si ma rrëfyen mua, po jua rrëfej dhe unë juve. Një ngjarje e largët, gati e pabesueshme, po e vërtetë aq sa mund të bartë një gojëdhënë. Një gojëdhënë cigane.
Paskish qenë një karvan cigan ai, që një ditë të thyer vere kish ngritur çadrat afër një stani. Ditën e tretë, rrëfen gojëdhëna, as më parë e as më pas, çobani i stanit, ky gaxho* leshverdhë, na paskish rënë në dashuri me Nojemenë, vajzën më të bukur të karvanit. Po dhe bukuroshja e zezë, sapo e kish parë çobanin ishte çmendur pas tij.
Dhe kur karvani u nis rishtazi për udhë, djali s’e pat për gjë të braktisë tufën e bagëtive tok me kërrabën dhe t’u bashkohet endacakëve të lirë. Atëherë të gjithë u prekën e u mallëngjyen nga dalldisja e çobanit. Nuk mbeti tjetër, veç pleqtë t’i jepnin bekimin çiftit të ri.
Martesa u bë në udhë e sipër, nën zulmën e gërnetave, të daulleve e të defeve. Karvani cigan gëzonte dhe rrugëtonte pa pushim. Një qerre, thurur nga të katër anët me kashtë e thupra u bë shtëpia e çiftit. Shtëpizë që digjej përbrenda nga zjarri atij djali azgan e të fuqishëm, e që të sillte ndërmend flakët, kur merr zjarr pylli. Shtëpizë që digjej dhe nga dashuria e ciganes së hajthme e të brishtë, që të kujtonte thëngjijtë tek treten heshturazi nën hi.
Karvani cigan ecte pa pushim, ditë e natë. Ai ziente nga fjalët, nga dëshirat, nga hamendjet. Çifti i ri kish ngacmuar zemrat e të rinjve dhe kish vënë të moshuarit në mendime. Askush nuk dinte të thoshte se ç’do të ndodhte me këtë martesë të çuditshme. Vetëm kryefallxhorja e karvanit rrihte të gjente përgjigjen e pyetjes që mundonte të gjithë. Ajo, pasi hodhi disa herë fall i tha gjindjes: “Kur dashuria e ciganes bashkohet me atë të gaxhoit bëhet aq e madhe dhe e rëndë sa s’ka zemër që ta mbajë. Në mos njëra, tjetra vjen një orë e pëlcet”.
Dhe fjala e kryefallxhores doli e vërtetë. Një mëngjes herët, qerrja e thurur me kashtë e thupra qëndroi. Qëndroi dhe karvani. Një klithmë therëse jehoi te pylli anës rrugës. Ishte klithma e çobanit, që kish zbritur nga qerrja dhe vërtitej me duart në kokë. Të gjithë e morën me mend ç’kishte ngjarë.
Diku në një vend, cigankat u mblodhën dhe e qanë Nojemenë me një gjuhë të pakuptuar. Ciganët rrinin me sytë përdhe, pinin cigare paprerë dhe s’flisnin. Çobani ngashërehej brenda vetes dhe sa vinte e tretej si qiriu para syve të zinj të gjindjes.
Në fund, në mes heshtjes mortore, dy burra të fuqishëm e morën në krah trupin e ngrirë të vajzës dhe e zhdukën drejt pyllit. Çobani u ngut të shkojë pas tyre, por një zë i egër e ndaloi. Ai ishte i lire të shkonte ku të donte, veç jo pas të vdekurës.
Dhe ndërsa karvani u vu përsëri për udhë, çobani mbeti aty në mes të rrugës, as i gjallë, as i vdekur. Priti i ngulur në vend me orë të tëra derisa të dy burrat u kthyen nga pylli. Ai u doli përpara dhe me atë fuqi që i kishte mbetur, i pyeti zëdridhur:
– Ku e varrosët Nojemenë?
Burrat u panë sy më sy dhe njeri prej tyre tha:
– Dëgjo, or mik: ne ciganët jemi si era, nuk na ze kurrë këmba dhe. Prandaj nuk kemi dhe varr. As Nojemeja nuk ka varr. Varri të vdekurit është në zemrën e të dashurve. Dëgjove?
Dhe burrat papritur përgjigje, u larguan. Çobani ngeli vetëm dhe ashtu i vetëm dalëngadalë zuri të marrë veten e të kthjellohet. Vërtetë, varri i Nojemesë ishte zemra e tij dhe s’ish nevoja ta kërkonte gjëkundi.
________
*) gaxho ciganët quajnë të bardhët.
MILOSAO
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply