Gazeta Shqip
Gjergj Erebara – Titulli i veprës lapidar të At Zef Pllumit gjithmonë më ka bërë përshtypje pa arritur ta kuptoj. Nuk e kuptova se pse ky titull, kjo deklaratë misioni sublim, duhej të ekzistonte në Shqipërinë e demokracisë. Nuk e di se pse prifti françeskan që kaloi të gjithë jetën nëpër burgjet minierë të komunizmit, nuk zgjodhi të shijojë vitet e mbetura të jetës me udhëtime, ushqim dhe verë të mirë. Jo! Ai i vuri vetes një mision të ri! Qëllimi i ekzistencës së tij tokësore u bë tregimi se çfarë kishte ndodhur.
Se çfarë kishte ndodhur, e dinin pak a shumë të gjithë shqiptarët. Çdokush ka nga një të afërm apo të njohur që jetoi në kohën e dhunshme të komunizmit. Çdokujt do t’i mjaftonin këto tregime për t’ia rrënqethur mishin. Tezes së mamasë time psh, i bënë teknikën e quajtur “macja në thes” ku e dënuara u fut e zhveshur nga mesi e poshtë në një thes dhe po aty u fut një mace e rrahur, e cila nguli thonjtë e saj në përpjekje për të dalë nga thesi.
Familja Markajan, kur u kthye më në fund në shtëpinë e vet gjeti gjakun e tharë të torturave palë mbi palë në bodrum. Shtëpia u bë automatikisht e pabanueshme. Ajo qe pwrdorur nga Sigurimi i Shtetit. Besoja se ngjarje të tilla do të mjaftonin për të kuptuar se çfarë nuk duhet bërë. Dukshëm, kam qenë i gabuar.
Gjatë tridhjetë ditëve të fundit, fillova ta kuptoj At Zef Pllumin dhe misionin e tij pas burgut, arsyen e ekzistencës së tij deri sa mbylli sytë përgjithmonë. Kuptova misionin e tij për të jetuar jo për të shijuar, jo për t’iu falur Zotit, por për të treguar.
Një grusht të mbijetuarish të komunizmit, u ngritën edhe një herë e ndoshta, për herë të fundit. Qe një protestë e lindur nga zemërimi. Grevistët këmbëngulën se bëhej fjalë për kërkesa ekonomike, për premtime të pambajtura. Unë vetë besoj se bëhej fjalë për një protestë për dinjitet. Ajo nisi kur Gregor Zahari vdiq. E di ndokush se kush është Gregor Zahari? Është një nga mijërat viktima të komunizmit. Ai mbylli sytë në heshtje në fillim të këtij viti. Në botën e madhe të google, emri i tij doli për herë të parë kur vdiq. Emri i tij nuk ekziston në listat e të “dëmshpërblyerjve” të qeverisë. I dalë nga burgu në moshë të madhe, nuk krijoi dot familje. Vdiq në vetmi dhe u harrua në morg për shumë javë deri sa më në fund, shokët e tij të burgut, gjithsecili në hallin e vet, e mësuan se kishte vdekur. Ata shkuan të marrin kufomën, por nuk kishin para për ta varrosur. Më në fund, një dashamirës u gjet për të paguar varrmihësin dhe drekën e mortit. Kostoja e varrimit, afërsisht 3 mijë dollarë. Kjo shifër ironikisht u bë argumenti i qeverisë kur sulmonte shokët e Zaharit, për të cilët thoshte se ankohen kot, se e kanë marrë dëmshpërblimin për vitet e burgut, se janë borgjezë me vila në Korfuz, janë pijanecë, bixhozçinj, tutorë prostitutash.
Sulmi mbi ish të burgosurit, nuk erdhi nga ndonjë mbeturinë e komunizmit. Përkundrazi, erdhi nga gazetat që prezantohen si antikomuniste. Gazeta RD publikoi më 20 tetor një numër special kundër ish të burgosurve. Gzeta 55, e cila për ironi të fatit, ka botuar edhe veprën e At Zef Pllumit, nuk la llaf pa thënë.
Në anën tjetër, njerëz me apo pa lidhje me ish të persekutuarit politikë u tronditën, jo aq shumë nga kujtimet e kohës së komunizmit se sa me atë që ndodhi në kohën tonë. Një zyrtar qeverie më tha se po qante në heshtje për çfarë ndodhi. Si ai, mijëra shqiptarë të tjerë heshtin, sepse e dinë se këtu te ne, është beu ai që bën Ligjin dhe Maliqin, se është ai që mund të të japë një rrogë dhe mund të ta heqë atë, mund të të lejojë të bëhesh biznesmen apo të të grabisë. Ky beu ynë kështu paska qëlluar. Zevzek. Nuk pranon të flasë me qytetarët e vet edhe pse e gjithë bota ia kërkon në disa raste me lutje e në disa raste me kërcënim.
Lirak Bejko gjendet në Itali për t’u kuruar. Familja e tij gjendet në të njëjtin mjerim që i la komunizmi. Nga greva e 31 ditëve të fundit ka dalë me plagë të rënda. Ne e harruam shpejt Bejkon pasi patëm punë të tjera për t’u marrë. Shumica dërrmuese e medias edhe këtë herë shkoi pas biznesit të vet të lidhur me qeverinë dhe jo me të drejtën.
At Zef Pllumit iu desh të hynte në debate me udhëheqësit komunist gjatë të gjithë viteve ’90. Ata thanë se fenë në fakt e hoqi populli, se krimet i bëri populli, se torturat i bëri populli. Edhe ai u detyrua të hynte në argumentime të tepërta se çfarë ndodhi në kohën e komunizmit, por e bëri gjithmonë me një sens humori që sot na i bën të lexueshme vuajtjet.
Vras mendjen se çfarë do të kishte bërë At Zef Pllumi po të ishte gjallë. A do ta hiqte rrobën e priftit për t’u bërë revolucionar, apo do të zinte sërish një qosh për të vijuar misionin e tij, atë të të jetuarit vetëm për të treguar, me shpresë se dikush do të frymëzohet një ditë dhe do t’i thotë ndal mosndëshkimit të krimeve.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply