
Nga Ben Andoni
Ishin kushedi sesa ndërmarrjet që punësonin dikur banorët e ardhur nga e gjithë Shqipëria në Kuçovë. Në mbrëmje, kur dilnin të gjithë nga puna, atyre u bashkoheshin dhe inxhinierët, aviatorët, e të huajt e shumtë në qytet, duke e bërë Kuçovën, një nga vendet më kozmopolite të kohës së Enverit. Imazhi është thellë në memorien qytetëse. Pasi, sot, të dy ndërmarrjet e mbetura, nuk mund të mbajnë dot një popullsi të re dhe të etur për të jetuar, por edhe me kërkesa tepër të larta për jetën…
Ata që i përkasin brezit të 30-vjeçarëve në Kuçovë as nuk i shkon ndërmend sesi oxhakët e mbetur vetmitarë prej zhdukjes së industrisë në qytetin e tyre, mund të mbanin kaq shumë njerëz në punë. Por, kohët kanë kaluar dhe në xhiron qytetëse, që është e vetmja gjë e cila ka mbetur gjallë prej socializmit, njerëzit e tjerë vazhdojnë e flasin për atë kohë. Nostalgji? Jo! Thirrja e mbijetesës?! Kronika historike e Shqipërisë, e ka të fiksuar qytetin, pasi këtu është organizuar greva e parë e punëtorëve në vitin 1936. Kurse 20 vjet më vonë, qyteti do të mbante emrin e ideologut të fundit të komunizmit. Rusët e kohës së Stalinit, që ndërruan njëri-tjetrin, i dhanë shumë sharm Qytetit Stalin. Bashkë me kolegët inxhinierë dhe teknikë të naftës, por edhe ushtarakët e shumtë, ata e bënë qytetin, që të ishte i vetmi vend kozmopolit shqiptar dhe me një ndjenjë lirie, që për hir të së vërtetës, u tolerua pak si tepër. Por e meritonin. Nafta, që prodhohej në këtë vend, lironte ngërçin e ekonomisë kombëtare, kurse mijëra njerëz që punonin e justifikonin gjithçka në ëndrrën socialiste. Para Luftës së Madhe do ishin italianët, që ia kishin ndjerë lezetin vendit. Madje, ende toponime që janë të lidhura me ta, rrotullohen fantomatike në qytet, si kujtim i ndryshimit.
E sotmja
Por ndryshimi i sotëm mungon. Ne e kapim Kuçovën, falë një rruge të re dytësore, që pasi e lë anash Fier-Sheganin të drejton për në qytet. Nëse vazhdon drejt, siç ndodh rëndom, do përfundosh në Belsh, pasi tabelat edhe këtu s’janë aq të nevojshme! Sa i përket rrugës kombëtare, ajo ka vite që nuk trajtohet. Ikin Socialistët. Vinë Demokratët. Sërish Socialistët. Premtojnë. Qytetarët presin. E ndjej te kryebashkiaku Gjyzeli, që këtë herë shpresa është e madhe. Por, sa i largmë vallë realizimi! Të mendosh se Berati, që vjen pak kilometra më pas, është një nga krenaritë kombëtare turistike, atëherë vërtetë të vjen të qeshësh me shoë-n e madh turistik. Megjithatë përfundojmë shpejt në qytet, të frikuar, pasi rruga e shtruar me asfalt, është e ngrenë turpshëm anash. Firmat punojnë si t’u vijë për mbarë. Në një ditë me diell, si kjo, Kuçova e tregon realisht varfërinë, papunësinë dhe pastërtinë. Kjo e fundit një nga vetitë më të mëdha qytetare. Dy njerëz, që mbartin një si karrocë me hekura na e prejnë rrugën pa kokëçarje. Njëri begenis kthen kokën me shprehjen: pse me kaq nxitim?! Jemi ne njëherë! Po janë ata. Përballë, dhjetëra taksi dhe furgona presin çdo ditë të derdhin banorët e Kuçovës jashtë. Të gjithë kërkojnë të ikin. Të jetojnë. Bukuria dhe qetësia s’hahet, më thotë një burrë gjysmë i pirë në kafe. Njerëzit rrotullohen kot dhe në baritje të mëdha shkojnë nga një cep i qytetit në tjetrin. Kufijtë e këtij qyteti janë