet më të mirë fonie. Por, edhe pse këngët tona të para kanë atë kualitet fonie që kanë, publiku na ka adhuruar, e më shumë Gentin me zërin dhe pamjen e tij. Ai ka qenë lider në grup, ka qenë padyshim ura lidhëse mes nesh dhe publikut.
Genti në studion e regjistrimit
Në studio mund të rrinim me orë të tëra dhe ishte padyshim vendi ku luteshim apo faleshim… Do të doja të ndaja me ju historinë e një prej këngëve të realizuara aty për aty në studio. Kur po punonim për albumin “Epos”, regjistruam ashtu shumë natyrshëm këngën “Beteja e Dhimbjes”. Në një nga pushimet që po bënim, fillova të luaja këngën vetëm me piano, ndërkohë që mikrofoni ishte i hapur dhe Genti filloi të këndonte. Pushimi kështu mbaroi, dhe si shumë herë të tjera. Më pëlqeu direkt dhe i them, të fillojë edhe një herë. Atë moment shtypa record, butonin e regjistrimit dhe regjistruam “Beteja e Dhimbjes”. Në fund të këngës ka një zhurmë karrigesh. Genti kthehet të më thotë diçka. I bëj me dorë shtttttt dhe tregoj se kam regjistruesin hapur. Edhe zhurma e karrigeve ngeli në fund të këngës. Ky improvizim direkt përfundoi në album.
Duartrokitet për herë të fundit Gent Demaliaj
Homazhet në hollin e RTSH-së ditën e djeshme mblodhën bashkë dhjetëra artistë dhe qindra të rinj që e adhuronin muzikën e tij
Është përcjellë ditën e djeshme rreth orës 14.00 për në banesën e fundit kantautori i njohur Gent Demaliaj, figura më e njohur e grupit rrok “Djemtë e Detit”. Homazhet në nderim të tij nisën në hollin e Radio Televizionit Shqiptar në ora 12.30, ku kanë mbërritur jo vetëm artistë, kolegë dhe muzikantë që e njihnin dhe e vlerësonin muzikën e tij, por edhe shumë të rinj që nuk e kishin takuar më parë, por që e adhuronin muzikën e tij. të gjithë me një karafil të bardhë në duar e kanë përcjellë teksa në sfond dëgjohej muzika e tij, tekstet e realizuara prej tij dhe që me siguri do të dëgjohen e do të këndohen nga të rinjtë dhe nga këngëtarët edhe për shumë vite të tjera.
Jo vetëm këngëtarë të brezit të tij, por edhe shumë të rinj u përlotën teksa preknin arkëmortin e vendosur sot në hollin e RTSH-së, ku pranë tij ishin ulur familjarët e Gent Demaliajt. Nëna e tij Ilirjana, bashkëshortja Rudi dhe vajza e tij Edea ishin aty më të tronditura se kurrë nga një dhimbje e madhe, nga një dhembje thuajse e pangushëllueshme për largimin e të shtrenjtit të tyre Gent Demaliajt.
“Djemtë e Detit”, ishin aty. I vetmi që nuk mundi të vinte pasi ikja e tij ishte shumë e shpejtë dhe gati e pabesueshme ishte Valentin Markvukaj, bashkëpunëtori i tij më i mirë, ai me të cilin realizoi edhe albumin e fundit. e megjithatë ai ishte aty me zemër. I kontaktuar nga “Shekulli” ai u shpreh se është aty pranë familjarëve dhe gjithnjë do të jetë pranë Edeas së talentuar.
