
Një shkrim i Kadaresë për gazetën e sotme “Le Monde”
Goditja ishte e rëndë, dramatike. Ishte më e pakta gjë që mund të thuhej. Fjalët se Europa ishte goditur mu në zemër të saj nuk mungonin pothuajse në asnjë formulim lajmesh. Kishte në to befasim, dhembje, tmerr, si për diçka që ndodhte për herë të parë. Pavarësisht prej hijes së saj prej zonje të rëndë, Europa nuk ka qenë e pagoditshme. Madje kishte ndodhur që dy nga katër gadishujt e saj, ai Iberik dhe ai Ballkanik, ia kishin shkëputur me forcë shekuj më parë. I përkas njërit prej popujve ballkanas, që e ka humbur dy herë Europën: në shekullin XV dhe atë XX, në komunizëm. Mendoj se popujve që u ka rënë një fat i tillë, kanë një qasje të veçantë, tepër të ndjeshme për atë që ndodhi. Ndonëse e përsëritur, tragjedia jepte, siç u tha, përshtypjen e diçkaje të re, të panjohur. Nën ndriçimin e saj, u qartësua befas edhe njëherë, raporti i kontinentit europian me krejt globin tokësor. Është e vërtetë se ky konsiderohet si kontinenti më shumë se kushdo që ka përfituar prej planetit Tokë, por ndërkaq është po ai që më shumë se kushdo i ka dhënë këtij planeti. Ajo çka Europa ka dhënë, i përket një sfere të epërme, asaj të vlerave shpirtërore: mendim, art, letërsi, demokraci, deri te liria e shprehjes, për të cilën u godit.
Tipari i parë i këtyre vlerave bën pjesë në aktet më sublime të njeriut. Ndryshe nga pasuritë lëndore tokësore, ndryshe nga pyjet, nafta, bankat, që secili vend i gëzon për vete, vlerat shpirtërore u nënshtrohen ligjeve të tjera. Asnjë popull ose familje popujsh nuk i krijon ato vetëm për vete, por njëherësh, aty për aty, qysh në ditën e parë të krijimit të tyre, natyrshëm ua fal, pra ua dhuron tërë popujve. Kështu Europa krijoi Danten, Shekspirin, Bethovenin, vetë Parisin, për vete dhe për krejt botën. Ky ka qenë, me sa dukej, ai zbulim që u qartësua befasisht, si nën ndriçimin e një rrufeje: mirënjohja planetare për Europën, kontinentin e goditur. Bashkë me mesazhin se Europa është e shtrenjtë për krejt njerëzimin, ndaj ajo jo vetëm ka të drejtë, por e ka për detyrë të mbrohet. Për vete dhe për të gjithë.
Ismail Kadare
Me këtë çmim është vlerësuar në vitin 1983 dhe V.S Naipaul
Kadare fiton çmimin “Jerusalem 2015″
Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, është vlerësuar të mërkurën me çmimin prestigjioz “Jerusalem 2015″. Çmimi është një vlerësim letrar që jepet çdo dy vjet nga Panairi Ndërkombëtar i Jerusalemit. Trofeun e këtij çmimi e kanë marrë emra të njohur të letrave botërore. Shumë kritikë e shohin shpesh si stacionin që i çon shkrimtarët drejt “Nobelit”. Octavio Paz, V. S. Naipaul, J. M. Coetzee dhe Mario Vargas Llosa e fituan “Jerusalem Prize” përpara se të merrnin çmimin “Nobel”. Çmimin e ka marrë në vitin 1963 Bertrand Russell i cili kishte fituar “Nobel Prize për Paqe” më 1950. Fituese e këtij çmimi janë dhe shkrimtarja e njohur si Simone De Beavour, Graham Greene, Milan Kundera, Don DeLilo, Mario Vargas Llosa, Ernesto Sabato, Haruki Murakami, Susan Sontag, Stefan Heym etj. Më vitin 1983 është vlerësuar me këtë çmim dhe shkrimtari i njohur V.S Naipaul, i cili tashmë mund të lexohet në gjuhën shqipe, me një nga romanet e tij më përfaqësuese “Qyteti bri lumit”, nga shtëpia botuese “Saras”. V.S Naipaul do të vlerësohej me çmimin “Nobel” vetëm 18 vjet pas këtij çmimi në vitin 2001. Në vitin 1971 Naipaul është vlerësuar me çmimin “Man Booker”, çmim të cilin e ka marrë dhe shkrimtari shqiptar, Kadare. Disa nga librat e Kadaresë përkthyer në hebraisht janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Viti i mbrapshtë”, “I ngrirë në akull”, “Pasardhësi”, “Prilli i thyer”, “Piramida”, “Dasma” etj. Në dy dekadat e fundit shkrimtari Ismail Kadare është ndër më të vlerësuarit në botën ndërkombëtare të librit. Ai i ka fituar pothuajse të gjitha trofetë e lartë letrarë. “Nobeli” është trofeu i munguar i shkrimtarit, një trofe që duket se nuk do të vonojë gjatë. Çmimi “Jerusalem 2015″ do t’i dorëzohet shkrimtarit shqiptar në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jerusalem, nga Presidenti i vendit, Reuven Rivlin, më 8 shkurt 2015. Kështu pritet që Kadare të lërë Parisin muajin tjetër për të udhëtuar drejt Jerusalemit, për të marrë këtë vlerësim që i është bërë.
Gazeta Shqip


Leave a Reply