
BOTA SOT
Rusia komuniste
Në Rusinë ortodokse të fillimit të nëntëqindës, Kishat me rite perëndimore dhe në veprim janë pothuajse dy mijë, më shumë se dy mijë janë priftërnjtë katolikë dhe mbi 500 milion janë besimtarët, por me Revolucionin rus të vitit 1917, situata për kishën katolike do të bëhej gjithnjë e më e vështirë.
Pas një faze të parë kushtetueso-demokratike fryt i “revolucionit të shkurtit” të vitit 1905 që i dha fund regjimit carist, në fakt kryengritja e bolshevikëve në 1917 solli një regjim diktatorial e socialist të bazuar mbi pushtetin e sovjetikëve e që, mes të tjerave parashikon rishpërndarjen tek fshatarët të tokave të latifondistëve si dhe mohimin total të ekzistencës së Zotit.
E nëse në Kushtetutën e korrikut të vitit 1918 flitej vetëm për “ndarjen” mes Kishës dhe Shtetit, në fakt bolshevikët do të anulonin çdo formë besimi brenda vendit: Lenini nisi që në fillim organizimin jo vetëm të një propagande antifetare, por edhe ateizmin militant kundër Kishës Ortodokse (institucioni më i rëndësishëm në Rusi) dhe kundër Kishës Katolike.
Me anë të një dekreti, bolshevikët e udhëhequr nga Lenini shpronësuan të gjithë pronat e Kishës, që nga tokat e deri tek vendet e kultit, që nga manastirët e deri tek të gjithë vendet e shenjtë, si dhe u hoqën të drejtën e votës të gjithë priftërinjve, të cilët panë t’u hiqet edhe e drejta e kishës. Lideri i partisë kërkonte që Kisha të goditej “me një forcë të tillë sa që të qëndrojë e shkatërruar për të paktën 50 vite”. Pas këtyre masave të para, në vitet 1919 erdhën edhe arrestimet e parë që, të përdorur fillimisht vetëm si kërcënime nisën të pësojnë një rritje eksponenciale që nga viti 1922, atëherë kur priftërinjtë nisën të akuzohen për “veprimtari kundërrevolucionare”.
Procesi i parë kolektiv kundër katolikëve ndodhi në fakt pikërisht në vitin 1922, ndërsa i dyti dhe i treti ndodhën mes viteve 1928 dhe 1932. Me këta tre procese u arrestua praktikisht i gjithë kleri rus; si pasojë, i gjithë komuniteti katolik në Bashkimin Sovjetik mbeti pa udhëheqje shpirtërore, një element ky i cili shkaktonte shqetësim të madh për Vatikanin.
Siç tregon shkencëtari Anatolij Krasikov, “shumë prej drejtuesve të shtetit dhe të partisë ishin nxënës të dikurshëm të seminareve ortodoksë, dhe kështu që në rolin e tyre të ri kishin vendosur portrete të anëtarëve të zyrës politike në vend të ikonës, duke transformuar ritet fetarë në rite politikë”.
Mes viteve 1922 dhe 1923, pikërisht në periudhën kur ndodhën arrestimet e para si dhe internimet e para në gulagët e destinuar për klerin, nisi një tratativë diplomatike ndërmjet qeverisë bolshevike dhe Vatikanit me qëllimin për t’i bërë marrëdhëniet më pak të tensionuara: në këtë moment, në fakt Bashkimi Sovjetik është krejtësisht i izoluar politikisht dhe ka një nevojë jetësore për njohje ndërkombëtare, ndërkohë që Vatikani është i interesuar për dialog pikërisht se synon rindërtimin e në hierarkie fetare në Bashkimin Sovjetik. Por, kanalet diplomatikë mes dy fuqive nuk sjellin rezultatet e shpresuar, dhe kështu që në 1926 në Bashkimin Sovjetik nuk do të kishte as edhe një Peshkop.
Michel d’Herbigny dhe Kolegji Russicum
Eshtë viti 1929 dhe Papa Piu XI, me sugjerimin e jezuitit francez, atë Michel d’Herbigny, krijon Kolegjin Russicum, historia e të cilit megjithatë e ka zanafillën disa vite më herët dhe pikërisht në 1912, kur atë Vladimir Ledokovski, kreu i ardhshëm i jezuitëve do të shkruante një dokument në të cilin shprehte shqetësimin e tij në lidhje me Bashkimin Sovjetik si dhe domosdoshmërinë për të përgatitur katolikë për t’i dërguar në atë vend ku, që nga revolucioni i shkurtit, kish patur gjithnjë e më shumë presion kundër komunitetit katolik.
Përpara se të themelonte Kolegjin, papa Piu XI dërgoi atë d’Hebigny dy herë në Moskë: por këto “ekspedita” zhvillohen gjithsesi në mister aq sa shumë prej dokumenteve që kanë të bëjnë me to mbeten sekret edhe sot e kësaj dite. Atë çfarë dihet e rrëfen historiani dhe gazetari atë Antoine Venger: “Nuk kishte më peshkopë dhe për Kishën Katolike nuk kish asnjë mënyrë për të mbijetuar pa ndihmën e peshkopëve. Problemi ishte jetësor dhe pikërisht në këtë fazë, monsinjor d’Herbigny hartoi planin e tij të fshehtë: arriti të bindë Papën dhe Sekretarin e tij të Shtetit, Pietro Gaspari që ta dërgonin në Moskë, pasi ishte emëruar në fshehtësi peshkop në Berlin. Në këtë mënyrë do të ishte në gjendje të konsakronte peshkopë të rinj në Rusi pa shkaktuar dyshime. Jo më kot, Gaspari (Sekretar Shteti i Vatikanit nga 1919 deri në 1930) i dha si titull atë të “Peshkopit të Trojës”; ishte si një lloj kali troje”.
Pasi u pagëzua në fshehtësi Peshko në 29 mars të vitit 1926, në 21 prill monsinjor d’Hebigny mbërrin në Moskë dhe vendoset në Hotel Savoy (ekziston edhe sot). Herët në mëngjes shkon në Kishën e Shën Luigjit të francezëve dhe konsakron nga ana e tij Peshkopin atë Eugjen Nevju, prifti francez i Makevkës, në një atmosferë thjeshtësie të madhe dhe me shumë pak dëshmitarë. Më pas do të konsakronte të tjerë drejtues apostolikë për qytetet e Leningradit, Minskut dhe Odesës.
Por këta udhëtime të shkurtër nuk janë të mjaftueshëm për të risjellë në jetë hierarkitë fetare, duhen të dërguar të tjerë. Kështu që, në vitin 1929 themelohet në Romë Kolegji russicum me qëllimin për të përgatitur priftërinj të rinj me një mision të dyfishtë: të bëhen apostuj të Ungjillit si dhe të shkonin për të përmbushur nevojat spirituale të Rusisë. Ideja origjinale ishte që kolegji të bëhej një qendër për studentë me kombësi ruse dhe me rite bizantine-sllavonke, por gjetja e kandidatëve rusë që nuk ishin të ritit ortodoks ishte shumë e vështirë, kështu që, shumë shpejt russicum mbushet me kandidatë të kombësive të ndryshme, por të gjithë me të njëjtin qëllim: deklarimin se do të predikonin ungjillin në Rusi, duke marrë parasysh edhe vdekjen.
Spiunë apo misionarë?
Atmosfera në russicum, siç kujton një ish-student, atë Ludovik Pihler, është e mbushur me entuziasëm, për priftërinjtë e rinj motoja ishte “të shkojmë në Rusi e të predikojmë edhe nëse rrezikojmë të vdesim”. Një tjetër pjesëmarrës i Russicum, atë Romano Skalfi rrëfen qasjen e tij personale në kolegj dhe në botën ruse: “Liturgjia bizantine ishte një liturgji shumë e bukur, e gjitha e mbushur me këngë fetare dhe unë mbeta i mrekulluar! Brenda meje ekzistonte prej kohësh dëshira për të qenë misionar në ndonjë pjesë të botës, e pasi mora pjesë në këtë liturgji, i thashë vetes: “Do të shkoj në Rusi, sepse këtu është bukuria dhe liturgjia që më tërheq”. Që nga ai moment nisa të lexoj libra për Rusinë, dhe i vetëm, me aq sa mundesha edhe gjuhën e tyre”.
Më pas, në kolegj u futën studimi i gjuhës dhe letërsisë ruse, historia e liturgjisë bizantine dhe ortodokse si dhe bazat e ideologjisë sovjetike. Futen edhe kurse marksizmi me qëllim që t’u lejohej priftërinjve të rinj që, pasi të hynin në Rusi, të takohesin me njerëz dhe t’i kundërviheshin ideologjisë.
Fillimisht, misionarët shpresojnë për një marrëveshje mes Vatikanit dhe qeverisë sovjetike që do t’i lejonte të zhvillonin në mënyrë të lirë veprimtarinë e tyre. Por atëherë kur u bë e qartë se një marrëveshje e tillë nuk do të vinte asnjëherë, u hodhën tek ideja e martirizimit: e dinin që bolshevikët ishin shumë represivë ndaj Kishës dhe nëse arrestoheshin, Selia e Shenjtë nuk do të mundte të bënte asgjë për ta, përveçse të lutej.
Deri në vitet Pesëdhjetë do të jenë më shumë se tridhjetë priftërinjtë e urdhëruar për këtë mision dhe historiania Irina Osipova ka arritur që të gjejë dokumenta për 11 prej tyre: “Duke punuar nëpër arkivat e KGB-së arrita të gjej dosjet e 11 prej tyre: 2 të pushkatuar, dy të vdekur dhe 7 të internuar në gulagë. Kombësitë janë të ndryshme: polakë, çekë, italianë, amerikanë… Mes të gjithë dosjeve, figura që më goditi më shumë ishte ajo e Pietro Leonit, italian: ishte më pak i priruri për kompromise”.
Historia e Pietro Leonit
Atë Pietro Leoni kishte lindur në Premilkuore, një provincë e Forli në janar të 1909 dhe ishte i pesti i gjashtë vëllezërve në një familje modeste fshatare. Ai ishte një prej atyre që u përgatitën në Kolegjin e russicum. Mbërrin në 1934 dhe pas pesë vitesh emërohet prift në një klimë të vështirë: shqetësimi për fatin e të krishterëve në Bashkimin Sovjetik është gjithnjë e më i madh në Vatikan dhe mes besimtarëve dhe kjo gjë vetëm sa i jep më shumë forcë. Atë Leoni u nis për në Rusi nën maskimin e kapelanit ushtarak në vitin 1941. Pasi u kthye në Itali pas humbjes së 1942, vendosi që të rikthehet për në Bashkimin Sovjetik si prift i komunitetit katolik të Odesës, ku megjithatë u arrestua në 29 prill të vitit 1945. Lufta tashmë ka përfunduar, madje është fituar dhe Stalini heq menjëherë edhe atë pak tolerancë fetare që ishte përdorur për të ngrohur shpirtin e popullit rus përballë sakrificave njerëzore të shkaktuara prej konfliktit.
Për Atë Leonin filloi një kalvar i gjatë, duke nisur që nga inkuizicioni i KGB-së, të cilëve u përgjigjet: “Unë nuk kam kryer krime kundër shtetit sovjetik; spiunazhin as nuk e di se si bëhet. Dhe gjithmonë kam qëndruar larg propagandës antisovjetike për të mos kompromentuar ungjillin, të paktën nëse për ju predikimi i ungjillit nuk është propagandë antisovjetike… në rast se është, atëherë jam fajtor”.
Pas arrestimit u transferua në Moskë dhe më pas gjatë marrjes në pyetje, refuzoi të japë emrat e priftërinjve të tjerë që veprojnë në Rusi e madje i kundërvihet në mënyrë të hapur qeverisë bolshevike, duke pohuar që në Bashkimin Sovjetik mungon demokracia dhe liria e fjalës dhe shtypit. Gjyqi i tij mbyllet me një dënim me dhjetë vite burg në kampet e riedukimit, mes të cilëve gulagu i arkipelagut të Solovkit.
Solovki, arkipelagu gulag
Thuhet se në shekullin XVII, një murg që kishte qenë njeriu ku rrëfehej Cari Pjetri i Madh, mbërriti në Solovki, arkipelagun rus që ndodhet 160 kilometra larg nga qarku polar i Arktikut, dhe këtu u burgos në një kështjellë ku një natë pati një vizion: Nëna e Zotit i tha se, një pjesë e atij ishulli do të bëhej golgota e re, domethënë, një vend ku do të kishte vuajtje të mëdha. Kjo profeci u shndërrua në një të vërtetë me marrjen e pushtetit nga bolshevikët, kur u krijua gulagu i parë sovjetik: në vitin 1923, faltorja e shenjtë ortodokse e ndërtuar në një prej ishujve të arkipelagut u transformua në një kamp përqendrimi, në një lloj akademie terrori ku studiohen teknikat më shkencore të dhunës dhe metodat më të përshtatshme të pushkatimit. Priftërinjtë e parë që mbërritën në Solovki ishin ortodoksët e gjykuar në Moskë në 1924. Në vitin 1926 ishte radha e të parit prift që ndiqte ritet latine dhe këtyre iu bashkuan shumë të tjerë të dënuar për spiunazh dhe, në bazë të Nenit 58 të Kodit Penal të Republikës Sovjetike federale Socialiste, edhe për veprimtari kundërrevolucionare. Pikërisht për shkak të këtij neni të Kodit Penal rus dënohej “kushdo që vepronte në mënyrë kundërrevolucionare”, Stalini kishte në duar armën për të hequr qafe çdo kundërshtar, duke e dënuar me pushkatim apo internim në gulagë.
