
ALMag
Me shumë gjasa vrasësi Kostandin Xhuvani ka mbetur pa dëshmitar.
Njëri nga dy pronarët e lokalit të natës “Ante Grand”, i cili mendohej të ishte edhe dëshmitari kryesor i vrasjes së katërfishtë, i ka dhënë fund jetës pasditën e së djelës, të paktën ky është versioni zyrtar i dhënë nga policia e shtetit .
Por dyshimet e çojnë kronikën përtej kësaj ngjarje të skicuar përkundrejt preferencave të policisë së shtetit.
Dyshimet e para hidhen nga familjarët e të ndjerit, ata bëjnë me dije, se 54 vjeçari i cili qëndronte në arrest shtëpie për një levë hekuri që u gjet në lokalin e tij dhe ku policia e klasifikoi si një armë të ftohtë, nuk kishte aspak arsye të çonte vetveten drejt një akti të tillë fatal.
A është eliminuar Andrea Omiro, njëri nga pronarët e lokalit “Ante Grand” dhe dëshmitari i vetëm i vrasjes së katërfishtë të Kostandin Xhuvanit? Për t’iu referuar informacionit zyrtar, vihet re se policia ka ngritur alibinë e vetëvrasjes, por për asnjë moment s’ka dhënë detaje të mjaftueshme se si arriti të vetëhelmohet 54 vjeçari, Andrea Omiro me akuzën se në lokalin e tij iu gjet një levë hekuri, e konsideruar nga policia si një armë e ftohtë.
Janë pikërisht këto dyshime që kanë detyruar të afërmit e tij, (kërkojnë të mbeten anonim) për ta konsideruar vdekjen e Omiros si një vrasje dhe jo si vetëvrasje siç kërkon ta paraqesë policia e shtetit.
Më tej, sipas versionit zyrtar të dhënë nga policia, është bërë me dije, se Andrea Omiro vuante prej disa javësh nga depresioni dhe kjo sëmundje dyshohet ta ketë shtyrë atë drejt vetëvrasjes.
Për t’iu referuar së njëjtës deklaratë, thuhet se njëri nga pronarët e lokalit “Ante Grand” në Tiranë, ku ndodhi vrasja e katërfishtë për të cilën është arrestuar Kostandin Xhuvani, i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar.
Më tej, policia shton se Andrea Omiro, 54 vjeç, është vetëvrarë pasditen e së dielës në banesën e tij, pranë “Komunës së Parisit”, në kryeqytet.
Në deklaratën e dhënë, thuhet se 54 vjeçari është dërguar nga familjarët në spitalin “Nënë Tereza” rreth orës 18:35, por nuk ka arritur të mbijetojë, duke ndërruar jetë në orët e mbrëmjes.
Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, Omiro ishte me masë sigurie “arrest shtëpie”, pasi disa javë më parë Policia i kishte gjetur një levë hekuri, të klasifikuar si armë e ftohtë. Ndërsa Gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Mjekët e Spitalit Toksikologjik në QSUT thanë se ka qenë e pamundur që ai të mbahej në jetë, pasi sasia e lëndës helmuese ka qenë shumë e madhe dhe nuk arriti të mbijetonte, pavarësisht ndërhyrjes në kohë.
Ndërsa, përsa i përket gjendjes së rënduar psikike të 54-vjeçarit Omiro mjekët bënë me dije se nuk kishin të dhëna për depresion dhe as për trajtim me ilaçe kundra depresionit.


Leave a Reply