Eugjen Merlika
Shen. (Fotoja ilustruese eshte vene nga Alba – Dansk)
Dokumenti i sotëm është një nga më interesantët e serisë që, prej disa muajsh, “Milosao” po i paraqet lexuesve të tij. E quajta kështu, sepse është një dokument zyrtar i Kryeministrit të Perandorisë Turke, me të cilin i epen udhëzimet Misionit të Qeverisë që do të çojë përpara bisedimet me kryengritësit e Kosovës. Ky Mision zgjedh Kosovën për traktativa, mbasi atje ishte më e fortë qëndresa shqiptare.
Në këtë dokument shpaloset vizioni dhe platforma e Qeverisë së re Turke, në lidhje me lëvizjet kryengritëse, veçanërisht në Shqipëri, pjesa më perëndimore e Turqisë evropiane.
“Tue qênë se Shqiptarët kanë diftue shekuj me rradhë nji besnikí të plotë ndaj Khalifatin e ndaj Mbretnín, kanë tregue kurdoherë dashuní ndaj atdheun dhe kanë qênë pjesa mâ e fortë e mâ rândsore e kombit othoman n’anën e Rumelís, nuk âsht e udhës e as e drejtë qi të gjajnë e të vazhdojnë luftime ndërmjet sish dhe vllazënve të tyne ushtarë, e prandej do t’u epet fund menjiherë ndjekjeve të tyne.”
Kujtesa historike e Turqisë nuk është mpirë. Vlerësimi i Mbretërisë për shqiptarët ka bazë historike. Mjafton shifra e kryeministrave (37) të origjinës shqiptare që kanë qeverisur Perandorinë Turke gjatë më shumë se katër qindvjetësh, veç numurit të pafund të valijve, pashallarëve e kuadrove të tjera të larta t’administratës, diplomacisë e ushtrisë, për të kuptuar përmasat e vërteta e të pashembullta të ndihmesës shqiptare në historinë e shtetit osman. Në vartësi të numurit të popullsisë ajo, ndoshta, ka qënë më e rëndësishmja, por edhe më pak e shpërblyera. Veç fushës shtetërore, administrative, politike e ushtarake, ndihmesa shqiptare është ndier edhe në fushën e kulturës. Emrat e Shemsedin Sami Frashërit, të Hasan Tahsinit, të Mehmet Akifit (hartuesi i hymnit kombëtar turk) e shumë të tjerëve vazhdojnë të ndriçojnë kulturën turke.
Portës së Lartë as që mund t’i shkojë nëpër mend të humbasë Shqipërinë. Prandaj Misionit të Ibrahim Pashës i jep udhëzime të sheshojë mosmarrëveshjet me kryengritësit shqiptarë e “….urdhnonte qi të sqyrtoheshin pa tjetër prej Kshillit Ministruer ato veprime qi kanë shkaktue pakënaqsí e prandej vështirsí e ankime në do vênde e sidomos në Shqipní…” Duke e konsideruar Shqipërinë pjesë të pandarë të Mbretërisë, përceptimi i problemit shqiptar reduktohet në disa kërkesa të thjeshta administrative apo burokratike. Kërkesat politike nuk shtrohen në tryezat e bisedimeve, jo vetëm për mungesën e vullnetit të Qeverisë turke, por edhe për mungesën e një platforme të qartë e të përbashkët të kryengritjes, që nuk arrinte të fliste me një zë të vetëm, që nuk kishte një shtab të zgjedhur e me fuqi vendimmarrëse, për pasojë edhe zgjidhja e tij bëhet “mbrênda qarkut të legalitetit e kushtetís”.
Pasojat e përfundimet e kësaj gjëndjeje do t’i shohim në dokumentat e ardhëshme.
Dokumenti…..
Gusht 1912
Sadrazemi Misjonit të dërguem në Kosovë për t’u marrë vesht me kryengritësit. Akt qeveritar. Tyrqisht. Instruksjone.
Kopje e instrukcjonevet të dhâna misjonit të dërguem në Kosovë me vêndimin e Kshillit Ministruer e me dekret mbretnuer.
Letra autografe e M. T. Mbretit me datë 9 korrik 328 qi u muer në rasën e ndërrimit të Qeverís e u këndue në Portët të Naltë me ceremonít e zakonshme, urdhnonte qi të sqyrtoheshin pa tjetër prej Kshillit Ministruer ato veprime qi kanë shkaktue pakënaqsí e prandej vështirsí e ankime në do vênde e sidomos në Shqipní; qi t’u epej fund paudhsive e padrejtive; qi të merreshin masa ligjore për me qetue opinionin botuer edhe të zbatoheshin me mâ të madhin kujdes urdhnimet e shtatutit e rregullat kushtetore për të mbarën e të mirën e vêndit t’onë, për përparimin moral e materjal të tij.
Kshilli Ministruer i studjoi pra ankimet e shumta qi kanë ardhun prej Shqipnije dhe vêndosi t’i sqyrtojë këto e të bâjë hetime t’imta mbi nevojat e vërteta të vêndit; dhe mbasi të ketë formue nji idé të saktë mbi gjithça ka për të pranue gjith’ato sende qi do t’i duken të pranueshme.
Për me i dalë në krye këtij qëllimi Kshilli Ministruer vêndoi me çue në vênd nji misjon të përbâmë nga të Naltët Senatorë Sh. Sh. T. T. Reshid Akif pasha, si kryetar, e Sulejman pasha, dhe nga ish- Valiu i Selanikut Danish beu, për të cilët ka dalë edhe dekreti mbretnuer.
Tue qênë se Shqiptarët kanë diftue shekuj me radhë nji besnikí të plotë ndaj Khalifatin e ndaj Mbretnín, kanë tregue kurdoherë dashuní ndaj atdheun dhe kanë qênë pjesa mâ e fortë e mâ rândsore e kombit othoman n’anën e Rumelís, nuk âsht e udhës e as e drejtë qi të gjajnë e të vazhdojnë luftime ndërmjet sish dhe vllazënve të tyne ushtarë, e prandej do t’u epet fund menjiherë ndjekjeve të tyne.
Qeverija do të ndërtojë të gjitha ato shtëpí qi janë rrenue gjatë veprimeve ushtarake tue u mundue me krijue ato rrethana qi i shërbejnë sigurimit të rahatís e të lumnís së popullit.
Do të sqyrtohen e të ndreqen mbas ligjës edhe ato veprime antiligjore qi, simbas ankimesh të bâme sa herë paskan gjamun në rasën e zgjedhjevet.
Tue qênë se e mira e Mbretnis othomane sikurse edhe ajo e të tânë Shqipnís, qi âsht nji nga pjesët mâ të shqueme të ksaj mbretnije të madhe, varen nga zbatimi i pikpërpikshëm i urdhnimevet të shtatutit dhe nga forcimi i rregullavet kushtetore, Qeverija nuk do të shtëmânget asnji qime prej këtij parimi shpëtimtar.
Mbasi u vênduen të gjitha këto pika prej Kshillit Ministruer e u shinatuen me dekret mbretnuer, i u kumtuen telegrafisht vilajetit të Kosovës prej Ministrís së luftës dhe gjithashtu u bânë me dije edhe Manastiri, Shkodra e Janina.
Misjoni i sipërpërmêndun po niset fill për Shkup me tren të posaçëm dhe simbas urdhnimevet të nalta të dekretit mbretnuer do të nisë përnjiherë hetimet e veprimet.
Nji deklaratë e ndënshkrueme prej njizet vetve, qi si duket do të jenë krenët e lëvizjes shqiptare, dhe e dërgueme Sh. T. Hysejn-Hilmi pashës kur ishte senatuer, i u dorzue misjonit hetues. Me sa kuptohet prej ksaj deklarate, kërkesat qi bâhen janë kryesisht këto: largimi i qeverís së rame dhe zhdukja e së ndërh?mes e e despotizmës së njerëzve mbi të cilët pështetej ajo, formimi i nji qeverije legale dhe hartimi i ligjve në pajtim me nevojat e vêndit.
