
Refik Hasani
Vizita e Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putinit, në Beograd përbënte më shumë se një lajm, jo vetëm për këtë pjesë të Ballkanit por edhe më gjerë. Këtu duhet të shtojmë se vizita u bë në një periudhë të ndjeshme, kur SHBA-të dhe BE-ja kanë vendosur sanksione të rënda ekonomike ndaj Rusisë, ndërsa Beogradi ka vendosur që të mos i ndjekë këto sanksione. Ishte paralajmëruar më herët se Presidenti rus do të pritej në Beograd me një paradë ushtarake të madhe, e cila ishte e para e atyre përmasave që nga koha kur Serbia ishte në përbërje të Jugosllavisë. Kjo është një thikë me dy presa për Serbinë, që kërkon të ndjekë dy kurse paralele në të njëjtën kohë: të mos largohet nga BE-ja, por të qëndrojë dhe pranë Rusisë. Nga njëra anë kërkon që të jetë pjesë aktive e zhvillimeve të Europës dhe nga ana tjetër, kërkon që të mos shkëputet nga rruga për të qëndruar pranë Rusisë. Me këtë sjellje, Serbia po tregon se po luan si Jugosllavia e dikurshme, që nuk bënte pjesë as në NATO dhe as në Traktatin e Varshavës.
Kjo është një dëshmi e gjallë se Serbia ende nuk është shkëputur nga e kaluara, duke mbështetur në njëfarë mënyrë, struktura të ish-paktit të Varshavës, me në krye Federatën e Rusisë. Shtetet anëtare të BE-së duhet ta kenë të qartë që Serbia kërkon të jetë në një farë mënyre edhe me Rusinë, edhe me shtetet europiane, duke tentuar të ruajë dominimin si superfuqi mbi shtetet e tanishme që dikur përbënin Jugosllavinë. Prandaj sot, Serbia po e mban peng Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, duke u munduar që të shtrijë ndikimet e saj edhe në Kroaci, Malin e Zi e Maqedoni. Strukturat dhe mekanizmat e BE-së, duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se këto sjellje politike janë të patolerueshme. Asaj duhet t’i vendoset një ultimatum për të zgjedhur përfundimisht rrugën e saj, drejt Rusisë apo Perëndimit. Serbia ende nuk i garanton liritë dhe të drejtat e etnive që jetojnë brenda kufijve të saj shtetëror. Ajo ka shumë probleme me hungarezët e Vojvodinës, me boshnjakët e Sanxhakut, me shqiptarët në Preshevë dhe me bullgarët në Dimitrovgrad. Serbia ende jeton mes miteve dhe realitetit, mes të kaluarës dhe të ardhmes, mes dy koncepteve, lirisë dhe luftës.
Shekulli


Leave a Reply