Letrat flasin për afro 1 milion të burgosur të përfunduar në gulagë; prej tyre, të paktën 250 mijë gjetën vdekjen. Ata që dënoheshin ishin intelektualë, shkrimtarë, artistë, shkencëtarë, njerëz të Carit, militantë politikë dhe të gjithë ata që në një farë mënyre mund të ishin pengesë për regjimin komunist. Mes tyre, edhe priftërinj.
Përse shkuan drejt gulagëve ose drejt vdekjes priftërinjtë që Vatikani kishte dërguar në Rusi
Një spiun në librarinë e Vatikanit
MARTIRET
Bilanci përfundimtar i operacionit Russicum mund të konsiderohet ndoshta një dështim, sepse kanë qenë të shumtë misionarët e vdekur apo që kanë përfunduar në gulagë, por është gjithashtu e vërtetë se fryma e Kolegjit ka favorizuar takimin mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit. Ja disa mes martirëve:
Paul Chalair, i internuar
Fabian Abrantoëicz, vdekur në gulag
Jan Kellner, pushkatuar
Jerzy Moskëa, pushkatuar
Jean Nicolas, internuar
Pietro Leoni, internuar
Vendelin Javorka, internuar
Walter Ciszek, internuar
Victor Novikov, internuar
Teodor Romza, vrarë
Aleksej Judin shpjegon përse bolshevikët shihnin me kaq shumë dyshim punën e priftërinjve: “Sigurisht që regjimi komunist e shihte gjithçka me sy të ndryshëm, mbi të gjitha për arsye se për ta, feja e tyre kristiane nuk kishte asnjë vlerë: Zoti nuk ekziston, dhe nëse Zoti nuk ekziston, këta priftërinj misionarë për çfarë tjetër mund të vijnë, përveçse për spiunazh politik apo industrial?!”
Një spiun brenda Russicum
Nga arkivat e KGB del një e vërtetë trazuese: autoritetet sovjetike ishin të informuara për Kolegjin si dhe për lëvizjet e priftërinjve. Në letra shfaqen emra, vende, data dhe udhëtime. Për disa prej lëvizjeve diheshin madje që paraprakisht detajet. I vetmi shpjegim i mundshëm është se në brendësi të Russicum kishte një spiun, por fatkeqësisht në dokumentat e KGB identiteti i tij nuk zbulohet.
Edhe pse Monsinjor d’Herbigny kishte shumë kontakte me rusët e diasporës në Perëndim, mes të cilëve njerëz që dyshohej se ishin në shërbim të KGB, teza më e besueshme është se spiuni mund të ketë qenë një bibliotekar i kongregacionit të kishave lindore, një qytetar estonez, Aleksandër Kurtna. Ajo që dihet është se Kurtna, pasi u dëbua nga Biblioteka e Vatikanit nga vetë rektori që kish vënë re sjellje të dyshuara tek ai, u rikthye në Rusi.
Megjithatë, në vitin 1942 ai u arrestua në Itali nga SIM, Shërbimi i Informacionit Ushtarak fashist, me akuzën se ishte një spiun komunist. Qëndroi në Regina Koeli për 14 muaj, deri kur Herbert Kappler (komandant i Gestapos në Romë) e liroi dhe e mori me vete si spiun. Majori është i sigurtë se Kurtna do t’i hyjë sërish në punë, nëse rikthehet në Vatikan: kështu që, Estonezi u rikthye të bëjë lojën e dyfishtë, duke furnizuar me informacione si nazistët, ashtu edhe fashistët, por edhe bolshevikët. Në vitin 1944 u kap nga aleatët, por në një fare mënyre arriti të shpëtojë sërish.
Gjurmët e tij zhduken në dimrin e vitit 1946, kur u rrëmbye në Xhenova dhe më pas u transferua në Siberi, ndoshta në një gulag. Askush nuk do të dëgjonte më për Aleksandër Kurtnan. Ajo që dihet me siguri është se në Moskë, Stalini dhe policia e tij dinin gjithçka për russicum, duke filluar që nga ai që ishte qëllimi i tij si dhe sensi i veprimtarisë së tij misionare.
LIRIMI
Pas nëntë vitesh nga dita e arrestimit të tij, në 5 tetor të vitit 1954 motra e priftit Pietro Leoni mori një kartolinë. Vendi i dërgimit është i panjohur, edhe pse ka një pullë të Moskës: “e dashur motër, është hera e dytë që të shkruaj, por dyshoj që kartolina e parë të të ketë ardhur. Shëndeti im është dobësuar, për shkak të problemeve në stomak, por morali është gjithmonë i lartë, jezusi dhe Maria janë forca ime…”.
