Kryeministri i vendit Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Shqiptaro-Bullgar, në praninë homologut bullgar Bojko Borisov, u ka bërë thirrje biznesmenëve bullgarë të investojnë kapitalin e tyre në Shqipëri, pasi sipas tij, vendi ynë ka potenciale të mëdha, sidomos në fushën e turizmit, që e bëjnë atë tërheqëse për bizneset e huaja.
Berisha vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona në rrafshin politik, por theksoi se në kushtet e krizës që ka pllakosur Europën, investimet në fushën e biznesit janë rruga më e mirë për të mbijetuar.
“Marrëdhëniet mes vendeve tona janë të shkëlqyera, por sot më shumë se kurrë ato kanë nevojë për kontributin tuaj, projektet dhe angazhimin tuaj më të madh. Biznesi është rruga e vetme për t’i mbijetuar krizës që ka pllakosur Europën”, – tha kryeministri.
Berisha vuri në dukje lehtësirat që u ka ofruar qeveria e tij investitorëve të huaj të cilët mund ta regjistrojnë biznesin brenda 30 minutave dhe më një kosto shfrytëzimi 1 euro.
“Shqipëria është një vend me ekonomi të vogël, por dinamike, Një vend i cili i parë në hartë ka sipërfaqe të vogël, por po të ndalesh me hollësi, ka potenciale të mëdha për bizneset më të mëdha të rajonit dhe botës. Qeveria ka bërë përpjekje për klimë miqësore ndaj biznesit, ne i rezistuam krizës dhe Shqipëria nuk ka rënë në recension. Sipas Komisionit Europian, ka pasur rritje 4 herë më të madhe se rajoni dhe ia doli falë reformave që zhdukën barrierat burokratike ndaj biznesit. Ju mund të regjistroni biznesin për 30 minuta dhe kosto 1 euro, së shpejti do kalojmë online”, – deklaroi Berisha.
Ndërkohë, një vëmendje iu kushtua edhe ndërlidhjes mes vendeve të rajonit të Ballkanit, ku kryeministri theksoi se së bashku me homologun bullgar, kanë rënë dakord për një bashkëpunim të mëtejshëm në ndërtimin e Korridorit 8 dhe infrastrukturës hekurudhore.
(gazeta-Shqip.com)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply