
Koleksionisti Lulzim Perati prezanton në MHK koleksionin e stolive të gruas shqiptare. Punime të rralla të brezit, vjerrësit, qostekut, gjerdanit të derdhura në argjend, të shek XVII-XIX
Koleksionisti 61-vjeçar Lulzim Perati prezanton në Muzeun Historik Kombëtar 24 koleksione të plota stolish nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Çermenika, Shkodra, Zadrima, Mirdita, Mati, Rajca, Korça, Çamëria, që i takojnë shekullit të XIX, por edhe periudhave më të hershme.
Etnografët dhe studiuesit flasin për elementë të mesjetës së hershme. Etnografia Afërdita Onuzi, e cila e ka ndihmuar Peratin në ballafaqimin shkencor të objekteve, e vlerësoi koleksionin për larminë dhe punën serioze në ruajtjen e stolive dhe në pasaportizimin e çdo objekti.
Binin në sy stolitë e grave të veriut për larminë, ndërsa jugu më “i përmbajtur”. Në krah të stolive qëndrojnë kostume të grave që vijnë nga familjet e kamura të Elbasanit, Krujës, Beratit, kostumi qytetar që vishej në Durrës, Tiranë, Korçë dhe fustani i Leskovikut, me brez argjendi, kapelë dhe pantofla.
Veshjet ishin aty për të treguar sesi rrinin stolitë në to, si kombinoheshin dhe stiseshin për të vënë në pah hiret e gruas.
Perati flet rreth punës 20-vjeçare për përgatitjen e koleksionit, tipet e stolive dhe sa me rëndësi ishin ato për gruan shqiptare.
Z. Perati sa kohë i keni dhënë nga jeta juaj kërkimit të stolive që shohim sot në ekspozitë?
Kam qysh prej vitit 1987 që grumbulloj stoli të grave shqiptare dhe mbi tri vjet që mundohem të vendos çdo stoli sipas kritereve kronologjike, historike dhe etnografike. Për këtë kam pasur mbështetjen e profesorëve, etnografëve. Sistemi shkencor ka tri vjet e katërt muaj që merr kohën time.
Ç’profesion keni? Ç’e shtyn një burrë të gjurmojë stolitë e grave shqiptare?
Kam punuar teknik i mesëm elektrik. Besoj se ka të bëjë me origjinën e familjes sime, që konsiderohej e pasur për vitet ’900. Gjyshi im ka qenë nënkolonel në kohën e Zogut, babai kapiten. Në shtëpinë time kam parë materiale të tilla dhe punime artizanale. Fillimisht kam koleksionuar pulla, monedha, kartëmonedha.
Kontakti i parë me argjendin, ka qenë në veriun e Shqipërisë ku shkoja shpesh me shërbim. Kur pashë dy kryqe, aty më lindi ideja që t’i grumbulloj. Pas ndërrimit të regjimit, mori hov më shumë ky pasion imi.
U hapën ca dyqane në Krujë, në Shkodër, Tiranë. Njerëzit kishin nevojë për t’i shkrirë shumë objekte argjendi ose për t’i shitur. I kam miq gati të gjithë argjendarët e Shqipërisë. Ata më ruajnë objekte me vlera. Dikush një kopsë, dikush një gjerdan.
Është një pasion i veçantë jo vetëm imi, por edhe i familjes sime. Gruaja, vajzat qëndisin, riparojnë pjesët e qëndisura. U bënë 23 vjet dhe prapë nuk jam i kënaqur. Them kam lënë mangët Peshkopinë, Kukësin, Tropojën, s’kam Kosovën. Mendja më rri aty.
Me ç’shohim çdo “grua” e koleksionit tuaj, është e plotë: 24 komplete stolish. Si ia keni dalë me kaq shumë detaje sa kërkoka kjo punë?
Me mundim të pazakontë. I lodhur fizikisht, i lodhur monetarisht, me kufizime të mëdha. Nuk mund të besohet, që unë banoj në Shijak, 8 km larg nga Durrësi dhe kam njëzet vjet që nuk e kam shijuar njëherë bregdetin. Më vjen keq se e kam privuar edhe familjen.
Më konkretisht mund t’ju them se kam gjetur shumë stoli në Shkodër sepse ka pasur tri katër dyqane antikuarësh edhe gjatë regjimit komunist. Sidomos pas ’88-ës, filluan aty-këtu të dalin në shitje.
Në vitin 1990, në tregun e Lezhës, Shkodrës, Krujës qytetarët filluan të shisnin kostumet. Të tjera stoli i kam grumbulluar nga miqtë që i njihja. Unë nuk shkoj nëpër këto krahina.
Ka njerëz të tjerë që rrëmojnë dhe më lajmërojnë. Janë grupe kundrejt një pagese. I kam të gjitha të blera, asgjë nuk është dhuratë. Për shembull nga Çamëria, qosteku me gjithë sahat ka qenë i gjyshes së mikut tim, me të cilin kemi qenë në shkollë bashkë. Ai donte të ma jepte, por nuk kam preferuar dhurata. Kam dashur gjithmonë t’i kem të miat.
Pasi gjenit materialin, si e plotësonit me të dhënat etnografike?
Njeriu që të mësojë duhet të pyesë. Kisha dëgjuar për etnografen Afërdita Onuzi. Kam lexuar literaturë, qysh nga Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji. Me zonjën Andromaqi njihem, i shkoja edhe në shtëpi për konsultime.
Në vitin 1993 rastësisht njihem me profesoren Afërdita Onuzi dhe qysh nga ai moment, më është lehtësuar puna. Jam takuar me profesor Agim Bidon.
Më ndihmojnë për përcaktimin e datave, të zonës. Për shembull, kemi dy lloj gjerdanesh që afrojnë me njëri-tjetrin, po u përkasin dy zonave të ndryshme. Duken sikur janë të njëjtë, por nuk janë. Ka ballafaqime etnografike që janë të pafundme.
Fotografitë e Marubit si ju kanë ndihmuar?
Marubi më ka ndihmuar shumë për të vendosur grupet e stolive. Kemi fotografi të një gruaje nga Malësia e Madhe e fotografuar. Ajo është dokument historik.
Është fat i madh për Shqipërinë që ka pasur një fotograf si ai që ka lënë një thesar. Mbi 20 stoli i kam të gjitha të fotografuara dhe janë të regjistruara në zyrën e trashëgimisë kulturore, pavarësisht se është pasuri e imja.
Duke punuar gjatë me historinë e stolive, ç’thonë ato për jetën e gruas shqiptare?
Tregojnë që është respektuar gjatë shekujve. Tregon edhe që burrat shqiptarë janë bujarë, kanë pasur dëshirë ta stolisin gruan dhe gruaja ka vlerësuar vetveten. Kur i shoh të gjitha stolitë imagjinoj nënën time, më kalojnë para syve gratë e asaj kohe. Njëra më e veçantë se tjetra, se përveç këtyre kanë pasur edhe kostumet.
Çfarë nivelesh shoqërore përfaqësojnë?
Janë shtesat e mesme dhe të pasura. Jo shumë të pasura sepse ato kishin stoli ari. Të paktën nga hulumtimi që kam bërë, tek stolitë e arta nuk ka punë artizanale. Kanë një zinxhir, ku varet një monedhë. Këtu kemi të bëjmë edhe me artizanat. Te kjo ekspozitë shohim ç’kanë bërë artizanët shqiptarë.
Në viteve 1700-’800, argjendi ishte shumë i çmueshëm, vlerësohej shumë. Një kostum Tirane nuk mund ta bleje më pak se 40-50 napolona ar. Janë perla.
Si i ndani në kategori stolitë?
I ndaj në tri tipe. Stolitë e Shqipërisë së Veriut, Qendrore dhe stolistë e Jugut dhe Juglindjes. Në Shqipërinë Qendrore kemi stoli të grave myslimane, stoli veriore të grave katolike dhe ato të juglindjes janë të grave ortodokse.
Stolitë veriore janë prej argjendi të larë me ar, te stolitë qendrore kemi argjendin e pastër dhe të bardhë, në juglindje kemi punimin e argjendit me savat, tip pakti me derdhje, me rrahje dhe punë me kalem. Jam përpjekur që t’i paraqes nga ana grafike, në mënyrë që të imagjinohet një grua e stolisur: varësen në qafë, gjerdanin e parë, gjerdanin e dytë, qostekun.
Diku janë më të ngarkuara stolitë si në Malësinë e Madhe, Zadrimë; diku më të lehta si në Shpat, Matin, Dukagjin. Në juglindje janë pak më të rënda sepse aty duken brezat e mëdhenj. Stolitë e minoritetit grek janë më të lehta, edhe ato të zonës së Korçës. Përgjithësisht gratë tona kanë qenë zbukuruar rëndë.
Përse tek pjesa e Çamërisë shohim vetëm qostekun dhe tokëzat?
Çamët janë rrënuar kur kanë ardhur dhe nuk gjendet e plotë stolia.
Cilat janë më të vjetrat që keni?
Stolitë e Labinotit, të Gramshit, Librazhdit, Rajcës, që datojnë nga mesi i shekullit të XVIII. Nuk mund të flasim për data të sakta në etnografi. Këto janë punime artizanale dhe duke u këshilluar me etnografët, nxjerrim afërsisht datën.
Çfarë ndryshon nga stolitë e burrave?
Burrat kanë më pak stoli dhe kanë një sektor zbukurimi tjetër. Kanë qostekët e armëve, qostekët e sahateve, kanë silahet, aty-këtu kanë unaza. Stolitë më të bukura të burrave ishin armët, qosteku i sahatit, cigarishtet. Është një sektor tjetër që uroj ta organizoj në një ekspozitë.
Ku ruhet koleksioni?
Në kuzhinë ku rri vetë, i kam vendosur në mure dhe i shijoj çdo moment. Janë në korniza me xham të mbyllur, në temperaturë mesatare 15 gradë. Po nuk morën oksigjenin, metalet e kanë këtë karakteristikë, nuk oksidohen. Sidomos argjendi është metal i pasur fisnik. Po kështu kemi metale argjendi të larë me ar dhe ari është mbrojtës akoma më i mirë.
Tani çfarë pune bëni në Shijak?
Punoj në riparimin e mobilieve të vjetra, po me antikuarë.
A nuk mendoni se duhet të nxiten nisma të tilla?
Në Muzeun Historik Kombëtar qysh në momentin e parë që jam paraqitur më dhanë përgjigje pozitive për hapjen e ekspozitës.
Ata ofruan këtë vend. Aq kanë mundësi. Ata janë si unë. Unë jam një koleksionist privat, ata janë një koleksionist shtetëror.
Edhe Ministria e Kulturës më ka dhënë mbështetje. Mendoj që në të ardhmen të bëjmë një album. Shpresoj që të bëhet.
Sa kohë do të rrijë e hapur ekspozita?
Unë e kisha për ta hapur për 10 ditë, por propozimi nga drejtoria e Ministria është që të rrijë e hapur gjatë gjithë muajve të verës.
Marre nga Shkodra -Ws


Leave a Reply