Disa muaj më vonë, një prift, edhe ai misionar në Rusi, u rikthye në Itali dhe u tha familjarëve se kishte takuar atë Leonin në ishullin e Solovskit. Në këtë mënyrë, familjarët nisin kërkimet dhe drejtohen në Ministrinë e Jashtme, e cila hyn në kontakt me Rusinë, ku tashmë pushteti i ishte kaluar përkohësisht Georgij Malenkovit. KGB dërgon dy foto dhe një kartelë mjekësore: në fotografi dukej prifti me një kostum elegant, për të demonstruar se është mirë. Por më vonë, Pietro Leoni do të tregonte “brirë” me dorë në foto (për të treguar se ishte pamje false), por këto ishin prerë!
Ndërkohë në Bashkimin Sovjetik, udhëheqësi i ri i partisë, Nikita Hrushovi, kryen një revizion kritik të stalinizmit: bëhet fjalë për afrimin e parë mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit. Pikërisht në këtë panoramë politike kryhet rikthimi në Itali, në 26 maj të vitit 1955 i Atë Leonit dhe atë Dante Ugetit, të çliruar nga sovjetikët me qëllim lehtësimin e tensioneve me Perëndimin.
Me kthimin e tij, Atë Leoni do të tregonte për heshtjen e tij përballë ushtarakëve bolshevikë dhe se ishte dënuar me punë të detyruar, ku ka kryer nga më të ndryshmet: nga minator në mirator. Do të rrëfejë se ka luftuar kundër borës dhe shiut dhe është e vështirë të imagjinohet fiziku i tij aq i dobët që t’i rezistojë një gulagu. Sipas dëshmisë së tij, forcën e merrte nga optimizmi, që ia ushqente dashuria për Zotin. Në vitn 1959, do të largohej nga Italia për të shërbyer një komuniteti rus në Kanada, ku do të ndërrojë jetë në 1995.
A mund të jemi kaq arrogantë sa të mendojmë se jemi i vetmi përjashtim në pafundësinë e universit? Çfarë do të ndodhte nëse do të interceptonim një sinjal apo një mesazh me origjinë aliene?
Sinjale misteriozë
Ndërkohë që bota shkencore është e ndarë në debat, teologjia katolike pranon mundësinë e formave të jetës në botë të tjera. Astronomi jezuit, Atë Hoze Gabriel Funes pohonte në 13 maj të vitit që kaloi në një intervistë të dhënë për “Observatorin” roman se “është e mundur që në ndonjë qoshe të universit të ekzistojnë planete të ngjashëm me Tokën, ku ka patur një zhvillim të jetës”. Ideja e formave inteligjente të jetës, të ngjashme me tonën, nuk bie ndesh me vizionin kristian, por përkundrazi, ajo mbështet idenë e një Ati Krijues të përbashkët, siç është shprehur në të kaluarën edhe Don Piero Koda, Minsinjor Korado Balduçi, si dhe Atë Xhorxh Koin.
IMPULSI MISTERIOZ
Një impuls i quajtur SHGB02+14A ka udhëtuar nëpër frekuencën 1420 MhZ. Është kjo gjëja më e rëndësishme që është zbuluar nga radioteleskopi i Arecibos në Porto Riko kur në shkurt të vitit 2003 nisi projekti SETI (Search for Extra Terrestrial Intelligence – një organizatë shkencore private), apo më saktë, një program shkencor që e ndan hemisferën qiellore në 200 pjesë, i pikas, i studion, i analizon. Sinjali vjen nga 1000 vite dritë larg Tokës dhe fuqia e tij e lëshimit rezulton e qëndrueshme ndryshe nga të tjerë që, deri tani, janë humbur nëpër zhurmat e fundit të universit.
Sipas disa shkencëtarëve, nuk bëhet fjalë për fenomene natyrorë, por për dikë që nga qielli përpiqet të vendosë një kontakt me ne. Debati mbetet i hapur, ndërkohë që bota shkencore është e ndarë ndërmjet filoalienëve dhe skeptikëve. Vala e radios vjen nga një pjesë e qiellit ku nuk duket të ketë galaksi. Frekuenca e lëshimit përkon me një prej notave parësore me të cilat hidrogjeni thith dhe lëshon energji. Sipas studimeve të parë, sinjali nuk duket se vjen nga burime natyrorë por duket se është i ndërtuar artificialisht. Diomethënë: I ndërtuar nga një inteligjencë aliene, e cila është në gjendje të përgatisë një urë transmetimi drejt pafundësisë në pritje që dikush nga ana tjetër e qiellit ta kapë sinjalin dhe të përgjigjet. Tani pritet momenti kur ai të rishfaqet dhe atëherë e gjithë kjo do të bëhet vërtetë interesante. Ndërkohë, mbeten të gjithë pikëpyetjet mbi këtë çështje.
ART DHE UFO
Nëse diçka reale ka ndodhur vërtetë, atëherë duhet të ekzistojnë patjetër gjurmët në kujtesën kolektive të njerëzimit. Vetëm kështu do të shpjegoheshin misteret që përmbahen në artin e çdo epoke dhe çdo vendi. Në ikonografinë klasike gjenden figura të ndryshme në brendësi të veprave të krijuara e me autorë të ndryshëm, që riprodhojnë objekte të çuditshëm të ngjashëm me UFO-t. Ndër veprat që kanë më shumë lidhje me këtë argument mund të përmenden “Tebaida” e Paolo Uçelos, e pranishme në Galerinë e Akademisë së Firences. Piktura përmban skena të ndryshme të jetës në një manastir: poshtë në të majtë, Virgjëresha shfaqet në San Bernardo; sipër, një grup murgjish fshikullohen pranë një Kryqi; në qendër, në një shpellë të madhe është paraqitur Shën Zheromi teksa lutet përpara një tjetër kryqi me Krishtin të kryqëzuar, ndërkohë që lart, Shën Francesku, i gjunjëzuar pret stigmatat. Në zonën e poshtme dhe djathtas është paraqitur ndoshta predikimi i Shën Romualdos. Po çfarë është ai objekti i kuq në shpellë, në qendër, në të djathtë të kryqit?
Një tjetër vepër është “Lajmërimi” i Karlo Krivelit, e pranishëm në Londër, në Galerinë Kombëtare. Këtu paraqitet një rreze që zbret nga qielli dhe që mbërrin tek Madona. Ajo rreze niset pikërisht nga një objekt fluturues i paidentifikuar, me formë disku që gjendet mes reve. Rrezja që godet Madonën (dhe që nga ana e saj dëgjon fjalët e Engjëllit) shfaqet në shumë vepra të tjera të artit mesjetar dhe të rilindjes, por mbi të gjitha në Lajmërimet e shumtë të Pagëzuarve të Krishtit.
Më tej, “Lindja e Krishtit”, e Bernardino di Betos, i quajtur Pinturikio. “Po të ngresh sytë në qiellin e zymtë, pak më sipër relieveve shkëmborë në horizont… Konturet dhe ngjyra e bërthamës përshkruajnë një sferë jo tamam të rregullt, me ngjyrë gri të hapur dhe në dukje metalike, e cila lëshon një sasi drite, duke e bërë të rrethohet nga një aureolë ngjyrë të verdhë në portokiall”.
Dhe duhet të përmendim edhe Madonën me Fëmijën e Shën Xhovanit, e pranishme në Firence. Vepër e Sebastiano Mainardit ose Jakobo de Selaios, kjo pikturë paraqet një personazh që, me njërën dorë në ballë sheh drejt një objekti në qiell. Me të është edhe një qen, i cili edhe ai sheh drejt një objekti të çuditshëm. Në Ungjillin sipas Lukës: “Në atë zonë kishte disa barinj që natën rrinin zgjuar për të ruajtur bagëtinë e tyre. Një engjëll i Zotit u shfaq para tyre dhe lavdia e Perëndisë i mbushi me dritë. Ata i mbërtheu paniku, por engjëlli u tha: “Mos u trembni, kam për t’ju dhënë një lajmërim të gëzueshëm, për të gjithë: sot ka lindur në qytetin e Davidit një shpëtimtar, që është Krishti…”
Sigurisht, nuk mund të flitet për prova, por vetëm për dyshime, tregues apo interpretime që u përkasin fesë, shërbimeve të fshehtë apo dëshmive personale. Por asnjë element të së vërtetës. Atëherë, si mund të interpretohen këto legjenda që qarkullojnë prej dhjetëra vitesh dhe që në veprat e çdo epoke gjejnë gjurmë evidente të shfaqjes së jashtëtokësorëve? Duket sikur njeriu dëshiron që me çdo kusht të zbulojë ekzistencën e një qenieje aliene.
TEORITË
Në vitin 1961, Akademia Kombëtare e Shkencave në SHBA organizoi një kongres për të diskutuar orientimin në studimet hapësinore. Ishte hera e parë që komuniteti shkencor përballej seriozisht me problemin e kërkimeve të sinjaleve të qytetërimeve jashtëtokësorë. Në atë rast, astronomi Frank Drake paraqiti një ekuacion, i cili ishte i destinuar të shndërrohej në bazën e çdo lloj studimi të ekzistencës së alienëve.
N = R fp ne fl fi fc L
Ky ekuacion ishte një tentativë për të vlerësuar shkencërisht numrin e qytetërimeve jashtëtokësorë të pranishëm në galaksinë tonë dhe në gjendje të vendosin një kontakt me tokën.
N përfaqëson numrin e këtyre qytetërimeve, numër që korrespondon me produktin e fijeve të gërmave që ndodhen prapa një sinjali.
R është përqindja e formacioneve yjorë në Rrugën e Qumështit.
fp është fraksioni i yjeve që kanë planetë; “ne” është numri i planetëve për sistem diellor që janë në gjendje të kenë forma jete; “fl” është ajo pjesë e planetëve që praktikisht ka zhvilluar forma jete; “fc” është pjesa e qenieve inteligjente që janë në gjendje të komunikojnë; fm është pjesa e qenieve inteligjente që janë në gjendje të arrijnë dhe kolonizojnë më shumë planete; L është vlerësimi i kohëzgjatjes së këtyre qytetërimeve të zhvilluar.
Rëndësia e ekuacionit të Drake qëndron në faktin që i ka dhënë dinjitet shkencor një pikëpyetjeje të madhe që përndryshe do të kish mbetur objekt ekskluziv kultesh, legjendash metropoiltane dhe mitizimesh. Vëmendja që gëzoi ekuacioni Drake në komunitetin shkencor lejoi nisjen e SETI-t. Ky projekt kërkimesh bazohet në idenë që qytetërimet alienë teknologjikisht të përparuar mund të zbulohen duke interceptuar sinjalet e tyre në valë radioje. Deri tani, asnjë nga eksperimentet e shumë të SETI nuk ka zbuluar diçka që të mund të konsiderohet si një sinjal komunikimi ndëryjor. Frank Drake ka thënë se në galaksinë tonë janë të paktën 10 332 qytetërime që janë në gjendje të vendosin një kontakt me ne, një numër që natyrisht e ka përllogaritur falë ekuacionit të tij. Duke iu referuar deri në një farë mase ekuacionit të Drake, matematicieni i famshëm Aczel (autor i librave të ndryshëm shkencorë) ka konkluduar mes të tjerash se, cilido të jetë numri, probabiliteti i ekzistencës së alienëve është baraz me njëqind përqind.
Në epokat përpara kësaj tonës është debatuar mundësia e ekzistencës së jashtëtokësorëve dhe janë marrë në konsideratë të gjithë problemet që buronin prej kësaj. Historiani Majkëll Krou ka përllogaritur se që nga kohërat e grekëve të lashtë e deri në vitin 1917, janë shkruar afro 170 vëllime mbi këtë argument. Dhe pas vitit 1917, numërimi i vëllimeve të shkruar jo vetëm nuk është bërë, por do të ishte e pamundur.
Sipas shkencëtarëve, jeta rregullohet sipas tre parimeve: ai i uniformitetit të natyrës, i kompletimit dhe parimi kopernikas, ose mediokriciteti.
1. Ligjet e natyrës janë të njëjtë në të gjithë universin. Si pasojë, proceset fizikë që kanë prodhuar jetën mbi tokë mund të verifikohen edhe diku tjetër.
2. Në natyrë, gjithçka që është e mundur ka prirjen të realizohet. Me fjalë të tjera: nëse asgjë nuk e pengon lindjen e jetës, jeta do të lindë.
3. Planeti tokë nuk zë një pozicion të veçantë dhe as nuk ka një status të veçantë në Univers. Eshtë një planet tipik që rrotullohet përreth një ylli tipik në një galaksi tipike. Koperniku ka përfunduar se Toka dhe njerëzimi nuk janë në qendër të Universit. Aplikuar ky në çështjen e jetës në botë të tjera, parimi të bën të mendosh që nëse toka nuk është e veçantë nga pikëpamja astornomike, gjeologjike, fizike dhe kimike, atëherë nuk duhet të jetë e veçantë as nga pikëpamja biologjike.
Pastaj, a mund të jemi kaq arrogantë sa të mendojmë se jemi i vetmi përjashtim në pafundësinë e universit? Nëse merret e mirëqenë hipoteza që nuk ekziston asnjë Krijues me një tru të denjë për këtë emër dhe që universi ka lindur pak rastësisht dhe pak në vijim të një shpërthimi të madh, Big Bang-ut siç e e quajnë fizikantët, nuk do të ishte e çuditshme që aksidenti i quajtur jetë po verifikohet vetëm një herë?
Nga cilido këndvështrim t’i qasesh këtij problemi, konkluzioni duket të jetë përherë i njëjtë: ndoshta vetëm për një faktor thjesht statistikor, nuk mund të jemi të vetëm në univers.
