
Përgatiti Aisa Kokiçi
Çdo ditë pa e kuptuar në mendjen tonë kalojnë të paktën 60 mijë mendime, por ne mbajmë mend vetëm një pjesë të vogël të tyre. Si mund të kujtohemi edhe për pjesën më dërrmuese, të mbajtura në planin e pasmë? Sigurisht me anë të ndjenjave dhe nivelit të energjisë.
Çdo mendim është në vetvete një energji. Mendimet shëtitin në trupin tonë me anë të sistemit nervor elektrik të krijuar nga vetë ato duke prodhuar energjinë e përshtatshme. Këtë energji e ndjejmë në trajtën e ndjenjave. Frekuenca e ndjenjave pozitive është e lartë dhe na mundëson të ndihemi energjikë, të gjallë dhe aktivë. Nga syri ynë del një dritë rrëzëllitëse. Sigurisht që ka pasur ditë kur dikush mund t’ju ketë thënë “sa bukur dukeni sot!”. Ndoshta atë ditë keni menduar se jeni ndjerë mirë pa asnjë shkak, por asgjë nuk është rastësi dhe e pashkak. Në rast të kundërt keni pasur ditë kur jeni ndjerë të lodhur dhe paqejf pa asnjë shkak. Ja pra, arsyeja e këtyre gjendjeve janë mendimet dhe rëndesa apo lehtësia e energjisë së krijuar nga ndjenjat.
Ndjenjat e krijuara nga mendimet pozitive (dashuri, dhembshuri, emocion pozitiv, shpresë) janë të lehta dhe mbushin trupin me energji. Ndjenjat e krijuara nga mendimet negative (xhelozi, zemërim, urrejtje, dëshpërim, zhgënjim) janë të rënda dhe të një frekuence të ulët,e si rrjedhojë ju ndiheni pa energji dhe të lodhur. Ndonjëherë mund të bëheni më agresivë kur kjo energji mbizotëron trupin tuaj dhe kërkon të dalë jashtë.
Nëse u hidhni një sy personave në paqe me veten e tyre do të vini re sesa energjikë dhe të lumtur janë. Mbajnë një ritëm brenda jetës në vend që të luftojnë me të. Rrjedhin si uji bashkë me jetën. Sigurisht që numri i personave të tillë është i pakët, por kjo nuk do të thotë se ju nuk mund të bëheni njëri prej tyre.
Secili prej nesh përpiqet të arrijë lumturinë çfarëdo gjë që të bën. Kërkojmë të gjejmë qetësinë, lumturinë sepse ajo është burimi ynë ushqyes. Kjo ekziston në natyrën e njeriut; viheni re sa të lumtur janë fëmijët deri në moshën 3 vjeç. Më pas mësojnë mërzinë, lumturia fshihet pas disa gjërave ose lidhet me realizimin e disa të tjerave. Ky është mendimi i gabuar i shumicës prej nesh.
Në të vërtetë lumturia as nuk lidhet, as nuk është fshehur apo ka ikur diku. Lumturia është një filozofi jete, një këndvështrim, një mënyrë mendimi. Lumturia është një ndjenjë e cila aktivizohet nga dëshirat tona. E kritikojmë veten me mendime negative. Sigurisht që do të përjetojmë edhe ndjenja negative, por duhet të kemi kujdes të mos i ushqejmë ato. Mos lejoni që ndjenjat negative të drejtojnë jetën tuaj.
Një njeri i lumtur do të thotë një familje e lumtur, shoqëri e lumtur, rritje të fëmijëve të lumtur, vend i lumtur dhe botë e lumtur…
Gazeta Start


Leave a Reply