muret e larta dhe oxhaqet e braktisura. Më tej, s’iket. Është kaq i mbyllur ky vend, saqë më ’97, kushdo që vinte këtu ishte në grackë. Vetë banorët u bënë preja e një bande, që nuk falte askënd. Derisa një ditë dhe ata mbaruan ashtu si e kishin nisur. Një miku ynë, Kujtimi vihet në dispozicionin tonë dhe përmes një guide, di të na shpjegojë gjithçka. Në fund të çdo rrëfimi mbledh buzët! Ah, si ishte dhe si është! Vërtetë, ajo që ka mbetur, të ngjall trishtim. Harroji të 15 ndërmarrjet dhe impiantet e dikurshme. Jo thjesht si emër, por edhe ngrehinat po fshihen, më thotë burri. Uzina e Përpunimit të Naftës, Uzina Mekanike e Naftës, Shpim-Shfrytëzimi, Ndërmarrja e Nxjerrjes së Naftës, TECI, Transporti, Ndërtim-Montimi, Laboratori Shkencor i Naftës, Fabrika e Pluhurave Larës, Fabrika e Tullave, Shkolla e Mesme e Naftës, sot janë thjesht mbetje e së shkuarës. “Se mbajnë era komunizëm. E ke parë si është jashtë?-ma pret një vajzë, që më thotë se është ushtarake. “Ke lezet t’i shohësh”. S’ia shpjegoj dot ndryshimin. Prishja ka vënë dorë mbi gjithçka. Në ngrehinën e TEC-it, në mos gaboj, është ngrënë dhe prishur gati gjithçka. Tek Uzina në fushë, është marrë edhe guri i themeleve dhe kanë mbetur vetëm oxhaqet. Të gjithë kuçoviatët, që kanë mbetur të punësuar, gjenden në Ndërmarrjen e Prodhimit të Naftës, e cila punon normalisht, si dhe në Uzinën Mekanike të Naftës. Në atë që e njohin si Rafineria, bashkë mbi 7-8 njerëz, gërmojnë për skrap. I habit kamera, por më shumë insistimi ynë për të fotografuar. Disa janë romë. Më të shumët të bardhë. Dy janë të futur thellë në disa gropa. I gjithë vendi, i ngjan një hapësire që sapo është kontrolluar për mina. Por, shenjat e minave s’janë. Janë hijet e njerëzve që baresin aty. Kanë punuar të gjorët dhe vetë dikur, por tashmë gërmojnë. “Ja mu këtu, kam pasur repartin. Punonim dhe nuk ia shtrinim askujt dorën. Shiko!Na shiko sesi jemi katandisur”, më thotë një grua 50 vjeçare. “Këtu ku punonim, tashti gërmojnë të gjejmë skrap të jetojmë”. Ata që janë me të, shmangen. Janë të futur thellë në tokë dhe kanë hapur disa gropëza, që i ngjajnë varreve. Në një varr të madh, ka përfunduar e gjithë ëndrra e tyre, si e të gjithë punonjësve shqiptarë. Mu në godinën e vetme, që ka mbetur prej nga administrata e dikurshme, pak më tej, disa banorë e kanë ngritur ndryshe jetën e tyre. Duhet të jenë në gjendje se dikujt i shoh dhe një makinë të mirë në oborr. Befas, një grua e veshur mirë, që del atypari,më ankohet për pensionin! Vend paradoksesh ky vendi im. Jo shumë larg, vetëm pak më tutje, është impianti i madh që do të prodhonte pluhurin larës. “Nuk do kishim nevojë t’i shtrinim dorën askujt”, më thotë Kujtimi. Mbaroi, në mos gabojmë, në fund të viteve ’80 por nuk punoi sepse duhej që pluhuri larës dhe çdo gjë tjetër të vinte nga jashtë!-më thotë trishtueshëm. Ashtu si nafta, që tashmë ikën krejt larg vendit, apo si nuk punojnë më Superfosfati dhe Azotiku…”Ashtu si jemi dhe ne këtu, nuk na duan më as në shtëpi”, më kthjellojnë njerëzit e skrapit. Janë të edukuar, ashtu, si pak të tjerë që ndaj mendimet për qytetin. Dhe, ndryshe nga qytetet e tjera, nuk dinë të nëmin. Janë pajtuar me fatin. Me jetën. E bënë këtë qytet. Presin që të rikthehet si dikur.