Qeverija e bâme objekt ankimesh u hoq. Në vênd të saj u formue nji qeverí prej njerzish të paanshëm, e cila shpreson se ka me gzue besimin e të tânë kombit othoman. Njerëzvet mbi të cilët pështetej qeverija e përparshme s’u ka mbetun asnji rrugë për me i u përzie ksaj së résë në punët e saja. Kjo qeverí ka damun në mënyrë të preme me marrë të gjitha ato masa qi ka proponue misjoni hetues për sigurimin e qetís dhe të lumnís së Shqipnís dhe me sqyrtue në Kshillin Ministruer veprimet e zgjedhjevet të deputetvet e me marrë masa për rregullimin ligjuer të tyne simbas dokumentash qi do të shtihen në dorë. Prandej porsa t’arrijë në vênd misjoni vëzhgues ka për t’u spjegue t’interesuemvet urdhnimet e nalta të dekretit mbretnuer dhe vendimet e qeverís së ré, ka për të sigurue se kjo qeverí do t’i zbatojë pikë për pikë urdhnimet e ligjvet dhe pa kurrfarë të ndërh?mjesh prej kurrkah, se ka për të bâmë gjith ç’lyp drejtija e barasija me paansín mâ të plotë.
Mâ në fund ka për t’i porositun e për t’i kshillue me u kthye në shtëpí të vet e me u marrë me punët e me hallet e veta tue besue në vullnetin e mirë e të papërkulshëm të qeverís, do të marrë masat e nevojshme për me u dhânë fund lëvizjeve e në qoftë se ka do t’i dërgojë kryeministrís gjithë dokumentat qi provojnë të ndërh?me e veprime antiligjore ndër zgjedhjet për deputetën.
Shpít e renueme do të shkruhen të gjitha nji nga nji kudo qi të gjinden tue u shënue në janë të rrenue prej veprimesh ushtarake apo në tjetër mënyrë dhe ç’vlerë kanë. Në qoftë se ka njerëz të burgosun a të mërguem pa ligjë apo familje të mërgueme gjithashtu, qoftë prej administratës civile apo prej asaj ushtarake, këta do të lirohen pa tjetër e të dërgohen ndër vêndet e veta. Në qoftë edhe se ka nëpunës nga administrata civile a nga ajo e sigurimit ase e financavet deri në shkallën e prefektit (mytesarrif), qi nuk duhet të qëndrojnë në vêndet e tyne, misjoni vëzhgues âsht i auktorizuem me i hjekun menjiherë dhe me vûmë në vêndet e tyne nëkâmbës e mb’anë tjetër me lajmue ministrit kompetente qi t’emnojnë titullarët. Sa për nëpunsit gjyqsorë e ushtarakë qi mund të jenë për t’u hjekun, për ndërrimin e këtyne do t’u shkruhet menjiherë ministrive kompetente. Veç këtyne, çfardo masa tjera qi misjonit do t’i duken të nevojshme për t’a lumnue popullin e gjithë Shqipnís mbrênda qarkut të legalitetit e të kushtetís, do t’i a paraqesë kryeministrís, telegrafisht ato qi të jenë të nguçme dhe tjerat me letër.
Nga nji kopje e këtyne instrukcjoneve do t’i a dërgojë Ministrija e Mbrêndshme vilajetit të Kosovës dhe ajo e luftës atyne kumandarve qi të jetë nevoja. Tue qênë se detyra dhe kompetenca e misjonit vëzhgues përfshîn të gjithë Shqipnín e jo vetëm vilajetin e Kosovës, ai, po t’shohë të nevojshme, âsht i auktorizuem me u marrë vesht edhe me vilajetet tjera. Prandej Ministrija e Mbrêndshme do t’i bâjë me ditun edhe ato.
Gazeta Shqiptare
Leave a Reply