
Gazetari i Top Channel, autor dhe drejtues i programit “Shqipëria Tjetër”, ka qenë i pranishëm para studentëve të degës së gazetarisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Marin Mema, ka rrëfyer para kolegëve të ardhshëm, siç i quajti ai studentët, jetën dhe karrierën e tij në gazetari, si dhe realizimin e programit të përjavshëm në Top Channel “Shqipëria Tjetër”, ku trajton problemet dhe ngre zërin për shqetësimet e qytetarëve shqiptarë.
Teksa ka rrëfyer karrierën e tij si gazetar, vitet e para në media dhe pasionin për të vërtetën, Marin Mema është ndalur gjatë edhe tek emisioni “Shqipëria Tjetër”, të cilin e bën që prej vitit 2009. Ai iu përgjigj interesit të studentëve, në lidhje me vështirësitë e të qënit gazetar që trajton problemet e qytetarëve, pengesat me të cilat të duhet të përballesh gjatë kohës që realizon emisionin, ku hera – herës, të duhet të rrezikosh edhe jetën për të thënë të vërtetën. Por të gjitha këto, janë të kapërcyeshme për gazetarin Marin Mema, nëse je vetvetja dhe nuk bën kompromis me të vërtetën apo njerëz që duan të të kompromentojnë atë që ti raporton. “Ju duhet t’i qëndroni larg politikës dhe ta doni gazetarinë, pasi vetëm kështu do të jeni gazetar të mirë”- tha Marin Mema para studentëve.
Në bashkëbisedimin me gazetarët e ardhshëm, Marin Mema, foli edhe mbi disa probleme të tjera që kanë mediat shqiptare sot, mungesën e një Bordi Etike për gazetarët, i cili do të kufizonte abuzivizmin në media dhe tejkalimin apo shkeljen e kodit të etikës, në raportimin e një lajmi. Studentët e gazetarisë, nga ana tjetër, drejtuan një sërë pyetjesh mbi momentet më të veçanta të realizimit të emisionit “Shqipëria Tjetër” nga Marin Mema. Ky i fundit u shpreh se janë shume emisione, por ai veçoi realizimin e emisioneve të cilat i janë kushtuar ngjarjeve të rëndësishme historike, trajtimin e problemeve sociale, trajtimin e problemeve të popullsisë shqiptare jashtë trevave apo dhe trajtimin e emisioneve kushtuar mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore. Në këtë takim me studentët e unviersitetit të Elbasanit, Marin Mema, shoqërohej nga gazetari i mirënjohur dhe autor i dhjetra programeve dhe emisioneve televizive Fatos Baxhaku, që aktualisht është edhe pedagog i gazetarisë në universitetin e Elbasanit.
Gazetar: Julian Hoxhaj
gazetamendimi.com


Leave a Reply