Mbijetesa
Në këtë qerthull, kryetari i bashkisë Gjyzeli, i duhet të bëjë gati një punë titanike, që të qetësojë njerëzit e pafundëm, që i kërkojnë për çdo ditë punë. “Vështirësitë kanë qenë të shumta për qytetin tonë në pamundësinë e theksuar të burimeve financiare por edhe të trajtimit selektiv që na ka bërë ish-qeveria e kaluar duke na hequr me pa të drejtë vlera të konsiderueshme por ne jemi përpjekur dhe kemi gjeneruar vazhdimisht fonde nga donatorë të qytetit tonë dhe jo vetëm, për dashamirësinë që ata kanë në përmirësimin e cilësisë së jetës së vet dhe të komunitetit në tërësi”, na thotë në një intervistë të shkurtër, i mbytur nga punë mbijetese. Realiteti është vërtetë i hidhur. Veç dy të themi vendeve ku ende punohet, pjesa tjetër e qytetit, ashtu si në të gjithë vendin, i duhet ta mendojë gjatë mbijetesën. Mungesa e një sistemi të drejtë ekonomik-sociale, e bën edhe këtë vend të përjetojë vështirësi të pafundme. Ndaj, të rinjtë e braktisin më shpejt qytetin, kurse të tjerë presin me ankth çikërrimat e emigracionit. Një pjesë i është kthyer sërish bujqësisë, duke shfrytëzuar qenien e qytetit mes një zone vërtetë bujqësore. “Është e vështirë të jetohet kështu”, më thotë një burrë që ka qenë dikur mësues. “Është e vështirë, që këtij vendi t’i kthesh shkëlqimin”. Pastaj harrohet. E tërheq aparati dhe mënyra sesi punojmë.
…
Historia është e stisur pak në këtë vend dhe paçka punës së madhe, që kanë bërë një grup njerëzish të kulturuar, ajo i është shumë borxhlije evidencave të gjalla që ende jetojnë në vend. Që do të thotë se: trashëgimia e gjetjeve të antikitetit, i shtohet në kohët e reja me zbulimin e naftës, që e bëri rastësisht një inxhinier austriak e që do të kthehej në një mollë sherri mes shoqërisë AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania), që luftoi kundër shoqërisë Anglo-Persiane, si edhe Shoqërisë Amerikane të Naftës dhe shoqërisë franceze etj.,. Të gjithë ato mund të përbënin një histori të vërtetë. Ajo që përjetuan, 65.000 banorët e saj, në kulmin e lulëzimit të qytetit, dhe që sot mbetet një ëndërr, e cila shpesh e nxjerr instinktivisht nga sirtarët mitin e qytetit kozmopolit. Por ecja e aviatorëve të huaj, grave të tyre të bukura, inxhinierët e shumtë prej Evropës dhe intelektualët shqiptarë, si zor të kthehen më. Vetë kryebashkiaku duhet ta shohë qytetin duke u plakur dhe me njerëz që vazhdimisht e kërkojnë të ardhmen në vende të tjera. Dy punëtorët e paradites po kthehen sërish në mes të udhës. Tani janë bosh.
Pak metra më tutje kemi lënë pas ish-punëtorët e Rafinerisë dhe ndërsa ikim, ata na shikojnë pa gojë që aty, ku rrinë. Habitshmërisht dy vazhdojnë e punojnë kurse të tjerët rrinë. Duket sikur bëjnë varrin e tyre. Por, a është vallë kjo vërtetë vdekja e një qyteti të lavdishëm industrial? Ka të ngjarë se po. Pranverë 2014.
http://www.revistajava.al/reportazh/2014527/kucova-fikja-e-qytetit-kozmopolitan


Leave a Reply