Çfarë impakti do të kishte mbi mënyrën si e mendojmë vetveten dhe pozicionin tonë në kozmos zbulimi i ekzistencës së formave të jetës në planetë të tjerë? Nuk ka asjnë dyshim, që qoftë edhe zbulimi i një mikrobi jashtëtokësor që mund të demonstrojë se ka evoluar i pavarur nga format e jetës mbi tokë, do të ndikonte në mënyrë domethënëse mbi vizionin që ne kemi mbi botën dhe do të sillte në shoqërinë tonë ndryshime të thellë po aq të rëndësishëm sa ata të revolucioneve të Kopernikut dhe të Darvinit: mund të quhej përfundimisht zbulimi më i madh shkencor i të gjithë kohërave. Dhe në rastin më ekstrem, nëse do të arrinim të interceptonim një mesazh të alienëve, ka shumë mundësi që ai të kishte një efekt shkatërrimtar mbi njerëzimin.
Një mesazh i MUNDSHËM…
Çfarë do të ndodhte nëse do të interceptonim një sinjal apo një mesazh me origjinë aliene? Çfarë do të thoshte saktësisht për njeriun zbulimi se nuk jemi të vetmet qenie inteligjente në univers? Shkencëtarët e Projektit Kolombi (në kuadër të programit të bashkëpunimit shkencor e teknologjik mes qeverisë italiane dhe asaj argjentinase) kanë ngritur një komision për të vendosur se si do të duhej të jepej lajmërimi në rast se do të interceptohej një sinjal alien dhe çfarë do të duhej bërë për të dhënë një përgjigje. Janë hipotizuar forma të ndryshme sinjalesh alienë. Rasti më elementar do të ishte ai i një lloj fari. Do të bëhej fjalë thjesht për një akt komunikimi të ekzistencës së qytetërimti të tyre, për këdo që eksploron hapësirën.
Një rast më interesant do të ishte ai në të cilin fari do të transmetonte informacione mbi qytetërimin e tyre e ndoshta një ftesë opër t’u vënë në kontakt. Duke qenë se është e mundur të përfshish një sasi të madh informacioni në një sinjal radio apo lazer të shkurtër, mund të zbulojmë shumë gjëra vetëm duke analizuar sinjalin e shkurtër fillestar. Eshtë e mendueshme që alienët të kenë zbuluar ekzistencën tonë në Tokë dhe që janë vënë në punë për të na kontaktuar. Mund të jenë vënë në dijeni mbi ne në mënyra të ndryshme. Sinjalet e radios që shkojnë nga një qoshe e tokës në tjetrën, është e mundur që të përhapen edhe në hapësirë me shpejtësinë e dritës. Një antenë me ndjeshmërinë e duhur mund të ketë përcjellë sinjalet tona radiofonike dhe televizive që tani duhet të kenë udhëtuar me dhjetëra vite dritë. Një impiant edhe më i ndjeshëm mund të përcjellë rrezet gama të prodhuar nga eksperimentet bërthamorë të kryer në atmosferën tonë. Prania jonë mund të deduktohet edhe duke u bazuar në faktin që toka është një Planet në të cilin ishte e mundur të zhvillohej nëj formë inteligjente jete.
Eshtë e mundur edhe që alienët të kenë vizituar herë pas here tokën, duke ditur që shpejt kjo formë jete inteligjente do të zhvillohej. Mund të kenë lënë apo dërguar shumë kohë më parë një sondë me qëllimin që t’i lajmëronte për zhvillimin e një shoqërie teknologjike. Një sondë e tillë mund të jetë në orbitë në sistemin diellor. Por ekziston edhe një tjetër mundësi: ajo e zbulimit të një mesazhi alien mbi tokë, apo pranë saj. Cilat do të ishin pasojat e mundshme të interceptimit të një mesazhi alien mbi tre hipotezat alternative që lidhen me origjinën e jetës? Nëse zbulojmë ekzistencën e qenieve jashtëtokësore, a do të ishte e mundur të vazhdonim të këmbëngulnim në tezën e mrekullisë së origjinës së jetës. Natyrisht, nga pikëpamja logjike, nuk është e pamundur që jeta ka lindur mrekullisht dhe është përhapur në univers. Megjithatë, kjo hipotezë do të hidhte dyshime mbi teorinë e origjinës hyjnore të inteligjencës dhe vetëdijes. Një sinjal alien do të na detyronte të arrinim në konkluzionin që inteligjenca është e zhvilluar në mënyrë të pavarur nga ne në pjesë të tjera të universit dhe se homo sapiens-i nuk zë një vend të veçantë në rendin e gjërave.//RD


Leave a Reply