Emigracioni për të cilin edhe vetë Gent Demaliaj u nis të shkëputej nga muzika ishte ai që për 17 vjet edhe pse shumë larg gjeografikisht do t’i mbante gjithnjë bashkë “Djemtë e Detit”. Genti që ka kënduar edhe në Musical me modestinë e një njeri që do të lërë gjurmë të mira në këtë jetë ka bërë aq shumë miq dhe fansa sa që vështirë të besoje se homazhet që do ta nderonin trupin e tij për herë të fundit nuk do të kishin përmasa të tilla. Edhe pse në lidhje me medien Genti nuk ka qenë shumë i dhënë pas reklamimit apo marketingut, gjithnjë përpiqej që të bënte punë të mira në studio. Asnjë lloj emisioni apo programi televiziv nuk përmbushte më shumë dëshirat e tij se sa fakti që të rinjtë dhe moshatarët e tyre i njihnin dhe i këndonin këngët. Këtë me siguri ai ia ka thënë çdo gazetari a gazetareje që ka pritur për të biseduar dhe për të konsumuar me të një kafe. “Ne punojmë për këtë lloj lumturie, jo për të dalë në televizion. Pastaj edhe stili që ne kemi ka nevojë për skena të mëdha, jo emisione ku njerëzit “shqyhen” duke qeshur…”, mbaj mend të ketë thënë. Dhe të gjitha mediet ishin aty. Aty ishin të gjithë gazetarët që ai i priti me shumë dashamirësi, të gjithë me lot në sy.
Mimoza Selimi: ishte 15 vjeç kur më mrekulloi me zërin e tij
Një nga artistet që e ka njohur Gentin që të vogël ka qenë edhe këngëtarja Mimoza Selimi. Shumë e prekur nga humbja e këtij artisti të madh ajo na përcjell në këtë ditë një fotografi të vjetër, të cilën e ka gjetur në Lezhë, këto kohë, pak pas ardhjes së këtij viti të ri. “Shekulli” ju përcjell sot rrëfimin e kësaj artisteje, e cila jo vetëm ka një dashamirësi të pamasë ndaj Gent Demaliajt, por edhe ndaj familjes së tij, që e njeh më së miri.
“Këtë fotografi e gjeta kur isha këtë Vit të Ri në Lezhë Gent… Na mungon Çimi këtu… Ishe vetëm 15 vjeç, kur Çimi dhe unë u magjepsëm nga zëri e talenti yt. Filluam provat për të parin koncert me muzikë të huaj, të dehur nga era e lirisë. Ishim në ethe për t’u ngjitur në skenë, por ti kërkoje shumë më tepër. Ëndrrat e tua fluturonin përtej detit. Dhe në Eksodin e madh të vitit 1991, ti rrezikove jetën duke ikur me anije nga Shëngjini drejt Italisë. Përveç prindërve të tu, ishim ne, që kishim nevojë për ty. Koncerti nuk mund të jepej pa ty. Ti ishe zëri i lirisë së të rinjve, ti ishe ai që do të sillje “Këngët e ndaluara”.
Mes lotëve e dëshpërimit të nënës tënde të mrekullueshme, teta Ilirjanës, ishin dhe lutjet tona që ti të ktheheshe. Dhe u ktheve, edhe për ne, edhe për publikun që do të të duartrokasë për vite me radhë. Dhe grupi e mori emrin “Djemtë e detit”, pikërisht nga kjo histori, një ikje nga deti…
Asnjëherë nuk kam për ta harruar koncertin e parë në Pallatin e Kulturës, atë dritë të rilindur në sytë e lodhur të njerëzve që shijonin “Mollën e ndaluar”.
Isha e lumtur që isha mes jush, të ndaja me ju emocionet e koncerteve që shtoheshin. Edhe emri i grupit “Djemtë e Detit” u bë gjithnjë e më i njohur dhe i dashur. Zëri yt, këngët e tua i dëgjoje tek këndoheshin e fishkëlleheshin rrugëve. U rrite Gent, në gjithçka. Sa keq që nuk t’i thashë përpara se te ikje këto fjalë, por nuk e mendoja, nuk doja ta besoja që do të ikje kaq shpejt, edhe pse e dija që kishe probleme me shëndetin.
Sa më dhemb ikja jote! Jam pranë teta Ilirianës, Rudit e vajzës tënde, pranë gjithë familjes tënde në këtë dhimbje të pangushëllueshme…
Qofsh i Parajsës Gent! Mes engjëjve është një më shumë sot!
Nuk di ç’të të them… Ndoshta fola shumë e ndoshta nuk thashë asgjë nga ato që doja të të thosha…”, shpreh ajo plot dhembje humbje e këtij djali të jashtëzakonshëm të botës së muzikës në Shqipëri.
Shekulli


Leave a Reply